Prof. Artan Fuga: Opinioni publik në mëshirën e manipulimit politik

925
Sigal

Faktorë që e dobësojnë opinionin publik sot në Shqipëri dhe e pengojnë atë të veprojë si i pavarur duke e lënë nën mëshirën e manipulimit politik janë:

  1. Bombardimi me një media që në përgjithësi e ka pothuajse të pamundur, për shkak të strukturës së saj pronësore, mënyrës të funksionimit dhe financimit të prodhojë informacion të pavarur. Publiku bombardohet nga propaganda e politikës dhe nuk është në gjendje të përpunojë një mendim më vete;
  2. Ekonomia pothuajse familjare në një sërë degësh që e ka mbyllur punonjësin brenda një logjike të izoluar familjare dhe brenda një strukture sociale familjare-klanore që nuk del përtej kësaj sfere në një opinion publik që e bashkojnë idetë, jo lidhjet familjare;
  3. Papunësia e lartë që nuk dëmton vetëm njeriun, por edhe lidhjen sociale, solidaritetin social që është kushti i opinionit publik të strukturuar;
  4. Kalimi drejt një gazetarie të deklamimit dhe në rrjete sociale që prodhojnë klanizimin e informacionit duke thyer çdo agjendë të përbashkët që do të strukturonte unitetin e opinionit publik;
  5. Emigrimi i brendshëm dhe i jashtëm shumë i fortë që ka bërë, që brenda territorit lokal të jetojnë njerëz që nuk kanë memorie kolektive të përbashkët;
  6. Mungesa e studimeve dhe e qendrave të vërteta të kërkimit shkencor që të përpunojnë alternativa mendimi të qenësishme dhe strategjike për të ushqyer opinionin publik;
  7. Ndryshimi i statusit social për masa popullsish rurale që duke u urbanizuar shpejt nuk kanë akoma ndërgjegjen e reflektimit politik mbi jetën urbane;
  8. Ikja e elementëve më aktivë në emigrim;
  9. Individualizimi dhe interesi personal në rritje që e bën individin të synojë rregullimin e statusit të vet social, të zërë një punë etj. Pa menduar për çështje dhe interesa publike;
  10. Mungesa e sindikatave dhe bllokimi i OJF duke i kthyer këto në sipërmarrje fitimi ose të varura nga establishmenti në një shkallë të madhe. Mungesa e liderëve të opinionit jopartiakë, si dijetarë, shkrimtarë, mendimtarë që të formojnë një grup shoqëror të fuqishëm. Një shkëputje e institucioneve fetare nga problematika sociale;
  11. Mosshkollimi i një pjese të rinisë që ka energji kritike;
  12. Mungesa e të drejtave politike minimale dhe përballja e njeriut me rreziqe ekonomike dhe sociale që e bëjnë të shohë vetëm hallin e tij për mbijetesë. Varfëria ekstreme;
  13. Trashëgimia e kaluar e një mendësie të nënshtruar dhe glorifikimi i prijësit në dëm të dinjitetit personal të qytetarit’
    14. Mundësia për emigrim si shpëtim që zvogëlon potencialin kritik;
  14. Paraja e ardhur për familjet nga emigracioni.