Prof. Aleksandër Peçi/ Fajin kërkojeni te Ministria e Arsimit!

68

Reagim për sallën e ftohtë të koncerteve te Artet

Mjeshtër i madh*

 Lidhur me çështjen e ngrohjes së sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve, të transmetuar nga media vizive e të botuar në “Telegraf”, e vërteta është kjo:

Me kërkesën time dhe me mirëkuptim të plotë nga ana e Rektorit prof. Petrit Malaj, ashtu si për gjithë kërkesat që kam paraqitur për Festivalin Ndërkombëtar PIANODROM, ku Universiteti i Arteve është partner dhe i ka zbatuar me mjaft korrektesë, edhe për ngrohjen (brenda mundësive që disponon UA) Rektorati ka bërë maksimumin e tij, duke e ngrohur sallën për rreth 4 orë para koncertit datë 5 dhe për rreth 8 orë datë 6, meqenëse kishte 2 koncerte.

Datë 5 Janar, para se të fillonte shfaqja, kaloriferët ishin totalisht të nxehtë sa s’mund t’i mbaje duart se të përvëlonin dhe mekanizmi i aspirimit qarkullonte në sallë ajër të ngrohtë. Gjatë shfaqjes, uji i nxehtë qarkullonte normalisht në tubacione, por mekanizmi i ajrimit, me porosi timen, absolutisht duhet të fiket, sepse oshtima e ajrit hyn në mikrofona dhe komplet regjistrimi audio-video dështon dhe nuk i jep mundësinë miliona shikuesve ta ndjekin produksionin me kualitet në TV.

I ftohti ka qenë i jashtëzakonshëm për Tiranën dhe me gjithë maksimumin e mundësive që ka UA, vështirë që të superohet moti, nëse UA nuk ndihmohet nga Ministria e Arsimit për të realizuar projektin ambicioz që ajo ka lënë në tryezë të qeverisë për sallën e UA-së, ku parashikohen edhe transformime të sistemit të ngrohjes. Ju e dini, që ne një grup artistësh kemi mbërritur që me kontributet tona të mbledhim një shumë prej 15 milionë lekë të vjetra për të blerë një piano “Steinëay” e cila kushton 120 000 euro. A thua se dhe për stadiumin e Elbasanit duhet që sportistë e tifozë të mblidhnin para për ta ndërtuar! Kjo atje s’ndodhi, pse duhet të ndodhi në UA?!

Tashti hajde, po bëjmë dhe “një apel që të blejmë dhe një kaldajë me gjithë aksesorët e tjerë që të ketë ngrohje kubatura e madhe e sallës! Di, që nga administrata kanë dhënë lekë nga rroga për të lyer muret! Po mirë, pse nuk shkon media në Ministri të Arsimit e t’i pyesë, a kanë dhënë lekë në buxhetin e ri për ngrohje, se, me sa di unë, kanë ardhur lekë vetëm për rroga dhe sot data 7 s’janë marrë rrogat akoma! Apo ta pyesë Ministrinë e Arsimit sa lekë ka dhënë për kërkime shkencore në fushën e kompozicionit, muzikologjisë për një revistë, për botime të partiturave që u nevojiten studentëve, për integrim të kulturës në hapësira ndërkombëtare për sallë e skenë të UA-së, e cila për nga akustika është numri 1 në Shqipëri?! Për sallën dhe korpusin qendror të UA-së, le të themi se duhet të falenderojmë Italinë e epokës fashiste që na e ndërtuan e për 2 pianot që ndodhen aty të falenderojmë sistemin e mëparshëm dhe CIDIM Romë, por që realisht janë tejet të vjetërsuara, pra, e parë në një këndvështrim të tillë, investimet e ministrive respektive duhet të jenë një urgjencë e prekshme dhe sa më shpejt.

Kjo është e vërteta që doja të theksoja!

*President i PIANODROM

*President i AELFIOR EDITIONS