Prof. Dr. Shezai Rrokaj: Rritja e taksave dhe PPP-të, pasurim për oligarkët dhe varfëri për shqiptarët

721
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim analizon situatën ekonomike dhe rëndimin e masave qeveritare ndaj qytetarëve
Në prag të thirrjes për çeljen e negociatave është e nevojshme të theksohen disa çështje që lidhen me standardet e kërkuara nga BE-ja, të cilat kushtëzojnë përafrimin dhe çeljen e këtyre negociatave. Opozita është shprehur pro çeljes së tyre, e bindur se ky hap u shërben pa dallim shqiptarëve, madje kemi kërkuar që ato të çelen pa kushte, sepse çdo ditë po kuptojmë me këtë qeverisje se sa larg kushteve të vëna nga BE-ja jemi. Mjafton t’i referohemi gjendjes aktuale lidhur me kushtet e përcaktuara prej saj, si: adresimi frontal e pa dallim politik i korrupsionit dhe krimit të organizuar, lufta kundër drogës për të çliruar shtetin e kapur prej saj, deformimi që po i bëhet reformës në drejtësi, perspektiva e errët për një zhvillim të qëndrueshëm me impakt punësimin, uljen e varfërisë, e cila po rëndohet keqas prej taksave, tarifave dhe TVSH-së, dialogu i munguar politik me opozitën, të drejtat e njeriut etj., për të kuptuar se qeverisja ka humbur rrugën dhe vendi po ikën në drejtim të paditur, sepse nuk ka drejtim. Le ta fillojmë me liritë dhe të drejtat e njeriut, ku liria për të protestuar u dhunua rëndë ditën e Pashkëve me arrestimin e qytetarëve, sepse protestuan kundër vendosjes së taksës së Rrugës së Kombit. Sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria i quan këta qytetarë ‘barbarë’ me një arrogancë diskriminuese tipike për këtë qeverisje. Ajo kujtonte se populli veç do ta duartrokiste për këtë taksë rrënuese, njëlloj siç ndodh në takimet sajuara me militantë e të transmetuara me regji të kontrolluar. Populli është i varfër, pa dallim politik, dhe nuk e përballon dot këtë taksë. Justifikimet se rruga duhet mirëmbajtur dhe se shteti ka vështirësi mund të jenë edhe të drejta. Edhe krahasimet me Ballkanin dhe Evropën duhen marrë në konsideratë. Por përse fyhen këta qytetarë, duke i quajtur barbarë. Etimologjikisht fjala ‘barbar’ do të thotë ‘i huaj’, por këta banorë nuk janë të huaj në trojet e tyre, sepse janë aty qysh sa dheu ka emër. Gjithashtu Qeveria me siguri e di se Evropa e Ballkani kanë edhe autostradë ku ecën shpejt dhe ku vendoset pagesë, por kanë edhe superstradë ose rrugë dytësore për popullin e varfër, pa pagesë, në mënyrë që të mos pengohen qytetarët për të lëvizur lirisht. Shihni pra, që nuk jemi si të tjerët? Ndaj, mendoj se në çdo lloj qeverisjeje nuk mund ketë kurrë zgjidhje të arsyeshme përtej mundësive reale të qytetarëve. Mbase pas 10 vjetësh qytetarët mund ta kenë mundësinë e kësaj pagese. Sot është e papërballueshme për ta. Prandaj Qeveria ta heqë këtë tarifë, dhe ajo të vihet pasi të jetë garantuar për banorët e këtyre trevave një rrugë dytësore për lëvizje. Nëse i përgjigjesh varfërisë me gjuhën e arrogancës qytetarët i kthehet Qeverisë me gjuhën e mbrojtjes të së drejtës natyrore, që për ta është gjuha zakonore. Ndaj Qeveria ta ulë zërin, të mos tregohet të fortë me ta. Sepse ajo është edhe qeveri e tyre. Vetëm në diktaturë qeveritë bëjnë si të forta, prandaj populli i përmbys. Qeveria duhet të zgjidhë rrugën e arsyes: të lirojë urgjentisht banorët e arrestuar në mbrojtje të tokës dhe të drejtave të tyre dhe pa prepotencë të futet në rrugën e urtë të dialogut. Sepse kjo rrugë është quajtur edhe arteria e kombit e qeveria nuk mund t’i shkaktojë popullit të dy anëve arrest kardiak me këtë taksë. Ëndrrës së bashkimit, që po bëhej gradualisht realitet iu vu një tra, si të donte të ndante mù në mes vetëdijen kombëtare nëpërmjet pavetëdijes së Qeverisë. Por këtë qeveri e ka zënë “ataraksia” ndaj popullit të vet. Fjala ataraksi vjen nga greqishtja dhe do të thotë ‘të ka ikur ndjenja e shqetësimit, nuk e vret mendjen’. Me fjalë të tjera “të është bërë zemra gur”, nuk je njerëzor, sepse je larguar prej njerëzve. E ku vajti e ashtuquajtura ‘bashkëqeverisje me qytetarët’? Ironi me fatin. Qytetarët dhanë votat, ca me hir e ca me pahir, ca me tepsi e ca me kanabis, kurse bashkëqeverisja po kalon nga qytetarët te agallarët ose siç quhen sot po me një fjalë greke ‘oligarkë’. Mjafton të përqasim tri PPP-të (partneritet publik privat) me tri TTT (taksë, tarifë, tvsh) për të kuptuar se si i ashtuquajturi Partneritet Publik Privat me oligarkët po krijon një skemë të mbyllur me të quajturat taksa, tarifa e tvsh, që po ua kërrusin shpinën e qytetarëve. Tvsh-ja mbi biznesin e vogël, që u kufizua nga 5 milionë në 2 milionë po sjell mbylljen e tyre me mbi 3600 nga 2500 vitin që shkoi, ose me një rritje gati 50%. Filloi taksa e banesës, taksa e ujit dhe kjo taksë/tarifa çmendurake e Rrugës së Kombit. Por deri tani kjo është një marrëdhënie në kesh, ku TTT-të e qytetarëve po shkojnë për PPP-të e oligarkëve. Mirëpo po na shfaqet edhe një formë më e sofistikuar e grabitjes në favor të PPP-ve: është forma në klering e shkëmbimit të përfitimeve. Bie fjala, oligarkët marrin 6 kulla në qendër të Tiranës në këmbim të një biçim teatri, ose një stadium që mban mbi krye një qiellgërvishtëse. Qeveria nuk pyet nëse këto janë zona të mbrojtura. Hiç nuk pyet edhe nëse FMN-ja e quan kërcënim për ekonominë shqiptare skemën ‘eldoradiane’ të tri PPP-ve, sepse rrit borxhin e brendshëm dhe ka paqartësi në llogaritjet kosto-përfitim. Po ku janë qytetarët për Qeverinë? Ata kanë mbetur pa drejtim dhe pa shpresë. Po ikin prej varfërisë dhe mungesës së shpresës. Sipas Bankës Botërore 25% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 2$ në ditë dhe 45% e tyre me më pak se 5$ në ditë. Pabarazia sociale është rritur me 7,7%, ku 10% e familjeve të pasura kanë rritje në konsum me 14 herë më shumë se 90% e familjeve të varfra. Kjo përkthehet se taksat dhe tarifat e larta nuk po shkojnë për mirëqenien e qytetarëve, por për të mbushur xhepat e oligarkëve. Ataraksia e Qeverisë për qytetarët po shoqërohet me një ‘gjenocid’ të butë: hemorragjinë kombëtare nëpërmjet një eksterminimi ekonomik të rrezikshëm të popullit prej truallit të vet. E ndërkohë vazhdon parada e radhës e arrogancës dhe forcës. Teksa po shkoja për të ndjekur seancën gjyqësore për 23 protestuesit e Rrugës së Kombit në Gjykatë, u befasova nga një pamje si ajo e filmave hollivudianë me personazhe mafiozë, si Al Capone. Tirana ishte blinduar me rreth 2000 forca policie, të cilat kishin bllokuar rrugët kryesore të saj, duke u rreshtuar përgjatë tyre e duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e njerëzve që shpejtonin për në punë. Gjithë kjo skenë e ekzagjeruar ishte komiko-dramatike në pamje, por tragjike në thelb. Përveç qytetarëve që nxitonin për në punë dhe borive të makinave, si shprehje e nervozizmit të këtij demonstrimi të panevojshëm, në rrugë ishin edhe rreth 20 deputetë të LSI-së dhe PD-së, të cilët po shkonin në Gjykatë për të mbështetur me praninë e tyre 23 fukarenj, pa dy lekë në xhep, që do të gjykoheshin. Ky ishte “rreziku” të cilit shteti po i ruhej e që e bëri të lëshonte policinë akseve kryesore te kryeqytetit, një skenë Al Capone alla shqiptarçe. Dhe përse, për 23 qytetarë të pafajshëm që protestuan për tarifat e larta të rrugës. Mëkati qenkësh kaq i madh saqë gjykimi në zonën ku ndodhi protesta ishte gjykuar i pamundur. Çështja ishte e madhe, pompoze, e denjë veç për një spektakël kryeqyteti. Po kujt i po shfaqej ky demonstrim force? Vetëm rreth 20 deputetëve të opozitës që mezi po çanin radhët e ngjeshura të policëve për të mbërritur te Gjykata, ku do të zhvillohej qyqi? Apo atyre 23 fukarenjve? Kujt iu drejtua ky tension skafandrash? Qytetarëve të protestës për t’u treguar muskujt? Kundër kujt kishte dalë policia e shtetit? Meqë ngjarja u zhvillua në kryeqytet kumti kërcënues i kësaj parade synonte të rrezatohej në gjithë vendin. Gjykata qe nën presionin e uniformave të ekzekutivit, të cilat kishin mbushur sallën. Deputetët u dhunuan keqas, duke mos u lejuar të futen në sallën e gjyqit. Imagjinoni se si u mor vendimi në kushte të tilla. Vetingu i pretenduar u shfaq qartazi si drejtësi e kapur. Por çfarë ndodhi në sallë? Prokuroria u shpreh se ndalimet janë bërë ditën e 1 prillit midis orës 10 dhe 12, duke falsifikuar të dhënat për orarin e arrestimeve. Gjë që u hodh poshtë nga të ndaluarit, të cilët pohuan se arrestimet janë bërë gjatë natës, duke mos u lënë mundësinë atyre as të visheshin e as të mbathnin këpucët. Organi i akuzës u shpreh se janë dëmtuar vetëm forcat e policisë, por nuk u ndal fare te shkopinjtë e gomës ndaj protestuesve dhe dëmtimet e këtyre të fundit. Të gjithë protestuesit pohuan se u provokuan nga policia. Të arrestuarit, disa të lënë në burg tashmë dhe me vendim gjykate, ishin të gjithë familjarë, me një barrë hallesh, pa precedentë penalë, vetëm me qindarka në xhepa, siç kishte rezultuar nga kontrolli i policisë. Por shumë syresh janë ende në burg, edhe pse Qeveria duket e tërhequr për të reflektuar lidhur me këtë tarifë çmendarake. E gjithë kjo është dëshmi e qartë se ku po shkon mjerimi i qytetarëve, por edhe ca më keq, degradimi i mënyrës për të bërë drejtësi në këtë vend dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës në prag të çeljes së negociatave. Gjithë shteti u vu në lëvizje për këta 23 fukarenj, që janë simbol i një revolte të drejtë qytetare. Po ku është shteti për krimin e organizuar, për shefat e komisariateve, për zyrtarët e lartë të përfshirë në narkotrafik dhe zaptim tokash në bregdet, për politikat sociale dhe zhvillimin e vendit si dhe punësimin e qytetarëve?! Për protestuesit e varfër të Kukësit a të gjithë Shqipërisë, shteti tregon dorë të hekurt, por kur vjen puna te oligarkët e trafikantët, duart i ka të lidhura. Ekonomia po infektohet dita-ditës nga elementi kriminal, ku eurot e drogës dhe të krimit kanë tronditur edhe kursin e euros, duke shkaktuar mbi 115 milionë humbje në BSH, dhe kjo është një provë ulëritëse në sytë e të gjithë shqiptarëve. Pra, situata ekonomike sa vjen dhe rëndohet më shumë dhe ajo çka duhet të na shqetësojë është se qeveria vazhdon të zbukurojë me hartime realitetin, duke refuzuar të shikojë në sy rrënimin që po i bëhet çdo ditë familjeve shqiptare. Po cilat janë pasojat e këtij realiteti? Qysh prej viteve ‘90-të, shqiptarët duan perspektivën evropiane të integrimit, duke e zhvilluar vendin, duke e forcuar ekonominë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e cilësisë së jetës nëpërmjet inovacionit dhe një zhvillimi të qëndrueshëm. Kjo mazhorancë dhe kjo Qeveri po merren me opozitën, i kanë harruar qytetarët, të cilët po braktisin vendin, sepse janë pa drejtim, sepse po mbyten në taksa tarifa e tvsh. Në një demokraci normale qeveritë merren me qeverisjen e vendit, merren me qytetarët pa dallim, jo me opozitarët. Opozita po, e ka detyrë parësore të punës së saj keqqeverisjen. Mirëpo qeveria duket është verbuar prej etheve të pushtetit dhe është e vendosur ta mbajë atë vetëm duke shantazhuar opozitën dhe duke i larguar qytetarët. Kjo situatë është një rrugë pa krye për demokracinë në Shqipëri. Sidoqoftë, duart e qytetarëve janë më tepër dhe po bëhen bashkë për ta hequr qafe arrogancën e grykësinë e kësaj qeverie që s’ka të ngopur. Kuksianët, lumianët, hasianët, tropojanët na rikthyen kujtesën se kur ka një politikë të keqe në një vend qytetarët nuk duhet të braktisin vendin, por t’i thonë ndal politikës së keqe.
Sigal