Prof. Dine Merja/ Ringritja e kërkimit shkencor

775
Reforma që u krye për shkencën duke shkrirë ish-institutet kërkimore në shkallë vendi, në gjykimin tim ishte e gabuar dhe shkatërrimtare. Kërkimi shkencor në regjimin monist ishte masiv,i shtrirë në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike-shoqërore të vendit, por me një sërë defektesh të diktuara nga vet sistemi politik totalitar. Atëherë vetëm në sferën e bujqësisë zhvillonin aktivitetin kërkimor rreth 15 institute kërkimore të orientuara për drejtime kryesore të kulturave ose grup-kulturave bujqësore me rëndësi për prodhimin si: instituti i drithërave, i frutikulturës, i perimeve dhe patates, i ullirit dhe agrumeve, i kulturave foragjere, i misrit dhe orizit, i duhanit, i panxharit të sheqerit, i pylltarisë dhe bimëve etero-vajore, i mbrojtjes së bimëve si dhe i studimit të tokave bujqësore, mobilimit të saj, i kërkimeve zooteknike dhe veterinare etj. Institute analoge kishte çdo ministri lidhur me problematikën prodhuese dhe kërkimore të tyre, veçanërisht për kërkimet gjeologjiko-minerare, për teknologjinë industriale, naftën dhe gazin, mjedisin dhe mbetjet urbane, higjienën dhe epidemiologjinë, pediatrinë, pneumologjinë, mjekësinë popullore dhe ushtarake, mbrojtjen e vendit, materialet e ndërtimit, projektimet industriale dhe urbane, studimeve dhe projektimeve mekanike etj. 

Në sistemin e Akademisë së Shkencave, funksiononin gjithashtu disa institute albanologjike (instituti i gjuhësisë dhe historisë, i arkeologjisë, i etnografisë etj. ) dhe të shkencave natyrore e teknike me karakter aplikativ si: instituti i fizikës bërthamore, i biologjisë, i informatikës dhe matematikës së aplikuar, i hidrometeorologjisë, i studimeve dhe projektimeve hidraulike, i sizmologjisë etj. Megjithë përmbajtjen ideologjike dhe partiake të tyre me pasoja penguese për zhvillimin shkencor, ato prapë se prapë jepnin një kontribut mjaft të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve me rëndësi të veçanta albanologjike dhe ekonomike për vendin. Debati i provokuar së fundi lidhur me reformimin e kërkimit shkencor, ndonëse i vonuar ka në thelb konstatimin e degradimit deri në shkatërrimin e kërkimit shkencor pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Ky shkatërrim në gjykimin tim shoqëroi çdo qelizë të jetës shoqërore dhe ekonomike, kështu që nuk mund të mos përfshinte edhe kërkimin shkencor. Për fat të keq në vend që reformimi postkomunist të synonte në flakjen e ujërave të ndotura, ruajtjen e fëmijës brenda dhe modernizimin e mëtejshëm të shkencës, në përputhje me interesat e vendit, u mor me flakjen e gjithçkaje nën flamurin e “gogolit të komunizmit dhe të sovjetëve”,”të socializmit dhe enverizmit”, u nihilizua çdo vepër para “demokratike” me gjoja “aromë komuniste” për ta zëvendësuar me “lugë të florinjtë të çekut të bardhë”. Këta “reformatorë” bënë e çfarë nuk bënë, u gdhinë politikanë, qeveritarë, deputetë, ministra, rektorë, profesorë, akademikë, komisionerë reformimesh, ideatorë ndryshimesh, antilindorë, pro perëndimorë, por mbi të gjitha të mirëpaguar. Pse ky shkatërrim që një popull i tërë kishte shtrënguar rripat për gjysmë shekulli e madje në kushte diktatoriale dhe izolimi politik, për kërkimin shkencor, zhvillimin arsimor, shëndetësor, kulturor, bujqësor dhe industrializimin e vendit, e bënë shkrumb e hi për inat të “komunizmit” dhe në emër të “demokracisë”. Përse nuk koregjove defektet e komunizmit dhe të futje të mirat e demokracisë. 

Personalitete dhe akademikë të shquar

“Reformatorët” nuk i bënë shërbim vatanit, por u morën me xhihanët, pse aq shkelje dhe mosmirënjohje për traditën shkencore pozitive kombëtare 50-vjeçare, për themeluesit dhe hulumtuesit e kërkimit shkencor në Shqipëri: Kostaq Cipon, Aleksandër Xhuvanin, Aleks Budën, Eqerem Çabejn, Shaban Demirin, Mahir Domin, Kristo Frashërin, Skënder Anamalin, Selim Islamin, Hasan Cekën, Sotir Kuneshkën, Niko Thomon, Kol Popën, Minella Karajanin, Islam Zekon, Kol Papariston, Ilia Mitrushin, Mustafa Demirin, Aleko Mingën, Kristian Bukuroshin, Islam Rusin, Petrit Radovickën, Pandi Stratobërdën, Petraq Xhaçkën, Koço Plakun, Vasfi Samimin, Mentor Përmetin, Dhimitër Vavakon, Zef Kakariqin, Anton Ashtën, Frederik Shirokën, Shefqet Ndroqin, Selaudin Bekteshin, Azmi Dibrën, Ali Mollohollin, Anton Lufin, Besim Dajën, Koço Mihon, Eqrem Dobin dhe shumë shkencëtarë dhe arkitektë të tjerë të nderuar që dhanë një kontribut të shquar në zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës, shoqërisë dhe ekonomisë së vendit, idealistë nga shpirti patriotik, të pa shpërblyer sa duhej ekonomikisht, mbi 75% e tyre të shkollës perëndimore dhe paparti, ndërsa tashti të etiketuar edhe “komunistë e sovjetik” nga ndonjë “reformator demokratikas”. 

Në opinionin tim, zakonisht reformatorët mediokër, të pa aftë dhe dështakë, të çdo sistemi politik, shpesh për të mbuluar marrëzitë, shkatërrimet dhe dështimet e reformave të ideuara apo mbështetura prej tyre, janë karakterizuar si dje edhe sot me militantizmin dhe mbështetjen partiake, me etiketimet e “borgjezit e mëndjemadhit” dje dhe me “gogolin komunist apo sovjetik” sot, me deklarimet se ku kanë qënë,ku kanë studjuar e me kë janë takuar dhe jo me çfarë i kanë dhënë kombit të tyre, janë marrë me “thashetheme e lëvdata por jo me shata e lopata” dhe produkti është ai që përjetuam dhe përjetojmë. Këtyre “reformatorëve, bashkë me Xhonët dhe Xhinët e tyre” do t’iu kërkoja të krahasonin veprat personale të tyre me një nga personalitetet e sipërpërmendur, të krahasonin veprat dhe vlerat e zhvillimit ekonomiko-social në Shqipëri në një çerek shekulli para “demokratik shqiptar” (1945-1970) dhe një çerek shekulli post “demokratik shqiptar” (1990-2015). Natyrisht në rast se do ta bënin këtë vlerësim pa syzet “reformatore” të tyre, le të përdridhen shtrembër por të flisnin drejt. Sistemin demokratik e duam shumë, e kemi ëndërruar shumë, veçanërisht personalisht që kam vuajtur e jam persekutuar nga disa bajga të ish-sistemi diktatorial, pikërisht për disa mendime shkencore ndryshe antipartiake të atij sistemi, por kam qenë dhe jam për një demokraci të vërtet që e lartëson shoqërinë, jo ta shkatërrojë atë. 

Shkrirja e instituteve shkencore 

Qeveritë postkomuniste, krahas eliminimit të instituteve kërkimore, eliminuan gradualisht edhe vet strukturat qendrore drejtuese pranë qeverisë. Kështu, këto qeveri pas rënies të sistemit totalitar gjetën si pjesë të qeverisjes së vjetër edhe një Komitet të Shkencës dhe Teknikës pranë Këshillit të Ministrave të cilin e shkrinë duke e bërë atë një apandesit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por më pas edhe kjo formë u eliminua duke e zëvendësuar me sportet. Por pa shkencë, pa kërkim shkencor serioz nuk mund të ketë zhvillim në asnjë fushë të ekonomisë së vendit, veçanërisht në mjekësi, mjedis, përpunimin e mbetjeve urbane dhe industriale, në prodhimin agroushqimor, bioteknologjik, industrial, energjetik, gjeologo-minerar, hidrometeorologjik, hidroteknik, pedologjik etj. Shkenca dhe kërkimi shkencor janë domosdoshmëri e zhvillimi ekonomiko-social për një vend. Studimi dhe shfrytëzimi i resurseve natyrore me metodat dhe teknologjinë më të avancuar, studimi dhe zhvillimi i biodiversitetit, zhvillimi i bizneseve në të gjitha fushat nuk mund të ecin pa kërkimin dhe mbështetjen shkencore, në mbrojtje të interesave kombëtare. Gjëja më e thjesht dhe më e lehtë për të hequr qafe një ndërmarrje të vështirë është padyshim të mos merresh fare me të. Mirëpo në rastin e shkencës, pa të mbetesh ai që je, nuk bën përpara ose çdo ecje do të ishte tepër e kushtueshme, praktikisht kthehesh në protektorat ose koloni të vendeve më të zhvilluara. Në qoftë se kanë dështuar qeveritë e mëparshme me shkencën dhe kërkimin shkencor, gjykoj se duhen analizuar shkaqet e dështimit dhe të kryhen reforma rrënjësore organizative-strukturore duke angazhuar me kërkimin shkencor jo militantët partiakë, por ekselencën e përzgjedhur të kombit. Tashmë një reforme radikale të kërkimit shkencor duke përfshirë edhe vet Akademinë e Shkencave “komuniste”, ”sovjetike” apo “demokratike”, por duke u bazuar, vlerësuar e nderuar traditën tonë pozitive të kërkimeve shkencore. 
(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal