Prof. Dr. Ksenofon Krisafi: Klinika ligjore “Mesdhetari” ofron shërbime me karakter juridik për individë nga dhtresa të margjinalizuara

1548
Sigal

Në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë themelohet Klinika ligjore “Mesdhetari”

 

Në kuadrin e veprimtarive kushtuar përkujtimit të 10-vjetorit të krijimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë (UMSH), dje u inaugurua themelimi i Klinikës Ligjore “Mesdhetari”, në Fakultetin e Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (FSHJMN) të këtij universiteti. Ishin të pranishëm pedagogë e studentë, të ftuar nga universitete të tjera, si dhe titullarë të institucioneve qendrore të pavarura që merren me çështje juridike. Fjalën e hapjes e mbajti themeluesi dhe presidenti i nderit i UMSH, Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili tha ndër të tjera se “ky event është kurorëzimi i një nisme që erdhi nga drejtuesit e Fakultetit dhe studentët e juridikut, të cilët e kanë parë si një zhvillim pozitiv në drejtim të veprimtarive organizative e strukturore të Fakultetit për ta përshtatur atë me etapën aktuale të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Reforma në drejtësi, e vlerësuar si një ndër nismat e rëndësishme të dekadave të fundit të ndërtimit të shtetit ligjor, konsolidimit të demokracisë dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është reflektuar edhe në programet dhe kurrikulat lëndëve që zhvillohen në FSHJMN të UMSH. Kjo punë ka nisur që me themelimin e degës përkatëse, shndërrimin e saj në fakultet dy vjet më parë dhe do të vazhdojë gjithmonë. Qëllimi është që studentët që dalin nga auditoret tona të jenë të aftë t’iu përgjigjen në kohë e me cilësi kërkesave që shtron reforma. Këtij qëllimi i shërbejnë jo vetëm lëndët e përzgjedhura për formimin e tyre, jo vetëm pedagogët që janë tërhequr për t’iu dhënë atyre mësim, por edhe format e duhura organizative e strukturore. Në këtë kuadër vjen sot edhe Klinika Ligjore “Mesdhetari.”

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, dekan i FSHJMN të UMSH: Hallkë e rëndësishme institucionale për të përsosur edukimin teorik dhe praktik të studentëve të fakultetit të drejtësisë në këtë universitet

 

Themelimi i Klinikës Ligjore “Mesdhetari” përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e FSHJMN të UMSH. Sipas akteve që rregullojnë veprimtarinë e saj, ajo do të ofrojë shërbimet e veta me karakter juridik për individë nga shtresa të margjinalizuara, që rrethana të caktuara të jetës, i detyrojnë të përballen me çështje ligjore ose me organe të administratës dhe sistemit të drejtësisë. Klinika synon që t’iu përgjigjet jo vetëm nevojave për një informacion të kualifikuar ligjor, por edhe për të shërbyer si një njësi organizative dhe hallkë e rëndësishme institucionale për të përsosur edukimin teorik dhe praktik të studentëve të fakultetit të drejtësisë në këtë universitet.

Origjina e klinikave ligjore universitare vjen nga një lëvizje e nisur në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vazhdim i veprimtarive të organizatave jo fitimprurëse të sferës juridike, lëvizje e cila mori përhapje të gjerë dhe sot është shtrirë në shumë universitete në Evropë dhe në kontinente të tjerë. Institucioni i klinikës ligjore u shfaq në Shqipëri në vitin 1998. Për koincidencë në atë kohë unë mbaja postin e dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës. Së bashku me një pedagogun tonë të jashtëm, u ftuam të merrnin pjesë në një seminar trajnues në Budapest kushtuar pikërisht klinikave ligjore. Pas kthimit morëm masat e nevojshme organizative dhe juridike dhe u themelua e para klinikë ligjore universitare në Shqipëri. Drejtimi i saj iu besua Adnor Shametit, aso kohe pedagog i ri në atë fakultet. Në vijim nisma u përqafua edhe nga universitete të tjera jopublike.

Objektivi i parë i saj do të jetë asistenca juridike, nëpërmjet një konsulence të kualifikuar juridike që do të vijë nga studentë të një fakulteti drejtësie që shquhet për cilësi e nivel të lartë profesional, të cilët do të kenë pranë në çdo çast pedagogët e tyre. Ka jo pak njerëz, të cilët në jetën e tyre të përditshme mund të ndodhen në vështirësi për t’u orientuar në sistemin tepër kompleks normativ për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e jetës së tyre. Qasja e tyre në ligj dhe eventualisht në organet e sistemit të drejtësisë dhe të administratës, nënkupton që minimalisht të njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre juridike si dhe terminologjinë dhe gjuhën juridike. Në kohën e sotme, kur veprimtaria e përditshme e njerëzve, e bashkësive të tyre dhe institucioneve publike e jopublike shtohet vazhdimisht, trajtimi dhe rregullimi juridik po shkon me shpejtësi drejt “sofistikimit” normativ. Vështirësi krijon gjithashtu shumëzimi i burimeve, inflacioni marramendës normativ, labirinti i procedurave, orientimi drejt procedurave të ofruara on line në mungesë të afërsisë njerëzore etj. Tërë këta faktorë rrezikojnë të kërcënojnë sundimin e ligjit, shtojnë së tepërmi vështirësitë për individët që t’i përshtaten siç duhet evolucionit dhe transformimit të pareshtur legjislativ e institucional, hera-herës duke i penalizuar ata. Rrjedhimisht rritet nevoja për asistencë të kualifikuar juridike, të cilën jo të gjithë kanë mundësinë financiare ta marrin nga zyrat kompetente. Veçanërisht ata që vijnë nga shtresa të margjinalizuara, mund të mos kenë mundësitë e nevojshme ekonomiko-financiare, për të gjetur zgjidhjet e duhura juridike. Të lodhur, të deziluzionuar dhe të dekurajuar nga situatat e mësipërme, mund ta braktisin fare idenë e qasjes në drejtësi. Prandaj Klinika Ligjore “Mesdhetari” e FSHJMN do të ofrojë shërbimet e veta që të mos ngjajë një gjë e tillë. Ajo do të angazhohet t’iu ndodhet atyre pranë për t’iu dhënë përgjigjen e saktë, me kompetencë profesionale për situatën juridike në të cilën mund të gjenden, për t’i këshilluar për hapat që duhet të ndërmarrin për të restauruar të drejtën e tyre, eventualisht të nëpërkëmbur.

Objektivi i dytë ka të bëjë me faktin që në jo pak raste Fakulteti ynë ndeshet në vështirësi për të gjetur hapësirat e duhura për zhvillimin e praktikës mësimore për studentët e programeve Bachelor. Klinika ligjore do të shërbejë njëkohësisht si një mundësi alternative për aftësimin e tyre me shprehi praktike në disiplinat mësimore që zhvillohen në auditorët universitare. Aj do t’iu ofrojë individëve në nevojë asistencë dhe do të marrë prej tyre “lëndë të parë” për të kontribuar në formimin praktik të studentëve të FSHJMN. Rastet juridike që mund t’i besohen Klinikës Ligjore “Mesdhetari”, do të trajtohen nga studentët e viteve të larta të Fakultetit të drejtësisë, duke u mbikëqyrur prej pedagogëve të tyre. Në këtë mënyrë shpresohet se do të garantohet rëndësia dhe saktësia e përgjigjeve që do t’iu jepen qytetarëve që do të paraqiten pranë saj dhe posaçërisht konfidencialiteti. Ndihma juridike e ofruar do të jetë jo vetëm cilësore, sepse vjen nga studentë që formohen në një institucion të arsimit të lartë, i specializuar dhe i dalluar në fushën e edukimit juridik, nën mbikëqyrjen e kujdesshme të pedagogëve të tyre, por do të jepet pro bono, krejtësisht vullnetare, falas. Klinika Ligjore “Mesdhetari” do t’iu sigurojë atyre të cilët do t’i drejtohen asaj njoftime të përgjithshme për të drejtat dhe detyrimet dhe t’i referojë në institucionet e duhura. Ajo do ofrojë ndihmën e vet për realizimin e një procesi për ushtrimin e një të drejte ose përmbushjen e një detyrimi juridik edhe gjatë procedurave jo juridike. Asistenca e saj nuk do të përfshijë përfaqësimin ligjor përpara gjykatave.

Objektivi i tretë do të jetë që, në të ardhmen, me fuqizimin dhe konsolidimin e vet Klinika Ligjore “Mesdhetari” mund të aplikojë edhe për t’u angazhuar në projekte për hartimin dhe përfundimin e akteve juridike. Për përmbushjen sa më mirë të misionit të vet, Klinika Ligjore “Mesdhetare”, është e pajisur ma mjediset e veta të përshtatshme si dhe me personelin e duhur sipas një strukture organizative bashkëkohore. Çdo ditë mësimi gjatë javës do të ketë një grup studentësh, të asistuar nga një ose dy pedagogë, të gatshëm për të pritur, dëgjuar dhe ndihmuar qytetarë të ndryshëm që do t’i drejtohen Klinikës sonë ligjore. Ne do të punojmë fuqimisht që këto objektiva të përmbushen maksimalisht.