Prof. Dr. Zyhdi Dervishi/ Batica e korrupsionit dhe titujt si dhuratë

734
Një proverb shqiptar i botuar që në vitin 1931 thotë: “Paraja false s’humbet kurrë” (Haçi, B., 1931:66). Kjo urti me rrënjë më të thella në kohë, se viti i botimit, ndoshta më shumë se çdo tjetër, është një parashikim prej Kasandre për mbijetesë në shtetin shqiptar të një hierarkie zyrtare vlerash, e cila në pjesën më të madhe të saj është false. Vlerat e vërteta kulturore, artistike, shkencore, arsimore, njerëzore janë si diamantet. Ato nuk mund të pluskojnë mbi baticën e llumit të korrupsionit të shumëfishtë që ka përmbytur herë pas here pothuajse gjithë hapësirën intelektuale të shoqërisë shqiptare. Mbi syprinën e llumit të korrupsionit pluskojnë si lëvozhga të kalbura vetëm kundërvlera të çfarëdollojshme.

Batica e korrupsionit

Baticën e korrupsionit e ushqejnë burime të ndryshme: interesa politikë dhe ekonomikë egoistë të grupimeve shoqërore ose të individëve të veçantë, përpjekje të individëve e deri të grupimeve shoqërore, për të mbuluar veprimtari kriminale të caktuara, prirja e mjaft shqiptarëve për t’u pasuruar mundësisht brenda pak orëve ose për t’u bërë të njohur pa djersitur në asnjë fushë të veprimtarisë, përfshirja e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh në rrjetet e veprimtarive kriminale me shtrirje kombëtare dhe ndërkombëtare, mendjelehtësia e trazuar me shpirt aventure e jo pak të rinjve etj.

Dhuratat

Nga fillimi i viteve 1990 deri në vitin 2013, biznesmenët shqiptarë janë grupimi social që kanë krijuar një traditë më të konsoliduar dhurimesh për të dashurat, të fejuarat, për partneret me të cilat bashkëjetojnë përkohësisht etj. Diagrama e rritjes së vlerës dhe e llojshmërisë së dhuratave të tilla në një masë të konsiderueshme ka reflektuar simbolikisht ecurinë e pasurimit të biznesmenëve. Fillimisht femrave me statuset e sipërpërmendura, biznesmenët u dhuronin këpucë e rroba firmato, më pas u financonin pushime luksoze në vende të tjerë, dhe më vonë u blinin autovetura luksoze. Këto mund të konsiderohen dhurata brenda linjave të një tradite të konsoliduar kombëtare e botërore. Veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit 2003-2013 në shoqërinë shqiptare kjo traditë dhuratash është pasuruar në një mënyrë “origjinale”, ndoshta si në asnjë vend tjetër të botës. Biznesmenët më ekstravagandë, një pjesë e të cilëve janë gjysmanalfabetë, po u bëjnë dhurata të dashurave ose vajzave me të cilat bashkëjetojnë, diploma masteri, të atyre profileve që janë më të kërkuara në tregun e punës. Vëzhgime të disa fakteve provojnë se në “menynë” e dhuratave “intelektuale” që po servirin biznesmenët shqiptarë është vënë edhe diploma e doktoratës, “e mbrojtur” kryesisht në vendet ish-socialiste të Lindjes.

Pështjellimi

Më shumë se prania e dhuratave të tilla (të cilat tani për tani janë ende të pakta), hija e tyre e rëndë ka krijuar jo pak pështjellim në shoqërinë shqiptare, veçanërisht në mjediset e shkollave të larta dhe të institucioneve kërkimore-shkencore. Një pështjellim i tillë është shumëfishuar edhe për faktin se disa prej atyre me diplomë doktori shkencash të dhuruar ose të blerë, kanë arritur statusin e përgjegjësit të departamentit ose të drejtorit në institute studimesh. Në këto situata nuk mund të flitet më për hierarki. Struktura të tilla mësimdhënëse ose kërkimore-shkencore, që kanë në krye drejtues me dokumente dhe aftësi false, paralizohen, vdesin, sikurse një organizmi të gjallë njeriu t’i presës kokën dhe t’ia zëvendësosh me një kokë manekini. Një profesor në pension, me kontribute të rëndësishme në fushën e kërkimeve, gjatë një bisede të lirë në maj 2011, ndër të tjera, theksoi: “Kam punuar 42 vjet si studiues në institut. Kemi kaluar gjithfarë lloj ditësh me diell, me shi, me borë e me breshër. Moti politik ndikonte shumë në punën e punonjësve të institutit. Kur organet drejtuese, politike ose shkencore vlerësonin me objektivitet dhe dinjitet punën e një ose të disa studiuesve, rigjallërohej puna e gjithë punonjësve të institutit, shtohej respekti i ndërsjellë i punonjësve për njëri-tjetrin. Ndërsa kur bëheshin padrejtësi në vlerësimin e punës së ndonjë punonjësi, çmohej më shumë ose më pak se ç’meritonte, si pa e kuptuar trupa e punonjësve të gjithë institutit sikur paralizohej. Njerëzit bëheshin më të ngrysur, flisnin më pak me njëri-tjetrin dhe konfliktoheshin më shpesh. Ndër mijëra gurë që ka muri, një gur i vënë pa vend e shëmton gjithë murin. Ndërsa një drejtues ose punonjës të institutit, që nuk është në vendin e vet, ndër 35-40 punonjës, është si një tumor që paralizon punën, të paktën të disa sektorëve.” Tumore të tilla paralizuese janë shtuar konsiderueshëm në trupën e punonjësve shkencorë e të pedagogëve të shkollave të larta dhe të institucioneve kërkimore gjatë viteve 1997-2012.
Parapëlqehen më shumë drejtuesit pragmatikë se sa të aftët idealistë
Në rrjedhën e zhvillimeve demokratike, që nga viti 1999, edhe në Republikën e Shqipërisë strukturat drejtuese të universiteteve dhe të institucioneve kërkimore – shkencore janë zgjedhur. Në fillim zgjedhjet u realizuan me dy shkallë, gati sipas përvojave mesjetare: zgjidhej këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, të cilët kishin të drejtë të zgjidhnin përkatësisht dekanin e fakultetit dhe rektorin e universitetit. Ndodhte shpesh që pedagogët më të aftë, më të kualifikuar të mos zgjidheshin në këshillin e fakultetit. Në rrethana të tilla, në mjaft raste profesorët me më shumë kontribute në veprimtarinë mësimore dhe kërkimore-shkencore nuk kishin të drejtë të zgjidhnin dekanin e fakultetit. Pra profesori me titullin më të lartë shkencor nuk votonte drejtpërdrejtë për dekanin, i cili në disa raste kishte titull shkencor më të ulët se ai i profesorit. Mungesa e përvojës dhe pasaktësitë në bazën ligjore dhe sidomos në aktet nënligjore, që rregulluan procesin e zgjedhjeve, kanë ndikuar që në strukturat drejtuese të vinin më shumë jo të zgjedhurit për merita në veprimtarinë kërkimore e pedagogjike, por njerëz të parapëlqyer nga drejtuesit kryesorë të jetës politike, dhe në mjaft raste, pothuajse të emëruar prej tyre nëpërmjet levave të manipulimeve të shumëllojshme, deri të skajshme. Ndaj shpesh thuhej “se këshillat drejtuese të fakulteteve, të institucioneve kërkimore, senatet e universiteteve kanë hijen ose, më saktësisht, fytyrën e shefit të qeverisë ose të shtetit”. Kur zgjedhjet e drejtuesve kalonin nëpër dy shkallë në mjediset universitare ishin mjaft të përhapura mendësitë se “rektorët e universiteteve më të rëndësishme i emëron kryeministri”, se “rektorët e universiteteve më të rëndësishme janë pjesë e marrëveshjes ndërmjet pozitës dhe opozitës”, se “edhe zgjedhja e drejtuesve në universitete është pjesë e pazareve të mëdha ose të vogla të politikës” etj. Në vitin 2007 për herë të parë zgjedhja e autoriteteve drejtuese të universiteteve u realizua me votim të drejtpërdrejtë. Edhe këto zgjedhje u vunë nën trysninë e politikës, e cila përgjithësisht është e interesuar të ketë në krye të organeve drejtuese jo pedagogët më të aftë, më të përkushtuar në punë, më parimorë, por pedagogët që janë më të lakuar, të cilët duhet t’u jenë borxhlinj partive politike, politikanëve kryesorë për zgjedhjen në këto poste drejtuese. Vetëkuptohet, drejtues të tillë janë më të prirur të plotësojnë kërkesat vetjake të politikanëve edhe nëse kërkesa të tilla vijnë në kundërshtim me interesat e zhvillimit të universiteteve, të kërkimit shkencor në to etj.

Lakueshmëria ndaj vullnetit të shefit

Në mjaft raste kriteri kryesor i përzgjedhjeve në struktura të tilla nuk ka qenë dhe nuk është personaliteti shkencor ose shoqëror i pedagogut ose i punonjësit shkencor, por shkalla e “lakueshmërisë së tij ndaj vullnetit të shefit”, “gatishmëria e tij për të çuar kurdoherë në vend vullnetin e shefit që qëndron më lart në shkallët e hierarkisë”, “aftësia e tij për të mos menduar asgjë ndryshe ose në kundërshtim me mendimet e shefit” etj.
Përvoja tregon se përgjithësisht pedagogëve ose punonjësve shkencorë më të aftë, me personalitet më të afirmuar u mungon një profil i tillë lakueshmërie dhe përshtatshmërie ndaj interesave të ngushta vetjake joshken-core, joprofesionale të drejtuesve politikë e partiakë të niveleve të larta. Prandaj, në mjaft raste pedagogë e punonjës shkencorë të tillë kanë qenë jashtë strukturave drejtuese. Në mjedise të ndryshme të universiteteve dhe të instituteve kërkimore të specializuara qarkullojnë mendësitë se “pedagogët ose punonjësit shkencorë të aftë janë më idealistë se ç’duhet, prandaj janë të papërshtatshëm për detyra drejtuese, të cilat kërkojnë frymë pragmatike”, se “pedagogët ose punonjësit shkencor më të aftë nuk mund t’i përshtaten kërkesave joparimore, mizerabël të organeve politike të shtetit ose të partive politike”, se “edhe në organet drejtuese të universiteteve dhe të institucioneve kërkimore është e vështirë, ose gati e pamundur t’i shpëtosh përbaltjes, çka nuk e durojnë dot drejtuesit e aftë” etj. Kjo tablo problematike e përbërjes së strukturave drejtuese të fakulteteve dhe e institucioneve kërkimore të specializuara është toleruar ose ndoshta është nxitur edhe nga formulimet djallëzore të akteve nënligjore përkatëse. Për shembull, në vendimin nr. 786 të datës 17.12.1998, të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë” strukturat drejtuese të fakulteteve dhe të institucioneve kërkimore përcaktohen edhe si “këshill shkencor”, edhe si “këshill administrativ” (Qendra e Publikimeve Zyrtare, 1998:16). Këshilli shkencor dhe ai administrativ nuk mund të jenë e njëjta gjë. Tjetër përbërje dhe të tjera kompetenca ka në çdo vend të përparuar të Perëndimit këshilli shkencor dhe të tjera funksione realizon këshilli administrativ. 
Kuriozitete psikologjike
Qan lehtë? Ja si t’i fshehësh lotët 
Nuk kemi ndër mend të të këshillojmë që të mos qash më. Në fund të fundit është e dobishme përderisa e lejon stresin të shkarkohet. Veçse në disa raste nuk është mirë që të tjerët të shohin se janë duke të rrjedhur lot nga sytë. Prandaj… 
Jo të gjithë e dinë se bashkë me lotët shkarkohet jashtë trupit edhe stresi. Çdo pikë loti aktivizon prodhimin e kortizolit, një substancë në gjendje të minimizojë stresin dhe një seri substancash krejtësisht natyrore kundër dhimbjes, si endorfina . Pra, të qash është e dobishme, është një valvul e mrekullueshme shkarkimi i emocioneve dhe ndjenjave, që nëse nuk shfryhen, mund të jenë pikëfillesa e anktheve dhe depresioneve. Je një tip nga ata që i kanë lotët nën qepalla? Atëherë ndoshta është mirë të mësosh që edhe në Europë do të mund të përhapen të ashtuquajturit “crying clubs”, lokale që kanë lindur për të kaluar stresin që shkakton lodhja. Në këto lokale është e mundur të qash e qetë, ndoshta duke parë një film prekës. Në veçanti te “Loss”, një lokal trendy londinez, është e mundur të ngashërehesh në paqe të plotë duke gëlltitur një pije dhe duke u përqendruar në faktin që është më keq të hiqesh si e lumtur kur nuk e ndjen se sa të jetosh një mbrëmje që është një antihelm ndaj kërkimit obsesiv të lumturisë. Megjithatë, jo gjithmonë situatat i ngjajnë këtyre klubeve. Jeta shpesh nuk na tregon mjedise komode për të derdhur lot sa të shkarkojmë gjithë stresin dhe ndjenjat e trishta. Cila nga ne do donte të qaravitej në skrivaninë e zyrës së saj përballë kolegëve ose të humbiste kontrollin para miqve apo prindërve? Me siguri asnjëra. Por lotët shpesh shpërthejnë papritur e na tronditin në pak sekonda, duke na bërë të dukemi të paparaqitshme dhe të brishta.
Si të tejkaloni stresin post-traumatik
Presioni, neveritja dhe zemërimi janë aspekte të zakonshme të reagimeve post-traumatike. Mund të ketë edhe simptome fizike duke përfshirë frymëmarrje të dobët, rrahje e zemrës me shpejtësi, frymëmarrje të tepërt, marramendje dhe tension në muskuj. Provoni mënyrat në vijim për t’i zvogëluar simptomat fizike. Në mënyrë që t’i zvogëloni simptomet fizike është e dobishme nëse ia filloni menjëherë të vini re shenjat e para të tensionit. Kur i vëni re shenjat e para të tensionit ju mund t’i ndaloni të bëhen shumë të shpeshta duke përdor mënyra të relaksimit. Disa njerëz relaksohen nga ushtrimet fizike, duke dëgjuar muzikë, shikuar televizor apo duke lexuar libër. Për të tjerët është më e dobishme për t’i vijuar disa ushtrime. Klasat për joga (lloj të ushtrimeve spirituale që vjen nga hinduizmi që përfshin frymëmarrje të kontrolluar dhe meditim) apo relaksim mund të jenë të dobishme, apo mund të dëgjoni kaseta relaksuese. Relaksimi është një aftësi si çdo gjë tjetër kështu që duhet të mësohet dhe kjo shkon gjatë. Ushtrimet në vijim ju mësojnë t’i relaksoni muskujt dhe shumë njerëz i gjejnë të dobishme për të zvogëluar nivelin e tensionit dhe ankthit. Relaksimi i muskujve në thellësi – është më e dobishme nëse i lexoni udhëzimet para se të ia filloni në mënyrë për t’i mësuar. Më së pari e gjeni një vend të qetë, të ngrohtë dhe të rehatshëm ku nuk do të keni pengime. E bëni këtë në kohën kur ndjeheni më të qetë. Shtrihuni, rehatohuni dhe i mbyllni sytë. Koncentrohuni në frymëmarrjen tuaj për disa minuta. Merrni frymë ngadalë dhe në qetësi duke marrë frymën brenda dhe numëroni deri në tre dhe pastaj e nxirrni frymën jashtë, prapë duke numëruar deri në tre. I përsëritni vetvetes fjalën ‘qetësi’ apo ‘relaksohu’ duke e nxjerër frymëmarrjen jashtë. Ushtrimet e relaksimit kalojnë nëpër grupe të ndryshme të muskujve duke qenë në tension dhe pastaj relaksoheni. Ju duhet të merrni frymën brenda kur jeni në tension dhe relaksoheni kur e qitni frymën jashtë. Filloni me duart tuaja e shtrëngoni njërën shumë dhe mendoni për tensionin që e bëhet në dorë. Mendoni për tensionin në dorën tuaj për disa sekonda dhe pastaj e relaksoni dorën. Kini mendjen te ndryshimi i tensionit dhe relaksimit. Ju mund të ndjeni në dorë si shpim të lehtë, kjo do të thotë që relaksimi ka filluar të zhvillohet. E përsëritni të njëjtin ushtrim në dorën tjetër. 
Fjalët pozitive, edukojnë fëmijë të aftë
Psikologët janë habitur nga dallimet e mëdha mes të folurit me vete tek njerëzit e lumtur dhe të folurit me vete tek njerëzit e dëshpëruar dhe të pakënaqur nga ana tjetër… 
Nuk janë vetëm vlerësimi dhe lëvdatat, apo ndrydhja e ndjenjave të fëmijës, ato që përcaktojnë nivelin e besimit të fëmijës tek vetja. Ka rrugë dhe metoda të tjera, me anë të të cilave ne programojmë fëmijët tanë, ku më të rëndësishmen unë do të veçoja mënyrën si u japim udhëzimet dhe urdhrat. Kjo, duke bërë përzgjedhjen pozitive ose negative të fjalëve. Ne të rriturit, i orientojmë sjelljet dhe ndjenjat tona, me anë të të folurës me veten, pra me bisedat që zhvillohen brenda kokës tonë. Secili prej nesh, bisedon me veten, si p.sh:”Më duhet të mos harroj të bëj sigurimin e makinës” “Oh sa e çuditshme! Paskam harruar portofolin! Kam filluar të harroj shumë kohët e fundit…”
Psikologët janë habitur nga dallimet e mëdha mes të folurit me vete tek njerëzit e lumtur dhe të folurit me vete tek njerëzit e dëshpëruar dhe të pakënaqur nga ana tjetër. Të folurit me vete, është një çështje, e cila mësohet direkt nga prindërit ose mësuesit. Prandaj, ti si prind ke rastin më të mirë për t’i ofruar fëmijës tënd performancën më pozitive të mundshme, të cilën ai e përfton dhe adopton për të formuar një karakter të guximshëm dhe të qetë. Fëmijët, e mësojnë spontanisht mënyrën si të organizohen dhe si të udhëzojnë. Këtë ata e bëjnë duke parë dhe ndjekur mënyrën e të folurit të prindërve teksa u japim udhëzimet dhe orientimet e duhura. Prandaj, është shumë e dobishme që kjo t’ju jepet në formën e duhur. Për shembull, ne mund t’u themi fëmijëve para se t’i nisim për në shkollë:”Pash Zotin, mos bëj shamatë sot me asnjë në shkollë!” Por mund t’u themi edhe kështu:”Dua që sot të kalosh një ditë të bukur në shkollë! Luaj vetëm me shokët dhe fëmijët të cilët i don!”
Femrat zbulojnë sekretet brenda dy ditësh
A keni menduar ndonjëherë se sa gjatë femra mund ta mbajë një sekret? Studimet e fundit kanë zbuluar se ato shpërndajnë fjalët brenda më pak se dy ditësh. Hulumtimi, ku janë përfshirë 3 mijë femra të moshës nga 18 deri në atë 65-vjeçare, po ashtu ka nxjerrë se katër në dhjetë femra nuk arrijnë të mbajnë sekretet, pavarësisht se sa personal ose konfidencial ka qenë lajmi. Më shumë se gjysma e tyre kanë thënë se alkooli e ka humbur kontrollin e gojës së tyre. Të dashurit, burrat, shoqet më të mira dhe nënat, ishin më të prirë të jeni pranues të parë të informatës, sipas sondazhit britanik. Sipas hulumtuesve, femrat zakonisht i përcjellin fjalët te dikush tjetër brenda 47 orë e 15 minutash. Studimi po ashtu ka gjetur se femrat mesatarisht dëgjojnë tre thashetheme çdo javë dhe e përcjellin atë së paku te një person tjetër. Megjithatë, një e treta e vajzave ndihen fajtore, pasi e kanë zbuluar lajmin e besueshëm.
Sigal