Prokuroria e Durrësit nis hetimet për zhdukjen e 1300 kontejnerëve me lëndë kimike në Shqipëri

634
Mediet italiane disa ditë më parë bënë publike skandalin e 1300 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se janë zhdukur në Shqipëri dhe që ishin nisur nga porti i Goia Tauro-s në Itali. Porti në fjalë është ndër më të rëndësishmit në Itali nga prej nisen një numër i madh kontejnerësh me mbetje drejt vendeve të ndryshme për t’u groposur. Prej andej dyshohet se janë nisur 1300 kontejnerë me mbetje të rrezikshme dhe ndodhen në vendin tonë. Bëhet fjalë për rreth 2600 kontejnerë secili, me 22 ton mbetje që duhej të përfundonin për t’u ricikluar në Maqedoni, por në Shkup mësohet se kanë përfunduar vetëm rreth 1130 kontejnerë. Çdo mjet transportues, në këtë rast trageti, ka për detyrë nga ana ligjore të bëjë deklarimin e destinacionit. Shumica e tyre nuk kanë mbërritur në Maqedoni dhe kanë ndryshuar drejtim për në Shqipëri. Sipas asaj që shkruan media italiane, kontejnerët me mbetje janë zhdukur në doganën e “Qafë Thanës”. Bëhet fjalë për lëndë kimike shumë të rrezikshme që dyshohet, se janë groposur në Shqipëri. Janë përdorur në dokumente si tranzit për në Shkup, por që nuk e kanë kaluar asnjëherë kufirin shqiptar për në Maqedoni. 

Reagimi i Doganave Shqiptare
Menjëherë pas lajmit të medieve italiane mbi zhdukjen e 1130 kontejnerëve në përbërje të të cilave kishte edhe mbetje toksike dhe helme reagon drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në sqarimin e saj më 1 mars 2017 “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka pasur ndonjë shqetësim të ngritur nga homologët lidhur me këtë çështje, por referuar këtij artikulli ka komunikuar zyrtarisht me doganat homologe në Itali dhe në Maqedoni, dhe pret një konfirmim zyrtar prej tyre”, shkruan njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. 

Hetimi i Parlamentit Italian
Ndërkohë që institucioni i doganave shqiptare lëshonte këtë sqarim një tjetër fakt tronditës nga Parlamenti italian rrëzonte atë çka thoshte njoftimi i Doganës Shqiptare. Ky lajm tashmë nuk vjen nga njerëz apo media anësore por atë e pohon në një intervistë për “Avvenire.it”, Alessandro Bratti, kreu i Komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera. “Ka ende një trafik të lëndëve të rrezikshme drejt vendeve të huaja? Sigurisht, por është shumë ndryshe nga ai i viteve 1980-90. Atëherë kjo gjë bëhej nga ‘Zotërit e luftërave’ drejt Somalisë ose Lindjes së Afërme, duke i këmbyer me armë ose ndihma. Ne jemi duke hetuar në ato trafiqe, por edhe në këto të sotmet”. Kështu ka shpjeguar në një intervistë për “Avvenire.it”, Alessandro Bratti, kreu i Komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera.“Në radarin tonë ne kemi disa çështje për të hedhur dritë në të shkuarën dhe të tashmen, e duke zbuluar e zbardhur dokumente të reja në lidhje me trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme”, ka thënë Bratti. Duke folur për gazetën e njohur italiane, parlamentari shpjegon se ka pasur probleme me mbetjet italiane që janë trafikuar jashtë vendit. “Mbetjet italiane dërgohen nëpër vende të ndryshme, si në Gjermani, Austri, por më pas nisën dyshimet se plehrat që dërgoheshin atje, nuk ishin ato që deklaroheshin. Përderisa në Gjermani dhe Austri respektohen ligjet e vendeve ku dërgohen mbetjet e Italisë, ka shumë dyshime se në vende si Portugalia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria, Kroacia e Maroku kjo gjë nuk ndodh”, është shprehur Alessandro Bratti për “Avvenire.it” në janar të këtij viti. Më pas, Bratti shprehet se deri pak vite më parë, Interpoli nuk i hetonte shumë krimet e ambientit, por në 4-5 vitet e fundit ky lloj krimi ka njohur një zgjerim të pabesueshëm. Italia ka një njohje të hershme me këto krime dhe për këtë ka bërë hetime, por vendet e tjera nuk janë shumë imune ndaj këtij lloj krimi.”

Prokuroria e Durrësit nis hetimet për zhdukjen e kontejnerëve 
Vendimi i Prokurorisë së Durrësit urdhëron nisjen e hetimeve për 1300 kontejnerët me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga Italia dhe dyshohet se janë groposur në Shqipëri. Si fillim prokurori dhe doganat e përgënjeshtruar faktin edhe u shprehën se lënda kimike kishte destinacion Maqedoninë, ndërsa vendi ynë ka shërbyer vetëm si pikë kalimi. Por nga ana e mediave italiane pohohej se lënda kimike është zhdukur në Shqipëri. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se tashmë dosja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Po ashtu, të njëjtat burime saktësuan se Prokuroria e Krimeve të Rënda do të hetojë për grup të strukturuar kriminal. Kujtojmë se, më parë është raportuar nga mediat italiane se edhe prokuroria e Antimafias në Romë ka nisur hetimet në lidhje me pretendimet nga media se 1300 kontejnerë me lëndë kimike janë zhdukur në Shqipëri. Po ashtu, mësohet se në takim që kreu i kësaj prokuroria, Franco Roberti ka pasur me Prokurorinë e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, e ka shtruar si çështje pretendimin mediave. Kur lajmi u publikua në media, Prokuroria e Përgjithshme e mohoi se kishte nisur hetimet për këtë çështje, ndërsa ditën e sotme dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë për Krime të Rënda. Në vendimin e Prokurorisë thuhet se nga denoncimet e bëra në media dhe nga të dhëna të tjera, është e mjaftueshme të bëhet hetim. Po kështu, investigimi në vazhdim do të hedhë dritë nëse do të të zbulohen persona përgjegjës. Paraprakisht hetimi ka nisur me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sigal