Projektet e bashkisë, rrëzohen kërkesat për referendum

551
Kërkesa për 3 referendumet në lidhje me 3 projekte të Bashkisë së Tiranës, të kërkuara nga 12 nismëtarë, pjesë të Partisë Demokratike dhe ambientalistë, u rrëzuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Referuar rastit të parë, për ndërtimin e parkingut nëntokësor në parkun Rinia në kryeqytet, 4 anëtarë përfshirë kryetaren, votuan kundër me argumentin se çështja nuk është e një rëndësie të veçantë, siç kërkon Kushtetuta për zhvillimin e një referendumi. 
Pas rrëzimit të kërkesës së parë, anëtarët e djathtë në këshill u larguan nga mbledhja, ku u vijua më pas me shqyrtimin e 2 pikave të tjera. Edhe këto të fundit u hodhën poshtë. Argumenti këtë herë ishte se të dyja projektet, hyrja e parkut dhe këndi i lojrave, i takojnë një çështjeje me rëndësi kombëtare, e si rrjedhojë referendumi duhet të jetë në shkallë kombëtare e jo lokale, siç ishte kërkuar nga nismëtarët. Pasi u largua nga mbledhja e Komisionit, Jamarbër Malltezi, një nga nismëtarët për kërkesën për referendum akuzoi KQZ-në për një vendim politik dhe se refuzoi të dëgjojë zërin e qytetarëve.
Sigal