Prof. Dr. Tritan Kalo: Karriera ime, të shërbej me përkushtim e të marrë mirënjohje prej njerëzve.

673
-Prof. Kalo, diku kur ju shkruani: Të jetuarit shëndetshëm, në mënyrën më të mirë të mundëshme të kësaj fjale. Çfarë nënkuptoni?
– Të jetuarit shendetshëm ka për mua një kuptim metaforik, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për shëndetin fizik dhe atë mendor, por njëkohësisht nënkuptohet edhe shëndeti moral e socio-profesional i çdo individi, pa dyshim edhe ajo e individit Tritan Kalo. Më të sintetizuar kuptimin e të jetuarit shëndetshëm e gjejmë në shprehjen e Solomonit se: “Në jetë, më shumë vlerësohen: shëndeti, nderi, puna, ndërsa urrehen: tradhëtia, intrigantët dhe dembelët.”
– Çfarë keni marrë nga prindërit, që është ajo që ju udhëheq në jetën tuaj?
– Prindërit e mi ishin dy krijesa fisnike, të rallë në sojin e tyre të fisnikëve, jo se ishin prindërit e mi, por sepse lanë pas vetes kujtime dhe një emër të pashlyeshëm dhe të shumëvlerësuar nga kushdo që i ka njohur. Prindërit e mi ishin jo vetëm dy erudite, por edhe dy pedagogë shëmbullorë, të cilët përveç dy djemve të tyre, edukuan breza të tërë shqiptarësh, duke u transmetuar atyre dobinë e dijeve dhe të eksperiencës së tyre jetsore. Eskili këtë kategori sociale e ka përmbledhur në thënien e tij të famshme: “I ditur është ai që i ka dituritë e tij të dobishme.” Në gjurmët e edukimit që ata më dhanë, edhe unë përpiqem të përftoj në çdo çast dije të dobishme, dhe po në mënyrë të dobishme t’i vë ato në jetë.
– Ndërkohë, ju si prind, cila është këshilla që u keni dhënë fëmijve tuaj?
– Perëndija më ka bekuar me praninë në jetën time të tre krijesave hyjnore: Besjana, Enkelejda dhe Genta Juna Kalo. Së bashku me time shoqe jemi përpjekur t’u ushqejmë vetëm dashuri dhe respekt për këdo që frymon rreth tyre, sepse në këtë mënyrë edhe ato do të marrin vetëm dashuri edhe respekt prej tyre. Në Elbasan janë të njohura motrat e vëllezërit Molloholli, tezet e dajat e mi, për dashurinë dhe mirësinë e tyre ndaj njëri tjetrit dhe kujtëdo, që ata kanë ndeshur në jetën e tyre. Unë jam rritur e lumturuar në këtë mjedis familjar, ndaj dhe me shumë dëshirë kam dashur t’ua përcjellë këtë dashuri edhe vajzave të mija.
– Nëse bëni një bilanc, a mund t’i pohoni vetvetes tuaj, nëse ia keni arritur ta realizoni në jetën tuaj, atë që i kishit vënë vetes si qëllim jete?
– Për t’ju përgjigjur më mirë pyetjes suaj unë po ju citoj një poezi timen të titulluar “Jam vetvetja”:
Kthej kokën pas e rrugëtimin tim jetësor shikoj,
Ndjesia e kohës së humbur paksa më mundon.
Ndërkohë që dielli mbi kokë mua më vëzhgon,
Psherëtij e djersët trupin vrulltazi m’i mbulojnë.
A munda unë në këtë mbigjysëm shekulli jetë,
Të isha vetvetja në çdo moment rrugëtimi të saj,
Plotësisht njëmendazi ndoshta nuk jam, megjithatë
Kryelartë bindazi them se isha dhe vetvetja jam.” (Tiranë, më 7.02.2015).
Nuk është sot e lehtë të jesh dhe të mbetesh vetvetja, sepse kërkohet shumë mund e sakrificë jetsore, por ia vlen të jesh i tillë, sepse, në fund të fundit, “Homen est omen”, njeriu është vetëm një emër, është kujtimi i mirë apo i keq që ne lemë pas largimit fizik nga kjo jetë. T’ia lemë gjykatëses më objektive kohës, të më gjykojë nëse isha një individ i dobishëm apo jo për veten dhe shoqërinë me punën e me veprën time. Modestinë e tepërt shumë vetë ta marin për një lloj mëndjemadhësie, unë preferoj të eci gjithmonë vetëm modestisht dhe me këmbë ne tokë, në çdo sekondë të jetës sime. Volteri kësaj pyetje suaj do t’i ishte përgjigjur se: “Të vegjëlit, nuk pushojnë së foluri për vetveten, të mëdhenjtë nuk flasin kurrë.” Nuk e di nëse koha do të më rendisë në mes te vegjëlve apo të mëdhenjve të ditëve që ne jetojmë.
-Për një intelektual si Ju, që është shquar në mësime në shkollë, sa jeni dekoruar me Medale të Artë, që i ka kushtuar pasionin e jetës profesionit, cilat arritje profesionale do të cilësonit “karrierë e sukseseshme”?
– Arritjet profesionale në jetën e një mjeku janë të përditëshme. Ato nuk kanë masë, por vetëm vlerësohen me cilësinë e jetës që t’i u ofron të sëmurëve të tu. Konfuci shprehet se:”Kush zotëron njohuri përfshirëse të literaturës dhe priret nga rregullat e moralit, ai ka edhe dëshirën t’ia arrijë të shmang hapat e gabuara”. Babai i mjeksisë Hippokrati na mëson se: “Primam non noçere”, pra së pari mos dëmto, mos lëndo. Me dëshirën time të pafundme për të mësuar, me dëshirën për të qene sa më i dobishëm dhe jo dëmprurës për shëndetin e të sëmurëve të mi, kam bindjen se me shumë mund dhe përgjegjësi së fundmi jam bërë dikushi, kam lënduar pak dhe u kam shpëtuar jetën shumë të tjerëve, pra në fund të fundit kam zënë një vënd të merituar në mesin e armatës së profesionistëve të Shëndetësisë Shqiptare. Kjo përbën për mua një “karrierë të suksesëshme”, t’u shërbesh njerëzve me sa më përkushtim dhe prej tyre të marësh vetëm mirënjohje. “Natën jam i qetë, po të kem punuar ditën”, do t’i përgjigjesh Gëteja pyetjes suaj.
– A mund të jenë postet e larta drejtuese dhe pasuria materiale, tregues të një karriere të suksesshme?
– Albert Ainshtaini pyetjes suaj do t’i përgjigjesh: “Mos u mundo të bëhesh njeri i suksesshëm, por më mirë të bëhesh i vlefshëm.” Unë jam një dishepull i këtij gjeniali të mendimit dhe veprimit njerëzor, ndaj nuk janë aspak postet e larta apo pasuria materiale tregues të një kariere të suksesëshme, sidomos në kushtet specifike të “demon-kracisë” sonë. Unë eci në jetë me motot e shprehura në thëniet e mëposhtëme të Sofokliut se: “Dija është kushti i parë i lumturisë”, apo të Leonardo Da Vinçit se: “Pasuria më e madhe për njeriun është dituria.” Jam i lumtur dhe jam i pasur përderisa mendoj se i përkas asaj shtrese shoqërore, që udhën e jetës e kanë hapur mbështetur në dijet e tyre, në përkushtimin e tyre profesional, dhe mbi të gjitha në dashurinë e respektin për njerzit që i rrethojnë. Në periudhën e tranzicionit post-komunist në shoqërinë shqiptare kanë ndodhur ndryshime të tilla socio-ekonomike, ku virtutet e vlerta të një personi dije dhe punëdashës, janë zëvëndësuar me veset e shumta të pasurimit të shpejtë dhe të dyshimtë, ngritja në poste drejtuese jo sipas meritave dhe kontributeve, por sipas njohjeve apo mbështetjeve politike, nepotike apo financiare “okulte”. Nuk mundesh në këto kushte të marësh nga puna dhe përkushtimi yt, atë që ti meriton plotësisht, nëse veprimet e tua “nuk janë korekte politikisht”, apo ato nuk i shkojnë për shtat drejtuesve të afërt apo relativisht më të distancuar, të cilët supervizojnë punën dhe rezultatet e tua.
-A ndryshojnë bindjet e njeriut, në përshtatje me konjukturat e kohës?
– Gjithsecili prej nesh i krijon bindjet e tija socio-politike, pas shumë vitesh eksperiencash pune dhe shoqërore. Ato evoluojnë me kohën, në të kundërt do të “kënetizonin mëndjet tona”, dhe do të na errësonin pamjen e udhës që ne ndjekim. Në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë individi i mirëplotësuar, individi që udhën e tij të jetës nuk e ka çarë i tërhequr për dore nga tutorët e tij politikë apo ekonomikë, nuk bën kompromise dëmprurëse për të dhe shoqërinë tonë si dhe nuk konjukturizohet, për hir të të zënit me çdo kusht e me çdo çmim të një pozite shoqërore apo shkencore. Krijuesi i “Komedisë Hyjnore, Dante Aligeri në këtë rast do të shprehej se: “Ndërgjegjia e lartë nuk i trembet askujt.”
– Çfarë ju shtyu juve, Prof Kalo, që të ishit iniciatori i kundërshtisë të një reforme në Shëndetësi, sikurse testimi i bluzave të bardha, kur ju mbështetët fort në elektorat progamin e Rilindjes?
– Pikë së pari, unë jam një partizan i flaktë i progresit shoqëror dhe atij shkencor, por në të njejtën kohë jam edhe një kondërshtar i flaktë i çfarëdo mendimi apo veprimi, i cili bie ndesh me ligjet e shtetit, si dhe me nëpërkëmbjen e dinjitetit njerzor dhe profesional të çdo individi, në rastin konkret të profesionistit të Shëndetësisë Shqiptare. Dikur e madhja Dora D’Istria është shprehur se: “Pa rilindje letrare, nuk ka ringjallje politike.” Në kuptimin më të gjërë të kësaj thënie, Ringjallja=Rilindja politike e vëndit tonë, duhej paraprirë nga një Rilindje e mirëfilltë kulturore, iluminizimi më cilësor i një shoqërie me pak thelb demokratik në përbërjen e saj. Nuk mundet të presim reformim të një shoqërie pa një përgatitje paraprake cilësore të elementëve përbërës të saj, pra të shkollimit, trajnimit cilësor të atyre segmenteve të saj që duhet edhe të reformohen. Ajo çka shitet si reformë në Shëndetësi, kurrsesi nuk përputhet në shumë pika me atë çka është diskutuar në grupet hartuese të Programit mbi Shëndetësinë të asaj, që u quajt para 23 Qershorit 2013 si “Rilindje”. Në asnjë gërmë të këtij Programi apo edhe në Ligjet e Shtetit, të cilat ligjësojnë ushtrimin e Profesioneve të rregulluara si dhe Edukimin në Vazhdim, apo në përditësimin e njohurive tekniko-profesionle të tyre, nuk parashikohen veprime sikundër “Testimi” denigrues, që donte të ndërmirrte Ministri ynë i Shëndetësisë. Këto ishin arësyet sepse unë ju kundërvura, që në hapat e para një ndërmarrje të tillë jo etike dhe jo ligjore.
– Mund të më thoni me sinqeritet: Ju kanë “këshilluar”, që të mos jeni iniciatori i kundështive ndaj politikave qeverisëse në Shëndetësi? Cila ka qënë përgjigja e juaj?
– Edhe nëse ndokush është përpjekur “të më këshillojë” për të ndruar udhë, unë me fjalët dhe veprimet e mia u kam treguar se mbetem konseguent në atë që unë shpreh dhe mbroj, pavarësisht kostove sociale apo ekonomike, që ato që më kanë sjedhë apo mundet të më sjedhin në të ardhmen. “Njerëzit e mençur urrehen shpesh nga sundimtarët e fuqishëm “, është shprehur dikur E. Roterdam.
– Për ju çdo të thotë të jesh intelektual?
– Para se t’i përgjigjem pyetjes sua,j dua t’ju sjedh në vëmëndje një thënie domethënëse të Gëtes: “Dija duhet të jetë feja e çdo intelektuali.” Një individ që është në plotësim të përditshëm të dijeve të tia, një individ që kurrë nuk kënaqet me të sotmen por lufton për mbëritjen e të nesërmes, një individ që respekton vlerat njerzore, shoqërore dhe lirinë e mendimit të gjithësecilit si dhe lufton për to, një individ që krahas përmirësimit të vetvetes, të virtutizimit të jetës së tij, lufton përditazi për përmirsimin e mjedisit socio-ekonomik të vëndit të tij, një individ i thellë në mendime, një individ me karakter të arrirë e që ia mbërin të bëhet personalitet në fushën e veprimtarisë socio-ekonomike, ku ai kontribuon, një individ që nuk bën kompromise apo mban qëndrime servile për hir të të bërit karrierë, një individ i cili lën gjurmë edhe pas largimit të tij fizik nga jeta, meriton të quhet intelektual. Sa janë të tillë te ne, pak shumë pak për të mbëritur “masën kritike” në tërësinë e shoqërisë sonë, pra të asaj mase që mer në duart e saja fatet e zhvillimit të vëndit. Intelektualët e vërtetë përbëjnë një pasuri të paçmueshme kombëtare, prandaj dhe me shumë respekt për ta Napoleon Bonaparti shprehet se:”Burimet materiale të një vendi, nuk janë asgjë para pasurisë intelektuale.”
– Pse sot në shoqërinë tonë ka një shpërfillje ndaj intelektualizmit?
– Shpërfillja është e dykahëshme, nga ana e shoqërisë për mendimin dhe veprimin intelektual, po edhe nga vetë intelektualët për rolin dhe ndikimin që ata duhet të kenë në shoqërinë tonë. Shumë prej tyre të shpërndarë nëpër llogoret e ndryshme partiake, e kanë braktisur detyrën kryesore të tyre: “iluminimin e shoqërisë si dhe të kundërshtisë, apo të tregimit të udhës së duhur drejtuesve, politikanëve tanë”. Kjo po ndodh për meskinitetet e “mos humbjes së disa privilegjeve” të fituara prej tyre, apo për të shmangur “zemërimin e atyre që kemi mbi vete”. Të qënurit idealist, sikundër duhet të jenë në themel kushdo që përpiqet të jetë një intelektual i vërtetë, në sytë e mëndjes së pasunarëve tanë të rinj me dy klasë shkollë, por me shumë diploma universitetesh në xhep, nuk vlerësohet si virtut, por si një e metë e individit bartës dhe shprehës së idealizmës. Materializimi ekstrem, te pasuruarit e shpejtë më çdo kusht dhe me çdo çmim i individëve të shoqërisë sonë, përgjatë kësaj “zhagitje demokratike pa fund”, i ka nxjerë intelektualët tanë të vërtetë në anën e udhës së zhvillimit tonë socio-ekonomik e kulturor, pra ka bërë që zëri i tyre të dëgjohet më pak, si dhe mendimi i tyre të nënvlerësohet. Me shoqërinë tonë po ndodh sikundër është shprehur shekuj më parë Pitagora se: “Jeta i ngjan një shfaqjeje, shpesh aty njerëz mjaft të këqinj zenë vëndet më të mira.” Mjafton të shihni me kujdes nivelin e përfaqësimit tonë në Parlament apo në Institucionet Legjislative, për të kuptuar se sa poshtë ka rënë niveli kulturor, intelektual, profesional dhe etik i atyre, të cilët kanë në dorë fatet e këtij vëndi.
– Pse ne si shoqëri, pranojmë duke heshtur, diktatet, të këqiat e pushtetarëve dhe nuk reagojmë, edhe pse e dimë, që duke heshtur, pasojat do të bien mbi kokën tonë?
– Ka një maksim të qëmtuar të Viktor Hygosë: “Qytetarë! Vëreni statujën e një mbreti mbi kalë. Kali është populli.” Populli ynë ndër shekuj është mësuar të mbajë në kurriz një sërë sundimtarësh, të bëjë rajanë për zotërinjtë e tij, dhe pak është mësuar të reagojë në kohë dhe drejt kundrejt çdo pushtimi, shtypje apo shfrytëzimi që atij i është bërë. Ne ishim hallka e fundit e zinxhirit të popujve të skllavëruar nga Otomanizmi, të cilët u shkëputëm prej tij, të fundit që u shkëputëm nga “pseudokomunizmi”, të fundit po mbetemi edhe në ecjen përpara drejt ribashkimit socio-ekonomiko-politik me familjen e madhe të vëndeve Europiane. Fatalitet apo një ves i keq i mosreagimit? Të dyja në një simbiozë progresmbytëse, që kanë mpakur ndër ne nervin e reagimit, të revoltimit, të mosnënshtrimit. Edukimi civik, emancipimi social i mangët që ne kemi, ndjenja e zbehtë e solidaritetit, varfërija ekonomike shpesh e tejskajëshme, kanë luajtur dhe luajnë rolin e tyre negativ në kultivimin te populli ynë të shpirtit të reagimit, të revoltës kundrejt çdo padrejtësie politike, ekonomike apo sociale.
– Ju ka tunduar ndonjëherë pasurimi material? Përse?
– Kurrë nuk kam kërkuar të pasurohem në kurriz të tjetrit, por vetëm e vetëm të siguroj një nivel jetese, i cili të më plotësojë nevojat e mija kulturore, ekonomike dhe sociale, me punë dhe vetëm punë të ndershme. Paraja nuk të bën kurrë të lumtur dhe fakt është se:”Pasurija është si uji i kripur, sa më shumë pi aq më shumë etje ke”. (A. Shopenhauer) Mua pasurimi material më “deh”, ndaj preferoj ta mbaj mëndjen time kurdoherë të kthjellët.
– Ju ka shkuar ndërmend ndonjë ide që ju të merreshit me politikë aktive? Përse, cilado qoftë përgjigja juaj?
– Kam lexuar dikur dhe më ka mbetur në mendje një thënie e Lunaçarskit se: “Politika është nëna që ha fëmijët e vet.” Kjo është edhe arësyeja kryesore sepse nuk dëshiroja, që “të gëlltitesha” nga kjo mëmë vrastare, sikundër është politika aktive. Jam përpjekur kurdoherë, që të bëj një jetë cilësore shkencore, profesionale dhe shoqërore. Kam qënë dhe mbetem ithtar i të mos qëndruarit indiferent, por një qytetar aktiv në shoqëri, për të mos komprometuar për asnjë grimë pozicionin tim të një intelektuali të angazhuar. Ne si popull na duhet ende shumë punë, që të mundet të ndërtojmë një shoqëri të vërtetë demokratike, pra një sistem të mirë politik, sikundër e përcakton atë Karl Popper që: “Sistemi më i mirë politik, ështa ai ku ne kemi mundësi t’i rrëzojmë qeveritë, pa përdorur forcën.”
-Faleminderit!
Sigal