Prokurori që arrestoi Fullani kalon drejtor në Vlorë, i hiqet dosja e BSH

587
Sigal

TIRANE – Ndryshime të tjera kanë ndodhur në Prokurorinë e Përgjithshme, ku janë caktuar drejtuesit e organeve të akuzës në qytetet e Lushnjes dhe Vlorës.
 
Kështu mësohet se prokurori Ramadan Troci, i njohur për lëshimin e urdhrit nga ana e tij për arrestimin e ish-Guvernatorit Ardian Fullani, është komanduar në Vlorë ku do të marrë postin e drejtorit  të organit të akuzës së këtij qyteti.
 
Troci ishte prokurori i dosjes së vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, ndërsa tashmë bëhet e ditur se kjo dosje do t’i kalojë një prokurori tjetër. Ndërkaq, prokurori Arben Dyla është caktuar me detyrë drejtor i Prokurorisë së Lushnjes.
 
Lëvizjet në organin e akuzës, janë bërë të ditura sot nga Drjetori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme Adnan Xholi. Pak ditë më parë, me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme u shënuan edhe 6 lëvizje të prokurorive në rang vendi.