Prokuroria: Burg përjetë për Alban Shkretën, 25 vjet burg vëllait të tij

477
Sigal

KURBIN – Burgim të përjeteshëm ka kërkuar prokuroria e Kurbinit për Alban Shkretën dhe 25 vite burg për vëllanë e tij Altin Shkreta, të cilët akuzohen për vrasjen e djalit të mitur të Jetmir Llanit, E. Llani si dhe plagosjen e xhaxhatit të tij Muharremit, ngjarje e ndodhur më 2012.

Pikërisht kjo vrasje e dy viteve më parë nisi sagën e gjakmarrjes mes dy familjeve nga Mamurrasi. Sipas prokurorisë dy të pandehurit kanë qëlluar ndaj një automjeti ku gjendeshin disa anëtarë të familjes Llani. Për pasojë, nga goditjet me armë zjarri, ka mbetur i vdekur i mituri E.Llani, si edhe i plagosur rëndë Muharrem Llani.

Gjatë gjykimit, i cili u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, Prokuroria ka rindërtuar ngjarjen, në bazë të të cilës krimi ka ndodhur si pasojë e një konflikti verbal ndodhur një ditë para vrasjes ndërmjet vëllezërve Jetmir dhe Muharrem Llani me dy vëllezërit e familjes Shkreta,  Altinin dhe Albanin. 

Në vijim të këtij krimi, në nëntor 2012, Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, në shenjë hakmarrje, kanë vrarë djalin tjetër të familjes, Arjan Shkreta dhe kanë plagosur rëndë vëllanë e tij Leli Shkreta. Ndaj dy të pandehurve Llani, në Gjykatën e Tiranës javën e kaluar Prokuroria kërkoi dënimin me 50 vjet burgim për këtë ngjarje, përkatësisht me nga 25 vjet për secilin.