Prof. Begë Musta: 22 prilli, Dita ndërkombëtare e tokës

772
Alarm… Ndal shkatërrimit të tokës dhe mjedisit
Dita e 22 prillit, ka hyrë në traditën e vendit tonë si dita e veçantë që i kushtohet mbrojtjes dhe kujdesit për tokën. Problemet e tokës janë të shumta dhe shqetësuese. Peshën më të madhe të tyre e zënë ato që lidhen me fenomenin e degradimit dhe shkretëzimit, si procese shkatërruese që çojnë në humbjen e vlerave dhe funksioneve prodhuese dhe mjedisore të saj. Këto dukuri vijnë si rezultat i veprimit të drejtpërdrejtë të faktorëve natyrorë dhe atyre njerëzorë. Kushtet klimatike janë shpesh mbizotëruese në nxitjen e këtyre dukurive. Thatësira e zgjatur apo reshjet e dendura, pjerrësitë e mëdha të shpateve dhe mungesa e mbulesës bimore në to, kanë çuar në humbjen dhe shkatërrimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës dhe vlerave të saj agro-prodhuese. Po kaq e rëndësishme, ndonjëherë edhe më shumë, ne favorizimin e këtyre proceseve ndikon edhe veprimtaria e njeriut. Degradimi fizik i tokës, shkaktohet nga gërryerjet, shembjet, shkarjet masive, kripëzimit i tepërt, zënien nga ndërtimet, fragmentimin e thellë dhe në parcela shumë të vogla të tokës, degradimin e plotë të sipërfaqeve të tarracuara para vitit 1990, në sipërfaqet e pjerrëta kodrinore-malore, tokat pranë shtretërve të lumenjve, përrenjve etj. Këta faktorë, prishës dhe shkatërrues, ndikojnë me shpejtësi edhe në degradimin e ekosistemit pyjor-kullusor dhe të tokave pyjore, që vijnë për shkak të prerjes së pyjeve, prishjen e strukturës moshore dhe llojeve të drurëve, shpyllëzimet nëpërmjet hapjes së tokave të reja, mbi kullotjen etj. Mjedisi ynë, me bukurinë dhe larminë e tij, është ndoshta nga më të veçantët, ndër territoret evropiane. Zonat ndërthuren me njëra tjetrën, me një bukuri të admirueshme, të cilat përshkohen nga një rrjet i pasur ujor, në të gjithë territorin e vendit etj. Ky peizazh, me ndryshueshmëri e larmi specifike, shoqërohet edhe nga një klimë po aq e ndryshueshme, ku shirat përbëjnë elementin më erodues e degradues për gjithë sipërfaqen e territorit tonë, duke mos harruar edhe lumenjtë, me prurjet e tyre të fuqishme dhe rrëmbyese. Natyrisht, kushtet gjeo-klimatike për çdo vend janë një “dhurate” e natyrës, para së cilës njeriu ndjehet i pafuqishëm për të bërë gjëra “të mëdha”. Ajo ç’ka varet prej njeriut, është ndërhyrja për ti drejtuar ato në sensin e duhur dhe pozitiv, për të balancuar efektet e natyrës dhe për ti kthyer të mirat e saj në dobi të tij. Jemi dëshmitarë të përmbytjeve dhe dëmtimeve të mëdha, që janë shkaktuar vitet e fundit në rajone të ndryshme të vendit. Në situatën që kemi, kanë vepruar dhe veprojnë një sërë faktorësh tepër të dëmshëm si: prishja e kanaleve kullues dhe ujitës, prishja e pritave malore dhe antierozive, shfrytëzimi pa kriter i shtretërve të lumenjve për inerte, shkatërrimi i argjinaturave dhe veprave të artit, praktikat dhe mënyrat e gabuara të punimeve, braktisja e tokave, prerja e pyjeve, mungesa e regjistrit themeltar të pronësisë mbi tokën, shpërngulja e popullsisë, zënia me ndërtimet informale, etj, të cilat kanë sjellë dëmtimin masiv të sipërfaqeve të konsiderueshme të tokës bujqësore dhe vlerave të saj agrobiologjike. Si shkak i mos ndërhyrjeve me masat e duhura ndaj këtyre fenomeneve, sot ndodhemi para një realiteti të padëshiruar; me humbje të mëdha të tokës, shkatërrim të mjedisit, dëmtime të shumta ekonomike, dëmtime në njerës dhe në gjënë e gjallë. Kemi shfaqje të fenomeneve të kohëve të shkuara, primitive; si rikripëzimi dhe rimoçalimi i tokave në sipërfaqe të konsiderueshme, fragmentizimin e thellë dhe në parcela shumë të vogla të tokës bujqësore, ku nga 180 000 parcela me sipërfaqe 36 ha, secila, para vitit 1990, sot kemi mbi 1.8 milion parcela me madhësi 0.5-1 ha. Në këto 27 vjet tranzicion në 300 000 hektarë janë ndërtuar rreth 400 000 ndërtime informale.

Kemi shifra alarmante të erozionit. Në mënyrë të përmbledhur, humbjet e sipërfaqes së tokës llogariten, përafërsisht, nga 20 deri 70 ton/ha në vit, e në raste të veçanta edhe më shumë se kaq. Ndërkohë që nga rrjeti ujor lumor i vendit gërryhen, transportohen e shkarkohen në det, mbi 60 milionë ton materiale të ngurta në vit, në përbërje të cilave janë rreth 1.2 milionë ton humus, 100 mijë ton kripëra të nitrateve, 60 mije ton kripëra të fosforit dhe 16 mijë ton kripëra të potasit. Këto shifra, për vendin tonë janë shqetësuese dhe të rënda, për faktin e vetëm se në renditemi ndër vendet me sipërfaqe toke më të pakta për familje, nga 0.25 deri në 1 ha. Është e vërtetë, se vite më pare, është bërë shumë për bonifikimin, sistemimin, kullimin, ujitjen, mobilimin dhe rritjen e pjellorisë së tokës, por, për fat të keq, gjatë këtyre 27 vjetëve të tranzicionit të tej zgjatur, vëmendja dhe kujdesi ndaj tokës ka humbur ndjeshëm, toka është keqpërdorur dhe shpërdoruar në përmasa të mëdha. Edhe pse ligjet kanë ekzistuar dhe janë relativisht të mirë, duhet të pranojmë se zbatimi i tyre ka qenë dhe mbetet për të dëshiruar. Është koha, të gjithë, pa përjashtim, të shndërrohemi në misionarë të mbrojtjes së tokës dhe mjedisit, në propagandues të vlerave dhe masave për përdorimin miqësor dhe të qëndrueshëm të tyre, duke zbatuar masa të forta me karakter legjislativ, administrativ dhe teknik

Koha dhe situata e krijuar, tejet e rënduar, kërkon të jemi një zë i fuqishëm dhe misionarë të rregullt për të sensibilizuar opinionin publik në mbrojtje të tokës dhe mjedisit, kërkon nga ne të ndërhyjmë me të gjitha energjitë për ti thënë ndal shkatërrimit, që miliona tonelata të mos shkojnë në det, që pylli të mos pritet dhe të mos digjet, që vlerat ekologjike të mjedisit të pasurohen, peizazhet e bukura të shtohen, biodiversiteti të gjallërohet, të ruhen e zhvillohen edhe më shumë resurset ujore dhe pyjore, vlerat historike kulturore e mbi të gjitha fisnikëria dhe ndikimi njerëzor mbi natyrën dhe ekologjinë të bëhen sunduese dhe të shndërrohen në një kontribut të gjithsecilit për vetveten dhe mbarë shoqërinë. Është e nevojshme që për këto shqetësime dhe të tjera, të organizohen veprimtari sensibilizuese në çdo qark, bashki dhe fshat, për të ekspozuar gjerësisht problemet që lidhen me ruajtjen e tokës, si pasuri e patjetërsueshme, si i vetmi burim, ku njerëzit gjejnë mundësi të ushqehen e jetojnë normalisht. Kjo gjendje dikton të kemi një strategji afatshkurtër dhe afatmesëm për mbrojtjen e tokës bujqësore. Problemi i mbrojtjes së tokës është i gjerë dhe i vështirë. Ai është në radhë të parë, problem i komunitetit që jeton në zonat rurale, i organeve të pushtetit vendor, i institucioneve shtetërore administrative e shkencore dhe i shumë dikastereve, që në njëfarë mënyrë kanë lidhje me tokën bujqësore, me ruajtjen dhe mbrojtjen e saj. Që të ndryshojmë gjendjen dhe të arrijmë rezultatet e duhura në këtë fushë, kërkohet në radhë të parë harmonizimi ndërinstitucional i aktiviteteve, i investimeve, hartimi i politikave të qarta për edukimin e komunitetit, përfshirjen e shërbimit këshillimor dhe të shoqatave mjedisore në këtë proces të vazhdueshëm dhe të pandërprerë. Të vlerësojmë dhe përcjellim te njerëzit, pa përjashtim dhe në kohën e duhur; dijet, përvojën dhe këshillat e mençura të specialistëve dhe shkencëtarëve të dëgjuar dhe me te mire të tokës. Në sensibilizimin e masave popullore, rëndësi ti kushtohet hartimit të politikave për konsolidimin e fermave dhe përdorimin e tokës, forcimit të institucioneve të specializuara, përfundimin e regjistrit themeltar të tokës, parandalimin e ndërtimeve informale, vendosjen e masave ligjore të rrepta për këdo që dëmton tokën bujqësore. Në këtë mënyrë, do të parandalojmë çdo të keqe që vepron mbi tokën, do të mbrojmë dhe përmirësojmë kudo pjellorinë e saj, në veçanti atje ku toka rrezikohet më shumë, përgjatë lumenjve dhe në zonat kodrinore-malore.
Sigal