Projekt zviceran, 1.4 mln euro për mbrojtjen e lagjes muzeale

625
Sigal

 BERAT/Bashkia:Investimi përfshin rrethimin e zonës së rrezikshme me tela e shufra hekuri, duke penguar shkarjet masive të gurëve

Një projekt që do të filloj të realizohet së shpejti, pritet që të rehabilitoj përfundimisht lagjen muzeale ‘Mangalem’ në qytetin muze të Beratit. Drejtues të bashkisë pohojnë për gazetën ‘Telegraf’ se, ky projekt që përfshihet në planin e UNESCO-s për qytetin e Beratit kap shumën e 1.4 milion eurove dhe financohet nga Zvicra. “Ky projekt, ndër më të rëndësishmit në qytetin muze të Beratit, pritet t’i japë fund shkarjeve në lagjen “Mangalem”, duke ruajtur identitetin historik e kulturor të objekteve kulturore dhe vetë lagjes në tërësi, duke krijuar kushte sa më të mira për shtimin e numrit të turistëve vendas dhe të huaj”,-pohojnë për gazetën “Telegraf’ drejtues të bashkisë së Beratit.

PROJEKTI

Burimet zyrtare shtojnë se, projekti i investimit është në shumën 1 milion e 400 mijë euro dhe do të përdoret kryesisht për rrethimin me rrjete teli çeliku lagjen “Mangalem”. ‘Konkretisht, shumë shpejt do të fillojë puna për thurjen me rrjetë teli gjigande çeliku në segmentet e përcaktuar të lagjes “Mangalem”, për të shmangur rënien e gurëve nga masivi shkëmborë i Kalasë. Kjo do të bëjë që jo vetëm të ruhet lagjja muzeale dhe objektet e saj, por dhe jeta e banorëve të rrezikuar nga rënia e gurëve të marrë fund”,- shtojnë burimet zyrtare. Mësohet gjithashtu se projekti iu nënshtrua një konkursi që përfundoi pak kohë më parë, nën patronazhin e donatorëve. Kohë më parë, kjo zonë, përkatësisht në vitin 1974 është rrethuar me kavo teli e çeliku special nga qeveria kineze. Por për shkak të amortizimit, kohës së gjatë pa vënë dorë, rënies së vazhdueshme të masiveve të gurëve, kjo murojë teli është dëmtuar dhe në pjesën më të madhe është amortizuar. Ka patur dhe raste kur këto rrethime teli janë dëmtuar nga njerëz të papërgjegjshëm.

LAGJA MUZEALE

Si pasojë e shkarjeve masive të gurëve, lagja muzeale “Mangalem”, jo vetëm po humbet vlera kulturore e historike, por po bëhej dhe kërcënim për jetën e njerëzve. Gurët që shkëputeshin nga shkëmbinjtë e kalasë si pasojë e kushteve natyrore por dhe e tronditjeve të mëdha nga kalimi në rrugë i kamionëve me tonazh të rëndë, bllokonin aksin e mund të aksidentonin njerëzit. Kjo situatë solli gjithashtu angazhimin nga bashkia të një ekipi gjeologësh e specialistësh të tokave, të cilët dhanë alarmin dhe kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme në këtë zonë. Ngjarje të tilla nuk kanë munguar. Shkëputja e një shkëmbi nga masivi dy vjet më parë, dëmtoi rëndë dy banesa dhe një rrobaqepësi. Fatmirësisht në banesë dhe në godinën e rrobaqepësisë, atë moment nuk pati njeri Brenda. I njëjti fenomen ka ndodhur dhe në lagjen tjetër muzeale “Goricë”, ku nga shkëputja e gurëve, përveç shkatërrimit të dy shtëpive, u plagosën edhe dy persona që ndodheshin në verandën e një prej shtëpive. Burime për gazetën “Telegraf” konfirmojnë se projekti pritet të përfundojë Brenda tremujorit të parët të vitit 2014.