Prof. Dr. Besnik Gjongecaj: Me këtë ligj janë “fuçi” baruti e lagur”, kurse qeveria fiton pushtet më të lartë në universitete

665
Sigal

Dalja në rrugë e studentëve vetëm se tregoi që kriza universitare ka kohë që është aty, nën fasadë. E vjetër sa edhe vetë tranzicioni shqiptar dhe e paralajmëruar prej kohësh. E njohur mirë nga shumë universitarë, por dhe kjo është e papranueshmja, e fshehur me kujdes nga sytë e publikut. Shpërthimi i saj, prandaj, ka vite që pritet të ndodhë, ashtu si pritet një shpërthim të ndodhë mbi llavën e ngrirë të një vullkani të vjetër. Ajo që i gjeti të papërgatitur universitarët, por edhe politikanët sigurisht, ishte si shkaku ashtu edhe targeti i protestës. Kë fajësonin dhe kujt ia adresonin kërkesat e tyre studentët, ja çfarë krijoi hutim dhe gjendje ankthi te faktorët universitarë dhe politikë. Më të dobëtit, i pranuan menjëherë universitetin dhe universitarët si shkaktarët e vërtetë të mjerimit, prandaj edhe të protestës. Të tjerët heshtën dhe pritën, duke menduar se vetëm koha mund ta shpërndajë mjegullën dhe nxjerrë në dritë skenën e krizës së vërtetë. Hutimi i fillimit u shfrytëzua mjeshtërisht nga kryeministri i vendit, i cili pasi krijoi një lëmsh psikologjik gjithëpërfshirës, arriti të dalë në majë të tij dhe të bëjë më të paimagjinueshmen: T’iu premtojë studentëve se do të vihet në krye të tyre për plotësimin e kërkesave!? Duke lënë të kuptojë se nuk është ai, qeveria, por universitetet shkak i protestës. Dhe gjithë këtë komedi arriti ta luajë pa i bërë njerëzit të qeshin.

Koha e shpërndau hutimin e parë dhe njerëzit, jo vetëm universitarët, madje edhe ata më të hutuarit, por edhe universitarët më mëkatarë, arritën të kuptojnë se të paktën vetëm fakti që studentët nuk protestuan të veçuar nga një universitet te tjetri, nuk protestuan brenda universitetit, të cilit i takojnë apo përballë profesorëve dhe autoriteteve akademike, përkundrazi, dolën nga muret e universiteteve dhe u bashkuan të gjithë përballë godinave qeveritare, tregoi qartë që protesta kishte kryeministrin dhe qeverinë përballë vetes. Shpesh studentët artikulonin një gjë tjetër, por ajo që ndodhte realisht komandohej nga instinkti i tyre, i cili sundoi mbi interesat, prapaskenat, dobiçllëqet. Instinkti i turmës, më shumë se sa përgatitja e studentëve për demokraci, i vendosi natyrshëm studentët përballë qeverisë dhe jo përballë universiteteve.

Ndërsa epilogu ishte vërtet i trishtë: Studentë që tërhiqen ngadalë për të humbur, tretur, brenda godinave universitare dhe kryeministri që lëshon në eter ekzaktësisht atë që nuk është tokësore, reale: I kemi dhënë shumë autonomi universiteteve, aq sa, universitetet e kthejnë në krizë atë. Në mënyrën më tragjikomike, kryeministri i vendit e gjen bash-shkakun e krizës atje ku nuk është dhe nuk mund të jetë: Tek autonomia universitare apo te fuqia demokratike e universiteteve.

 

Ligji: Universiteti qeveriset nga Qeveria dhe jo universitarët

Standardi

Standardi perëndimor i qeverisjes së universitetit është balancimi i pushtetit të publikut (brenda të cilit përfshihet edhe pushteti i qeverisë) me pushtetin e vetë universitetit. Paralel me të, prandaj, edhe balancimi i natyrshëm i llogaridhënies së jashtme të universitetit (external accountability: llogaridhënie ndaj qytetarëve, financuesve dhe qeverisë – stakeholders) me llogaridhënien e brendëshme të tij (internal accountability). Llogaridhënia e brendëshme e universitetit ka të bëjë me administrimin e pjesës akademike dhe të pjesës burimore: burimet financiare, materiale, njerëzore. Standardi perëndimor materializohet vetëm kur politika vendos që universitetet të shndërrohen në institucione autonome, dmth të marrin pushtetin (përgjegjësinë) dhe paranë e nevojshme për të zgjidhur problemet që lindin te to. Madje, sa më shumë pushtet që marrin universitetet, aq më llogaridhënës duhet të jenë ndaj publikut dhe aq më efektivë dhe transparentë duhet të bëhen brenda vetes.

Llogaridhënien apo komunikimin me shoqërinë në përgjithësi (ku përfshihet edhe qeveria), universiteti e realizon me anë të Bordit të Jashtëm, i cili nuk është pjesë integrale e universitetit. Ky Bord i jep universitetit jo vetëm paranë, por, nëpërmjet ligjit, edhe mjetet me të cilët universiteti qeveris vetveten si dhe formaton llogaridhënien e jashtme. Këto mjete apo mekanizma janë kontrolli i cilësisë, modeli i financimit, madhësia dhe delegimi relativ i pushtetit (parimi i subsidiaritetit), ”checks and balances”, etj. Universiteti qeveris vetveten me to, por i përdor njëkohësisht edhe si forma të qarta llogaridhënie para shoqërisë dhe qeverisë. Bordi i Jashtëm bën pikërisht këtë gjë: Kontrollon se si universiteti i përdor këto mjete në zhvillimin e tij dhe nga ana tjetër, vetë universiteti, e shfrytëzon Bordin e Jashtëm për të komunikuar me shoqërinë në përgjithësi dhe për t’i treguar asaj, përmes raportimeve të hollësishme, se si po zhvillohet për shkak të zbatimit të këtyre mekanizmave apo e kundërta, si po tkurret për shkak të abuzimit me to. Në këtë rast pushteti dhe kontrolli i tij balancohet natyrshëm.

Manipulimi

Në Ligjin ekzistues, Bordi i Jashtëm bëhet zero (sa lehtësisht thyhet një standard në Shqipëri!) dhe krijohet një strukturë administrative dele-dash brenda universitetit, e cila emërohet Këshill i Administratimit. Ky Këshill përbëhet nga universitarë dhe të deleguar të qeverisë. Meqënëse raporti në përbërjen e tij varet nga “pronësia financiare”, atëherë, vetëm me një përjashtim, i bie që qeveria të ketë shumicën në këtë Këshill në çdo universitet të vendit. Nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Këshillin Administrativ, qeveria fiton pushtetin më të lartë brenda universitetit aq sa, asnjë autoritet dhe strukturë akademike nuk mund ta cenojë atë. Është edhe më shumë se kaq. Universitarët humbin vlerën e votës pa e kuptuar, madje edhe pse zgjedhja e autoriteteve universitare nuk iu mohohet kurrsesi. Ata zgjedhin një Rektor kukull, një Senat po aq kukull, një tufë autoritetesh kukulla e një grumbull strukturash universitare që iu ngjajnë bashkimeve profesionale të dikurshme. Prania e Këshillit Administrativ nuk i jep autoriteteve dhe strukturave akademike as mundësinë e përcaktimit të numrit të personelit akademik, shkencor, ndihmës. Çdo gjë kalon te Këshilli Administrativ dhe autoritetet universitare, vetë universiteti pra, nuk është aty, brenda Këshillit. Në vend që të qëndrojë jashtë universitetit (Bordi i Jashtëm) dhe të kontrollojë, përmes mekanizmave të përmendur performancën e universitetit, qeveria hyn brenda universitetit dhe e komandon atë në çdo hap të tij.

Pasojat e manipulimit

Gjymtimi i balancës së qeverisjes universitare si një kombinim i llogaridhënies së jashtme-Bordi i Jashtëm (external accountability), me menaxhimin e brendshëm (Këshilli Administrativ: menaxhim i burimeve; plus Senati: administrim i çështjeve akademike) nëpërmjet eliminimit të njërës anë të kësaj balance – Bordit të Jashtëm, nxjerr nga funksionimi mekanizmin “checks and balances”, gjë që deformon plotësisht shpërndarjen dhe kontrollin e pushtetit brenda universitetit si institucion. Pushteti i shoqërisë nuk balancohet me atë të universitetit dhe si i tillë, kjo e bën të pamundur kontrollin e aktivitetit universitar, por edhe të efektivitetit të përdorimit të parasë publike brenda universitetit. Qartësisht, qeveria dhe universiteti nuk mund të ndërtojnë më marrëdhëniet mbi bazë të parimit “checks and balances”, por vetëm mbi bazë të imponimit të pushtetit, pra mbi bazë të urdhrit. Ligji e bën copë e çikë këtë parim dhe ia transferon mandatin e Bordit të Jashtëm një strukture të brendshme universitare, Këshillit të Administrimit. Është kjo arsyeja pse ndërtimi strukturor i universitetit shndërrohet në një lëmsh të vërtetë. Kjo situatë e shpërfytyruar strukturore bën të mundur që të zerohen, apo në rastin më të mirë, të deformohen njëherazi edhe disa parime të tjera të rëndësishme në ndërtimin e institucioneve, sepse: e para, ngarkon një strukturë të brendshme për të dhënë llogari edhe të jashtme edhe të brendshme njëkohësisht, kur dihet që qeveria edhe do të ketë shumicën, edhe do ta drejtojë këtë strukturë (Këshilli i Administrimit), çka e çon qeverinë (qeveria bëhet pjesë e universitetit dhe kontrollon brenda tij paranë që e ka dhënë vetë) në një konflikt të thellë interesi; ndan universitetin në dy pjesë pa u kujdesur të vendosë një lidhje midis tyre (administrimin dhe çështjet akademike), gjë që do të ulë dramatikisht efektivitetin e qeverisjes universitare edhe sepse midis dy pjesëve nuk ka dhe nuk mund të funksionojë mekanizmi “checks and balances”, si dhe, edhe pse të dy pjesët e të njëjtit trup (universiteti) do të kenë dy autoritete të pavarur nga njëri tjetri: kryetar i Këshillit dhe rektor i Universitetit. Efektet anësore të gjithë këtij lëmshi institucional janë dy: mosrespektim i parimit të sinergjizmit (funksionimi i universitetit si bashkëveprim i pjesës së administrimit me pjesën akademike prodhon një energji zhvillimi shumë më të madhe se në rastin kur operohet veçmas) dhe gjymtim i parimit të përfaqësimit, sipas të cilit, autoriteti universitar është një individ që jo vetëm është një zgjidhje e përbashkët, por edhe përfaqësues i shqetësimeve dhe aspiratave të çdo universitari, gjë që do të thotë se është e pamundur që i njëjti universitet të ketë dy autoritete të ndryshme me të njëjtin legjitimitet përfaqësimi dhe në të njëjtën kohë. Në këtë pikëpamje, po citoj atë që një ekspert i njohur i Këshillit të Evropës, me të cilin kam bashkëpunuar vite më parë, e ka të shkruar në një dokument të rëndësishëm për Shqipërinë: “Megjithëse disa universitete të vendeve perëndimore kanë zgjedhur një sistem dualist ku ndahen çështjet akademike nga ato të administrimit, struktura administrative është gjithmonë e varur nga autoritetet dhe strukturat akademike dhe rektori është i vetmi përfaqësues i universitetit”.

Njerëzit ndërtojnë institucionet përmes ligjit. Vetë institucionet ekzistojnë si të tilla, më vete, nëpërmjet ligjit, pra nëpërmjet një sistemi rregullash dhe pa pasur rrezikun e sundimit nga jashtë. Për shkak të universalitetit, disa prej këtyre rregullave quhen edhe parime. Të tilla si parimi “cheks and balances” (parimi i balancimit të pushteteve dhe kontrollit reciprok midis tyre”), parimi “subsidiarity” (parimi i shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël), parimi i “zgjidhjes së problemit atje ku lind”, etj. Thyerja e këtyre parimeve apo moszbatimi i tyre gjatë ndërtimit të një institucioni ose, që është e njëjta gjë, gjatë përgatitjes së një ligji, ashtu si te ndërtimi i një shtëpie kur nuk balancohen ngarkesat, peshat, trarët mbajtës, çon herët a vonë në shembjen e vetë institucionit. Në rastin e ndërtimit të universiteteve, parimet e përmendura ose nuk janë zbatuar, ose janë shpërfytyruar, bërë copë e çikë, para se të zbatohen. Veçanërisht parimi i balancimit të pushtetit të qeverisë dhe pushtetit të universitetit si dhe kontrolli i tij, pa mohuar aspak mungesën e zbatimit të parimeve të tjera. Futja e qeverisë me anë të bordeve të administrimit brenda universitetit, si dhe me anë të strukturave gjasme “ndërmjetëse” brenda sistemit të arsimit të lartë, e ka prishur balancën e pushtetit (the balance of power) dhe kontrollin e saj. Nëse tentojmë të shkojmë te shkaku më i thellë i krizës së sotme universitare, menjëherë do të identifikojmë Ligjin si të tillë. Ligji ndërton keq ngrehinat e universiteteve dhe prandaj, le brenda tyre edhe shkakun e rrëzimit. Meqenëse vetë universitetet janë edhe qendra të mëdha të grumbullimit të rinisë, rrëzimi i tyre paralajmërohet edhe si një shpërthim social. Ja pse, sistemi i arsimit të lartë të këtij vendi mund të karakterizohet si një fuçi baruti, që në rastin më të mirë është një fuçi baruti e lagur.