Prof. Dr. Myslim PASHA:Berisha shkatërron Institutin Gjeografik Ushtarak

663
Sigal

 Denoncimi: Antikombëtarizmi godet në palcën informative të shtetit me këtë “kirurgji” politiko-elektorale

Këshilli i Ministrave, me  një Vendim të tij, urdhëron shkurtimin e Institutit të Gjeografisë Ushtarake të 40  punonjësve, por njëkohësisht, emërimin e 21 punonjësve të këtij institucioni në Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG). Prof. Dr. Myslim Pasha e denoncon këtë vendim të Këshillit të Ministrave, si një “bisturia kirurgjike mbi një nga asetet më të mëdha informative të Shqipërisë sonë,  Institutin Gjeografik Ushtrak të Shqipërisë *). Sipas zotit Pasha, kjo bëhet vetëm për qëllime elektotale.

    Kolonel në lirim

Ish-drejtor i Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë

 Ja dhe një vendim tjetër përgjatë këtij muaji të kafshimit elektoral shqiptar. Ngrihet sëpata dhe po kësilloj bëhet gati bisturia kirurgjike mbi një nga asetet më të mëdha informative të Shqipërisë sonë,  Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë *). Ku, vallë,  iu ka shkuar mendja këtyre shigjetarëve antikombëtarë, që të gjejnë një hulli të errët të këtyre ditëve të fushatës dhe të mëkojnë gjasme një Autoritet Shtetëror për Menaxhimin e Informacionit Gjeo-hapësinor? Kjo vepër antikombëtare, është projektuar si pjesë vijimi e shitjes së pasurisë kombëtare, por dhe shprishjen e e Institucioneve si IGJU-ja, ashtu siç u shprish dhe ( Akademia e Shkencave e Shqipërisë),  që bart për gati një shekull një nga pasuritë më të mëdha zhvillimore, atë të gjeo-informacionit dhe të portretit hartografik të Shqipërisë , të ndryshimeve që kanë ndodhur në kohë;  të dokumenteve të shumtë pronësorë, të hartave të botimeve të ndryshme,  që i kanë shërbyer projekteve zhvillimore të vendit. Një arkiv aq i madh, dhe i pasur, një përvojë që nuk mund të zëvendësohet kaq kollaj, bashkësi specialistësh të fushave gjeodezike dhe hartografike që kanë lënë gjurmë të pashlyera. Në ballafaqime teknologjike dhe të pasurive cilësore të hartave tona topografike, nuk mund të gjendet në Ballkan një pasuri e tillë cilësore, edhe pse vjen prej një kohe të izolimit tragjik të Shqipërisë,  që të krijojë  prodhime të atilla të cilat nuk janë zëvendësuar dot deri tash. Po  ja që regjimi i Sali Berishës, e pati edhe një merak të fundit. Ai, me propozim të Imamit dhe Pollos, i vërsulet IGJU-t për ta sakatuar atë. Arben Imami  ka qenë një nga ministrat më famëkeq, i cili do të mbahet mend se në një kohë oponence kombëtare të Paktit Detar me Greqinë,  u ngrit turpshëm të mbronte atë Marrëveshje, duke organizuar Lektoriume dhe Konferenca për shtyp,  për të argumentuar dhurimin dhe shitjen e Detit.  Në ato ditë të vështira për hartografinë shqiptare, drejtues politikë të këtij Instituti, prej asaj pasurie të madhe, nuk paraqitën dot një hartë hidrografie të vijës së ndarjes së detit, midis të dy vendeve se diktonte në këtë rast edhe një herë tradhtia kombëtare, që e bëri Institutin që të heshtë dhe të mos japë ekspertizën e tij. Antikombëtarizmi godet në palcën informative të shtetit dhe atë ai po e bën me këtë kirurgji të re. Po sa sharlatane është ky VKM dhe kjo firmë e Sali Berishës, që fsheh një ndërhyrje kriminale të tillë ndan numrin e njerëzve që i shkurtohen FA-së ! Ndërkaq, më tej në VKM del një shifër financiare, që lidhet me njerëz të shkurtuar shumë, e cila do t’i kalojë ASIG-t, duke krijuar një tymnajë e paparacaktueshmëri, se ku do të përdoren. Por merret me mend se një shumë e tillë i duhet Pollos, që po ikën për fushatën elektorale, të cilën e kanë nëpër këmbë e po kështu që të emërojnë në atë agjenci njerëz që do t’u duhen për llogaritë kriminale të zgjedhjeve. Ky Institut nuk është i Sali Berishës. Ai i përket kombit shqiptar, se Gjeodezia dhe hartografia në atë vend hulumtues, me vlera të larta e të pakrahasueshme nuk mund të shqelmohet në atë mënyrë. Lënie e tij me një numër simbolik njerëzish, është ajo rrugë që në gjashtë vjet të fundit Imami me politikën e tij të dështimit dhe krimit informativ ushtarak nuk krijoi dhe botoi asnjë hartë të re. Tani po e redukton atë një limit skandaloz, pa iu dridhur qerpiku sepse harxhet i paguan populli shqiptar. Për reduktimin, apo riformatimin e tij, duhet të merrej një mendim i gjerë i specialistëve dhe pse jo dhe e Drejtimit Gjeohartografik në NATO, sepse  sipas mendimit tonë në këtë rast janë cenuar standardet gjeo-informative të NATO-s.

V endimi  i Këshillit të Ministrave

për

RIALOKIMIN E NUMRIT TË  PUNONJËSVE DHE TË FONDEVE BUXHETORE PËR VITIN 2013, NDËRMJET INSTITUTIT   TË GJEOGRAFISË USHTARAKE DHE AUTORITETIT SHTETËROR PËR INFORMACONIN GJEOHAPËSINOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11 e 17, të  ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeo-hapësinor (ASIG) t’i shtohen 21 (njëzet e një) punonjës për vitin 2013 nga reduktimi i 40 (dyzet) punonjësve të Institutit të Gjeografisë Ushtarake (Reparti ushtarak 6010) në Ministrinë e Mbrojtjes, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve në nivel ministrie, për vitin 2013, në 10 150 (dhjetë mijë e njëqind e pesëdhjetë) veta.

Në buxhetin e miratuar për vitin 2013, në programin “Shërbime për shoqërinë e informacionit”, të shtohet fondi  25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë për shpenzime korrente për ASIG-un, i cili të përballohet nga reduktimi, në të njëjtën masë, i shpenzimeve korrente të programit “Mbështetja e luftimit” (Rep.Ushtarak nr.6010) të Ministrisë së Mbrojtjes.    

Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave  dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.

  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA   

Pjesë nga ligji i Parlamentit shqiptar për këtë Institut.

 1.      Instituti Gjeografik Ushtarak i Shqipërisë (IGJU) është institucioni shtetëror ushtarak, i cili realizon veprimtari kërkimore-shkencore dhe projektim e prodhim. 

2. Ky institut është përgjegjës për hartografimin masiv tokësor, detar dhe ajror te Republikës se Shqipërisë, si dhe është autori i ndërtimit dhe i mirëmbajtjes se rrjetit gjeodezik shtetëror, veprimtari te cilat i kryen për mbrojtjen dhe zhvillimin ekonomik te Republikës se Shqipërisë.