Prof. Asc. Peçi Naqellari: Universiteti i Elbasanit, ja degët e reja, kriteret për master dhe tarifat

933
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Prof. Asc. Peçi Naqellari, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në UE

Në një intervistë për gazetën “Telegraf” Dekani i Fakulteti të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Elbasanit, Prof. Asc. Peçi Naqellari bënë të ditur kuotat për fillimin e vitit të ri akademikë si dhe kuotat për studimet master, ndërsa për vendet bosh është herët të flitet, sepse pritet edhe plotësimi i formularit A3. Gjithashtu Naqellari shprehet se, këtë vit akademik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka dhe shumë degë të reja. Duke u ndalur tek aplikimet për master Prof. Naqellari shprehet se kriteri bazë do të jetë nota mesatare, 8.5, por gjithsesi do të jetë komisioni i ngritur ai që do të bëj përzgjedhjen.

Prof. Naqellari, për pak ditë fillon viti i ri akademik si po e prisni ju dhe a janë të mjaftueshme kuotat që janë miratuar për Fakultetin e Shkencave të Natyrës?

Po më datë 7 fillon viti i ri akademik. Këtë vit kemi dhe programe të reja studimi, të cilat janë miratuar nga strukturat përkatëse si në senatin e universitetit dhe në agjencinë e akreditimit. Për sistemin me kohët të plotë, i cili fillon me datën shtatë kemi kuota për degët biologji-kimi 100 dhe për matematikë – fizikë 100. Është hapur programi i ri i studimit matematikë –informatikë dhe është në plan që të ketë 100 kuota. Kemi edhe degën teknologë – laborantë, e cila është degë me drejtim teknikë dhe sot kërkohet nga ana profesionale, këtu kemi 60 kuota.

Ka pak ditë që janë mbyllur aplikimet on – line. A ka kuota të mbetura bosh?

Po ka kuota bosh për sa i përket studimeve të ciklit të parë, por ne presim dhe plotësimin e listat me spostimet e reja që vjen brenda datës 5 dhe përfundon nga data 7 tetor, ditë kur përfundon dhe regjistrimi pranë sekretarive, ku studentët sjellin dhe dokumentacionet përkatëse.

Si ka vijuar procesi i regjistrimeve për masterat dhe sa është numri i kuotave që ju keni propozuar për këtë fakultet?

Procedura për regjistrimin po vijon rregullisht. Por dua të shtoj se për studimet master është bërë një lapsus për sa i takon ardhjes së vendimi për vitin akademik 2012 – 2013, i cili mbyllet me datën 30 shtator. Në fakt udhëzimi për regjistrim ka ardhur që të mbyllet me datën 27 shtator. Kështu që ne i kemi bërë një kërkesë ministrisë dhe e kemi diskutuar dhe në rektorat që të shtyhet afati për regjistrimet e ciklit të dytë të studimeve. Duke pasur dhe eksperiencat e viteve të shkuar dhe nevojave  që ne kemi, kuotat janë nga 20-30 studentë duke respektuar dhe dyshemenë që arrin në 30 studentë. Por kjo kuotë nuk është plotësuar për studimet e ciklit të dytë ose master.

Si bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do të vazhdojnë studimet master?

Kjo përzgjedhje bëhet nëpërmjet një komisioni, ku studentët vinë dhe regjistrohen në fazën e parë. Për përzgjedhjen e studentëve ne kemi modalitetet tona. P.sh tek masteri i shkencave të mbrojtjes së mjedisit kemi si kriter që studenti të ketë mbaruar tre vjeçarin për biologji-kimi, agronomi apo dhe inxhinier pyjesh dhe të ketë mesatare mbi tetë. Por ne për të qenë më afër atyre kërkesave që kemi dhe me vendim të rektoratit, i cili e ka këtë të drejtë e kemi ulur këtë mesatare duke e çuar në 7.5 për  studimet master. Por megjithatë ngrihet një komision, i cili bën përzgjedhjen. Dua të cilësoj këtu se kemi edhe një rast të veçantë në përzgjedhje duke u bazuar tek ato programe të afërta studimi me plotësim të pikëve të kreditit, p.sh në qoftë se do të regjistrohet tek dega teknologji informacioni dhe  vjen nga një degë matematikë – fizikë me drejtim informatikë atëherë 10-30 kredite komisioni i vë detyrim kandidatëve që t’i plotësojnë gjatë vitit të parë të studimit, kuptohet sipas modalitetit të  miratuara nga agjencia e kreditimit dhe Ministria e Arsimit.

Po përsa i përket tarifave të masterave që do të paguajnë studentët, sa do të jenë ato?

Pagesat janë të varjueshme dhe në përgjithësi këto nuk propozohen nga strukturat universitare, por  propozohen direkt nga Ministria e Arsimit, pra nuk ka një kuotë fikse që paguajnë studentët.

A do të bëhet sërish këtë vit mësim me dy turne në Fakultetin e Shkencave të Natyrës?

Me thënë të drejtën deri vitet e kaluara jemi munduar ta përshtatim orarin që të jemi në kohën e duhur, ku mësimi të zgjasë deri në orët 15 pasdite. Por del e domosdoshme dhe bërja mësim me dy turne pse jo duke pasur parasysh dhe modelet e universitet perëndimore, ku ato e bëjnë mësimin dhe pasdite. Kemi grupe mësimore dhe sidomos laboratorët e informatikës që i shfrytëzojmë pasdite, sepse janë dhe grupe të vegjël. Fakulteti i Shkencave të Natyrës mbulon ngarkesën e gjithë universitetit dhe jemi të detyruar që të bëjmë një grafik për ndarjen e orarit dhe për pasditen.