Prof. Dr. Dëfrim Shkupi: Grabitje në Parkun Kombëtar të Dajtit, drejtori që nuk firmos dëbohet nga puna

1098
Sigal

Prof. Dr. Dëfrim Shkupi publikon skandalin e Ministrisë së Mjedisit për Parkun Kombëtar të Martaneshit

 Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, një prej emrave të spikatur të akademisë shqiptare ka publikuar dje pasdite, në adresën e Facebook-ut të tij, një lajm tronditës që shpreh shqetësimin e tij qytetar, përballë korrupsionit shtetëror, i cili duket se, nuk po rresht as në ditët e fundit të qeverisjes. Ky denoncim i tij, është bërë nëpërmjet Facebook-ut, për shkak të dëshirës së tij, për ta lexuar sa më shpejt dhe sa më shumë njerëz. Fjala është për një mashtrim në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, ku një pjesë e mirë e pyllit do të hiqet nga inventari i Parkut Kombëtar, për të përmbushur interesat e zyrtarëve të lartë. Më tej i pyetur nga gazeta “Telegraf”, zoti Shkupi tha se, me pyllin  e Martaneshit po përgatitet një masakër e vërtetë. Sipas tij, një nga drejtorët e lartë të drejtorive që nuk e ka firmosur shkresën përkatëse, është pezulluar urgjent nga puna. Për këtë arsye ne i drejtuam atij këto pyetje në lidhje me materialin e publikuar:

 Zoti Shkupi, çfarë mund të thoni për këtë ngjarje?

Unë mund të them se mafia shqiptare në bashkëpunim me pushtetarët tanë në detyrë dhe në ikje, duan të lënë pas, Tokë të Djegur. Ata duan që pas tyre gjithçka të mbetet e shkatërruar dhe e shitur.

Përse e thoni këtë?

Sepse drejtuesit në detyrë dhe në ikje, të Ministrisë së Mjedisit, ata që unë e kam quajtur  Ministria e Administrimit të “Ujërave të Ndotura dhe Pyjeve të Djegur”, këto ditë kanë vendosur të heqin nga inventari i Parkut Kombëtar të Dajtit, një pjesë të mirë të pyllit të Martaneshit, për t’ia kaluar një biznesmeni që e ka mbështetur gjatë fushatës elektorale.

Ku e keni mësuar ju, këtë informacion?

Kjo qarkullon në Ministrinë e Mjedisit që drejtohet nga Fatmir Mediu. Madje, një drejtor i Ministrisë që ka refuzuar këtë urdhër të tij e kanë larguar nga detyra.

A mund të na thoni emrin e këtij drejtori?

Besoj se ai do të dalë vetë, këto ditë që ta denoncojë ngjarjen, sepse manipulimi është shumë i rëndë. Por tani për tani nuk mund t’ua them emrin e tij.

Çfarë ndodhi më tej, me personin që e zëvendësoi këtë drejtor?

Personi që e zëvendësoi, ishte një grua. Dhe ajo e ka firmosur gjëmën.

Ju vetë, si e gjykoni këtë ngjarje?

Padyshim është me plot kuptimin e fjalës një masakër e rëndë. Si qytetar i thjeshtë i këtij vendi dhe si profesor i shkencave gjeologjike, unë këtë rast do e ndjek hapa pas hapi për të zbardhur të vërtetën. Denoncimi publik është vetëm një fragment i detyrës sime.

Përse e keni publikuar këtë në Facebook?

Që t’i bëj thirrje opinionit publik, që t’i ndalë dorën këtyre personave që shkaktojnë akte korrupsioni dhe që kalojnë gjithnjë pa lagur, megjithëse, nuk kanë lënë mashtrim pa bërë.

Sazan Guri: Autorët e skandalit të ndëshkohen sipas ligjit!

 Ky është një akt kriminal dhe fajtorët duhen ndëshkuar”. Kështu u shpreh, dje, për gazetën, “Telegraf”, kreu i Shoqatës së Ambientalistëve, Sazan Guri, i cili tha se aktualisht, mafiozët po bashkëpunojnë me drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe krerët e komunave, për të përfituar sa më shumë territore nga parqet kombëtare. Dhe kjo, sipas tij është për të masakruar pyjet shqiptare dhe për të dëmtuar lëndën drusore të pyjeve tona. Ai shtoi gjithashtu, se gjatë kthimit të tij nga Jugu i vendit kontaktoi se, me dhjetëra makina të mëdha shkonin përtej kufirit të ngarkuar me lëndë drusore, duke e transportuar jashtë vendit. Sipas tij, para se zyrtarët e shtetit shqiptar të ndërmerrnin këtë iniciativë mashtruese, ata kanë mundësuar ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e pyjeve, duke i lënë ato në mëshirë të fatit. Për këtë arsye, Sazan Guri u shpreh se, autorët e skandalit të mësipërm duhet të ndëshkohen ligjërisht sipas dispozitave tona.

Kozara Kati: Parqet kombëtare po shiten nga pushtetarët

 Termi Park Kombëtar e shpreh në vetvete përkatësinë e vet. Pra, e tregon që në momentin e parë se, cilit pronar i përket. E thënë më shkurt, Parku Kombëtar i përket kombit shqiptar dhe popullit shqiptar. Prandaj Parku Kombëtar nuk mund të konvertohet në park privat dhe nuk mund t’i jepet privatit. Sepse në këtë vend ka akte ligjore që e ndalojnë këtë konvertim, duke treguar rast pas rasti se bëhen veprimet ndaj tij. Në këtë mënyrë unë them se, shtetarët janë vënë në ato poste për të mbrojtur parqet tona kombëtare dhe jo për t’i shitur dhe masakruar ato. Por këtu po ndodh përditë e njëjta histori. Shtetarët dhe zyrtarët e lartë e kanë shitur atë copa- copa dhe ditë pas dite. Kjo padyshim është diçka e rëndë që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Prandaj, mendoj që secili prej nesh duhet të bëjë diçka aq sa të ketë mundësi për mbrojtjen e tyre.