Prof. Rexhep Meidani: A nuk garanton shorti një përzgjedhje më demokratike?

562
Në shoqërinë e sotme, dy termat e një binomi të pandashëm janë demokracia dhe zgjedhjet; d.m.th., pa demokraci nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe pa zgjedhje të tilla nuk ka demokraci të vërtetë. Kjo, edhe pse zgjedhjet në vetvete janë vetëm një kushti i nevojshëm për një qeverisje demokratike, që kërkon nga ana saj, dhe kushtin e mjaftueshëm: Emancipimin social – kulturor të shoqërisë. Edhe pse një gjë e tillë vlerësohet si e gjithë-pranuar, pjesë e debatit më të “hollë” demokratik është ribërë sot, edhe shorti, përfshirja e tij në procesin e kompozimit qeverisës, për të pasqyruar thelbin e pohimit “ne, populli” të kushtetutës amerikane, që nuk mishërohet drejt në vetë procesin zgjedhor. Edhe në Shqipëri, deri vonë, në gjykata pretendohej se dënimi jepej “në emër të popullit”, edhe pse përzgjedhja e gjykatësve nuk bëhej fare nga populli(!)… 
Kultura oligarkike dhe ajo demokratike, sipas Aristotelit 
Në Greqinë e lashtë, personat që mbështesnin demokracinë (si qeverisje nga populli) ishin në opozitë me ata që mbështesnin oligarkinë (si qeverisje nga pak njerëz). Për më tepër, aty, zgjedhjet konsideroheshin pjesë të kulturës oligarkike, ndryshe nga athinasit, ku shorti ishte pjesë e kulturës demokratike. Në Athinën demokratike, shumica e përfaqësuesve publikë përcaktoheshin me short dhe shorti shihej, aty, si metodë parësore në caktimin e zyrtarëve publikë. Bile, për Platonin, demokracia lind pikërisht kur dhe të varfrit fitojnë mbi kundërshtarët e tyre të pasur; ndërsa për Aristotelin, tek vepra “Politika”, konsiderohej si demokratike kur zyrat publike ndërtoheshin me short, dhe si oligarkike kur ato ndërtoheshin me anë të zgjedhjeve. Sipas tij, “kemi demokraci kur qeverisin të lirët dhe oligarki kur qeverisin të pasurit” dhe se “kur zgjedhja bëhet ndërmjet një rrethi të caktuar personash, atëherë regjimi bëhet edhe më oligarkik”. Për më tepër, siç pohon ai, çdo qytetar i Athinës kishte të drejtën dhe mundësinë që të merrte përsipër “detyra administrative e gjyqësore”, dhe se “emërimi i magjistratëve me short vlerësohej demokratik”. Pra, në Athinën demokratike, mbështetur në barazinë para ligjit dhe të drejtave politike (izonomia), shorti u shfrytëzua për përzgjedhjen e magjistratëve (zyrtarëve) me fuqi juridike e ekzekutive, për këshillat e juritë gjyqësore. Duke e komentuar këtë, Aristoteli shkruan: “Liria shpallet si qëllimi i çdo demokracie; dhe, një nga karakteristikat e lirisë është që të njëjtët persona pjesërisht komandohen dhe pjesërisht komandojnë”; se “në të gjitha detyrat publike, sovraniteti i ushtruar nga të gjithë mbi secilin dhe nga secili mbi të gjithë me turne, shorti si sistem përzgjedhje të të gjithë magjistratëve, ose të paktën e atyre që nuk duhet të kenë përvojë të specializuar ose kompetenca të veçanta, …pengesa për të qenë i rizgjedhur për cilësi të veçanta për disa detyra të pakta, përveç rizgjedhjes në detyra ushtarake, koha tepër e shkurtër në ushtrimin në të gjitha detyrat ose pothuajse në të gjitha. Gjyqtarë të gjykatave mund të jenë të gjithë; janë zgjedhës, pa dallim ndërmjet të gjithëve dhe kanë juridiksion mbi të gjitha çështjet ose mbi më të rëndësishmet dhe më të rëndat, nga raportet e magjistratëve, të çështjeve kushtetuese të marrëdhënieve tregtare private, pavarësi në çdo çështje (ose të paktën në më të rëndat) të lidhura me asamblenë, sepse askujt nuk i besohet një detyrë që të jetë me të vërtetë e pavarur, veçse në një fushë shumë të ngushtë…”. 
Shorti tek athinasit
Demokracia athinase konsiderohej si qeverisje e qytetarëve të zakonshëm, që përzgjidheshin me short për zyra të caktuara. Vetë ata besonin se shorti ishte më demokratik se zgjedhjet. Për këtë, ata shfrytëzuan dhe makina shorti (kleroteria) për të shmangur korrupsionin e praktikat abuzive të ndeshura më parë, deri blerje postesh shtetërore. Në disa raste, gjykata e qytetarëve konsiderohej më superiore se asambleja, sepse aty njerëzit e caktuar me short betoheshin në nisje të detyrës; ndryshe nga qytetarët e zakonshëm në asamble që nuk ishin nën betim (prandaj, dhe gjykata mund të anulonte vendime të caktuara të asamblesë). Vetë magjistratët e zgjedhur me short shërbenin për një afat njëvjeçar dhe çdo qytetar mund të zinte një zyrë të dhënë vetëm njëherë në jetën e tij (por mund të përzgjidhej për zyra të tjera). Por, këtë mundësi, në demokracinë athinase, nuk e kishin të gjithë individët, por vetëm qytetarët meshkuj dhe në moshë (por jo gratë e fëmijët, të huajt e skllevërit). Çdo i zgjedhur me short i nënshtrohej një kontrolli paraprak dhe monitorohej në detyrë nga Asambleja. Bile, çdo pjesëtar i saj mund të kërkonte pezullimin e zyrtarit për arsye të dhëna; ndërsa me mbarimin e detyrës, me lënien e zyrës publike, ai zyrtar jepte llogari për detyrën e kryer. Nën këtë trysni sistematike, ishte i vështirë abuzimi e mashtrimi në kryerjen e detyrës publike; për më tepër, shorti e frenonte abuzimin, u kundërvihej fraksioneve, e “hollonte” fuqinë, bile e shpërndante detyrën në një numër të madh njerëzish, që e kishin praktikisht të pamundur çdo tentativë e marrëveshje të fshehtë për marifete. Po ashtu, pushteti nuk shkonte tek ata që e donin atë apo që e kishin planifikuar më parë. Kjo ishte arsyeja që shorti ngjallte besim; ishte një rrugë natyrore, pse jo dhe më e thjeshta në caktimin e një detyre publike. Prandaj dhe Aristoteli, Platoni e Herodoti e konsideronin shortin më demokratik se votimi apo zgjedhjet. 
Raste të tjera
Në qytetet-shtete të Italisë së Veriut, që në shekujt 12 dhe 13-të, u përdor një procedurë shorti, ku individë të zgjedhur në mënyrë të rastit (dhe nën betim) do të zgjidhnin anëtarët e Këshillit të Madh të shtetit (qytetit). Të tillë ishin zotëruesit e pronave, esnafët e artizanët, prej të cilëve përzgjidheshin “nominuesit” për emërimin e kandidatëve të Këshillit të Madh. Me një proces kompleks, votim e hedhje shorti përzgjidhej dhe Dogja e Venecias. Kështu, bëhej i vështirë ushtrimi i fuqisë prej “sektit” politik. Madje, duke minimizuar intrigën e fuqinë brenda Këshillit, shorti i ka shërbyer kohezionit në fisnikërinë e Venecias, duke kontribuar dhe në stabilitetin e republikës. Në Venecia, diçka e tillë është ndeshur deri në shekullin e 18-të. Në Firence, që në vitin 1328, aplikohej një procedurë shorti e votimi. Me një përzgjedhje të tillë krijohej një “rezervat” kandidatesh për zyra të ndryshme të administrimit të qytetit. Konkretisht, në një thes futeshin shenjat me emrat e kandidatëve dhe prej tyre përzgjidheshin me anë të shortit magjistratët për zyrat publike. Po aty, gjatë republikës, shorti (i kombinuar me votimin) u përdor jo vetëm në përzgjedhjen e magjistratëve, por dhe të anëtarëve të qeverisë. Ndërsa, në vitin 1494, u themelua në Firence Këshilli i Madh, sipas modelit të Venecias; aty emëruesit (nominuesit) u zgjodhën me short, dëshmi kjo e rënies së fuqisë aristokratike në atë kohë. Edhe në Zvicër, në disa rajone, gjatë viteve 1640-1837, si kundërvënie ndaj abuzimit e mundësisë së fitimeve jo legale, për pozicione të tilla si ai i kryetarit të bashkisë u përdor shorti për të shmangur ryshfetin e korrupsionin. Kurse në Indi, në disa zona të saj, në caktimin e komitetit të administrimit të fshatit emrat e kandidatëve, të shkruara në një fletë palme, futeshin në një poçe, dhe tërheqja e rastit prej saj bëhej nga fëmijë. Pra, siç ilustrohet më sipër, ideja athinase që demokracia lidhet ngushtë me shortin është transferuar në kohë. Bile, në shekullin e 18-të, Montesquieu, tek “Fryma e ligjeve”, shkruan se zgjedhja me short është natyrore për demokracinë, ashtu si zgjedhja (me votim) është për aristokracinë. Për më tepër, shorti sjell më pak korruptim se vetë votimi në përzgjedhjet e zyrtarëve në detyra të ndryshme, përfshirë dhe ato ligjvënëse. 
Shorti modern
Shorti është përdorur në përzgjedhje të ndryshme, p.sh., në rekrutimin ushtarak, në dhënien e “Green Card” në ShBA, në shpërndarjen e studentëve në shkollat publike, etj. Ndërsa, në veprimtari publike, shorti përdoret në formimin e jurive gjyqësore e atyre qytetare, në kompozimin e komisioneve dhe asambleve qytetare opinion-bërëse e politikë-bërëse. Kështu, p.sh., në Vankuver është krijuar një asamble qytetarësh për të asistuar në miratimin e planit të qytetit dhe kontrollin e realizimit të tij. Më 2004, në Kolumbinë Britanike, një grup qytetarësh të zgjedhur në mënyrë rastësore propozuan një sistem të ri elektoral. Në Danimarkë, me njëfarë përzgjedhje qytetarësh, u bë e mundur pjesëmarrja e tyre në debatin mbi politikat publike. Në përgjithësi, në komisionet qytetare (të këshillimit), në vend të emërimit politik, anëtarët e tyre vendosen aty me short, gjë që e rrit përfshirjen dhe interesin qytetar në veprimtarinë publike-politike. Kryesore është se aty, përzgjedhja bëhet në grupe njerëzish të përftuar në mënyrë të rastit, dhe jo nga partitë politike. Më tej, në sistemin anglo-sakson shorti shfrytëzohet në përzgjedhjen e jurive gjyqësore. P.sh., në ShBA, juritë në gjykata janë ndërtuar me short; kurse sot, gjithnjë e më shumë, po krijohen juri apo asamble qytetare me fuqi këshillimore. Një nuancë shorti, ndeshet tek ne në përzgjedhjen e gjyqtarëve për Kolegjin Zgjedhor. Edhe në vendimmarrjen publike, ka raste kur individët zgjidhen me short kur dështon një formë tjetër zgjedhjeje. Të tilla janë zgjedhje të pezulluara apo disa votime në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Njëlloj, në ShBA, për disa zyra, kur rezultati del i njëjtë shfrytëzohet hedhja e monedhës në vend të ripërtëritjes së zgjedhjeve. Në Zelandën e Re, për rezultat të njëjtë zgjedhor përdoret shorti në përzgjedhjen e deputetit përkatës. Kjo shfaqet dhe në pushtetin vendor, p.sh., në Angli, në përcaktimin e një anëtari këshilli, kur për dy kandidatë përftohet i njëjti rezultat, hidhet shorti në mënyrë publike. Edhe tek ne, sipas Kodit Zgjedhor, në paragrafin 4 të nenit 163, thuhet se: “…në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara”. Në Kanada, mund të caktohen me short anëtarë senati, të përzgjedhur më parë nga kryeministri. Për të shmangur ndikimin, në vend të “listës” politike të tij, bëhet aty dhe “rregullimi” me short, nisur nga kritere konkrete. Bile, sipas një dispozite kushtetuese (seksioni 26 i Aktit Kushtetues, 1867), sovrani mund të miratojë 4 apo 8 senatorë ekstra, veçse aprovimi bëhet nga monarku me këshillimin e kryeministrit dhe ekzekutimin prej Guvernatorit të Përgjithshëm. Sot, shumë analistë, bazuar në demokracinë athinase, duke kritikuar politikat elektorale të shekullit të 21-të, mendojnë se zgjedhja me votim, në jo pak raste, është bërë një subjekt manipulimi (nëpërmjet parasë, trysnisë apo ndikimit të grupimeve oligarkike ose me peshë). Për më tepër, zgjedhjet legjislative i japin fuqi një grupi të vogël njerëzish me pushtet, prandaj për ta fuqia e përftuar me zgjedhje (votim) është më pak demokratike se zgjedhja me short brenda popullit, në kompozimin demokratik të degëve të qeverisjes. Kjo ka çuar dhe në përpunimin e idesë së shortit, të përfshirjes së tij brenda vetë sistemit politik, p.sh., në reformimin e Dhomës së Lordëve, në Mbretërinë e Bashkuar (e propozuar nga A. Barnett dhe P. Carty në Komisionin Mbretëror për Reformën e Dhomës së Lordëve, më 1999). 
Zgjedhje e rastit apo një rrugë e mesme?
Për të shmangur krijimin e elitave sociale abuzive në shoqërinë post-komuniste, shumë analistë mendojnë se organe të ndryshme të autoritetit publik duhet të kontrollohen nga komitete qytetarësh të zgjedhur me short ose pjesërisht me short. Kjo “lotokraci” mund të përmirësojë dukshëm përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe mund të minimizojë gabimet sistematike, si rrjedhojë e deformimeve brenda vetë sistemit politik, me origjinë ato brenda partive politike. Por, duhet pranuar, se në këtë përzgjedhje me short të individëve e asambleve qytetare nuk shpaloset dot vullneti politik për veprim; veçse në këtë mënyrë zgjedhja me short synon reduktimin e manipulimit të interesave të fuqisë të një grupi të vogël njerëzish në pushtet (politik ose ekonomik). E thënë ndryshe, me anë të lotarisë apo shortit populli ua heq qeverisjen oligarkëve për t’ia kthyer njerëzve të thjeshtë. Kjo bëhet akoma më e domosdoshme ne demokracitë apo pseudo-demokracitë e reja, si ajo shqiptare. Në fakt, në kushtet e sotme, parlamentet nuk i përfaqësojnë si duhet njerëzit, pavarësisht çfarë pohohet e pretendohet. P.sh., parlamenti sot nuk e përfaqëson fare Shqipërinë e varfër, por më shumë të pasurit e saj, përfshirë dhe ata që kanë përftuar prej tyre në mënyrë jo legale. Parë me këtë sy, një rrugë e mesme mund të jetë e dobishme. P.sh., një parlament njëdhomësh mund të kompozohet nga dy grupe përfaqësimi: i pari, i përbërë nga “profesionistë”, të zgjedhur me votim të përgjithshëm dhe i dyti, grupi i “amatorëve”, të zgjedhur me short. Veçse, kjo mund të çojë dhe në “diskreditimin” e grupit të dytë; p.sh., në rastin e jurisë së krijuar me short, nuk mungojnë situatat kur anëtarët e saj, në një proces gjyqësor, manipulohen lehtë nga gjykatësi e avokatët. Por, a mundet shorti (“sortition”) të zëvendësojë trupat zgjedhorë legjislativë?! Kjo duhet parë, por synimi është më se sublim, pra, për të ndërtuar një skemë të tillë që të garantojë një përfaqësim të drejtë të popullit dhe interesave të tij, nga njëra anë, dhe mënjanim të mjaft abuzimeve e sjelljeve të politikës dhe reduktim të ndikimit të parasë, korrupsionit të lidhur me të, nëpërmjet një përfaqësimi të pandikuar. Ndërsa në rastin e një parlamenti me dy dhoma, një rrugëdalje më e pranueshme është që njëra dhomë të përftohet me zgjedhje të përgjithshme, kurse dhoma tjetër të kompozohet me short. Ky mund të ishte dhe një hap i parë drejt një sistemi realisht demokratik…
Propozime të tjera
Sipas avokatit të shortit, J. Burnheim, shorti u përgjigjet interesave të grupit (popullit), duke realizuar një përfaqësim më të mirë në pikëpamje statistikore. Kjo shihet kur përdoret shorti, p.sh., për të zgjedhur një kolegj elektoral; për të shtuar e zëvendësuar disa nga ligjvënësit për të rritur cilësinë e përfaqësimit; për të zbatuar një përqindje variabël e ligjvënësve të pavarur të zgjedhur me short për të fuqizuar efektivitetin e legjislaturës. R. Dahl, në librin e tij “Demokracia dhe kritika e saj” (“Democracy and its critics”), hedh idenë, se një shtet demokratik i avancuar mund të formohet nga grupe njerëzish të quajtur “minipopuli”, të përbërë “ndoshta, nga një mijë qytetarë të zgjedhur në mënyrë të rastit nga i gjithë demos-i” për të ndjekur një agjendë çështjesh ose një çështje madhore. Veçse, Dahl mendon se “minipopuli” mund të shihet si suplementar dhe jo të zëvendësojë strukturat legjislative. Ide tjetër është se raporti i ligjvënësve të caktuar me zgjedhje ndaj atyre me short mund të lidhet me pjesëmarrjen në votime. Kështu, p.sh., për pjesëmarrje 60%, përqindja e ligjvënësve të përcaktuar me short duhet të jetë 40% e parlamentit. (Madje, diçka e tillë duket më e drejtë se shtimi i vendeve plus një partie që del e para, si në Greqi). E thënë ndryshe, çdo zgjedhje është njëkohësisht një referendum mbi përfaqësimin zgjedhor dhe përfaqësimin me short. Bile, ka shumë mundësi që zgjedhja e rastit e personave me inteligjencë mesatare jep rezultate më të mira se një koleksion individësh të zgjedhur me votim. Pra, shorti jo vetëm është opsion demokratik, por dhe efektiv; për më tepër, ai, në thelbin e vet, është “egalitar”, sepse ai bën të mundur që çdo qytetar të ketë të njëjtin shans në fitimin e një zyre, pavarësisht përkatësisë së tij. Krahasuar me sistemin e votimit, skema e shortit për zyrën publike e bën më të mundshme marrjen e saj; sepse një qytetar i zakonshëm e ka tepër të vështirë të garojnë për një zyrë publike ndaj konkurrentëve të fuqishëm dhe me ndikim. Kurse shorti si procedurë nuk krijon favore për ata që kanë avantazhe paraprake. Pra, shorti i rastit (ai i pastër) i kalon pengesat e lidhura me racën, fenë, seksin, moshën, etj., që ndeshen shpesh në përfaqësimin me anë të votimit. Veçse për të garantuar barazi-drejtësinë ka rëndësi mënyra e marrjes së mostrave të shortit. P.sh., në kompozimin e Asamblesë Qytetare mbi Reformën Elektorale në Kolumbinë Britanike mostra ishte një femër dhe një mashkull për çdo distrikt zgjedhor, por dhe garantimi i përfaqësimit të Kombeve të Parë. Siç kuptohet, shorti e minimizon lodhjen prej votimeve në demokracinë përfaqësuese dhe demokracinë e drejtpërdrejtë, por dhe e fuqizon qytetarin e zakonshëm, ndryshe nga praktikat e ndryshme elektorale, nga të cilat përfaqësohen grupet politikisht aktive në shoqëri, siç janë partitë politike. P.sh., në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2000, vetëm 2% e popullsisë kishte përkatësi partiake, ndërsa në 2005 anëtarë parlamenti të pavarur ishin gjithsej vetëm 3 persona, kurse 99.5% e tyre u takonin partive politike. Pra, aty, anëtarësia politike në popullsi përfaqësohet me një deputet për 1800 persona (që militojnë në një parti politike), ndërkohë që ata nuk janë anëtarë partie kanë një deputet për 19 milion qytetarë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e propozuar nga partitë politike, për “besnikëri” partiake apo për ruajtje pozicioni të fituar, shumë më shpesh votojnë kundër ndërgjegjes së tyre, madje kundër interesit popullor. Kurse, të zgjedhurit me short nuk e kanë një detyrim të tillë. 
Disa mangësi të shortit 
Shorti i pastër (pa përzgjedhje paraprake) nuk diskriminon asnjeri dhe nuk bën dallime moshe, eksperience e aftësie, që edhe mund të nevojiten në zyra të veçanta. Por, kur në ndonjë zyrë kërkohet njohje e aftësi më specifike, shorti i pastër nuk e garanton atë në përzgjedhje, ndryshe nga rasti kur përzgjidhet grupi ku organizohet shorti. Në raste të tilla, sistemi i zgjedhjes e inkurajon garën midis individëve me aftësitë e duhura në detyra të këtij lloji. Pas ekspozimit të kualifikimeve përkatëse, elektorati ose një grup personash të caktuar (autoriteti legal) bën përzgjedhjen e duhur (Edhe athinasit komandantin ushtarak (strategos) nuk e zgjidhnin me short). Kurse, në sajë të rastësisë së shortit, nga ana statistike ka mundësi që kjo teknikë, edhe pse më demokratike, të sjell në pushtet një individ e grupim që nuk përfaqëson, në mesatare, vullnetin e popullit nga i cili ai përftohet. Nisur nga kjo, disa analistë të tjerë mendojnë se votimi e akordon më mirë legjitimitetin, e shohin atë si shprehje pëlqimi për qeverisjen, se ai e legjitimon më mirë përzgjedhjen. Për ta, zyrtarët e zgjedhur mund të operojnë më me shumë autoritet në krahasim me ata të përzgjedhur në mënyrë rastësore (me short). Po ashtu, sipas tyre, pa mandat popullor, politikanët e humbin bazimin moral të autoritetit të tyre; mbeten të pambrojtur ndaj akuzave për jo legjitimitet gjatë përzgjedhjes rastësore. Një shqetësim tjetër është edhe çështja e impenjimit dhe e entuziazmit. Në një proces votimi, përfaqësuesit e zgjedhur marrin votat e nevojshme nisur dhe nga premtimet dhe shpalosja e entuziazmit për detyrën konkrete. Kurse, në një short të pastër nuk ekspozohet ndonjë entuziazëm për detyrën. Një përfaqësues i zgjedhur me votim e pranon ngarkesën shtesë të punës që në fillim, madje votuesit e kanë zgjedhur atë, sepse e ka pranuar këtë mbingarkesë si përfaqësues i tyre, ndryshe nga individë të zgjedhur me short, që nuk kanë shfaqur ndonjë entuziazëm të dhënë për detyrën konkrete dhe “avokatimin” e saj. Në procesin e lotarisë një mangësi tjetër është mungesa e reagimit dhe e llogaridhënies, që janë të domosdoshëm në një proces votimi, sidomos kur pretendohet dhe rizgjedhja. Pra, shorti nuk ofron ndonjë mekanizëm, me të cilin popullata mund të shpreh kënaqësinë apo pakënaqësinë e saj; d.m.th. kur zbatohet shorti reagimi është praktikisht i pamundur, mungon llogaridhënia mbi punën, veprimtarinë e zyrtarëve, përveç zbatimit të ligjit në funksionim. Së fundi, para hedhjes së shortit përcaktohet “rezervuari” i kandidatëve. Sidoqoftë ka ndryshim, kur shorti hidhet nga vullnetarë të përzgjedhur, atyre që kanë përvojën dhe edukimin e duhur apo arrijnë kalimin e një testi, të atyre të zgjedhur nga një përzgjedhje e rastit apo nga e gjithë popullata. Një proces shumëfazor, ku shorti alternohet me kufizime të lidhura me meritën mund të ndihmojë në cilësinë e përzgjedhjes, të shmangies së atyre që u mungon kapaciteti dhe aftësia, qoftë dhe entuziazmi. Metoda e përzgjedhjes, pra, duhet të jetë e tillë që të ruajë apo krijojë një besueshmëri publike dhe njëkohësisht të garantojë një kapacitet të nevojshëm. Një proces i tillë përzgjedhës bëhet shumë më i lehtë në “rezervuarë” konkretë me anë të gjeneratorëve, të numrave të rastit të përftuar prej kompjuterit. Aq më tepër, që në këtë mënyrë, ai mund të kryhet në mënyrë transparente, duke garantuar integritetin e përzgjedhjeve dhe njëkohësisht edhe duke ruajtur anonimatin e përzgjedhësve apo votuesve. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.01.2016
Sigal