Prof. Niko Pano: Liqeni i Prespës në rrezik, janë derdhur 1.2 mil m3 aluvione të dëmshme

939
vitin 1974 ka qenë një projekt i ish-qeverisë, për të transportuar ujërat e lumit Devoll në Prespë që me këto ujëra të vaditej fusha e Korçës dhe nga ky veprim i gabuar në fundin e pjesës shqiptare të Liqenit të “Prespës së Vogël”, kanë depërtuar 1.2 milionë m3 aluvione tepër të dëmëshme, duke i dhënë liqenit të Prespës pamjen e një kënete të atrofizuar krejt…
– Cilat jane vecoritë hidrografike dhe vlerat natyrore të sistemit liqenor të Prespës?
– Liqenet e Prespës, respektivisht “Prespa e Vogël” dhe “Prespa e Madhe”, renditen ndër liqenet kryesore të Gadishullit Ballkanik. Rrjeti hidrografik i këtyre liqeneve, grumbullon ujërat e një pellgu ujëmbledhës me sipërfaqe të përgjithshme 1404 km2, prej të cilave 1082 km2 i përkasin “Prespës së Madhe”, ndërsa 322k m2 i përkasin “Prespës së Vogël”..Ky pellg, ka një lartësi mesatare të territorit prej 1184 m mbi nivelin e detit, fakt që tregon natyrën tipike malore të këtij pellgu. Ky profil natyror, për vetë strukuturën fiziko-natyrore, ka bërë që “Prespa” të quhet “Liqeni mes Maleve”. Sipërfaqja e përgjithshme e pasqyrës së ujërave të sistemit liqenor të Prespës është 329 km2, prej të cilave “Prespës së Madhe”, i përkasin 285 km2, ndërsa “Prespës së Vogël” i përkasin 44 km2. Meqenëse këta dy liqene e kanë lartësinë mesatare shumë-vjeçare të nivelit të ujit, të përafërt me njeri-tjetrin, pra afro 850 m mbi nivelin e detit është arritur në përfundimin, se në të vërtetë, kemi të bëjmë me një liqen të vetëm, me Prespën, por me ndryshimin, se gjatë periudhës së largët të vitit (X-V), kur nivelet janë te larta, të dy pjesët komunikojnë me njeri-tjetrin, duke formuar një të tërë, ndërsa gjatë periudhës se thatë (VI-IX), kur nivelet janë të ulëta, ato shkëputen duke formuar dy Prespat, “Prespa e Madhe” dhe “Prespa e Vogël”. Të dy Prespat, komunikojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet një ngushtice natyrore, që ndodhet në pjesën Jug-Lindore të këtij sistemi liqenor. Në këtë ngushticë është ndërtuar një vepër hidroteknike për komandimin e procesit të ujë-këmbimit, ndërmjet të dy Prespave. Liqenet e Prespës, shquhen për vlera të veçanta dhe specifika natyrore. Zonat përreth këtyre liqeneve, në përgjithësi, karakterizohen nga pejsazhe natyrore me vlera të larta estetike, klima të shëndetshme tipike mesdhetare-kontinentale, hidrografi të komplikuar e mjaft të pasur me ujëra nëntokësore të një natyre tipike karstike, volume ujore liqenore të ftohta dhe me transparencë të lartë, ngjyrë të kaltër në blu, florë dhe faun të shumëllojtë e të pasur dhe të larmishme, etj… Përsa i përket shtrirjes gjeografike, Liqeni i Prespës, ashtu si ai i Ohrit gjendet në anën e Egjeut dhe i përket pellgut ujë-mbledhës të “Detit Adriatik”. Ky është një nga liqenet më të mëdhenj të grupit të liqeneve Desartik. Liqeni i Prespës shtrihet ne kufijtë shtetëror të Shqipërise, Maqedonisë dhe Greqisë. 
– Çfarë përfaqëson rrjeti hidrik i sistemit liqenor të Prespës dhe cilat jane veçoritë natyrore të këtij rrjeti?
– Sistemi liqenor i Prespës, shquhet për një rrjet të veçantë të pasur e të komplikuar hidrik. Liqenet e Prespës nuk kanë emisare sipërfaqësore për shkarkimin e ujërave të tepërta të rrjetit të tyre hidrografik, ashtu si ndodh me Liqenin e Ohrit, që ka si emisare të tijën Lumin Drin i Zi, apo Liqeni i Shkodrës, që ka si emisare Lumin Buna etj. Në liqenet e Prespës shkarkojnë ujerat e tyre disa lumenj të plotë-ujshëm si Golema, Istocna, Kranska, Brajinica etj, ndërkohë, shtresa vjetore e ujit që avullohet nga sipërfaqja e këtij sistemi liqenor është pothuajse e barabartë me sasinë e reshjeve vjetore, të rëna në këtë sipërfaqe (rreth 700 ml). Në këto kushte, rruga e shkarkimit të ujerave të tepërta të bilancit ujorë të pellgut hidrografik teë liqeneve të Prespës, me një volum të lartë vjetor prej më shumë se ½ miliardë m3, përbën një nga dukuritë me interesante e më të jashtëzakonshme natyrore në hidrografinë e Europës e më gjerë. Element i rëndësishëm e përbërës i rrjetit hidrografik të sistemit liqenor të Prespës është sistemi i fuqishëm i rrjedhjeve nëntokësore. Ky sistem hidrik është i përbërë nga një numër i madh të çarash, hinkash, zgavra e shpellash karstike, që ndodhen si në brigjet ashtu edhe në truallin e sistemit liqenor të Prespës. Nga këto, me e rëndësishmja dhe më madhështorja është “Pomora e Zaverit”, monument natyre, që ndodhet në bregun perëndimor të Liqenit të Prespës së Madhe, në afërsi të fshatit Goricë.
Në dy shpatet e Malit të Thatë që lartësohet deri në kuotën e 2285 m mbi nivelin e detit ndodhen të vendosur dy nga liqenet më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të kontinentit Europian, respektivisht, Liqeni i Prespës në shpatet lindore të këtij mali dhe Liqeni i Ohrit në shpatet e tij perëndimore. Ndërkohë që Liqeni i Prespës ndodhet në kuotën 850 m mbi nivelin e detit, Liqeni i Ohrit është në kuotën e 693 m. Si rrjedhojë, disniveli prej rreth 157 m midis të dy liqeneve dhe fakti tjetër i rëndësishëm se, struktura gjeologjike e Malit të Thatë e ndërtuar kryesisht nga formacione gëlqerore kanë bërë të mundur që ujërat e tepërta të liqenit të Prespës të kenë arritur gjatë miliona e miliona viteve me radhë, si të thuash të çajnë tejpërtej këtë mal nëpërmjet procesit natyror të erozionit fiziko-kimik të tokës. Në këtë mënyrë është bërë e mundur përcaktimi i rrugqve apo traseve nëntokësore karstike te shkarkimit të ujerave të tepërta të liqenit të Prespës për në liqenin e Ohrit.
– Çfarë lidhje ekziston ndërmjet sistemit liqenor të Prespës dhe Lumit Drini i Zi?
-Prespa është një liqen tipik malor, me thellësira relativisht të mëdha që arrijnë deri 54 m. Volumi i ujërave të këtij liqeni është 5.2 miliardë m3 ujë dhe vija rreth-bregore është 151 km e gjatë. Liqeni i Prespës është me origjinë tektoniko-karstike. Ai është formuar në miocenin e sipërrm, ose në pliocen. Brigjet e larta erozive kanë një zgjatje të përgjithshme prej 89 km, ndërsa brigjet e ulëta që shtrihen në trajtën e plazheve ranore kanë përbërje të imët granulometrike, karakterizohen nga një zgjatje prej 72 km. Për sa i përket konfiguracionit të truallit të Liqenit të Prespës, ai në përgjithësi është i njëtrajtshëm gjatë shtrirjes së tij gjeografike. Të gjitha izobatet e këtij liqeni, si ai i thellësive 10m, apo 20m etj, jo vetëm që ndodhen shumë afër vijës së bregut po në të njëjtën kohë janë të baraslarguar nga ai pothuajse gjatë gjithë shtrirjes së tyre gjeografike. Si rrjedhojë, trualli i Liqenit të Prespës është i sheshtë, gjë që flet për origjinën e tij tektonike. Ujërat e tepërta e të bollëshme të Liqenit të Prespës në një prurje të lartë prej rreth 12-16 m3/sek, nëpërmjet rrjedhjes nëntokësore shkarkojnë kryesisht në Liqenin e Ohrit. Ky shkarkim intensiv i ujërave liqenore realizohet nëpërmjet një sistemi të gjerë e të fuqishëm burimesh nëntokësore, siç janë: burimet e njohura e të plotë-ujshme të Shën Naumit, të Tushemishtit, të Volorekës, të Drilonit etj, që shpërthejnë si në brigjet ashtu edhe në truallin e zonës JL të Liqenit të Ohrit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një lumë të plotujshëm nëntokësore i cili i ka burimet e tij në liqenet e Prespës, ndërsa derdhjen apo deltën e tij në Liqenin e Ohrit.
Ujërat e teperta te Liqenit te Prespës pas derdhjes në Liqenin e Ohrit zhvendosen ne drejtimin verior Së bashku me ujërat e tepërta të bilancit ujor të këtij liqeni, me një prurje mesatare të larte 22-32 m3/sek, dalin përfundimisht nga sistemi liqenor: “Prespa e Vogël – Prespa e Madhe – Liqeni i Ohrit”, duke rrjedhur përmes shtratit të sistemuar të Lumit Drini i Zi në Strugë. Në këto kushte, përsa përket aspekteve hidrografike sistemi liqenor Prespa e Vogël-Prespa e Madhe konsiderohet me te drejtë si burimi natyrore i Lumit Drini i Zi. Përsa i përket burimeve të ujërave të Drinit të Zi nga Liqeni i Prespës dhe derdhja e tyre në Shën Naum, poeti yne i madh, Lasgush Poradeci ka thënë në veprat e tij letrare: “Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri, “Drini plakë” e i përrallshëm, po buron prej Shën-Naumit.”
– Çfare roli ka shkarkimi i ujërave të Liqenit të Prespës në Liqenin e Ohrit?
-Ujërat e tepërta të Liqenit të Prespës me volum vjetor prej mbi ½ miliardë m3 ujë, pasi derdhen në Liqenin e Ohrit, për pasojë të temperaturave të tyre të ulëta dhe mineralizimit të tipit oligomineral, kanë rol të rëndësishm e përcaktues në regjimin e përgjithshëm limniologjik të këtij liqeni. Me këtë volum të pastër të ujërave natyrore, lidhet ngushtë si trasparenca e lartë e ujërave të Liqenit të Ohrit ku disku i bardhë Seki, si një aparaturë ekspedicionale optike vazhdon të duket edhe kur i kalon thellësitë 25 – 30m nga sipërfaqja e liqenit, ashtu edhe vete ngjyra e vecante dhe e rrale e kaltert ne blu e ujerave te ketij liqeni. Këto janë nga dy veçoritë kryesore e përcaktuese që i japin Liqenit të Ohrit individualitetin dhe madhështinë e tij të njohur, si një ndër liqenet e rrallë dhe të veçantë në limniogafinë Evropiane e me gjerë. Duhet theksuar fakti i rëndësishëm, se janë këto karakteristika të veçanta të regjimit limniologjik të Liqenit të Ohrit, që bëjnë të mundur, që në këtë liqen të rritet një peshk kaq i rrallë e i veçante, siç është Korani. Kjo do të thotë, që vlerat e veçanta dhe “eleganca natyrore” e Liqenit të Ohrit, lidhet ngushtë organikisht me shkarkimin e ujërave e Liqenit të Prespës në rrugë nëntokësore.
– Cilat janë vlerat ekonomike të sistemi liqenor të Prespës?
-Sistemi liqenor i Prespës, për vete shtrirjen e tij gjeografike përfaqëson shkallën e parë të rëndësishme të Kaskades energjitike të Lumit Drin. Nëpërmjet kësaj shkalle, rrjedhja e rregulluar në rrugë natyrore e Lumit Drini i Zi shërben respektivisht për dy hidrocentrale, të ndertuar në shtratin e këtij lumi në Maqedoni: Globoshtica e Spile, si dhe në katër hidrocentrale në Shqipëri si Fierzë, Koman, Vau-Dejë dhe Ashta. Ndërkohë, sistemi liqenor i Prespës, për shkak të vlerave të larta të biodiversitetit dhe të peisazhit gjeografik, shërben për zhvillim e turizmit ekologjike etj. Veprimtaria e pakontrolluar antropogjene në bashkëveprim edhe me ndryshimet klimatike gjatë dekadave të fundit, kanë pasur ndikim të ndjeshëm në reduktimin e potencialit ujor të sistemit hidrografik të liqeneve të Prespës. Ky reduktim, ka shprehur efektin e vet negativ në cënimin e ekuilibrit ekologjik të këtij sistemi, në regjimin limnologjik të liqenit të Ohrit dhe në mënyrë të veçantë në potencialin hidroenergjetik të kaskadës së Drinit. Në këto kushte është e domosdoshme që në të ardhmen e afërt të planifikohen studime komplekse për shqyrtimin dhe kapërcimin e këtyre shqetësimeve. 
– Profesor, sipas informacionit që ne kemi, Liqeni i “Prespës së Vogël” ka një dëmtim të jashtëzakonshëm nga impakti antropogjen që po e kthen liqenin, me ato vlera që ju evidentuat më lart në një kënetë?
– Është e vërtetë Veprimtaria e pakontrolluar njerëzore, ka dëmtuar vlerat ekologjike të këtij sistemi, ndërkohë që në vitin 1974 ka qenë një projekt i ish-qeverisë, për të transportuar ujërat e lumit Devoll në Prespë që me këto ujëra të vaditej fusha e Korçës dhe nga ky veprim i gabuar në fundin e pjesës shqiptare të Liqenit të “Prespës së Vogël”, kanë depërtuar 1.2 milionë m3 aluvione tepër të dëmëshme, duke i dhënë liqenit të Prespës pamjen e një kënete të atrofizuar krejt…
– Profesor, a mund të korrigjohet ky dëmtim për të rikthyer vlerat ekologjike të këtij sistemi?
– Sigurisht, që mund të korrigjohet, por kjo do së pari një studim të hollësishëm shkencor do të flasim një herë tjetër si mund të merret situate nën kontroll .
Sigal