Profili modest i Prof. Arben Malaj si “Personalitet i shquar i Labërisë”

1060
Prof. Sulejman Muça

Shoqata “Labëria, “Nderi i Kombit” dekoron, Prof. Arben Malaj, me titullin më të lartë
Në datën datë 16 dhjetor 2017, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua festimi i 26-vjetori të Shoqatës “Labëria”-“Nderi i Kombit”. Në këtë festë merrnin pjesë drejtues, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Labëria, deputetë, politikanë, shkrimtarë, artistë, poetë, gazetarë, inxhinierë, ushtarakë, miq të kësaj Shoqate. Ajo që ra në sy në këtë festë ishte pjesëmarrja e jashtëzakonshme në një sallë që ishte e tejmbushur, madje aq sa në sallë kishte njerëz në këmbë dhe në hollin e Muzeut. Kënga labe përhapej deri në qendër të Sheshit Skënderbe, se aq të shumtë ishin grupet labe pjesëmarrëse në këtë event të bukur. Festë e vërtetë, në atë mënyrë që di vetëm ta festojë Shoqata “Labëria”. Ishte një aktivitet ku u ndërthurën diskutimet e shkurtra, reale, konkrete dhe plot elegancë, me një koncert të këngës polifonike, popullore jugore, por edhe të Shqipërisë së Veriut. Një aktivitet të tillë kurrsesi nuk mund ta organizojë asnjë bashki sado e madhe qoftë, madje as Ministria e Kulturës, që ka një fuqi intelektuale dhe financiare të pallogaritshme në raport me atë të një shoqate. Por forca e organizimit dhe suksesi i një koncerti të tillë, nuk qëndron as tek numri i njerëzve, as tek financat, por tek shpotiti patriotik i qindrave intelektualëve dhe këngëtarëve lebër, që për Shoqatën e tyre çdo gjë e bëjnë me shpirt dhe në mënyrë vullnetare. Patjetër që një organizim i tillë do dhe një dirigjent energjik, siç është Prof. Ago Nezha. Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Prof. Ago Nezha, theksoi: Tashmë Labërinë, ky Jubile e gjen ndryshe nga përvjetorët e tjerë, se qysh nga Dhjetori i vitit 2015, ajo mban mbi krye kurorën e shndritshme “Nderi i Kombit” të kurorëzuar nga Presidenti i Republikës. Në këtë veprimtari Shoqata nderoi 4 personalitete, Prof. Arben Malaj, Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli dhe shkrimtarin e talentuar Albert Zholi, me titullin më të lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë” ndërsa vajzën kosovare Labëri Luzha me titullin “Mirënjohje e Labërisë”.

Një profil modest për Prof. Arben Malaj
Energjik, tepër punëtor, i aftë profesionalisht, vizionar, fjalëpakë dhe punëshumë, ambicioz dhe tepër bindës në argumentimet shkencore, Prof. Malaj natyrshëm mbetet një ndër financierët shqiptarë më në zë të viteve të fundit. Origjina e familjes së Profesor Arbenit, është nga fshati Allkomemaj i Tepelenës. Babai i tij Qamil Malaj, është vendosur në Tiranë, para çlirimit të vendit. Ndjenjat e tija patriotike, si një trashëgimi familjare, e shtynë që të marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare, duke u rreshtuar si partizan në Brigadën e 8-të Sulmuese. I përfshirë në këtë formacion luftarak, ai ka marrë pjesë edhe në luftimet në Kosovë, që vazhduan deri në vitin 1945. Veprimtaria e tij patriotike në fushën e Luftës, është motivuar me disa dekorata për sakrificat dhe trimërinë që ka treguar në frontin e luftimeve. Djali i tij, Arben Malaj, lindi më 19 shtator të vitit 1961 në Vlorë. Aktualisht është Profesor në Shkencat Ekonomike në Universitetin e Tiranës dhe është lektor i jashtëm i Fakultetit Ekonomik. U diplomua në Universitetin e Tiranës, për financë në vitin 1986 dhe në vitin 1997 mori gradën Doktor i Shkencave Ekonomike. Mban titullin “Profesor” që prej muajit shkurt të vitit 2016. Gjatë periudhës 2005-2006, ai ka ndjekur programin “Senior Fellow” pranë Universitetit të Harvardit, Shkolla e Qeverisjes John F. Kennedy, Qendra për Biznes dhe Qeverisje, gjatë të cilit kreu studimin kërkimor me fokus perspektivën ekonomike të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ka kryer specializime pasuniversitare në disa universitete evropiane e amerikane dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij të pasur profesionale, Prof. Malaj ka dhënë kontributin e tij si në fushën akademike ashtu dhe në shërbim të sektorit publik. Prof. Dr. Malaj ka qenë Ministër i Financave gjatë periudhës 1997-1998, Ministër i Ekonomisë gjatë periudhës 2002-2003 dhe sërish Ministër i Financave në periudhën 2003-2005, duke shërbyer edhe si Guvernator i Shqipërisë pranë Bankës Botërore. Në periudhën 1997-2013, ka qenë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë së cilës ka qenë edhe anëtar, zëvendëskryetar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në vitin 2001, ai ka qenë Kryetar i Delegacionit të Kuvendit Shqiptar në Parlamentin Evropian. Prof. Dr. Malaj është bashkëthemelues dhe ish-President i Institutit të Politikave Publike dhe Mirëqeverisjes. Prej vitit 2015, ai është dhe Koordinator i Këshillit Ekonomik të Bashkisë Tiranë. Prej vitit 1993, z. Malaj është angazhuar si lektor me kohë të pjesshme dhe të plotë pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Ai është autor i mjaft studimeve të karakterit ekonomik, si dhe udhëheqës i shumë doktorantëve për tematika të zhvillimeve financiare lokale e globale. Në bibliografinë e punimeve të tij numërohen mjaft botime shkencore, të cilat janë botuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe është autor/bashkautor i disa teksteve mësimore. Ai jep kontributin e tij publik në median e shkruar dhe vizive nëpërmjet opinioneve të ndryshme që lidhen me çështje të ekonomisë dhe financave shqiptare. Prof. Dr. Arben Malaj është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në korrik të vitit 2016. Është autor dhe bashkautor i shumë publikimeve dhe artikujve shkencorë. Ka marrë pjesë në një sërë kursesh kualifikimi dhe specializimi mbi bankat, administrimin e biznesit , ekonominë dhe ka drejtuar shumë tema diplome dhe punime shkencore pas-universitare. Arben Malajt i është akorduar titulli ” Honoris Causa ” nga Akademia Ndërkombëtare për Tregjet në Zhvillim , New York-SHBA dhe njëkohësisht është anëtar nderi i kësaj akademia. Ka mbajtur gjithashtu një sërë leksionesh në disa prej qarqeve akademike në Europë si në Universitetin e Bocconit Itali, Universitetin e Bumbergut në Gjermani, në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tetovës, në Casa NATO, Bukuresht Rumani, Komiteti i Breton Woods. Që nga viti 1997 ka qenë një ndër njerëzit kryesor në Partinë Socialiste. Sipas Prof. Ago Nezha: Temat që Prof. Malaj, ka ligjëruar në universitete dhe institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit janë të shumta.
Sigal