Prof. Dr. Selman Sheme/Çamëria e grabitur, 9203 kilometër katror

910
Sigal

Në jug-perëndim të gadishullit të Ballkanit, gjatë brigjeve lindore të detit Jon, nga liqeni i Butrintit dhe lumi i Pavllos në veri dhe deri në Gjirin e Artës në jug, shtrihet një trevë me tipare të veçanta të peizazhit dhe të popullimit human që e diferencojnë nga regjionet përreth. Kjo krahinë njihet nga populli me emrin Çamëri për vendin, dhe çamë për banorët e tij.

Ndërsa në literaturë kjo hapësirë njihet me emrin Epiri i Jugut për vendin dhe epirotë për banorët e tij. Këdo që të pyesësh nga banorët e vjetër të kësaj treve të japin këtë përgjigje: “Çamëri zihet ka lumi i Shalsit (Pavlla) në veri, jaram të gurët e Zesë në Prevezë”.

Çamëria e grabitur, 9203 kilometër katror

Brenda këtyre kufijve shtrihen rrethet e Filatit, Gumenicës, Margëlliçit, Paramithisë dhe Filipiadhës. Në lindje, Çamëria apo Epiri i jugut shtrihet nga malet e Murganës, vijon në basenin e Janinës dhe lumin e Artës dhe përfundon në gjirin e Artës. Në perëndim Çamëria ka dalje deri në detin Jon. Vija bregdetare është mjaft e përthyer, ku janë formuar shumë gjire, kepe e gadishuj. Pozita gjeografike e Çamërisë ka rëndësi të madhe ekonomikë, gjeopolitike dhe strategjike. Nëpër territorin e saj kalojnë rrugë të rëndësishme që lidhin shtetin amë Shqipërinë me Greqinë si dhe ishujt e Jonit me Janinën me Greqinë kontinentale. Portet e Çamërisë lidhin në mënyrë të natyrshme pjesën jugore të gadishullit të Ballkanit me gadishullin Apenin si dhe basenin e Adriatikut me Mesdheun lindor. Çamëria apo Epiri i jugut në periudha të ndryshme historike nuk ka qenë njësi administrative më vete dhe e përcaktuar mirë gjeografikisht.

Sipas të dhënave që jep Sami Frashri në “Fjalorin e Përgjithshëm të Historisë dhe Gjeografisë”, (Kamusul-Alam) në vitin 1889 krahina e Çamërisë bënte pjesë në Sanxhakun e Janinës dhe Prevezës të vilajetit të Janinës. Në ndarjen e sotme politiko-administrative rripi verior i Çamërisë me qendër qytetin e Konispolit bën pjesë në rrethin e Sarandës të Republikës së Shqipërisë. Në këtë zonë në kohën e monarkisë së Mbretit Zog ishte krijuar një nënprefekturë me emrin Çamëri dhe me kryeqendër Konispolin. Pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe e popullsisë së Çamërisë me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913 mbeti jashtë kufijve shtetëror nën sundimin grek.

Kjo pjesë në ndarjen administrative të Greqisë sot shtrihet në katër prefektura: në prefekturën e Thesprotisë, të Prevezës, Artës dhe të Janinës. Këto katër prefektura përfshihen në krahinën e Epirit, siç e emërtojnë grekërit Çamërinë. Sipërfaqja e Epirit (Çamërisë) është 9203 kilometër katror, ndërsa pa ujërat e brendshme është 9076 kilometër katror. Para pushtimit grek, viset e Çamërisë që bëjnë pjesë në trungun etnik shqiptar (rrethet e Filatit, Gumenicës, Margëlliçit dhe Paramithisë) ku popullsia ishte me shumicë shqiptare kishte dhe ka një sipërfaqe prej 2550 kilometër katror. Brezi anësor (periferik), rrethet e Artës, Prevezës dhe Janinës kishin dhe kanë një sipërfaqe prej 6526 kilometër katror. Në këto hapësira jetonte dhe vazhdon të jetojë një popullsi multietnike shqiptare, greke, vllahe etj.

Krahinë me peizazhe unikale në Ballkan
Çamëria apo Epiri i Jugut përbën një regjion me tipare origjinale të peizazhit gjeografik. Megjithëse relieve në përgjithësi ka karakter kodrinor-malor të pakta janë zonat ku lartësitë kalojnë 1000 metër mbi nivelin e detit. Në pjesën lindore në formën e një harku me drejtim veriperëndim, juglindje, shtrihet sistemi malor i Pindeve. Në drejtim të perëndimit relievi fillon të ulet gradualisht në një zonë kodrinore me lartësi mesatare, e cila në afërsi të bregdetit, në perëndim dhe në jug, ja lë vendin ultësirave të Llurit, Frarit, Rajit, Kuçit, Lopsit etj. Nga kreshtat e larta të vargmaleve të Pindit zbresin përrenj e lumenj të rrëmbyer, të cilët vijnë duke u bashkuar mes tyre duke krijuar sistemet kryesore të lumenjve të Çamërisë të cilët janë ata Kalama, Akeron, Lluri dhe Arta. Këta lumenj shfrytëzohen gjerësisht për ujitje, duke i dhënë jetë krahinës.

Çamëria ka një klimë të këndshme subtropikale-mesdhetare, me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë. Tiparet e relievit krijojnë një variacion mikroklimatik nga lindja në perëndim. Ndërsa në lindje në kreshtat e maleve mbi qafa e gryka të tyre shkëlqejnë sheshet e dëborës së përhershme, në brigjet e ulëta të detit Jon ka mbi 280 ditë me diell, me temperature optimale për një aktivitet turistik balneta, nga muaji prill deri në fund të muajit tetor. Vegjetacioni tipik mesdhetar vesh me gjelbërim të përhershëm malet kodrat dhe ultësirat e Çamërisë. Ndërsa në shpatet e vargjeve malore në lindje pishat alpine mesdhetare shkundin dëborën, në bregdet shkundin petalet plot erë, agrumet dhe drurët frutorë.

Brezaret e ullinjve, vreshtave dhe agrume shtrihen gjatë gjithë bregdetit dhe nëpër luginat e lumenjve ato arrijnë deri në brendësi të regjionit. Çamëria përbën një krahinë me peizazhe antropike unikale në Ballkan. Po të lëvizim me një anije nga limani i Gumenicës drejt hapësirës blusaks të detit Jon dhe prej andej të hedhim një vështrim mbi këtë krahinë, horizonti të ofron një amfiteatër kolosal e të mahnitshëm të natyrës veshur me një kolorit të larmishëm ngjyrash ku dominojnë peizazhet antropike me blerim të përhershëm.

Çamëria me popullsi autoktone shqiptare
Gjatë gjithë rrjedhave të historisë Çamëria ka qenë një regjion i banuar nga popullsi autoktone shqiptare. Banorët e kësaj treve me gjuhë, kulturë, tradita dhe zakone të lashta të përbashkëta janë pasardhës të fiseve Pellasgjiko-Ilire, të quajtur Thesprotë, Mollosë, Elimë, etj, të vendosur aty që në paleolitin e mesëm. Qendra e tyre shpirtërore ishte tempulli i famshëm i Dodonës, i cili ndodhet në jugperëndim të Janinës. Për autoktoninë Ilire dhe vazhdimësinë Iliro-Shqipëtare të popullsisë së Çamërisë në trojet e veta gjenden shënime të bollshme në veprat e autorëve klasik si: Strabonit, Herodotit, Tulqiditit, Ptolemeut, Plinit, Stefan Bizantinit, etj. Gjeografët e historianët e vjetër grek (Straboni dhe Herodoti), duke mos e njohur gjuhën e fiseve fqinjë që ndryshonte nga gjuha Helene i quajtën banorët në veri të gjirit të Ambrakisë, Pellazgë, ose Barbarë.

Për këtë arsye, për të dalluar Helenët nga kombësitë e tjera, ata përdornin këtë formulë “Pas mi elit varvaris” (kush nuk është Helenë është Barbarë). Çamët dhe Epiriotët në tërësi kanë pasur të ndryshme nga Helenët midis të tjerash, edhe skeletin, gjuhën, historinë, kulturën, zakonet, ligjet monedha etj.

PDIU reagon për çështjen e “amnistisë greke për dokumentet me toponime shqip”

Siç është bërë e ditur policia greke në shenjë dhurate për festat e Pashkëve ka vendosur të tolerojë kalimin e atyre shtetasve shqiptarë me dokumente ku ka toponime shqip. Ky vendim i paraqitur si një lloj marrëveshje me autoritetet tona dëshmon megjithatë se qëndrimi i autoriteteve greke nuk është një qëndrim ligjor, i mbështetur mbi dokumentet ndërkombëtare, por një qëndrim i motivuar politikisht që mban parasysh luhatjet e humorit të segmenteve të caktuara të autoriteteve greke në varësi të zhvillimeve në vendin tonë. Nëse ata do të kishin një qasje legaliste, atëherë nuk mund të kishte dhuratë për festa, por qëndrim unik gjithmonë.
PDIU ndërsa shpreh kënaqësinë që autoritetet greke nëpërmjet këtij pranimi, po lejojnë kalimin e qytetarëve tanë në kufijtë grekë që janë kufijtë e Europës së Bashkuar, bën thirrje për rishikimin përfundimtar të këtij vendimi bllokues, i cili në të vërtetë është antiligjor në të gjithë kuptimet.

Ai cenon të drejtën e lëvizjes së lirë, të jetës në familje, të bashkimit familjar, të gjithë të drejtat e lidhura me shtetësinë për shkak të një problemi administrative në dokumente. Pra ajo çka grekët e konsiderojnë një problem administrativ po cenon një sërë të drejtash themelore. Çdo jurist e di këtë dhe PDIU inkurajon shtetasit tanë që të sigurojnë një mbrojtje legale për këtë çështje. Shteti shqiptar duhet ta trajtojë këtë problem në këtë optikë:  një e metë administrative sado e rëndësishme qoftë, nuk mund të cenojë një të drejtë themelore.