Prof. Dr. Agron F. Fico: Ju shpreh nderimin më të lartë dhe mirënjohjen e pamasë për vlerësimin

700
Sigal

Mësuesit tanë ishin atdhetarë të ditur, njerëz të përkushtuar dhe edukatorë të ndritur

Gjirokastër,  27 shtator 2014

     Ju përshëndes dhe ju ngalas veças dhe të gjithë bashkë duke shprehur nderimin më të lartë timin e të familjes që më shoqëron dhe mbi të gjitha mirënjohjen e pamasë për vlerësimin dhe vendimin tuaj fisnik për të më dhënë titullin “Qytetar nderi i qytetit të Gjirokastrës”.  

   Në një hark kohor mbi gjysmë shekullor në fushën e mësimit, të shkencës dhe të jetës publike, frymëzuar nga ideale atdhetare kombëtare, kam krijuar një bibliotekë librash, studimesh dhe artikujsh të pamasë, prandaj kam pasur dhe kam marrë vlerësime, grada shkencore dhe tituj të ndryshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kinën Popullore si dhe në Shqipëri. Kjo që më jepni ju sot është më e ndritura, më e çmuara, më e vyera, në vargun e arritjeve të mia, sepse mban vullnetin, dashurinë dhe vulën e gurtë e të shenjtë të Gjirokastrës ku u linda dhe u edukova, u përgatita për këto sfida intelektuale të shquara. Ky nder, ky vlerësimi juaj bujar dhe atdhetar nuk më takon vetëm mua. Ky vlerësim u takon:

Së pari: Mësuesve të mi, që nga klasa e parë fillore tek shkolla e “7 Krojeve” e lagjes Meçite, mësuesit të paharruarit të klasës së parë, Ferhat Kërit dhe të klasave të tjera, mësuesve Muzafer Asllani, Sadik Çelo, Vangjel Nasto etj., si dhe mësuesve të shkollës së mesme “Asim Zeneli” si atdhetarit gjuhëtar Thoma Papapano e shumë mësuesve të tjerë. Mësuesit tanë ishin atdhetarë të ditur, njerëz të përkushtuar dhe edukatorë të ndritur. Meritojnë mirënjohje të përjetshme!

Së dyti: Ky nder e vlerësim u takon edhe njerëzve të thjeshtë të qyteti tim të dashur, atyre që në vitet e vështira të fëmijërisë së varfër, kur në shtëpi jetonim me furkën e nënës, bënë peticion tek Ministri i Arsimit dhe fitova të drejtën e mësimit e të jetesës në konvikt me bursë shteti. Njerëz të thjeshtë, si gruaja e dhembshur e  fisnike Taibe Çabej, që në vitin 1953 kur kisha mbaruar me medalje të artë shkollën e mesme, drejtori i asaj kohe me manovra djallëzore të drejtën time për studime jashtë shtetit ia dhe të kunatës, Taibeja i doli përpara ministrit të Arsimit Bedri Spahiu dhe i kërkoi që të rishikohej padrejtësia e bërë.

Nderimi u takon edhe njerëzve të zgjedhur e të përkushtuar si zoti Flamur Bime që, kur më 2009, pas shumë vitesh mërgimi erdha në Gjirokastër, dhe dukesha sa i gëzuar edhe i stresuar që nuk kisha njerëz të afërt, më tha: “Eja Agron, sa herë të duash në Gjirokastër dhe të gjitha portat e saj do t’i gjesh të hapura!

E treta dhe kryesorja, ky nder e vlerësim i takon në radhë të parë familjes sime, bashkëshortes, Lirisë, që në jetën plot arritje dhe sfida serioze më qëndroi përkrah dhe ndau me mua përgjegjësitë. Madje ajo, kur gati çdo mëngjes  në Nju Jork,sa herë dëgjoja të regjistruar këngën e  Petrit Lulos “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tërë” edhe pse  hiqej si “opozitare” dhe më thoshte : Pse himn është kjo këngë” dhe merrte përgjigjen time: “Po, se Gjirokastra është qytet-kontinent” në fund qeshte dhe thoshte një: “Mirë, ke të drejtë!”. U takon vajzave të shtrenjta, Albanës, Delinës dhe Martynit, nipit, që më kanë dhënë përkrahje e dashuri të pamasë dhe kanë mbajtur  lart në jetë e në veprimet e tyre kodin tim gjirokastrit. Historia, kultura e lashtë, e pasur, veprimtaria politike atdhetare kombëtare e Gjirokastrës e kanë vënë këtë qytet në qendër të mjaft ngjarjeve të mëdha, përfaqësuar nga personalitete të shquara në fushën e gjuhës, letërsisë, politikës, diplomacisë dhe veprimtarive kulturore.  I brumosur me këtë dashuri të tejskajshme për Gjirokastrën dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm e kam paraqitur këtë qytet në tribuna të njohura të botës, si në organizimin e 70-vjetorit të ditëlindjes së Kadaresë në një mjedis madhështor të Nju Jorkut apo në simpoziumin për gjuhëtarin e madh Eqrem Çabej etj.. Ndryshimi historik me zgjedhjet e 23 Qershorit dhe zbatimi i programit madhështor të “Rilindjes” Gjirokastrës, si gjithë Shqipërisë, po i hap mundësi të gjera zhvillimi, të cilat ishin penguar qëllimisht nga qeveria e Berishës. Gati një vit dhe Gjirokastra gumëzhin nga punët dhe veprimtaritë kulturore-artistike. Mbajta e Festivalit Folklorik kombëtar ne Gjirokastër më 4-9 prill të vitit  2015, jo vetëm na nderon , por  na vë edhe përgjegjësi të mëdha dhe, mbi të gjitha, kërkon  një punë të madhe që të fitojmë vendin e parë. Të punojmë bashkërisht me frymëzim rilindës që Gjirokastra të bëhet më e fuqishme si ekonomi, më e bukur dhe më tërheqëse për të gjithë. Edhe një herë faleminderit!

Falënderim drejtuar gazetës “Telegraf”nga Prof. Agron Fico, me rastin e marrjes së titullit “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”

  I dashur zoti Engjëll Musai!

 Faleminderit për përkrahjen e çmuar në prag të shpalljes si “Qytetar Nderi  i Qytetit të Gjirokastrës!”

Ditën e shtunë, ora 12:00 tek hotel “Çajupi” u zhvillua një ceremoni tepër e veçantë. U krijua një mjedis i ngrohtë, i sinqertë, njerëzor, pa lavdërime artificiale, po me një “det” vlerësimesh dhe kujtime nga ish nxënës, studentë dhe kolegë në Gjirokastër dhe Tiranë… Dokumentari i përgatitur nga vajza, Delina, shkurt jepte rrugëtimin tim nëpër dekada. Rrallë kam provuar ndjenja të tilla njerëzore dhe të sinqerta.

Natyrisht, gjirokastritët, si gjithë shqiptarët, lexojnë gazeta dhe merren me politikë. Kështu shkrimet e gazetës “Telegraf” kishin krijuar një atmosferë gëzimi dhe nderimi. Fjala e Dekanit të Fakultetit të Gjuhësisë së Universitetit “Eqrem Çabej” ishte  një sintezë e bukur shkencore për veprimtarinë akademike, albanologjike time. Mjaft kujtuan vitet shkollore dhe universitare. Pas fjalës së Kryetarit të Bashkisë, zoti Flamur Bime, fola edhe unë.

   Edhe njëherë faleminderit!

     Prof. Agron F. Fico

“QYTETAR NDERI” fjalë  baraspeshë me kontributin tuaj që keni dhënë  për atdhetarizëm

Urim nga Kosova nga Prof. Dr. Xhemil  Bytyçi-Shkrimtar

PROF.DR. AGRON FICO, “QYTETAR NDERI I GJIROKASTRES”

                              ME 27.09.2014

I nderuari Prof. Dr. Agron Fico, urimet e përzemërta për titullin më të çmueshëm që populli ju dekoron me “Qytetar Nderi i Gjirokastrë”.

I nderuar popull gjirokastrit, edhe juve ju përshëndes, njëkohësisht edhe unë, nga Kosova, në këto çaste të manifestimit, ju bashkohem në përgëzimin madhështor që prof .dr. Agron Ficon e dekoroni me titull tejet të çmueshëm  “QYTETAR NDERI”, e cila fjalë del nga goja e popullit, të cilin titull  ai e meriton.

Prof. Fico, ju ishit ai që në faqet e atdheut latë gjurmët me vepra dhe fjalë të arta, sepse ky popull e meritonte.

Populli shqiptar me shekuj ishte i shtypur dhe i deprimuar  nga faktorët më të ndryshëm të sistemeve shoqërore gjatë shekujve. Por edhe kundrejt presioneve shoqërore  kërkonin që Kombit  shqiptar të ia zhdukin identitetin ,por këtë nuk arritën, meqenëse populli qëndroi  stoikisht kundrejt erërave dhe stuhive shkatërruese të regjimeve të ndryshme. Populli shqiptar kishte edhe personalitete të shtyllës së drejt përmbajtësore të kombit. Në këtë rrjedhë edhe ju Prof. Fico ishit një personalitet i fuqishëm në aspektin kombëtar.

Me të drejt populli e çmon dhe respekton personalitetin e juaj meritor. Prandaj populli Gjirokastrit, ju ka shpallur “QYTETAR NDERI” këto fjalë janë baraspeshë me kontributin tuaj që keni dhënë  për atdhetarizëm .

I nderuari ,prof Agron,ju përshëndes përzemërsisht,dhe ju dëshiroj  jetë të gjatë dhe të lumtur dhe me veprat e juaja të ardhshme edhe më tepër ta lumturoni Kombin shqiptar. Popullit gjirokastrit i dëshiroj  çaste të këndshme me prezencën e Prof. Dr. Agron Ficos.

Prishtinë , 27.09.2014.

PËR GJIROKASTRËN, NJË DIAMANT MË SHUMË…

Sejmen Gjokoli

 -Në ditën e dorëzimit të Titullit “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” -Prof. Agron Ficos

Kam patur rastin ta takoj e ta njoh nga afër  dy dekada më parë. Atëherë , në moshë, ishte kaq sa jam unë sot, por për habi më duket se është njëlloj si atëherë; me të njëjtin vitalitet, me të njëjtin pasion, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri në shërbim të kulturës , gjuhës, albanologjisë, etnokulturës dhe publicistikës.

Atëhere vetëm se kishte përcjellë një lajm të transmetuar përmes ekranit të TVSH lidhur më përurimin e një Grupi Folku me emrin “Bilbili” dhe rrahu dynjanë deri sa më gjeti, fjalë pas fjale, për të më pritur në banesën e Tij ku do të flisnim gjatë për këngën dhe trashëgiminë, si vlera të mëdha kombëtare. Dhe kështu fluturimin e parë drejt skenave jashtë vendit “ Bilbili” do ta bënte jo vetëm me bekimin por edhe përpjekjet e drejtpërdrejta të Profesorit.

U gëzua tej mase, edhe si një siguri për çka më kishte folur për folklorin tonë, kur  i dhashë haberin se nga juria ishim shpërblyer me “Çmimin e parë për Folklorin”

Ditën e Shtunë, data 27 shtator 2014, duke shkuar drejt qytetit të Gjirokastrës, si magnet më tërhiqte mirësia dhe hijeshia e këtij gjirokastriti emër mirë.