Prof. Rexhep MEIDANI/ Një organizatë mbarë botërore në shërbim të njerëzve, shtrirja dhe kontributi në Shqipëri

820
Sigal

Është një nder i veçantë, për të shprehur disa mendime në rastin e 110 vjetorit të Rotarit Ndërkombëtar, të kësaj organizate me afro 1.2 milion anëtarë apo rotarianë dhe afro 34.300 klube në mbarë botën, ku bëjnë pjesë dhe disa klube të ngritur në territore shqiptarë. Ajo e nisi jetën e vet si trupëzim i vizionit të një njeriu të shquar, të avokatit Paul P. Harris. Më 23 shkurt 1905, ai ngriti Klubin e Parë të Rotarit të Ҫikagos.

 Rotari ndërkombëtar

Rotari Ndërkombëtar apo thjesht Rotari është një organizatë shërbimi, me synim bashkimin e drejtuesve të biznesit dhe profesioneve të ndryshëm në kryerjen e shërbimeve, përfshirë ata me karakter humanitar. Ai inkurajon standarde të lartë etikë në të gjithë profesionet, dhe, në të njëjtën kohë, ndihmon e shërben në ndërtimin e vullnetit të mirë dhe ruajtjen e paqes në botë. Rotari është një organizatë sekulare, e hapur për çdo njeri, pavarësisht racës, fesë, ngjyrës, origjinës, gjinisë e preferencave politike. Dy janë motot e njohura të kësaj organizate: 1. Shërbimi në  radhë  të  parë”  (angl. Service Above Self” , fr. “servir d’abord”); 2. “Përfiton më shumë kush shërben më mirë”. (“One profits most ëho serves best”). Pra, objekti kryesor i Rotarit është për të inkurajuar dhe skalitur idealin e shërbimit si bazë në çdo ndërmarrje, qoftë strukturë, qoftë veprim. Po ashtu, për Rotarin, krahas njohjes e kulturës, mundësive konkrete e profesionale, në kryerjen e shërbimit, vlerë bazike kanë standardet e lartë etikë, përfshirë dhe humanizmin e solidaritetin, qytetarinë e gatishmërinë për t’i shërbyer shoqërisë. Po aq të rëndësishëm janë nxitja, zhvillimi e avancimi i mirëkuptimit në nivel global, vullneti i mirë dhe paqja nëpërmjet ndërveprimit e kontributit të unifikuar të biznesit dhe profesioneve të ndryshëm në idealin e përbashkët të shërbimit. Aktualisht, Rotari është anëtar vëzhgues i OKB-së dhe bashkëpunon ngushtë me mjaft organizata të tjera. Në përbërje të tij kanë qenë dhe janë anëtarë, nga laureatë të çmimit Nobel si Guglielmo Marconi (fizikë); Thomas Mann (literaturë), Stefan Hell (kimi), Arthur Compton (fizikë), Lester Pearson (çmimi për Paqe); deri astronautë, njerëz të shquar të artit, kulturës, politikës, shkencës etj. Anëtarë nderi kanë qenë dhe presidentë amerikanë, shumë ish-kryeministra e princër të vendeve evropianë. Presidenti Klinton është gjithashtu anëtar nderi i një klubi rotarian të Kosovës.

Disa programe.

Rotari kryen shërbime humanitare në fusha të ndryshme. Gjithashtu, ai ndihmon për krijimin e vullnetit të mirë dhe kontribuon fuqishëm për paqen në botë. Disa nga programet e tij janë: Klubet e ndërveprimit (Interact clubs) që garantojnë mbështetje dhe udhëheqje për mosha të reja në intervalin 12-18. Në një program të tillë  janë përfshirë mbi 340.000 të rinj  (në formim të integritetit, kapaciteteve drejtuese, ndihmës e respektit ndaj të tjerëve, përgjegjësisë personale, angazhimit në punë, etj,.

     RYLA (Rotary Youth Leadership Aëards) që është një program lidershipi për mosha midis 14-30 vjeç, me synim unifikimin, formimin dhe gjetjen e burimeve për liderët e ardhshëm. Një variant i avancuar i RYLA-s, është ARYLA, një lloj konference lidershipi, që motivon dhe inkurajon të rinjtë në projekte të ndryshëm shërbimi. Akti apo aksioni Rotarian (Rotaract), që është një klub shërbimi për mosha 18-30 me mbi 215,000 pjesëmarrës, partnerë në shërbim, përgjithësisht të organizuar në bazë komuniteti ose universiteti. PolioPlus. Një aksion i veçantë i Rotarit është zhdukja e poliomielitit në mbarë globin tokësor. Ai ka filluar në vitin 1976 dhe sot kjo sëmundje është eliminuar në afro 99% të popullsisë botërore. Për këtë janë shpenzuar mbi 10 miliard dollarë vaksina. E frymëzuar nga ky angazhim serioz i Rotarit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) miratoi një rezolutë në vitin 1988 për çrrënjosjen e poliomielitit deri në vitin 2000. Kështu, në Global Polio Eradication Initiative (GPEI) së bashku me OBSh, UNICEF-in dhe Qendrën e Kontrollit e Parandalimit të Sëmundjeve (SHBA), Rotari është një organizatë private e njohur nga OKB-ja në këto përpjekje.

Programe shkëmbimi dhe bursash. Janë disa lloje programesh të tillë si ai i shkëmbimit të rinjve, i nxënësve të shkollave, i bursave “ambasadoriale” (p.sh., mbi 38,000 djem e vajza mbi 100 vende kanë studiuar nën këtë program privat, që është më i madhi në botë), ai për shkëmbim eksperience, etj. Në këtë kuadër, një program i ri është ai i Rotarit për Paqen apo i Zgjidhjes së Konflikteve (që mbështet dhe dy vjet studime të thelluar në një nga 8 universitet e zgjedhur). Qendrat Rotariane të Paqes (Rotary Peace Centers) që lidhen me një program të nisur më 2002 nga Fondacioni Rotarian në bashkëpunim me 8 universitete. Qëllimi i tij është krijimi i qendrave të studimeve ndërkombëtare për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve. Për këtë zgjidhen çdo vit mbi 100 vetë (me grantet përkatës) për studime master apo për periudha më të shkurtra me certifikimin përkatës në fushën e paqes dhe të sigurisë.

Programe të shkrim-këndimit. Krahas veprimtarive për sensibilizim, shumë klube mbledhin fonde për shkolla e organizime të tjerë. Aty përfshihen edhe programe si ai i dhurimit të librave (brenda apo jashtë vendit), organizimi i veprimtarive letrare, programet “Rotary Readers” për lexim e diskutim të përbashkët, etj. Për rastin e Shqipërisë, me vlerë janë dhe këto programet e fundit. Konkretisht, në situatën e sotme tepër kritike për paqen e sigurinë, një nga iniciativat me peshë mbetet është ajo për Qendrat Rotariane të Paqes. Me atë lidhet dhe mbledhja e fondeve (afro 125 milion dollarë deri në qershor 2015), në mbështetje të programit të formimit për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve(llogariten afro 100 rotarianë që do të përzgjidhen këtë vit për të ndjekur një program masteri apo një program tjetër të certifikuar në një nga universitetet partnerë, pikërisht në tematika të lidhura me rrënjët dhe shkaqet e konflikteve, me gjetjen e zgjidhjeve në shërbim të paqes, etj. Dihet se,  deri tani, mbi 800 individë, që kanë përfunduar programe të tillë, po shërbejnë në qeveri të ndryshme kombëtare, në organizata jo qeveritare, në forcat e armatosura, në strukturat e zbatimit të ligjit, në institucione ndërkombëtare si OKB-ja, BB-ja, etj. Një iniciativë tjetër është ajo e Etikës Rotariane. Në thelb, ajo pasqyron një strategji që përfshin disa distrikte e zona së bashku, për të nxitur, zhvilluar e avancuar etikën dhe integritetin në programet e Rotarit në klube e distrikte të ndryshëm. Fillimisht, u nis si program pilot në zonat 25/26 në periudhën 2007-2011. Por, duhet theksuar se një program i tillë nuk është një program zyrtar i Rotarit, as nuk është nën kujdesin e kontrollin e tij. Ai mbulohet nga një organizatë jofitimprurëse, që shpesh njihet si Iniciativa Rotariane e Etikës, apo thjesht Iniciativa e Etikës.

Klubi Rotarian i Tiranës.

Pjesë e kontributit global është dhe ai i 8 klubeve në Shqipëri (2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër, 1 në Pogradec dhe 1 në Berat). Edhe në Kosovë funksionojnë disa klube të tillë. Por, le të kthehemi tek Klubi Rotarian i Tiranës. Ky klub u themelua në vitin 1992, me ndihmën e klubeve rotariane italiane. Aty, që në fillimet e veta, u përfshinë profesionistë të dalluar në fusha të biznesit e profesioneve të ndryshëm, të administrimit, arsimit e shkencës, etj. Në të vërtetë, ndryshimet politike-shoqërore në Shqipëri dhe vështirësitë e mëdha ekonomike të fillimit të tranzicionit tërhoqën vëmendjen e Rotarit, veçanërisht atij italian, për të kontribuar me ndihma. Ndërsa, ideja për të ngritur një Klub Rotari në Tiranë iu transmetua fillimisht ambasadës sonë në Romë nga përfaqësuesit e një klubi rotarian italian. Vetë presidenti i atij klubi, Giovani Gara, erdhi në Tiranë, ku u sigurua nga drejtori i drejtorisë juridike, Ksenofon Kristafi, se, në Shqipëri, me ndryshimet demokratike, nuk kishte më pengesa ligjore për të ngritur klube të kësaj natyre. Më 15 qershor 1991, një grup rotarianësh të kryesuar nga Guvernatori i Distriktit 2090 organizoi, në Tiranë, mbledhjen e parë përgatitore të klubit. Aty u përpiluan, së bashku me nismëtarët shqiptarë, dokumentet e nevojshëm për njohjen e klubit nga Rotari Ndërkombëtar. Më 9 mars 1992, u firmos Karta Konstitutive e Klubit Rotarian të Tiranës; kurse më 11 maj, në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve u zhvillua ceremonia zyrtare e konstituimit të Klubit. Për të dorëzuar Kartën e Konstituimit erdhi në Tiranë vetë Presidenti i Rotarit Ndërkombëtar Rajendra K. Saboo, i shoqëruar nga funksionarë të tjerë të lartë, si dhe mbi 180 rotarianë nga Italia. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm mjaft autoritete të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Karta e Konstituimit iu dorëzua Presidentit të Klubit Rotarian të Tiranës z. V. Pulaj, nga z. Saboo. Një muaj më vonë, më 14 qershor 1992, në  Kongresin e Rotarit, në Orlando, SHBA, në prani të 5000 rotarianëve, u ngrit dhe Flamuri Shqiptar, i cili iu bashkua flamujve të të gjithë vendeve ku Rotari ishte i pranishëm.

 

Disa aksione apo shërbime konkrete të Rotarit të Tiranës.

Ky klub, duke u frymëzuar nga aksioni i madh i Rotarit Ndërkombëtar në luftën mbarë botërore kundër poliomielitit, doli dhe ai me idenë shumë ambicioze të aksionit për vaksinimin e fëmijëve të porsalindur kundër Hepatitit Viral B. Ideja e Klubit u përkrah nga Rotary Ndërkombëtar dhe klubet italiane. Projekti që zgjati pesë vjet pati një kosto 1.5 milion dollarë në vaksina. Ai filloi zbatimin në 11 maj 1994. Po ashtu, në vitin 1993, filloi zbatimi i  nismës “Adoptojmë një student, Rotari për Kulturën”, që vazhdon akoma sot. Nisma përmbledh në vetvete një ndihmë financiarë në të holla që u jepet studentëve më të mirë, por në gjendje të vështirë ekonomike. Në nëntor 1993, u zyrtarizua Projekti  “Aleksandër Moisiu”, që mori përsipër ndërtimin dhe pajisjen e shkollës së mesme të përgjithshme, në Kavajë, me laboratorë modernë të biologjisë, fizikës e kimisë. Ky projekt kushtoi 40.000 dollarë. Në 1994, me një ndihmë financiare prej 30.000 USD të Klubit Rotarian të Mainzit (Gjermani) u ndërtua dhe u pajis Qendra Shëndetësore e Golemit. Një Klub Rotarian i Holandës ndërtoi shkollën dhe qendrën shëndetësore në Arameras, me një vlerë prej 40 mijë dollarësh. Në zbatim të projektit të përbashkët me Fondacionin Soros, atë të Rotarit Ndërkombëtar dhe Klubit Rotarian të Distriktit 1090 RI (Angli), u akorduan 101.926 USD për rikonstruksionin e 6 shkollave në fshatrat e Kuksit. Në maj 1998 rotariani Petraq Gramo ndau falas medikamente në Librazhd. Po ashtu, u strehuan në dy kampe rreth 500 kosovarë, në ambiente pronë rotarianësh. Mund të veçohen këtu, dhurimi i mijëra vaksinave kundër tetanosit nga Petraq Gramo, apo i një sasie librash për fëmijë nga Fatmir Toçi. Pa vazhduar më tej me detaje të tillë, në mënyrë të përmbledhur, gjatë 23 viteve të veprimtarisë së klubit, disa nga shërbimet më të rëndësishme në të mirë të komunitetit janë:

Në shëndetësi: Siç u tha më sipër, një nga kontributet ka qenë realizimi i vaksinimit të fëmijëve të porsalindur nga Hepatiti Viral B. Aksioni filloi në 11 maj 1993 dhe përfundoi në maj 1997. Sot, ky vaksinim vazhdohet nga qeveria shqiptare. Një kontribut tjetër ka qenë ndihma për spitale e qendra shëndetësore me shtretër, aparatura mjekësore, riparime mjedisesh, etj.

Në arsim: Vlen të përmendën kontribute të ndryshëm për shkolla tetëvjeçare dhe të mesme me laboratorë, banka shkolle, libra, riparime mjedisesh, etj., sigurim bursash njëvjeçare për studime jashtë shtetit, kurse të shkurtra kualifikimi; dhënie ndihme financiare të përvitshme për studentët e mirë në mësime me të ardhura të pakta (nga rrethet); rikonstruksione shkollash në rrethin e Kukësit, qytetin e Librazhdit, etj.

Për shtresa në nevojë: Disa nga shërbimet janë dhënia e karrocave për paraplegjikët; financimi i projekteve në ndihmë të kualifikimit profesional të grave të familjeve në nevojë; shpërndarja e lodrave për fëmijë tek familjet e dëmtuara nga përmbytjet (në zonën e Shkodrës); ndarjet e ndihmave humanitare për të varfrit; ndërtimi i një jetimoreje në Shkozet të Durrësit, rikonstruksioni i jetimores së Sarandës, etj.

Për Kosovën: Mund të veçohet strehimi e përballimi me ushqime e medikamente të rreth 500 refugjatëve gjatë krizës së Kosovës; dhurimi i 45.000 abetareve të para për nxënësit e shkollës fillore; dhurimi i 13.500 vaksinave kundër tetanosit; dhurimi i bustit të Naim Frashërit për  shkollën me të  njëjtin emër në Podujevë; furnizimi me libra i Bibliotekës së Prishtinës, menjëherë pas çlirimit të saj, etj.

      Për shqiptarët në Luginën e Preshevës: Herë pas here, Klubi Rotarian i Tiranës ka dhënë mbështetje financiare për studentë nga Lugina e Preshevës, që kryejnë studimet universitare në Tiranë. Tashmë, është planifikuar dhe një projekt që synon të ndihmojë me libra artistikë, në gjuhën shqipe, shkollat e arsimit para-universitar në Luginën e Preshevës.

Pa vazhduar më tej, siç shihet nga kontributet e mësipërm, edhe Rotari 23 vjeçar i Tiranës, duke ndjekur shembullin e Rotarit Ndërkombëtar, ka me çfarë të krenohet. Prandaj, më lejoni, që me rastin e 110 vjetorit të Rotarit Ndërkombëtar, të rishpreh vlerësimet e mia maksimale për këtë organizatë ndërkombëtare, dhe, mbi të gjitha, për degëzën e saj serioze e këmbëngulëse në Tiranë. Por, dhe urimin – edhe një qind vjet të tjerë po aq të suksesshëm, por dhe 23 vjet të tjerë të mbarë për Klubin tonë të Tiranës!