“ Prof. Rexhep Qosen, do ta sjellim në Vlorë me makina të mbuluara me flamurin kombëtar”

322

100 VJET PAVARËSI/ “Harresa”, e akademikut kosovar. Reagon shoqata kulturore “Mehmet Qyprilli Roshniku”

Mungesa e ftesës për Prof. Rexhep Qosja në konferencën shkencore që do të organizohet nga ana Akademia e Shkencave në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka bërë që të reagoj edhe shoqata atdhetare e kulturore “Mehmet Qyprilli Roshniku”. Krerët e kësaj shoqate, me anë të një letre të hapur, e kanë quajtur absurd mungesën e ftesës për Nderin e Kombit Prof.Rexhep Qosja, për këtë arsye ata i bëjnë thirrje Kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika që në këtë ditë të veçantë për të gjithë shqiptarë, atdhetarin e shquar, Prof. Rexhep Qosja, ta sjellë nga Kosova në Vlorë me makina të mbuluar me flamurin kombëtar.

Letra

Shoqata “Mehmet Qyprilli Roshniku”, e cila në themel të programit të saj ka atdhetarin dhe ruajtjen e vlerave më të mira të traditës, historisë dhe kulturës, ka përkrahur dhe përkrah çdo aktivitet që përkujton dhe mban të gjallë historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Në këtë kuadër shoqata “Mehmet Qyprilli Roshniku”, inkurajon dhe mbështet të gjitha aktivitet rajonale e kombëtare të planifikuara për ngjarjen më të madhe të popullit shqiptar, atë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Por, ndërsa ndjekim me vëmendje dhe interes programin e aktiviteteve që do të organizohen nga institucionet rajonale e kombëtare, që do të organizohen në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ne jemi ndier të befasuar dhe thellësisht të indinjuar nga mungesa e ftesës për Prof. Rexhep Qosja nga Akademia e Shkencave në konferencën shkencore në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mungesën e ftesës për akademik Rexhep Qosja, në rastin më të mirë, do ta quanim harresë dhe, në rastin më të keq, përpjekje për të ulur nga piedestali njërin prej kolosve të shqiptarisë siç është “Nderi i Kombit”, Rexhep Qosja. Pa e paragjykuar veprimin “harrestar” të Akademisë së Shkencave duam t’i kujtojmë Kryetarit të këtij institucioni z.Gudar Beqiraj dhe organizatorëve për Akademinë Solemne që do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, se e konsiderojmë absurd, të padrejtë dhe tepër fyes për ndërgjegjen kombëtare shqiptare mungesën e Prof. Rexhep Qosja. Rexhep Qosja me veprën e tij monumentale në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, i bën dhe do t’i bënte nder çdo lloj konference kombëtare apo ndërkombëtare. I konsideruar si rilindasi i fundit, Prof. Rexhep Qosja me punën e tij në shërbim të popullit të vet dhe çështjes kombëtare ka hyrë në panteonin e lavdisë si një korife i shqiptarëve brenda dhe jashtë trojeve amtare. Akademik Rexhep Qosja  me punën  e tij të palodhshme u ka paraprirë zhvillimeve të vrullshme dhe dramatike të shekullit 20-të dhe 21-të. Por, Prof. Rexhep Qosja nuk është vetëm një shkrimtar, studiues dhe kritik i përmasave ballkanike e evropiane, por ai është edhe një atdhetar i madh. Kësisoj ai nuk është thjesht Rexhep Qosja, por ashtu si e vlerëson edhe shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, me punën e tij atdhetare e shkencore Prof. Rexhep Qosja është kthyer në Institucionin “Rexhep Qosja”. Prof. Qosaja është ndër firmëtarët kryesorë të Kongresit që unifikoi dhe standardizoi gjuhën shqipe në vitin 1972. Ai, si një ndër figurat më fuqishme të shqiptarëve të Kosovës dhe çështjes shqiptare në tërësi, në pranverën e vitit 1999, në prag të rilindjes së Kosovës, ishte pjesëmarrës i Delegacionit shqiptar të Kosovës, në Konferencën e Rambujesë dhe njëri nga tre anëtarët e Kryesisë së këtij delegacioni. Për të gjitha këto merita, Akademik Rexhep Qosja në vitin 2000 ka marrë nga kryetari i Republikës së Shqipërisë çmimin “Nderi i Kombit”. Nisur nga përmasat e veprës së tij si shkrimtar, gjuhëtar, historian e filozof Prof. Qosja mund të quhet pa mëdyshje “Sami Frashëri” i kohës së sotme. Të flasësh për këtë figurë të madhe shkencore e atdhetare duhen faqe të tëra librash. Ndaj në mbyllje të vlerësimit tonë për këtë figurë madhore duam t’u kujtojmë drejtuesve të Akademisë së Shkencave se Prof. Rexhep Qosja  së bashku me Ismail Kadare e Dritëro Agolli janë male që nuk tuten nga erërat e politikës, ndaj sa më shpejt të korrigjohet gabimi dhe sa më shpejt t’i shkojë ftesa Prof. Rexhep Qoses, për pjesëmarrjen e tij në Akademinë Shkencore me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ashtu sikurse shqiptarët e Shqipërisë natyrale ishin të gjithë bashkë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878 dhe më 28 Nëntor 1912, ditën e shpalljes së pavarësisë, edhe  në 100-vjetorin e kësaj dite të madhe, shqiptarët duhet të jenë më të bashkuar se kurrë ndonjëherë. Ndaj shoqata “Mehmet Qyprilli Roshniku”  i bën thirrje Kryetarit Bashkisë  Vlorë, Shpëtim Gjika që në këtë jubile të rëndësishëm të 100 vjetorit të Pavarësisë, atdhetarin  e shquar, personalitetin e shkencës e të filozofisë, Prof.Rexhep Qosen, ta sjellë nga Kosova në Vlorë me një grup të rinjsh me makina të mbuluara me flamurin kombëtar.