Prokuroria: 15 vite burg për imamin e vetëshpallur të xhamisë së Leshnicës, Almir Daci

1069
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 15 vite burg për imamin e vetëshpallur të xhamisë së Leshnicës, Almir Daci, i cili dyshohet se ndodhet në Siri duke luftuar përkrah ISIS.
Ish- imami i xhamisë së fshatit Leshnicë në rrethin e Pogradecit, Almir Daci është njëri prej luftëtarëve të ISIS që u shfaq në videon kërcënuese ndaj shteteve të Ballkanit disa kohë më parë.
Ndaj Almir Dacit, i cili ka marrë në Siri dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, janë ngritur akuzat e pjesëmarrjes luftarake në një shtet të huaj, rekrutim të personave për kryerje të veprave terroriste dhe propagandë për kryerje veprash terroriste.
Almir Daci është shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe për rekrutim të njerëzve për tu bashkuar me ISIS.
Emri i tij për herë të parë është përmendur nga të afërm të Denis Hamzait, i riu nga Pogradeci që humbi jetën në Siri, të cilët akuzuan Almir Dacin si si personi që i mbushi mendjen për të shkuar në luftë në Siri. Mediat ndërkombëtare kanë shkruar disa herë për vrasjen e Dacit në Siri, por ende nuk ka konfirmim zyrtar dhe të dhëna të besueshme se ai është vrarë.
Sigal