Programet e reja të Akademisë së Forcave të Armatosura, Kodheli: Ringritje e arsimit ushtarak

489
Në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua një veprimtari me rastin e promovimit të programeve dhe kurikulave të reja të Akademisë së Forcave të Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, në fjalën e saj, ndër të tjera, theksoi se që në fillim të punës si Ministër i Mbrojtjes, nisur edhe nga gjendja jo e mirë ekzistuese, iu kushtua një vëmendje e veçantë ristrukturimit dhe përmirësimit të gjendjes së institucioneve të arsimit ushtarak. 
“Për këtë, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm, morëm masa për të ndryshuar e ringritur sistemin e arsimit ushtarak, për ta reformuar dhe transformuar AFA në një institucion dinjitoz me programe dhe kurrikula dinjitoze. Qëllimi ka qenë përgatitja e ushtarakëve të denjë të FA, si pjesë e aleancës së NATO-s. Këtë gjë e diktonte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e cila kërkonte ndryshime të rëndësishme edhe në sistemin e edukimit dhe të arsimimit”, tha Kodheli. 
Ministrja Kodheli falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bazon, për kontributin që ka dhënë gjatë këtij procesi përgatitor, si dhe drejtuesit e Akademisë së Forcave të Armatosura dhe grupet e punës për punën dhe përpjekjet që kanë bërë për të sjellë ndryshimet e duhura në sistemin e programeve dhe të kurikulave të kësaj akademie. Ministrja Kodheli theksoi se, pavarësisht nga kjo punë e mirë, ka ende shumë punë për të bërë. 
“E rëndësishme është që të jemi serioz dhe kjo të jetë vetëm fillimi për ta ngritur nivelin e AFA jo vetëm në lartësinë e nivelit të institucioneve të arsimit të lartë të vendit, por edhe në nivelin e akademive ushtarake të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere perëndimore”, përfundoi Kodheli.
Sigal