Projekti, investim dhe siguri nga Izraeli për Sinagogën e Sarandës

742
Sigal

Arkeologu Islami:Materialet erdhën nga Jeruzalemi, dje nisën punimet. Përurimi më 24 nëntor

Ka mbërritur në qytetin e Sarandës pranë Drejtorisë Rajonale të mbrojtjes së monumenteve dhe trashëgimisë kulturore të rajonit jugor Sarandë–Delvinë lënda speciale e quajtur gjeo-tekstile, lëndë e ardhur nga Jerusalemi i Izraelit. Kjo lëndë shërben për mbrojtjen e mozaikut të Sinagogës, mozaiku i menorahut, nga faktorët atmosferikë dhe biologjik, e ç’ farë do lloj faktori tjetër natyror me efekte erozioni dhe dëmtimi, si dhe pengimi i mbirjes së llojeve të ndryshme të bimëve në këtë sipërfaqe. Këto i bën të dituar për “Telegraf”, eksperti i arkeologjisë shqiptare, mozaicisti i njohur, Agron Islami, i cili ndjek edhe punimet.

 PROJEKTI

Ky projekt e ka zanafillën që nga vizita e parë të ambasadorit Izraelit në Tiranë , z.David Cohen, më 8 mars 2013 në qytetin e Sarandës, ku pas vizitës në Sinagogë, në takimin me krye bashkiakun Stefan Çipa, u njoh edhe me kërkesën e këtij të fundit për të sjellë nga Jerusalemi mbulesën mbrojtëse të Sinagogës, kërkesë që u mirëprit nga ambasadori Cohen që shprehu gatishmërinë e tij për ta sjellë sa më shpejt. E brenda një kohe të shkurtër, ajo tanimë u realizua. Është vendosur që më 24 nëntor të  bëhet përurimi i kësaj shtrese mbrojtëse, ku sipas burimeve nga bashkia e Sarandës priten të jenë pjesë e ceremonisë ambasadori Cohen, zonja e parë Odeta Nishani, ministrja e kulturës dhe sportit Mirela Kumbaro si dhe personalitete të artit dhe kulturës. Nga marsi e deri tani ambasadori Cohen ka vizituar dy herë Sarandën, si dhe vende ku janë pritur apo banuar hebrenj në rajonin e Sarandës, si në fshatin Fterrë, etj.. Gjithashtu, Saranda, gjatë kësaj periudhe, (mars-nëntor) ka qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete të zhvilluara nga ambasada izraelite në Tiranë, si aktiviteti i 18 marsit në hotel “Sheraton” në panairin e turizmit dhe zhvillimeve ekonomike, pjesëmarrje që Sarandës i ka shërbyer në forcimin e marrëdhënieve dhe marrjes së përvojës dhe eksperiencave të Izraelit. Po kështu,Saranda, ka qenë e ftuar e veçantë edhe në ceremoninë e 15 Prillit nga ambasada izraelite, ceremoni që përkonte me 65-vjetorin e shtet formimit izraelit. Pra, Saranda, është disi e përzgjedhur dhe e preferuara e ambasadës izraelite në Tiranë.

SINAGOGA

Sinagoga ndodhet në qendër të qytetit, në afërsi të kalasë, në perëndim të sajë. Nën dyshemenë me mozaik të bazilikës, me motive gjeometrike e figura të çfarëdollojshme, ndodhet një tjetër mozaik. Arkeologët tregojnë se në altarin e kësaj bazilike janë gjetur fragmente të shumta të skulpturave dhe ndarjeve të sinagogës. Sipas arkeologëve, për nga mënyra e ndërtimit të mureve dhe mozaikëve, kemi të bëjmë me dy faza të ndërtimit të saj: njëra në shekullin e IV të erës sonë, dhe tjetra gjatë sundimit të perandorit Justinian (kjo e pasigurt) aty nga mesi i shekullit të vi të erës së re. Të gjitha gjetjet arkeologjike, deri tek ato në vitin 2005, vërtetojnë se ndërtesa fillimisht ka ekzistuar, apo funksionuar si një sinagogë hebreje, gjë që e vërteton mozaiku i sajë. Në të dallohen qartë elementët përbërës si menorahja, shandani dhe shtatë krahë që është simboli i sinagogave, por edhe shenjat e tjera si briri i dashit, dega e palmës, fryti i qitros e tjera… Gjatë fazës së dytë, mendohet se sinagoga është kthyer në kishë, asnjëherë me dhunë, por me forma të buta. Mendohet se Sinagoga është shkatërruar bashkë me qytetin e Sarandës,gjatë dyndjeve barbare të shekullit të VI. Pra shkurtimisht me këto fakte, bëhet e qartë se pse izraelitët janë të predispozuar për të mbrojtur Sinagogën e Sarandës, pasi aty janë gjurmët e lashta të kulturës hebreje në Shqipëri. Dhe kjo bashkëjetesë e gjatë shekullore dha frytet e sajë edhe gjatë luftës së dytë botërore.