Prof. Vladimir Mici & Prof. Alqi Naqellari/ Pas “Bankers fshihen pushtetarë të djeshëm e ortakë të sotëm

621
Në një artikull të para një jave në gazetën “Telegraf”, komentuam lidhur me problematiken e ndërhyrjes së shtetit ne ekonomi, ku theksin e vumë ne politikën e bankës qendrore dhe rolit të saj ne ekonomi. Po përpara disa ditësh një institucion shkencor në një konference për investimet i sugjeronte qeverisë shqiptare që qeveria të duhej të blinte borxhin e keq nga Bankat e nivelit të dytë. Po kështu Guvernatori i Shqipërisë, artikulon se, ngadalësimi apo rënia e procesit te kreditimit të ekonomisë lidhet me dy faktorë, kërkesën e ulët që lidhej me uljen e konsumit në vend dhe strukturën e kërkesave për kredi të cilat nuk garantonin kthyeshmërinë e tyre. E thënë më shkoqur faktori kryesor në ekonominë shqiptare mbetet ulja e konsumit të vazhdueshëm dhe mungesa e perspektives së saj. Kjo sepse biznesi kërkon kredi pa asnjë bazë dhe strukturë dhe se qeveria nuk pasur politika sektoriale për të mbështetur kreditimin e ekonomisë. Do të ishte jo normale që mungesën e rritjes ekonomike, mungesën e vizionit dhe papunësinë në rritje, çdo palë që e ndien nevojën e justifikimit tja faturonim bankës së Shqipërisë, politikave të saj monetare dhe qeveria të dilte e pafajshme, apo banka të tregonte se roli i saj nuk mund të realizohet vetëm dhe se asaj i ka munguar përkrahja e qeverisë, pra nuk ka asnjë përgjegjësi në rritjen ekonomike dhe të marrë përsipër mbajtjen e motorëve të ndezur të ekonomisë. Në mendimin tonë si qeveria edhe banka kanë përgjegjësi, si pala që aplikon politikat fiskale, tregtare dhe konkurenciale ashtu edhe ajo që aplikon politikat monetare. Në këtë material do të analizojmë shkurt probleme të politikave fiskale, konkurenciale dhe tregtare. 
Së pari, politika fiskale 
Politika fiskale mbështet në një vizion tatimor, që kërkon rritjen e bazës së tatimpaguesve, rritjen në thjeshtësinë e llogaritjes dhe kuptimit të tatimit, krijimin e një administrate fiskale të qëndrueshme dhe jo korruptive, që nxit prodhimin, investimin dhe konsumin. Por kjo mund të realizohet kur garantohen disa kushte, mbi të cilat do të operojnë partneriteti shtet privat, privat-administratë tatimore dhe jo përleshje dhe frymë antiligji dhe zbatimi i ligjit të më të fortit . Nuk ka asnjë individ më të fortë nga shteti. Shteti është makinë që shtyp dhe dhunon këdo në emër të ligjit, atij që lexon ligjin dhe që e interpreton ligjin. N.q.s përballesh me organet tatimore, edhe kur je në të drejtën e zotit, nëse administrate tatimore nuk ta jep, këtë mund të mos të jap edhe gjykata. Shembulli mjaft i thjeshtë. Nëse ke fituar një gjyq me administratën tatimore, ju merrni vetëm shumën fillestare, por jo interesat që lidhen me vonesat në likuidimin e detyrimit nga organet tatimore. Nëse ju vononi pagesën e një tatimi apo taksës në afatin e caktuar funksionojnë dy forma persekutimi tatimor. Interesat mbi shumën e papaguar dhe gjoba mbi shkeljen e afatit. N.q.s individi e ka fituar një gjyq apo ka derdhur më shumë para në organet tatimore nuk përfiton interesa, për përdorimin e këtyre parave nga administrata tatimore, madje në disa raste ato janë të dhunshme dhe gati investitorët i kthejnë në kolerikë. Pra kandari nuk vlerëson njëlloj, dhe kemi standardin e dyfishtë të trajtimit. Kjo edhe kur shkon në gjykatë për të kërkuar këtë interes të rrëzojnë padinë sepse ai është shteti. Shteti s’mund të paguajë interes me detyrim. Normalisht kjo mund të duket pak si e pabesueshme, por ka shumë fakte dhe praktika të tilla, që përveçse janë të rënda, ato të zbehin dëshirën për të komunikuar dhe pasur administratën dhe gjykatën një partner të besueshëm. Madje zakonisht e quajmë korrupsion. Akoma më keq ndiesh kur ju jeni një sipërmarrës investimesh shtetërore dhe gjendesh përballë faktit se s’ka para për likuidimin e punimeve apo zbatimin e kontratave. Kjo shkatërron biznesin privat, i humb atij avantazhin konkurrues dhe mendon se si ti shpëtosh kësaj dare tmerri, pra të mbijetosh dhe të jesh jo anemik. Ligjet shqiptare shpesh e dërgojnë persekutimin në një fare sensi krejt të pashpjegueshëm teknikisht, ku e detyron kompaninë sipërmarrëse përveç se të kryejë punime me pare të veta, ta detyrosh të ngurtësojë 10 sigurim kontrate dhe në fund edhe 5% garanci, pra kompania duhet të paguajë Kapital pune me interesa, ose me fjalë të tjera të ul efiçensën e përdorimit të parasë.
Së dyti politikat konkurenciale 
Politika konkurenciale është një pjesë tjetër ku shteti ka një rol mjaft të rëndësishëm, por privatimet dhe koncesionet e viteve 2004-2015, dëshmojnë për politika jo konkurenciale. Kujtojmë që në vitin 2009, fill pasi privatizohet kompania ARMO shteti i jep ekskluzivitetin e prodhimit, importimit dhe shitjes së Gazoilit D2( gazoilit me përmbajtje squfuri deri 2%) privatit që bleu shoqërinë shtetërore ARMO. Duheshin 1 vit energji nga kompanitë e tjera importuese, aq sa kishte nevojë kjo kompani që kompania të ishte në rolin e monopolist. Për një vit rrodhi mjaft ujë, kompania përfitoi me të pa të drejtë, deformoi dhe paralizoi konkurrencën, për pasojë qeveria vuri në kushte preferenciale individë të caktuar. Po a ka reaguar ndonjëherë enti i konkurrencës dhe të nxjerrë efektin e këtij shkatërrimi nga konkurrenca, humbja e shkaktuar pasurisë kombëtare dhe efektet në rritjen ekonomike, apo enti nuk merret me qeverinë dhe ti vendos përpara qeverisë efektet e politikave monopol që krijon?
Po kështu shteti (më saktë qeveritë) abuzojnë me pronat pasuri kombëtare duke shkelur qartë konkurrencën me dhënien me koncesion apo menaxhimin e tyre. Nëse i referohemi trajtimit të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, një nga dallimet kryesore është se tregu është jo perfekt, pra ekzistojnë të ashtuquajturat dështime, të cilat kanë nevojë për rolin dhe mbikëqyrjen e shtetit. Nëse shteti i jep dikujt një licencë apo një burim natyror, praktikisht ai ka rrëzuar konkurrencën dhe i ka vënë subjektet në kushte jo të barabarta tregu dhe fitimi. Në këto kushtet do të sjellë rivlerësimin e kapitalit të firmës duke i mbivlerësuar kapitalin mbi bazën e parimit vlera e firmës = fitim/kthim. Pra, firma që prodhon në kushte monopoli do të aplikojë çmime monopol dhe për pasojë fitim monopol. Kjo do të sjellë me shpejtësi që firma të rritet më shpejt se tregu në tërësi dhe për pasojë kongleratizimin dhe integrimin e firmës duke aplikuar fitimin e dhuruar nga shteti. Kjo shpjegon edhe rritjen e shpejtë të fitimit të kompanive që shfrytëzojnë burimet natyrore, si nafta, kromi, hidrocentralet, bakrin etj. Nëse do t’i referohemi realitetit këto firma që shfrytëzojnë këto minerale janë gati të paprekshme. Ai që është i prekshëm është qytetari, populli që dikur ishte pronar, sepse pronari real është pushtetari që e dha me koncesion apo privatizoi duke garantuar jetën e tij dhe të familjarëve të tij. Kjo shpjegon sot se përse nuk frikësohet psh “Bankers”, sepse pas saj janë pushtetarë, që e kanë dhënë ose janë ortakë në këtë shoqëri. Teoria e privatizimit të sektorëve strategjik mund të funksionojë për shtete të tjera, por jo për Shqipërinë. Për të pasur një kalim në pronësi private të pasurive natyrore kombëtare duhet të plotësohen dy kushte. 
E para duhet të ketë rivalitet në prodhim. Në burimet natyrore dhe në veçanti për naftën nuk ka rivalitet. Kjo heq çdo mundësi privatizimi. 
Së dyti kusht i prodhimit publik është nga fakti i mos përjashtueshmërisë së tij nga e drejta mbi këtë pasuri kombëtare. Askush nuk mund t’i kalojë një të treti pasurinë, që brezat e mëparshëm i kanë lënë këtij brezi. Pra askush nuk ka të drejtë t’i dhurojë një shtetari, qoftë individ apo kompani një pasuri për të cilën ai është administrator por jo pronar. Nëse do të pranonim faktin e tjetërsimit atëherë kjo do të ishte e barabartë me shitjen e detit, sepse ne nuk mund të përfitojmë nga ekonomia e detit sot dhe në të ardhmen (brezi që vjen), pra edhe pasuritë natyrore që na i ka lënë brezi i kaluar për pasurim pa risk të kombit dhe ne duhet tua japim turqve, kinezëve apo kanadezëve, në këmbim të një rente me dhe në emër të kontratave fantazmë. Kontrata përfaqëson një të drejtë, por realizimi i kësaj të drejtë është krijimi i disa kushte dhe të drejtave dhe detyrimeve, të cilat nuk verifikohen në praktikën korruptive të zbatimit të tyre deri më sot. Pra, populli ka humbur sovranitetin mbi këtë pasuri. Kjo pasuri nuk mund të vlerësohet me kontrata qeveritare.
Së treti, politikat tregtare
Normalisht çdo vend aspiron të rrisë prodhimin e tij , të kompanive të tij dhe të rrisë eksportet. Por tek ne kjo situatë tregtare nuk është e shëndetshme, sepse realisht nuk ekziston një sistem konvejer transmetimi. Në Shqipëri fryhet e buçitet për sistemin fason, sikur ai do të prodhojë dhe punësojë sepse i vetmi faktor atraktiv është krahu i punës sipas qeverisë. Por duhet të shtohen edhe instrumente të tjerë anemikë që funksionojnë ose me frike dhe urdhër ose pushojnë së funksionuar duke lënë dorë të lirë për evazion fiskal. Por kjo nuk zgjidh problemin sepse sistemi fason e ka raportin 1 me 1 pra një punëtor i sistemit fason punëson një punëtor shërbimi apo sektori ndihmës. Ndërkohe sektori bujqësor dhe sektori i burimeve natyrore e kanë koeficientin e punësimit 1 me 4 ose 1 me pse pra një punonjës i punësuar në sektorin e burimeve natyrore kërkon edhe 4 deri pesë të punësuar, gjë që hedh poshtë deklarimet e ministrit Ahmetaj për promovimin dhe mbështetjen e sistemit fason. Pagat në këtë sistem janë përvese të ulëta shpesh janë edhe të pasiguruara. Krejt ndryshe kjo në sistemin e burimeve natyrore ku kërkohen kualifikime dhe paga më të larta dhe industri mbështetëse dhe integruese që bëjnë të mundur funksionimin e kësaj industrie. Për pasojë mardhëniet aktuale tregtare janë në kohën e kapitalizmit feudal.
Nën këto rrethana aspak, miqësore zhvillohet edhe industria e parasë që e gjen pasqyrën e saj në politikat e bankës së Shqipërisë. Në librin e tyre “Ndërhyrja e shtetit në ekonomi”, z. Pano dhe z. Angjeli nënvizojnë se Shqipëria në kuadrin e realitetit ekonomik duke i dhënë përparësi stabilitetit të çmimeve ka harruar që Shqipëria sot ka më shumë nevojë për punësim. Niveli i papunësisë vërejnë këta autorë që kanë analizuar vitet 1990-2013 kanë treguar që në Shqipëri nuk ka hapje vendesh të reja pune, por përkundrazi kemi zvogëlim të vendeve të punës, tkurrje të tyre. Sipas statistikave në vitin 1990 kishte 1,433 mijë të punësuar, që përfaqësonin 76% të popullsisë së aftë për punë. 
Parregullsitë me papunësinë
Sot popullsia aktive sipas regjistrimit të INSTAT viti 2012 2,815 mijë vet dhe nga këta 68% është në mashën aktive për pune pra llogaritet rreth 1430 mijë banorë, ndërkohë që deklarohen 1,075 mijë banorë pra rreth 355 mijë më pak. Kjo llogaritje e çon numrin e të papunëve real në 500 mijë ose 1 në çdo tre veta është i papunë. Mbajtja e stabilitetit të çmimeve në këtë rast nuk ka më kuptim sepse fuqia blerëse ka rënë përtokë, dhe s’ka asnjë shans që në këtë nivel punëzënie të kemi shpërthim të çmimeve dhe tarifave të shërbimeve. Presioni i fuqisë blerëse detyron rënien e çmimit. Atëherë pyetja që ngrihet është, çfarë ruan banka, që çmimet mos të bien? Në shumicën e çmimeve i kemi konkurruese me Gjermaninë dhe Italinë. 
A bëjmë konkurrencë me to? Ky funksion qendror nuk i duhet kujt, përveçse faktit që banka qendrore është kthyer në instrument i politikës së fitimeve maksimale të bankave dhe krijimit dhe fuqizimit të oligarkisë financiare dhe pushtetare. Anomalia e tillë nuk është optimiste sepse e ardhmja 2013-2018 për punësimin kur, popullsia e aftë për punë pritet të shtohet dhe të arrij në vitin 2018 plot 1,914 mijë vet, dhe politika aktuale nuk jep shpresë pa u për dritë në fund të tunelit. Normalisht që ky objektiv duhej ndryshuar dhe duhej të ishte ndryshuar, që kur kriza po jepte efektet e saj dhe tendenca e mbylljes së vendeve të punës po kthehej në një makth dhe ekonomia kishte vështirësi në gjenerimin e vendeve të punës. Bankat e nivelit të dytë filluan rritjen me shpejtësi të borxhit të keq duke e bërë asfiksues këtë sektor dhe jo bashkëvuajtës me interesat e kompanive që frymën ua kishte bllokuar politika shtetërore dhe reçesioni që vegjetonte prej vitesh. 
Ndryshimi i politikës së bankës
Ndryshimi i politikës së bankës duhej të kthehej nga ekonomia, rritja e burimeve prodhuese, rritjen e punësimit, si motorët që mbështesim potencialin e rritjes së kërkesës për konsum. Por konsumi do të rritet, kur të ardhurat në dorën e individit duhet të rriten, dhe jo në kushtet që banka qendrore ruan nivelin e çmimeve. Pra kemi dy politika: e para që shkatërrojnë punësimin nëpërmjet ruajtjes dhe stabilitetit të çmimeve edhe në kushtet kur fuqia blerëse ka rënë, (stabiliteti dhe ruajtja e çmimeve) dhe e dyta: Nxitjen e punësimit dhe rritjen e ekonomisë. 
Nëse kjo politike e bankës qendrore nuk ndryshon efekti i saj në ekonomi është negative duke ulur konsumin, për pasojë investimin dhe në analizë të fundit kreditimin. Normalisht në mungesë të rritjes ekonomike, shtimit të papunësisë, shtimit të borxhit publik që shprehet në pamundësitë qeveritare për investime, kredia tregtare në strukturë do të jetë e pastrukturuar mirë apatike dhe mashtruese. Kjo shpjegon edhe pse borxhi i keq ka arritur 27% të totalit të kredive. Zërat që vlerësojnë blerjen e borxhit të keq nga qeveria janë një shashkë e radhës dhe mosvlerësim realist i politikave të ndjekura nga bankat e nivelit të dytë. Disa prej tyre i ngjajnë piramidave, duke analizuar thjesht skedulimin e kredive që mbartin.
Sigal