Projekt-ligji i “Rilindjes” për ish-ushtarakët, më i keq se akti normativ i qeverisë “Berisha”!

833
Brenda dy javëve, ministri Blendi Klosi bëri dy deklarata publike: E para, (në takim me drejtues të shoqatave të ish-ushtarakëve dhe në sinkron të plotë me këshilltarin e Kryeministrit për sigurinë, Sandër Lleshi): “Qeveria do anulojë debinë ndaj shtetit të 6800 ushtarakëve, faturë kjo e qeverisë “Berisha”, pasojë e aktit normativ në 2010, ku mijëra ushtarakë u shndërruan në borxhlinj. Gjatë 25-vjetëve, asnjëherë nuk është gjetur një zgjidhje e plotë dhe e qëndrueshme për mënyrën e trajtimit të tyre; Në vitet 2005-2013 janë marrë masa që injoruan ligjet ekzistuese, rënduan deri në diskriminim dhe absurditet pozitën sociale dhe ekonomike; U miratua ligji 10142/’09, në thelb diskriminues,me fuqi prapavepruese, që penalizoi ushtarakët, trajtuan keqas, në mënyrë të pabesë, e të paligjshme. Është krijuar një kaos dhe normalizimi i gjendjes është objekt i kësaj qeverie, për anulimin e një padrejtësie të madhe e arbitrare ndaj tyre”. E dyta: “Në vitin 2013, qeveria jonë premtoi të zgjidhte hallin e ish ushtarakëve dhe sot kam kënaqësinë të njoftoj në emër të qeverisë, që e mbajtëm premtimin, duke miratuar projektligjin për faljen e detyrimeve, që kanë në skemën e pensioneve suplementare, ku falen 984 milionë lekë borxhe, që u detyrohen shtetit shqiptar. Falë këtij projektligji,asnjë ish-ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni mujor”. Vetëm kaq, duket gjithçka normale, u zgjidh halli. Në shtyp u botua projektligji, me 6 nene, që do miratohet nga legjislativi. Nëse është i saktë çka është botuar, cilido ish ushtarak, që ka sadopak haber nga statusi i ushtarakut, dhe që e ka hequr në kurriz kalvarin e vuajtjeve të mosmarrjes së pensionit sa cakton ligji, kur lexon projektligjin, ndjehet i zhgënjyer, i tradhtuar, i diskriminuar, i poshtëruar edhe më keq se 25 vjet më parë. Nuk gjenden fjalë për të etiketuar këtë qëndrim. Ende po thellohet dhe sot, ku shkelen haptas Kushtetuta e ligjet, cenohet dinjiteti e personaliteti i tyre. Nuk dimë me saktësi nëse qeveria “Rilindje” e njeh me rrënjë e degë hallin e ish ushtarakëve, dhe sa realisht është angazhuar ta zgjidhë përfundimisht. Nga sa deklarohet dhe ç’projektohet, mendojmë se dalin në pah disa probleme thelbësore:

1) Nga ministri u deklarua një realitet i hidhur, trajtimi skandaloz i ish-ushtarakëve në vite, deri tek absurditeti i shpalljes së tyre “borxhlinj”. Pra, qeveria e njeh dhe e pranon që ekziston ky realitet. Po në projektligjin e qeverisë vërehet se nuk është kuptuar drejt ( apo s’do ta kuptojë!) thelbi i kërkesës së ish ushtarakëve, të përsëritur çdo vit, deri me protesta, e cila, shkurtimisht përmblidhet: “Të zbatohet Kushtetuta, Statusi i ushtarakut, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për të drejtën legjitime të përfitimeve suplementare të ish ushtarakëve, në masën e plotë që përcakton ligji, asnjë lek më pak dhe asnjë qindarkë më shumë, dhe t’u kthehen lekët e mbajtura padrejtësish në vite;Tu jepet fund, një herë e përgjithmonë paligjshmërisë, abuzimit dhe shpërdorimit të detyrës nga sigurimet shoqërore në zbatim të ligjit”! Kjo kërkohet dhe JO falje “borxhi”, sepse s’janë borxhlinj, përkundrazi, u kanë borxh lekët e mbajtura padrejtësisht!

2) Shkelja e ligjeve, abuzimi i pushtetit shtetëror ka filluar jo në vitin 2009, por 25 vjet më parë, qysh pas miratimit të Statusit të ushtarakut, që mbeti Sakat-status, nga mosrealizimi i detyrimeve ligjore prej qeverive që ikin e vijnë. Këtë e dinë mirë qeveritarët, politikanët tanë, në vite; e kujtojnë dhe nuk e harrojnë kurrë ish ushtarakët e familjet e tyre, si denigrimin ekonomik dhe atë moral të tyre. Kujtojmë veprimet skandaloze të qeverisë Meksi, nën moton “Liri-Demokraci”, që me urdhra arbitrarë, e vendime absurde, shkarkuan nga detyra, ulën në gradë, pa kurrfarë arsye, mijëra oficerë, dhe më pas i liruan nga ushtria. E thelloi këtë arbitraritet, me ndërprerjen për 3 vjet,1996-1999, të përfitimeve mijëra ushtarakëve, nuk u dha asnjë kacidhe, i lë ata dhe fëmijët e tyre, në mëshirë të fatit, kur shumë ishin të moshuar dhe nuk kishin mundësi të ushtronin profesion tjetër. Nga mospagimi i tyre, e mosderdhja e kontributeve prej qeverisë, të planifikuar në buxhet të shtetit, për gati 10 mijë ushtarakë, nuk iu dhanë atyre rreth 3.6 milionë dollarë; Diskriminimi vazhdoi dhe pas vitit 1999, me hyrjen në fuqi të ligjit 8521/’99,që nuk u zbatua fare, se u shpik formula anti-ligj e qeverisë, që “pensioni i parakohshëm, të mos kalojë pensionin maksimal të sigurimeve shoqërore”. I njëjti avaz antiligjor vazhdoi në vitet 2006-2009. Vetëm caktim pensioni, jo sipas ligjit, nga 1999-2009, për një oficer të gradës major-kolonel, padrejtësisht i mbahen 2.5- 3milionë lekë; Kjo qeveri nuk u pagoi asnjë kacidhe pension suplementar mbi 20 mijë ushtarakëve për vitet 2006-2009 dhe i vetmi që e gëzoi këtë të drejtë (me gjyq) është i ati i deputetes së Partisë Demokratike. Mijëra të tjerë s’e gëzuan! Çuditërisht edhe ca me bij e bija deputetë e kryeministër të Partisë Socialiste s’e gëzuan, çka nënkupton faktin sa ata nuk i kishin fare nevojë për ato pak lekë dhe nuk ndjenin uri për bukë, si të tjerët! 

3) Diskriminimi ekonomik arriti kulmin me ligjin 10142/’09, që është më antikushtetuesi, ideuar nga qeveria “Demokratike”, miratuar me fuqinë absolute kartonësh dhe jo me logjikën më elementare të njeriut normal, realizuar në kulmin e vendosjes së pushtetit absolut të Berishës, që kishte kapur tërësisht gjithë pushtetet, përfshi dhe gjykatat, që i lanë dorë të lirë anti-ligjit. Ky ligj është hakmarrje e pastër politike e regjimit me fasadë antikomuniste, ku legalizoi diskriminimin ekonomik, cenoi parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, të sigurisë juridike për të drejtat e fituara, dhe ligjësoi abuzimin e hapur me pensionet. Ndryshoi nenet thelbësore të përfitimit ekonomik, dhe shpalli gati si ligj nenin 29, për rillogaritjen të pensioneve përfituar me ligjet e mëparshme me formulën e re, dhe të tjera marifete antiligjore, që çuan pensionet nën nivelim minimal në shkallë vendi, çka solli shpalljen e të gjithëve borxhlinj, pa marrë tepër asnjë qindarkë. Shkeli haptazi Vendimet nr. 9/2007 dhe 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse dihej, që ato janë të detyrueshme e përfundimtare, të padiskutueshme për zbatim, për të gjitha organet shtetërore, madje dhe për vetë gjykatat e të gjitha shkallëve. Vetëm nga ndalesat “borxh” 2500-3000 lekë/muaj, (gjobvënie e paligjshme), për 4-5 vite, për 23 mijë persona, arrin 3.8 milionë dollarë. Çuditërisht, kjo gjendje vazhdoi edhe nga viti 2013, e deri me sot. Për të gjitha këto, a nuk kemi të bëjmë me skandalin më të madh, atë të vjedhjes dhe pasigurisë shoqërore të ish- ushtarakeve? A nuk përbën një objekt hetimi të plotë prej Prokurorisë, për të zbuluar rrënjët e misteret e kësaj vjedhje spektakolare e të pamëshirshme? Ky skandal s’mund të fshihet, se s’futet minarja në thes. Por as s’mund të mbyllet e të arkivohet lehtë. Njerëzit e lënduar, nuk ngopen me mbledhje, konferenca, deklarime. Ish-ushtarakët janë dinjitozë, fisnikë, durojnë shumë, gjithsesi do gjejnë kurajën të ngrihen mbi fatkeqësinë, që u ka pllakosur politika e mbrapshtë në vite, do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të drejtat e tyre të cenuara e të mohuara, kur qeveria e shteti nuk e zgjidh atë drejt dhe përfundimisht.

4) Projektligji i qeverisë “Rilindja” ngjan si dy pika ujë me aktin normativ 2010, i anatemuar edhe nga vetë ajo, si absurd, i kundërligjshëm, e i pabesë. Në fakt, projektligji,mendojmë që është më i keq se akti normativ i qeverisë“Demokratike Berisha” (qofshim të gabuar), ngaqë jo vetëm nuk e zgjidh hallin e ish-ushtarakëve, por e vazhdon vjedhjen aty ku e la ajo! Dhe më e keqja është se ai i varros keqas interesat e tyre legjitime, shuan përfundimisht shpresën, humbet besimi edhe tek kjo qeveri. Gjithë premtimi për zgjidhje halli e trajtim dinjitoz, u reduktua në këtë projekt-ligj bamirës, që “fal“ ca thërrime, ndërkohë futet thika pas shpine. Ky projekt ligj, thënë troç, është fyes e injorues, për inteligjencën e profesionalizmin e ish ushtarakëve për të drejtat e tyre,ngaqë e katandis kërkesën si të lypësit të rrugës, që ndejnë dorën e thonë: ”Na fal një lek Zotni, të faltë Zoti shëndet!” Për saktësi, duhet të shtojmë, “Na fal një lek nga paret e djersës ,që më vodhe, Zotni…” Nuk është e rastit, as lapsus, kakofonia në deklarime se qeveria “Rilindje” është e interesuar që në ditën e parë të punës. Në fakt, deklarohet në të mbi njëmijtën ditë, gati 3 vjet, kur e kishte fare-fare kollaj, qysh në ditën e parë, të lëshon qarkore, urdhër a vendim që, në zbatim të vendimit nr. 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohej ndalimi i të ashtuquajtura “debit”, apo “borxh”, nga zbatimi i nenit 29 të ligjit 10142/’09, dhe më pas le të bënte hapat e tjera për hartimin e bazës ligjore, nëse do ktheheshin apo jo borxhet, apo për zgjidhjen përfundimtare të çështje së zbatimit të Statusit të ushtarakut. Më tej, vërehet alogjizmi në përdorimin e termave “Anulim”, “Falje”, “debite”, “borxhe ndaj shtetit”, “detyrime të papaguara” etj. Në nenin 1, parashikohet: “Falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensionit të parakohshëm, bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 10142/’09, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Nuk na jepet i qartë qëllimi, as arsyetimi se ku bazohet ligjërisht ky nen. Por edhe kaq sa shkruhet, na lind e drejta të kërkojmë arsyetimet për togfjalëshat që përbëjnë atë: a) “Falen detyrimet e papaguara”: Gjithë ky togfjalësh, është alogjik, i pabazuar në ligj. Madje më tepër se kaq, ky formulim synon të bëjë të ligjshme veprimet a mosveprimet e kundërligjshme të organeve shtetërore, që kanë cenuar padrejtësisht interesat ekonomike të ushtarakëve. Por e paligjshmja nuk mund të bëhet kurrë e ligjshme; “Falen”: Natyrshëm pyesim: Pse, “falen”, dhe kush “fal”? Ministri pohon se ushtarakët s’kanë bërë faj, pra nuk kanë vjedhur, as falsifikuar dokumente, nuk kanë përfituar pensione në mënyra e mjete të paligjshme. Madje kanë marrë më pak sesa u jep ligji. Atëherë, për çfarë “falen”, kur s’kanë bërë faj?! Ky është absurditet! “Detyrimet e papaguara”: Pyesim: Kush i vuri këto detyrime dhe a janë të ligjshme apo jo? Ministri pohoi se qenë detyrime jo nga ligji, por nga urdhri administrativ (kupto, i mbështetur nga qeveria). Pra, detyrimet dhe ekzekutimet janë bërë nga ata që kanë në dorë kuletën. Dhe i ziu ish-ushtarak, i pambrojtur në këto raste, i quhet “detyrim i papaguar”, kur në fakt është vjedhje me dhunë, por i etiketuar ndryshe. E thënë troç, paligjshmërisë i vishet velloja e ligjshmërisë.

b) … Rrjedhur nga rillogaritja e pensionit të parakohshëm, me ligjin nr. 10142/’09, sipas gjendjes deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Pra, bëhet fjalë për nenin 29 të këtij ligji. Po “rrjedhje” është tërësisht absurde, e pabazuar në ligj, se në fakt, rillogaritjes së pensioneve, sipas nenit 29 të ligjit i ka dhënë përgjigje të saktë e përfundimtare Vendimi nr. 33/2010 i Gjykatës Kushtetuese, i cili posaçërisht për nenin 29 parashtron: “…Kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme…do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve. Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara”. Bazuar në këtë vendim, automatikisht, nuk ka vend që qeverinë aktuale ta vërë në diskutim, nëse ajo realisht është për Shtetin Ligjor, Shtetin e së Drejtës. Ja pse togfjalëshi i cituar është alogjik, pavend, i paligjshëm. Për më tepër, me këtë nen synohet t’i jepet fuqi ligjore, rillogaritjes së pensioneve në vijimësi, si dhe deri në moskthimin e shumave të mbajtura padrejtësisht para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra qysh nga 1.7.2009 e deri më sot(?!) 

Në nenin 2, thuhet- “Detyrimet që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, të përcaktuar sipas ligjit nr. 10142, të ndryshuar, nuk falen”. Ky është neni më i keq, ia kalon aktit normativ, se i hap rrugë me ligj, paligjshmërisë dhe abuzimit të ekzekutivit dhe sigurimeve shoqërore, meqë kanë në dorë kuletën, të mos zbatojnë asnjë vendim të gjykatave që u jepte drejtë ushtarakëve, (që aktualisht marrin pensionin sipas ligjit), lë shteg të kërkohet të kthejnë lekët edhe ata që morën kokërr më kokërr, sipas vendimeve të gjykatave, të tre shkallëve. Ky nen hap një sherr të paprecedent të gati 4 mijë ish ushtarakëve, që kanë fituar gjyqet, krijon konflikte artificiale, si midis individit me ekzekutivin e gjyqësorin, por edhe vetë midis këtyre dy pushteteve, çka do përbënte një skandal të madh në ndërtimin e Shtetit të së Drejtës. Nëpërmjet këtij neni i lihet dorë të lirë sigurimeve shoqërore të penalizojnë çdo person, t’i mbajë pensionin, kur të duan e si të duan, për shkak të “detyrimit”, që u vihen tani nëpërmjet këtij ligji. Krijon pabarazi midis ushtarakëve, që në kushte objektive e ligjore të njëjta, një pjese ia “fal” (që s’janë ankuar në gjykatë), dhe pjesës tjetër jo (atyre që janë ankuar ). Pak a shumë, ky nen është i njëjtë me nenin 29, të ligjit 10142, që jo vetëm rillogariste pensionet, por ato caktuar me vendim gjykate(?!)Ai është tërësisht në kundërshtim të hapur me parimet themelore kushtetuese të ligjshmërisë; të sigurisë juridike, barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit; me parimin e ndarjes e balancimit të pushteteve ,etj. Shihet qartë se qeveria interesohet të zbatohen vetëm vendimet e gjykatave në favor të saj, ndërkohë që synon të zhbëjë të gjitha vendimet në favor të individit, duke i kthyer edhe këto të fundit në favor të saj, për hir të “shëndoshjes së buxhetit të shtetit” dhe “rritjes së mirëqenies” nga ‘Pasigurimet shoqërore”. Ndërkohë, ky nen shërben si bazë për çdo veprim arbitrar të sigurimeve shoqërore, si dhe të pengojë ish-ushtarakët për mos iu drejtuar gjykatave, për rifituar të drejtën e tyre të cenuar nga veprimet e paligjshme të pushtetit ekzekutiv. 
Neni 3 është disi favorizues
Neni 3, është disi favorizues, por në të nuk ka vend togfjalëshi “falen detyrimet”, sepse sigurimet shoqërore nuk na kanë dhënë ç’na takojnë, por më pak dhe ish-ushtarakët nuk kanë ndonjë “detyrim”. Në fakt, me këtë nen, qeveria ndalon vjedhjen më tej të “rillogaritjes”. Neni 4, parashtron që brenda 3 muajve ministria të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm për rillogaritje, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji…, pra, ligjërohet vjedhja (pagimi i “detyrimit”) si aktualisht, por edhe deri sa të miratohet ligji, si dhe tre muaj pas botimit në fletoren zyrtare.(?!) Për hir të së vërtetës, na lind e drejta të pyesim: Qeveria e “Rilindjes” e pohon trajtimin e pabesë e të kundërligjshëm në vite, po pse e la të vazhdojë dhe 3 vitet e fundit, që qeverisë? Në vite, s’u gjet zgjidhje e plotë, e qëndrueshme e kaosit e amullisë, po a zgjidhet plotësisht e përfundimisht halli i tyre me këtë projekt-ligj? Pse qeveria nuk ndalon veprimet e paligjshme, që përbëjnë vepër penale, të ISSH, e sidomos të ministrisë së Mbrojtjes e asaj të Brendshme, që vazhdojnë praktikat absurde të mëparshme, hartohen vërtetime arbitrare, me paga 4-5 herë më të vogla se pagat reale, duke i nxjerrë me pahir ish ushtarakët borxhlinj? A do respektohet nga qeveria dhe organet e vartësisë Kushtetuta, ligjet në fuqi të kohës, vendimet nr. 9/2007 dhe nr. 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ato të gjykatave, që u japin të drejtë ish ushtarakëve? Me gjithë vështirësitë financiare të kohës, më e pakta, më e ndershme a nuk do të ishte që qeveria të deklarojë haptazi, qartë dhe prerë: “Keni plotësisht të drejtë, ua njohim, por nuk mund t’ua plotësojmë tani, dhe aktualisht mos prisni një gjë të tillë!” Për të drejtën legjitime të mohuar, mos vallë duhet të shprehet Komisioni i Venecias, Brukseli ,Haga, apo ndonjë ambasador?! Ç’të bëjnë ish ushtarakët, të mbyllin sy, veshë e gojë e të mos kërkojnë nga qeveria realizimin e lirisë themelore kushtetuese, atë të të jetuarit në siguri, normalitet e dinjitet, të mohuar deri më sot nga qeveritë që ikin e vijnë? A i kanë mundësitë dhe a është normale që për një pension mizerabël, për të mbijetuar, t’i drejtohen organizmave ndërkombëtare të drejtësisë, dhe atyre të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, për shkak të verbërisë, shurdhërisë dhe shkeljes së ligjeve nga Shteti i tyre? Dhe më së fundi, a duhet ta quajmë një mrekulli-dhuratë të qeverisë këtë “falje borxhi”, që në fakt duhet të ishte ndalimi i dorës kusare që futet në kuletën e varfanjakut pensionist?

 Pyetje janë të thjeshta, realisht e kanë në brendësinë e vet përgjigjen. Reagimi ose jo ndaj tyre, do të tregojë më qartë, kujdesin e qeverisë aktuale, për ish ushtarakë, por edhe më tej, të tregojë me veprime konkrete që është në drejtimin e qeverisjes së mirë e të drejtë të shqiptarëve, qeverisje që e presin prej saj me ankth çdo orë e ditë që kalon. Mijëra ish ushtarakëve, si një shtresë me vlerë të madhe shoqërore, që ka kontribuar në shërbim të popullit e Atdheut, dhe si kudo në botë, janë simbol e krenari e vendit, duhet t’u kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur. Zgjidhja e problemit të tyre, do të ishte një lëvizje e madhe që jep shenjën e vendosjes e drejtësisë, të shtetit ligjor. Ende nuk shihet vullneti i duhur politik për ta trajtuar me ndershmëri e drejtësi. Ligji10142/’09, me nenin e tij 29, mbështetur me aktin normativ, ka sjellë pasoja tepër të rënda. Keqzbatimi i tij dhe injorimi i vendimit 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, solli jo vetëm kufizim të pensionit, por dhunim e masakrim ekonomik të tij. Faktikisht ky nen del mbi Statusin dhe vetë qëllimin e ligjit 10142/’09, i zeron ata! Nuk ka më as Status, as ligj për përfitimet e quajtura suplementare, sepse ai nen e çon pensionin nën nivelin jetik në vend. Në të famshmen “rillogaritje” vërehet qartë diskriminimi i hapur e i fshehtë, sepse në situatë të njëjtë për të gjithë shtetasit, ish ushtarakët trajtohen në mënyrë të pafavorshme dhe jo në përpjesëtim të drejtë me gjithë grupet e tjera shoqërore në vend. Aty shprehet qartë ligësia e synimit aspak njerëzor, pa le ligjor, që i vendos ata në pozicione të papëlqyeshme, i zhgradon, injoron, i zhvesh nga të drejtat e tyre kushtetuese e ligjore, pa asnjë arsye objektive, i trajton si qytetarë të rëndomtë e të dorës së fundit, jo më si oficerë, por as si karrocierë, duke shpërfillur vlerat dhe kontributin e tyre në FA, madje në kohën moderne, ku aspirojmë të jemi pjesë e organizmave ndërkombëtare, në BE dhe NATO-s. Kjo gjendje është e dukshme, e njohur nga të gjithë dhe nuk ka nevojë të na e thotë as ata nga Venecia, as nga Brukseli , as Strasburgu apo Helsinki!

 Ndaj kjo gjendje, duhet normalizuar sa më parë! Statusi i ushtarakut nuk është kurrsesi një shpikje shqiptare, por e mbarë shteteve përparimtare e demokratike, e sidomos atyre të NATO-s, ku bëjmë pjesë. Statusi është ligj,që sanksionon edhe të drejtat ekonomiko-financiare të ushtarakëve. Si çdo ligj duhet zbatuar. Pensioni s’është as luks, as lëmoshë, dhe as në dorën e pushtetarëve, që ikën apo vijnë. Ai është detyrim i sanksionuar në Kushtetutë dhe ligj është një e drejtë, vlerë monetare, pronë, e pandashme e patjetërsueshme, që askush nuk mund të ta mohojë, cenojë apo kufizojë, pasi ai mbrohet prej rendit juridik. Dhe shteti, do apo nuk do, ka apo nuk ka lekë, sot, nesër, a pasnesër, është i detyruar me ligj t’ua kthejë atyre në të gjallë, apo dhe pasardhësve, nëse vetë janë larguar nga kjo botë, ashtu si çdo trashëgimi, pronë e tyre. Është një detyrim, borxh shlyerje dhe ashtu siç shlyen edhe shtresa të tjera me ligj apo dhe borxhet e kudo marra, ashtu duhet të shlyejë borxhin e kudo-vjedhur të ish-ushtarakëve. Asnjë qeveri që ikën, që është në detyrë, apo që do vijë, nuk mund t’ua mohojë, tjetërsojë, a humbasë këtë të drejtë dhe vlerë monetare dhe në një Shtet Ligjor a të së Drejtës, që pretendojmë se jemi, askush nuk mund të dalë mbi ligjin. Nëse ka krizë,(që është globale), ka borxhe dhe nëse kërkohet administrim i mirë i buxhetit të shtetit, apo mirëfunksionim i sistemit të sigurimeve shoqërore, që është gjithëpërfshirës, nga më i madhi deri tek i vogli, le të bëhet, konform Kushtetutës, ligjeve, situatës faktike, por kurrsesi me dallim, diferencim e diskriminim absurd, vetëm të ish-ushtarakëve, se ata nuk janë fajtorë as për krizën, as për borxhet dhe as për problemet që dalin për buxhetin a sigurimet shoqërore. Ne e ndjejmë dhe që t’i përballojmë së bashku këto probleme, jemi dakord me çdo koeficient ulje shpenzimi apo pensioni, por ama gjithëpërfshirëse, nga presidenti, tek i papuni, me një koeficient proporcional, të përcaktuar me drejtësi dhe të miratuara me ligj për të gjithë. Por nuk mund të heshtim para faktit që bën “muuu”, para qeverisë dhe shqiptarëve, që në këto kushte të vështira , disa të trajtohen si të njerkës, disa si të nënës, madje ca si kanakarë e të privilegjuar. Kërkojnë reagimin për mirë të qeverisë, në përmbushjen e detyrimit të saj, të vështirë, për zgjidhjen e drejtë e përfundimtare të problemit, në pajtim me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi.
Nga grupi i ish-ushtarakëve në lirim*
(*Ismet Isufi, Fadil Cani, Xhemil Çela, Arseni Stroka,Gani Elezi, Pajtim Tefa, Petrit Alia, Pëllumb Zaimi, Feriat Janushaj, Bashkim Qeli, Dilaver Goxhaj, Xhevat Koçiaj, Ramadan Lleshi, Rasim Shurdhi,Veniamin Qiriazi etj.)
Sigal