Prokuroria hap dosje për pasuritë e “Sejdinëve” të Elbasanit, hetimi nis nga firma “Ujori”

826
Sigal

Nuk është fjala për shenjën e Horoskopit “Ujori”, por për emrin e një firme private biznesi doganor, të quajtur “Ujori”, që duket se ka lënë “shenjë” me veprimtari antiligjore, duke ecur edhe sipas ligjit ne letra, por edhe sipas parimit popullor “Ku ka rrjedhur, do pikojë”, por edhe sipas parimit “Në mos rrjedhtë, do pikoj”. Firma “Ujori” e cila me letra licencimi dhe me “Seli Pune” figuron në qytetin e Elbasanit, ushtron aktivitet në të gjithë Shqipërinë e jashtë saj, pra kudo ku zhvillohet aktivitet doganor, me përfaqësim palësh që menaxhojnë import-eksportet, dokumentacionin qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e procedurave doganore brenda këtij shërbimi shtetëror edhe prej shërbimit privat doganor me “prokurë të posaçme përfaqësimi”.

 Pikërisht për “Ujorin” e Elbasanit, burime të gazetës “Telegraf” bëjnë me dije, se pak ditë më parë është hapur një dosje hetimore konkrete nga prokuroria e rrethit, me urdhër nga Prokuroria e Përgjithshme, për të zbardhur veprimtarinë praktike e shkresore të kësaj firme, për të cilën ka shumë informacione nga SHISH, si dhe denoncime e prova krimesh kontrabande, apo abuzimesh shkresore fiktive për procedura e import-eksporte të bërë prej agjentëve të saj, disa prej të cilëve kanë përfunduar në prangat e policisë dhe nëpër gjyqe me akuzat për veprimtari me dokumente doganore fallco. Ndoshta, pas një heshtje të gjatë prej 10 vitesh “llafe pazari” që dëgjohen jo vetëm në Elbasan për “ujin e qelbur” që qarkullon në firmën “Ujori” dhe pas “provash hetimi” të zbuluara nga shërbimet speciale dhe anti-krimi ekonomik-financiar lokal në Elbasan e qarqe të tjera, prokuroria vendosi të kap “peshkaqenët” që “notojnë” brenda firmës “Ujorit”, në drejtimin e administratores së vetme Xhuljana Sejdini e cila sa për informacion është bashkëshorte e kryebashkiakut Qazim Sejdini. Sipas informacioneve, këtë operacion të koduar “Zengjinët”, prokuroria nuk e ka nisur si punë rutinë, apo mbështetur në “letrat e hershme” që i janë dërguar këtij institucioni nga SHISH, nga dogana, sigurimet shoqërore, tatimet e nga subjekte të tjera private rivale, ose bashkëpunuese të “Ujorit”, por nisur prej pasurive “mal” të publikuara në deklaratën familjare të “Sejdinëve” të Elbasanit, vënë në 10 vitet e mbajtjes së “çelësave” të bashkisë së këtij qyteti nga kjo familje, kreu i të cilës e ka nisur biznesin me një “qese prezervativësh” të infektuar, prodhim indian që i tregonte si “dorë e katërt” e trafikantëve rusë e turq dhe tashmë së bashku me bashkëshorten, djalin, vajzat dhe dhëndrin rezulton se ka një pasuri të deklaruar që kërkon…
 1 ditë të lexohet si tekst. Nuk akuzojmë dhe nuk paragjykojmë rastin e këtyre pasurive, pagave të shumta në shtet, bizneseve të shumta “ku bëhen lekë” që kanë hapur e zhvillojnë “Sejdinët” (Zengjinët) e Elbasanit, por po ndalemi tek informacioni që prokuroria e shtetit ka hapur dosjen e hetimit të krijimit të këtyre pasurive, duke e nisur nga një fakt i “harruar” në historikun e biznesit të firmës “Ujori” që është pronë e bashkëshortes së kryebashkiakut të Elbasanit. Prokuroria, ka informacion dhe tashëm e ka të konfirmuar që firma “Ujori” në Elbasan ka ushtruar veprimtari biznesi me menaxhimin e punëve të doganave edhe kur ajo ka qenë e përjashtuar për 2 vjet nga pjesëmarrja në prokurime, përjashtuar nga APP “për disa “kleçka të vogla” në lidhje me shkresat zyrtare dhe shkresat e biznesit të saj që paraqiste për të përfituar sipas parimit “Në mos rrjedhtë, do pikojë”! Sipas burimeve tona, mësohet se prokuroria ka depozituar tashmë si provë konkrete zyrtare, njoftimin publik të APP, që firma “Ujori” shpk është përjashtuar nga prokurimet për afatin kohor 2(dy) vjet, duke nisur nga data 22. 09. 2006, deri në datën 22. 09. 2008. Shkaqet e këtij përjashtimi i ka në sirtar Komisioni i APP dhe nëse nuk bllokohen “rrugës” gjatë postimit, apo nëse nuk zhduken “befasisht” nga zyra e shefit të APP, ato do të bëhen publike. Ajo që dimë është fakti, se APP përjashton ato firma që shkojnë në ekstrem të përsëritura të abuzimit me dosjet e prokurimeve, raste ku sipas informacioneve, besojmë se janë bërë edhe nga “Ujori” i Elbasanit, zullumet e të cilës kanë qenë edhe pjesë e disa proceseve gjyqësore edhe penale, një prej të cilëve është edhe procesi i zhvilluar në Gjykatën e Apelit në Tiranë, me Nr. 1126 Rregj. Dhe Nr. 1068 Vendimi, me objekt pezullimin e procedimit penal me Nr 1796 dt 17.11.2011, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, objekt i të cilit ishte edhe një procedurë doganore me “njolla”, ku është thirrur e pyetur edhe agjentja doganore A. K e “Ujorit”, apo rasti i prangosjes së agjentit tjetër doganor të “Ujorit” N. Idrizi, me akuzën për falsifikim dokumentacioni. Dosja “Ujori” ka nisur të mbushet me “fletët e para”, duke vazhduar ‘qepjen” e saj përfundimtare e cila do të zbardh fakte tronditëse nga firma “ujori” e cila e çon ujin në shtimin e pasurive të “Sejdinëve” të Elbasanit. Nuk e dimë se çfarë do të nxjerr prokuroria nga “Ujori”, por dimë faktin që hetimi i pasurive të familjes kryebashkiake të Elbasanit ka nisur nga firma e bashkëshortes…
———————————————-
Deklarimi prej bashkëshortit, i pasurive që ka Zhuljana Sejdini, pronare e firmës “Ujori”

1. Të ardhura nga administrimi i firmës “Ujori” 11 616 110 lekë
2. Pronare me 100% e shoqërisë UJORI shpk me kapital 100 000 lekë.
3. Të ardhura nga qiraja e pronës së bashkëshortes, e trashëguar nga babai, 840 000 lekë.
4. Bashkëshortja, paga në kompaninë UJORI shpk, 305 759 lekë.
5. Bashkëshortja, të ardhura nga pensioni 269 932 lekë.
6. Bashkëshortja, të ardhura nga bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 36 765 lekë.
7. Bashkëshortja e djalit, të ardhura nga paga për periudhën nëntor dhjetor 2014, 31 724 lekë.
8. Bashkëshortja e djalit, të ardhura nga raportet e barrëlindjes, 387 739 lekë.
9. Bashkëshortja, bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 1 000 000 lekë.
10. Bashkëshortja, detyrim i papaguar komunës Shushicë në vlerën 7 100 lekë/vit, për truall e tokë bujqësore me destinacion ullishte, sipas kushtit për pagim një herë në vit.