Prof. Dr. Qemal Lame: Shqiptarët duan BE-në, pastaj “Shengenin Ballkanik”

628
Sigal

Shqiptarët duan bashkimin, anëtarësimin në BE, pastaj “Shengenin Ballkanik”

Prof. Dr. Qemal Lamaj

Marrëveshja e arritur në fshehtësi midis Kosovës e Serbisë, si dhe politika në pritje të krijimit të kushteve për zbatim, është ngrirë për shkak të kundërshtimit nga Gjermania. Me shqetësim konstatojmë se rreziku mbetet aktual me presionet ndaj Kosovës për të rifilluar bisedimet që nënkuptojnë bërjen e lëshimeve, si dhe së fundi “Mini Shengeni” që kërkon të bëjë fakt të kryer ndryshimin e realitetit politik dhe ekonomik në favor të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Jo rastësisht po atë ditë që u deklarua publikisht në median bisedimet për Shengenin apo “Mini Shengenin Ballkanik”, shkoi në Shkup edhe Aleks Soros.

Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova e kundërshtuan prerë e qartë se nuk do të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje. Në thirrjet e njëzëshme mbrëmë, më 17 nëntor 2019, në Arenën e sportit shqiptar u dëshmua ndërkombëtarisht vullneti: “Hiqni dorë nga ndarja e Kosovës”.

Ideja e Shengenit Ballkanik është vlerësuar nga disa analistë si mundësi për shpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe si një njohje faktike e kufirit të Kosovës nga Serbia. Por këto argumente janë realisht në interes të gjeopolitikës që kërkon me çdo mjet të arrihet marrëveshja për zgjidhjen e krizës politike në Rajon duke u anashkaluar interesat e shqiptarëve. Këtë synim të arsyetuar me kujdes e të ekuilibruar e gjejmë edhe në qëndrimin e BE-së që kërkon të përfshihen në këtë marrëveshje të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Propagandohet një epokë e re në marrëdhëniet ndërshtetërore, megjithëse marrëveshja shkaktoi tronditje në politikën dhe opinionin publik të rajonit.

Së pari, sepse ishte e parakohshme, e pa përgatitur dhe pa marrëveshje të gjerë midis shteteve të rajonit me politika dhe interesa kombëtare diametralisht të kundërta. Shqipëria dhe Kosova kërkohet të bashkërendojnë politikën. Nuk pranohet arsyetimi për vetë tërheqje të Kosovës nga marrëveshja. Qeveria e Shqipërisë ka detyrimin kushtetues për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata janë.

Së dyti, bllokimi i njerëzve dhe mallrave në kufi nga pengesat doganore është realitet. Por heqja e tyre pa u garantuar më parë interesat politike dhe ekonomike kombëtare është fatale, në radhë të parë për shqiptarët. Marrëveshja bëhet shkak për të imponuar e ligjëruar pasoja të rënda nga politikat e vjetra të shovinizmit e të imponimit e të dominimit serb.

Së treti, të dhënies së një pjese të sovranitetit shtetëror të Shqipërisë tek Serbia, realizimit faktik të ndarjes së Kosovës, sidomos të Veriut, në zonat që Serbia i ka mbipopulluar dhe vazhdon aktualisht të ndryshojë demografinë me kolonë të rinj të sjellë nga Serbia e ish-Republikat e Jugosllavisë.

Së katërti, rritet ndikimi i Rusisë në rajon me mbështetjen që ajo ka nga Serbia. Forcimi i ushtrisë serbe me armatimin modern rus dhe baza ushtarake e Rusisë në Nish janë një rrezik potencial për gjithë Ballkanin.

Shqiptarët vlerësojnë të domosdoshme marrëveshjen me serbët, por pa u bërë viktimë e gjeopolitikës dhe e interesave politike të ditës për të pranuar dhurimin e shkëmbimin e territoreve shqiptare me territore shqiptare. Edhe analistë objektivë, si profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit të Columbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. David Phillips, më 14 nëntor 2019, vuri në dukje se: “SHBA dhe miqtë e tjerë të Kosovës duhet të insistojnë që Serbia ta njohë Kosovën brenda kufijve të saj aktual.”

Marrëveshja e Kosovës me Serbinë u bllokua në kohën që Znj. Frederika Mogherini ndërmjetësoi bisedimet në marrëveshje edhe me SHBA. Negociatat nuk mendohet se do të jenë në kushte më të mira, pasi ministri i Jashtëm spanjoll Josep Borreli do të zëvendësojë Mogherinin. Spanja dihet se është ndër pesë shtetet e BE që ka kundërshtuar me force pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në BE, kuptohet për shkak të problemeve të brendshme me rajonin e Katalonjës që kërkon pavarësinë dhe shkëputjen.

Serbia dihet se braktisi bisedimet me Kosovën për shkak të tarifës 100 për qind të mallrave serbe nga Qeveria e Kosovës. Kosova nuk kishte mënyrë tjetër reagimi, në kushtet që u bllokuan përpjekjet për t’u bëtë anëtare e INTERPOL-it dhe njohje më të gjerë ndërkombëtare. Serbia shfrytëzonte bisedimet dhe vazhdonte fushatën diplomatike për tu tërhequr njohjet megjithëse nuk u pranua as ankesa e saj në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Me këtë kërkesë të padrejtë, ajo ndikoi vetë që të pranohet ndërkombëtarisht pavarësia e Kosovës.

Analiza e kujdesshme e kronologjike e ndërprerjes së bisedimeve evidenton problemet që kërkohet të deklarohen e të njihen qartësisht edhe nga opinioni publik.

  1. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë është e miratuar dhe pritet të zbatohet, pa u votuar dhe pa u vendosur nga shqiptarët dhe nga Qeveria e Kosovës. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, më 15 nëntor 2019, ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe analisti James Hooper, deklaroi me përgjegjësi se një marrëveshje Kosovë-Serbi ekziston, por vështirësia është te zbatimi i saj. Zoti Hooper, qartësoi se, nuk mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë pa shkëmbime territoriale.
  2. Kërkohet dhe pritet që Kosova të pranojë ndarjen duke u bazuar në marrëveshjen nga Thaçi me Vuçiçin. SHBA dhe BE gjejnë kushte më të favorshme për të bindur politikanët shqiptarë sesa tek ata serbë që këmbëngulin në marrëveshjen me ndryshimin e kufijve ekzistues.

Qeveria e Haradinajt ndërpreu vazhdimin e bisedimeve deri në njohjen e Kosovës me kufijtë ekzistues. Qeveria e Re që pritet të krijohet me kryeministër Albin Kurti ndodhet para një marrëveshjeje të miratuar. Ajo do të vihet në situatë të vështirë në raportet me partnerët strategjikë për realizimin e premtimeve elektorale për mbrojtjen e kufijve deri edhe me luftë, marrëveshjen me Serbinë në kufijtë aktualë dhe bashkimin paqësor të shqiptarëve.

  1. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht dy të dërguar të posaçëm në bisedimet Kosovë-Serbi: një për Ballkanin, Palmer, dhe një direkt për bisedimet, ambasadorin amerikan Grenell. Synohet që edhe Gjermania të jetë më bashkëpunuese, elastike e mbështetëse e të ndryshojë edhe qëndrimin e njohur të kundërshtimit të ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Tërheqin vëmendjen edhe aktivizimi kohët e fundit i politikës së Francës në Ballkanin Perëndimor, pritjet me nderime shtetërore të zyrtarëve të lartë nga rajoni. Për herë të parë u ftuan nga Bundestag i Gjermanisë përfaqësues nga Lugina e Preshevës!
  2. Marrëveshja kushtëzohet me ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo mendohet se do të mundësojë arritjen e formës së detyruar për një kompromis dhe me vullnetin të lirë të përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë dhe me marrëveshje të gjithanshme.
  3. Shqiptarët nuk pranojnë marrëveshje me imponimin. Ndjenja kombëtare është mjaft e fortë kundër një marrëveshjeje që përfshin ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve. Shqiptarët janë kombi që mbështet fuqishëm SHBA-në e integrimin evropian. Ndërsa serbët lëkunden midis Rusisë e BE-së.

Integrimi Euroatlantik mbeten orientimi themelor për gjithë kombin shqiptar edhe në ecurinë e zhvillimeve politike e ekonomike dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme rajonale. Zgjidhja alternative, me pretendimin e autorëve të saj për të realizuar integrimin rajonal, në pritje të atij evropian mbetet e dëmshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për shtetet e tjera të rajonit që e kundërshtojnë me force e me dinjitet.

Serbia nuk ka të drejtë të imponojë zgjidhje vetëm në interes të saj. Kur ajo qëndron si barrikadë bëhet e nevojshme vetëvendosja e shqiptarëve. Kërkohet reciprocitet, respekt e barazi të ndërsjellë, njohja e përgjegjësisë historike për gjenocidin pas pushtimit dhe dëmshpërblimi për Luftën në Kosovë. Bashkimi i shqiptarëve me referendum të pranuar e mbështetur nga partnerët strategjikë mbetet zgjidhja e vështirë por edhe më e mira për paqen, sigurinë e miqësinë midis popujve të rajonit. Edhe për Rusinë do të ishte në interesin e saj në rast se do të mbështeste bashkimin e shqiptarëve. Kosova nuk është njëlloj me Krimenë. Ajo aneksoi Krimenë dhe nuk bëri marrëveshje për ndarje territoresh me Ukrainën. Moska nuk ka të drejtë të predikojë politikën për ndarjen e Kosovës në mbështetje të politikës së Serbisë.

Është koha që Qeveria e Shqipërisë të deklarojë qëndrim të qartë për bashkimin, Sanxhakun, Luginën e Preshevës, Çështjen e Çamërisë, me gjithë presionet për integrimin në BE.