Prof. Niko Pano, shkencëtari dhe kolosi i Hidrometeorologjisë

1114
Dr. Bujar LESKAJ 
Kryetari i KLSH

Prof. Dr. Niko Pano, Nderi i Akademisë, shkencëtari dhe kolosi i Hidrometeorologjisë 
“I larguar pak ditë më parë nga jeta, Niko Pano la një trashëgimi të pasur studimesh, botimesh, monografish, referatesh, kumtesash e artikujsh me vlera”
Profesor Niko Pano do të kujtohet gjithmonë si njeri me virtyte të rralla, organizator dhe njëkohësisht hulumtues i palodhur, gjithnjë i qeshur, i dashur dhe komunikues me kolegët. Ishte përherë i zënë me punë dhe me dëshirë të pashtershme për të ndihmuar. Respekti për jetën dhe veprën e një prej shkencëtareve më elitarë të vendit tonë, kolosit të studimeve hidrologjike me vlerë për gjithë Ballkanin dhe me tej, një prej bashkëpunëtorëve më të vjetër të institucioneve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Niko Panos, nuk do të shteret asnjëherë. I larguar pak ditë më parë nga jeta, të dashurit, vlerësuesit dhe admiruesit e shumtë të punës së tij në hapësirën shqiptare, Profesor Pano lë një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur studimesh, botimesh, monografish, profilesh, referatesh, kumtesash e artikujsh me vlera të spikatura jo vetëm shkencore, por edhe praktike për ekonominë hidrike të Shqipërisë, burimit të pashtershëm të mirëqenies së sotme dhe të nesërme të shqiptarëve. Përmes studimeve të tij të shumta spikatin 6 studime të emërtesës së Këshillit të Ministrave.

Prof. Pano është autor i Monografisë ”Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave, viti 2008, një nga studimet më të plota e madhore te shkencës se sotme shqiptare, fryt hulumtimesh të shtrira në disa dekada. Sikur vetëm këtë punim te kishte përfunduar Profesori, ai do te mbetej me merita te shquara ne panteonin e figurave me te larta te shkencës dhe kulturës sonë. 

Studimi përfshin tërësinë e resurseve ujore të rrjetit hidrografik të Shqipërisë: lumenjtë, liqenet, ujërat nëntokësore dhe burimet e tyre, si dhe hapësirat bregdetare shqiptare të deteve Adriatik dhe Jon. Mbi këtë bazë, ky punim ka realizuar tipizimin dhe rajonizimin e pasurive ujore të këtij rrjeti. Spektri i gjerë i studimit dhe vlerësimi tërësor i potencialit ujor të Shqipërisë e bën këtë monografi një punim madhor shkencor për një nga pasuritë natyrore më thelbësore dhe jetësore të vendit tone, siç është uji. Botimi përfaqëson një studim madhor të munguar, i përditësuar e prezantuar në një formë të tillë të plotë e gjithëpërfshirës për gjithë pasuritë ujore të Shqipërisë. Në botim analizohen të gjitha të dhënat faktike shumëvjeçare mbi rrjetin hidrografik të Shqipërisë, që dispononte Instituti i Hidrometeorologjisë ndër vite, të cilat Profesor Pano i përpunoi me shume dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm. Ai i analizoi, interpretoi dhe i përgjithësoi me vërtetësi shkencore rezultatet e këtyre të dhënave, bazuar në teknologjitë dhe metodologjitë bashkëkohore. 

Prof. Niko Pano u lind më 16 shtator 1937 në Vlorë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Odesës dhe në vitin e fundit u diplomua në Institutin e Hidrometeorologjisë më 1960 në Leningrad, sot Shën Petërburg. Filloi punën në Institutin e Hidrometeorologjisë së Akademisë së Shkencave si inxhinier hidrolog duke pasur edhe detyra shkencore e drejtuese, si përgjegjës i sektorit të hidrologjisë (1960–1986), nëndrejtor i Institutit Hidrometeorologjik (1990–1992). Prof. Pano shërbeu me pasion si pedagog i jashtëm i lëndës së hidrologjisë në degën e gjeografisë të Universitetit të Tiranës. 

Njeri me virtyte të rralla, ai shquhej si organizator dhe njëkohësisht hulumtues i palodhur, gjithnjë i qeshur, i dashur dhe komunikues me kolegët. Ishte përherë i zënë me punë dhe me dëshirë të pashtershme për të ndihmuar. Si Kryetar i Shoqatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë”, ai dha një kontribut të shquar. 

Krahas Kryeveprës së tij, monografisë ”Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, ai është bashkautor i monografisë “Ngjarjet e jashtëzakonshme atmosferike në Shqipëri” (viti 1967); autor i studimit “Ligjshmëria e depërtimit të ujërave të detit Jon në Adriatik” (1973); i punimeve “Hidrologjia e Shqipërisë” (1984); “Gjeografia Fizike e Shqipërisë” (1990), etj. 

Profesor Niko Pano nuk u mjaftua me botime dinjitoze te hulumtimeve te tij te gjera shkencore, por dha kontribut konkret për te ardhmen e ekonomisë se vendit. Ai është autor i Mega-Projektit të HEC të Skavicës në lumin Drini i Zi, viti 2010. Me ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, te projektuar nga ky kolos i shkencës se hidrologjisë shqiptare, kaskada e Drinit do të prodhojë më shumë energji elektrike si pasojë e rregullimit të plotë me liqenin e Skavicës. Gjithashtu hidrocentralet e Drinit nuk do të shkaktojnë më dëmet dhe përmbytjet nga shkarkimet e sforcuara. 

Me një kontribut shumë përmasor te shtrire nder vite, Prof. Pano është autor i studimeve hidrologjike rajonale për sistemin hidrografik “Liqeni i Prespës – Liqeni i Ohrit Lumi Drini i Zi”, si dhe për sistemin hidrografik: “Lumi Drin – Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna, Delta e Lumit Buna në detin Adriatik”, gjate viteve 2008 – 2013. Rrjeti hidrografik i lumit Drin shquhet për individualitetin e tij të veçantë dhe të përsosur natyror, si dhe për potencialin e lartë dhe të shumëllojshëm hidrik. Këtë potencial Prof. Pano ka ditur ta evidentoje, duke i paraprirë planeve për zhvillimet ekonomike të vendit tonë si për të tashmen, ashtu edhe për perspektivën.

Më 1984, Prof. Dr. Niko Pano, për meritat e spikatura të tij, dekorohet nga Kuvendi Popullor me urdhrin “Naim Frashëri” e më pas me “Medalje Pune” me motivacionin “Për arritje të mira në studimet shkencore hidrologjike për vlerësimin e pasurive ujore të Shqipërisë”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për punën e tij me pasion dhe me cilësi, e ka vlerësuar në vitin 2015 me medaljen “Nderi i Akademisë”, me motivacion “Për kontributin e shquar në shërbimin hidrometeorologjik, në realizimin e kërkimeve e botimeve në fushën të pasurive ujore të Shqipërisë, si dhe atë në fushën e arsimit e të edukimit të brezave të rinj e specialistëve”.

Gjithashtu, për monografinë shkencore “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të edicionit të parë të Çmimeve Shkencore të Akademisë për vitin 2016 për studimet dhe botimet më të arrira, Prof. Pano u vlerësua me çmimin shkencor “Radovicka”, me motivacionin “Vepra shkencore ‘Pasuritë ujore të Shqipërisë’, një studim i gjerë dhe kompleks, është rezultat i kërkimeve gjysmëshekullore për resurset hidrike të Shqipërisë, të realizuar me metoda bashkëkohore, me kontribut të shquar për shërbimin hidrometeorologjik në fushën e pasurive ujore të Shqipërisë me ndikim teorik e praktik në kërkim-zhvillim, si dhe në fushën e arsimit e të edukimit të kërkuesve të rinj”.

Prof. Niko Pano deri në ditët e fundit të jetës së tij, ka punuar për daljen në dritë të botimit të ri shkencor “Hapësira bregdetare Divjakë – Karavasta në Adriatik”, për të cilin në krye të një grupi specialistësh, ai kontribuoi me zellin, gatishmërinë dhe entuziazmin qe e karakterizonin, për të paraqitur një studim integral të zonës me qëllim final rikuperimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të kësaj hapësire me rëndësi dhe me bukuri të rrallë natyrore. Me Prof. Niko Panon, personalisht ruaj kujtimet e një bashkëpunimi te shkëlqyer me Kontrollin e Larte te Shtetit. Për këtë bashkëpunim, unë dhe te gjithë audituesit e KLSH i jemi mirënjohës gatishmërisë se tij te jashtëzakonshme për te ndihmuar, personalitetit, veprës dhe kujtimit te Prof. Dr. Niko Panos. Dua te ndaj me ju se një nga vlerat dhe risitë më domethënëse te Konferencës se IV-t Shkencore te KLSH “Mbi Analizën e Riskut”, zhvilluar ne datat 20-23 qershor 2016, ishte punimi i Prof. Dr. Niko Panos, Prof. Dr. Gudar Beqirajt dhe Prof. Dr. Salvador Bushatit “Mbi efektet mjedisore dhe ekonomike që shkakton veprimtaria njerëzore në sistemin liqenor të Prespës”. Ky sistem përbën një komponent të rëndësishëm hidrik të Kaskadës Hidroenergjetike të lumit Drin, respektivisht për 2 hidrocentrale të ndërtuar në Maqedoni (Glloboshica dhe Spile) si dhe 4 hidrocentrale të ndërtuara në Shqipëri (Fierzë, Koman, Vau i Dejës dhe Ashta). Punimi u përshëndet nga Eurodeputeti, Dr.Igor Soltes, i cili tha se kjo kumtesë do të trajtohet nga Parlamenti Evropian në një forum që do të ketë në fokus lumenjtë e Ballkanit. Me kujtohet si tani përshndritja e syve te Prof. Panos në momentin e dhënies së këtij vlerësimi. Dhe kujtoj po ashtu kontributin e tij si Anëtar i Komisioneve Ndërkombëtare për Hidro-ekonominë Shqipëri – Maqedoni dhe Shqipëri – Mali i Zi, ne vitet 1970 – 1985. Profesori la një trashëgimi të pasur me vlera shkencore dhe praktike për shkencën dhe ekonominë e vendit tonë, duke u shndërruar në një nga figurat me të spikatura të komunitetit shkencor e universitar mbarëshqiptar. Ai mbetet po ashtu një shëmbëlltyre e kredos morale dhe shkencore më të arrirë, e personalitetit të një punëtori të palodhur, dijetari dhe njeriu të jashtëzakonshëm. E kujtojmë sot me shumë mall, respekt, nderim dhe mirënjohje këtë Banor të Panteonit të Përjetshëm të shkencës dhe kulturës shqiptare. Mbështetur në punën dhe veprën e Prof. Dr. Niko Pano i kam propozuar sot Presidentit të Republikës, SH.T.Z Ilir Meta që profesorit të nderuar t’i akordohet titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”.
Sigal