Prof. Niko Pano: Masat e qeverisë “Rama” për energjinë janë të drejta, por janë të pjesshme

478
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Niko Pano, Kryetar i shoqatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë”

Problemet e energjetikës po shtohen dita- ditës. Për mëse 24 vjet, Shqipëria thuajse nuk e ka rritur kapacitetin prodhues të energjisë hidroelektrike, por nga ana tjetër janë rritur në masë vjedhjet e saj. Janë vjedhje, të cilat kapin shifra alarmante, me të cilat mund të ishte ndërtuar një Fierzë e dytë. Për 24 vjet shteti ka fjetur gjumë dhe vjedhjet e energjisë kapin shifra të tilla sa mund të ishte ndërtuar një Fierzë e dytë. Masat që po merr qeveria “Rama” sikur po tregojnë se shteti ka filluar të funksionojë seriozisht. Por këtu duhet dhe një mbështetje mbarë qytetare, por edhe e shoqërisë civile. Nuk duhet të ketë më vjedhje të energjisë e elektrike dhe nuk duhet të ketë dallime krahinore apo individuale ndaj përgjegjësive që ke ndaj shtetit për energjinë elektrike. Po masa për kryesore për sigurimin e energjisë është fillimi i ndërtimeve të hidrocentraleve të rinj, pasi deri tani ne vetëm 30% të kapaciteteve ujore, lumore kemi shfrytëzuar thekson Prof. Niko Pano.

 A është shfrytëzuar kapaciteti hidroenergjetik në vendin tonë?

Aspak. Përkundrazi është lënë në mëshirë të fatit. Aktualisht sot në Shqipëri është shfrytëzuar vetëm 30 për qind e kapacitetit hidroenergjetik, që bënë një masë shumë të vogël në raport me realitetin. Ne ndoshta jemi vendi që kemi shfrytëzuar më pak se të gjithë burimet hidrike të vendit. Vende të tilla si Zvicra, Spanja apo Franca kanë shfrytëzuar rreth 90 për qind. Pra të gjitha këto tregojnë interesin e lartë që kanë treguar këto vende për energjinë hidrike si një nga ndërmarrjet kryesore për sigurimin e energjisë elektrike. Por edhe vendet e tjera të ish- Jugosllavisë kanë bërë një shfrytëzim më racional.

 Cilat janë lumenjtë më të pashfrytëzuar të vendit tonë?

Lumenjtë më kryesorë ku ne nuk kemi bërë hidrocentrale apo që janë lumenjtë më të pashfrytëzuar janë lumenjtë e Drinit të Zi dhe lumit Vjosa. P.sh në ish -Jugosllavinë në Drinin e Zi ka tre hidrocentrale ndërsa ne jemi vendi që nuk kemi marrë asnjë nismë mbi këtë lum me kapacitete hidrike mjaft të mëdha. Por akoma më shumë është lumi Vjosa, i cili mund të themi se nuk është shfrytëzuar fare. Ato hidrocentrale të vegjël që janë bërë mbi Vjosë janë fare të papërfillshëm.

 Pse nuk janë shfrytëzuar këto kapacitete hidrike, lumore në vendin tonë?

Kjo vjen nga menaxhimi i dobët i resurseve hidrike që kanë bërë qeveritë. Pra nuk ka pasur mënyrë komunikimi qeveritare, administrative me firmat e huaja apo me shtete të fuqishme që merren me investime në këtë fushë. Nuk ka pasur një strategji të përcaktuar qartë se çfarë duhet të bëhet me këto rezerva lumore (ujore) dhe komunikimi me të huajt që investojnë në mënyrë serioze ka qenë inekzistent. Duhen bërë përpjekje sistematike me të gjitha firmat apo vendet që atyre t’u mbushet mendja, apo të formojnë besimin se vërtet mund të investojnë në Shqipëri në këtë fushë. Ne kemi ngelur ende në prodhimin e fund viteve 1980, përsa i përket prodhimit të energjisë elektrike. Pra, komunikimi, gjuha, mënyra e afrimit janë pengesat që të huajt nuk afrohen për investime. Pa komunikim nuk ke kurrë rezultat. N.q.s nuk komunikon, n.q.s nuk përcjell besim, atëherë nuk do ndërtosh.

 Ju thatë se janë të papërfillshëm hidrocentralet e vegjël, pra ju këmbëngulni në investime madhore në këtë fushë?

Sigurisht. Këtu bëhet fjalë për investime të tilla si Fierza apo Komani, që nuk krahasohen fare, fare me ato hidrocentrale që po ngrihen në Vjosë. Kur flas për klimë të mirë komunikimi them që të afrohen firma të fuqishme, apo shtete të fuqishme që të ndërtohen hidrocentrale të tillë si Fierza, të cilat në investime i kanë kaluar të 15 miliardë dollarët. Investimi më i madh në Shqipëri në 24 vjet demokraci ka qenë ai i Rrugës së Kombit me vlerë 1.2 miliard dollarë. Atëherë ishte Kina ajo që na ndihmoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Pra vetëm me investime të tilla mund të zgjidhet kriza energjetike në vendin tonë. Përndryshe, ne do të vazhdojmë të importojmë energji elektrike dhe pse kemi rezerva hidrike të jashtëzakonshme. Pra me këto kapacitete lumore, ne mund ta trefishojmë (nga shfrytëzim 30 deri në 90 për qind) n.q.s do investojmë seriozisht dhe kështu mund të zgjidhim një pjesë të mirë të krizës, pasi përsëri mbetet problem vjedhja e energjisë.

 Nisma e qeverisë “Rama” për dënimin e vjedhjeve a është e drejtë?

Shumë e drejtë. Askush s’ka të drejtë ta vjedhë energjinë. Fshatari në zonat rurale mban gjithë ditën ndezur sobën elektrike, gatuan me sobë dhe në fund nuk paguan asgjë. Mund të them se ka fshatarë apo dhe firma private që harxhojnë shumë herë më shumë se një qytetar i ndërgjegjshëm dhe nuk paguajnë asgjë. Por puna s’është vetëm tek ndalimi i vjedhjes, por edhe tek ndalimi i importit dhe fillimi i prodhimit të ri. Duhet të kemi parasysh se në shumicën e rasteve ne importojmë energji elektrike nga Franca, Spanja apo Sllovenia. Pra, për të arritur deri tek personi që vjedh energjinë kjo energji ka kaluar mijëra kilometra dhe kostoja rritet. Por askush se, merr në konsideratë këtë.

 Si mund të arrihet rritja e prodhimit, stabilizimi i prodhimit të energjisë dhe ndalimi i vjedhjes?

Rrugët janë të qarta, investimi serioz në këtë fushë, gjetja e gjuhës së komunikimit me partnerët ndërkombëtarë si dhe masat që po merr qeveria “Rama” të mos ngelen në letër dhe me fushata, por të çohen deri në fund. Askush nuk ka të drejtë të vjedhë energjinë elektrike. Në këtë rast njerëzit që vjedhin janë më komodët, pasi ata harxhojnë pa kriter, ndërsa ata që paguajnë, kursejnë deri në fund . Pra i ndërgjegjshmi kursen, i pandërgjegjshmi harxhon pa kriter. Është një rrugë e vështirë, por që mund të jap rezultat. N.q.s ekziston dëshira e mirë, çdo gjë arrihet.

Albert Z. ZHOLI