Profesori 22 vjet i papunë, propozohet të dekorohet me… “Medalje Pune”!

571
Sigal

Përditë ndeshim episode jetësore, që e kalojnë përmasën e shqetësimit njerëzor dhe krejt natyrshëm kthehen në detaje humori deri në “tip” barsoletash rruge. Në fakt janë realitete që ndodhin në përditshmërinë tonë absurde e që lejohen dhe pranohen edhe zyrtarisht. Po ndalemi në tre çudira…

Profesori 22 vjet i papunë, propozohet të dekorohet me… “Medalje Pune”!

Disa ditë më parë, profesorin e nderuar A.D, ish-bashkëpunëtor i gazetës, e kishin telefonuar nga Presidenca. Ishte një i ish-nxënës i tij, zyrtar në Kabinetin Presidencial, i cili i kishte thënë të paraqitej “urgjent” në Presidencë “për një kafe e bisedë të mirë”. Siç më tregoi profesori, pas telefonatës kishte menduar se e kishin thirrur për punë, mbasi është prej vitesh i papunë, edhe pse është një intelektual potencial në fushën e problemeve social-ekonomike, si studiues e autor librash të kësaj fushe, por që nuk e futin në punë ngaqë nuk pranon të bëhet shërbëtor i politikës. Sipas orarit të taki9mit, profesori shkoi në Presidencë. Bëri takimin me të njohurin që e kishte telefonuar. Ja “biseda urgjente”, për të cilën ai e kishte telefonuar: Presidenca:-Të mora në telefon se dua të bëj një nder, për vlerat e mëdha që ke si njeri dhe si profesor. Profesori:-Fol, po ju dëgjoj. Presidenca:- Këto ditë do bëjmë disa dekorime, pra do shpërndajmë disa dekorata. Presidenti më autorizoi mua të gjejë disa figura që vlejnë e me kontribute të vyera në punë, që t’i dekorojmë. Duke qenë se unë të njoh, kam respekt dhe meriton të dekorohesh, të futa në listë me dëshirën time. Besoj se nuk kam bërë gabim dhe gjithashtu, besoj se je dakord të dekorohesh… Profesori:– Unë dakord jam dhe shumë faleminderit që më ke futur në listën e dekorimeve, po të çfarë motivacioni janë këto dekorata? D.m.th, mua për çfarë do më dekoroni?. Presidenca:-Ty profesor, kemi menduar të japim një dekoratë “Medalje Pune”, d.m.th “Urdhrin e Punës të Klasit të parë”. Profesori:-Shumë faleminderit, po si mund të më jepet mua medalje pune, kur unë kam 22 vjet… pa punë!?

Ligji të nxjerr në pension 65 vjeç, konkurset e administratës të nxjerrin 40 vjeç!

Departamenti i Shërbimit Civil, publikon njoftime për vende të lira e të reja pune. Sipas Kodit të Punës, secili shtetas shqiptar që nuk ka dalë ende në pension, si dhe që ka specialitetin profesional në përputhje me kërkesën për vendin e punës që shpallet, ka të drejtë të kërkoj të punësohet me konkurrim. Mirëpo, sapo lexon këto njoftime, ndesh me një bllokazh krejt absurd që nuk të lejon të kërkosh vendin e punës që shpallet. Titullarët e ministrive që shpallin vende të lira pune, nuk krijojnë liri punësimi për të gjithë, duke krijuar disa kritere përjashtuese. P.sh, thuhet se kandidati për “iks” e “ypsilon” vend pune, duhet të jetë deri në moshën 30, 35, 40 vjeç! Duhet të dijë mirë, në të folur e në të shkruar, 1, 2 dhe 3 gjuhë të huaja. Duhet të ketë 5 vjet përvojë punë në administratë, duhet të dijë shumë mirë gjithë programet kompjuterike. Duhet të ketë notën mesatare të shkollës së lartë, mbi 9. Duhet të ketë master të fituar në universitetet perëndimore. Ose kur shpallen vende pune për drejtor, thuhet: Duhet të kesh qenë 5 vjet në të njëjtin pozicion pune. Po ai që nuk ka qenë asnjëherë drejtor, nuk ka të drejtë të bëhet drejtor, apo duhet të bëhen vetëm ata që kanë qenë?! Këto kushte punësimi, shpiken e përdoren qëllimisht nga drejtuesit e ministrive, megjithëse nuk janë aspak ligjore, as sipas Kodit të Punës e as sipas Statusit të Nëpunësit Civil. Konkurset për punësime në administratën publike, po përdoren hapur si bllokazh ndaj të aftëve, si rrugë e lirë punësimi për miqtë dhe shokët e titullarëve të institucioneve, po përdoren si qark i mbyllur nepotik dhe hapësirë e lirë për korrupsion. Pa përmendur kushtet e vendosura, mjafton të jesh p.sh, në moshën 30, 35 ose 40 vjeç e 1 ditë dhe nuk pranohesh në konkurrim për vendin e punës që shpallet! Të pëlqen apo jo, mjafton të mos jesh aq vjeç sa të do ministri dhe; megjithëse mund të jesh tepër i aftë, i ke të mbyllura dyert e punësimit në administratë. Sipas ligjit të miratuar së fundi, mosha e daljes në pension është 60 vjeç për gratë dhe 85 vjeç për burrat. Mirëpo sipas “ligjit” të shpikur nga ministrat, po e kalove 1 ditë moshën mbi 40 vjeç, del në “pension”, duke mbetur i papunë.

Pastrueses i kërkohet dëshmi penaliteti, drejtorit, ministrit e deputetit, JO!

Dëshmia e Penalitetit është një tjetër dokument, që po përdoret në jetën dhe punën e shqiptarëve dhe me të drejtë, për të mbyllur “rrugën” e hyrjes së personave të penalizuar në administratën publike.. Kudo që të shkosh, sapo kërkon të punësohesh, të kërkojnë menjëherë këtë dokument. Nëse synon të punësohesh psh., në doganë, në polici, ushtri qoftë edhe si punëtor i nivelit të fundit, duhet dëshmi penaliteti. Edhe që të punësohesh “lopataxhi” apo “tullaxhi” në Ndërmarrjen e Gjelbërimit, KESH, Ujësjellës-Kanalizime etj, duhet patjetër Dëshmia e Penalitetit. Edhe po të kërkosh punë në ndërmarrjet shtetërore si elektricist, shofer, marangoz, mekanik, murator, duhet edhe kjo dëshmi. Madje edhe kur kërkon punë si pastrues nate i rrugëve, bashkia të kërkon dëshminë në fjalë. Punëdhënësit privatë gjithashtu, pavarësisht punës që do të kryehet, përpara se të punësojnë dikë, i kërkojnë Dëshminë e Penalitetit. Sipas këtij kushti, duhet të paraqitësh Dëshmi Penaliteti edhe kur punësohesh si hamall! Në të vetmit raste që nuk kërkohet Dëshmia e Penalitetit në Shqipëri është vetëm kur bëhesh deputet, ministër, diplomat, kryedoganier, Shef tatimesh, kryetar bashkie e komune, zëvendësministër, drejtor spitali, rektor, profesor universiteti, ambasador e në çdo post tjetër, për të cilët thuhet se nuk duhet Dëshmia e Penalitetit mbasi janë… poste politike!

Përparim HALILI