Procesi i parregullt ligjor i gjykatave, ushtarakët prej drejtësisë së vonuar përfunduan në drejtësi të mohuar

705
Nga Kadri MUKA

Postulati i drejtësisë ka qenë, është e do të jetë “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”. Ky postulat është vërtetuar katërcipërisht gjatë gjithë historisë njerëzore. Është pikërisht kjo e vërtetë historike që në të gjitha gjykata gjen të shkruar me germa të mëdha këtë postulat. Ky akt nuk ka qenë dhe nuk është i paqëllimtë. Jo, ai ka për qëllim t’u kujtojë dhe u kujton gjyqtarëve dhe trupave gjykuese rëndësinë, peshën dhe vlerën e madhe që ka gjykimi brenda afatit të arsyeshëm ligjor. Shqyrtimi e çështjeve brenda një afati të arsyeshëm ligjor e detyron Konventës për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut”. Neni 6 pika 1 e saj ka sanksionuar se: “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj…”. Atë e detyron edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet nenit 42 pika 2 në të cilën thuhet se: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”. Të dy këto përcaktime të këtyre dy dokumenteve themelore për sa u përket të drejtave të njeriut në të cilat përfshihen edhe të drejtat e ushtarakëve, nënvizojnë faktin se çdo qytetar, i cili i drejtohet një gjykate kompetente për realizimin e një të drejte, nuk mund të presë pakufi për realizimin e saj. Për hir të së vërtetës Kodi i procedurës Civile mbi të cilin janë gjykuar paditë e ushtarakëve për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pensionin e pleqërisë dhe pensionin suplementar të pleqërisë, nuk ka përcaktuar në mënyrë eksplicite afate brenda të cilave duhet të përfundojë një proces gjyqësor. Por duke qenë se të gjitha shkallët e gjyqësorit në gjykimin e çështjeve shpesh herë i referohen gjykimeve të gjykatave të ndryshme të shteteve të tjera si një ndihmë për një gjykim të drejtë, ekziston një shembull që tregon se kush konsiderohet afat i arsyeshëm ligjor. Këtë shembull e sjell shteti Gjerman. Sipas tij gjykimin në shkallë të parë duhet të përfundojë brenda 4 muaj, ndërsa ai në shkallë të dytë, brenda 7 muaj. Ndërsa po ti referohemi Kodit të procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë në mënyrë më të dukshme i qëndrohet formulës së gjykimit të pandërprerë, duke konsideruar si mjet efikas për të evituar zvarritjet. Sipas nenit 342, kur shqyrtimi gjyqësor, nuk mund të përfundohet në një seancë të vetme, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e pasme të punës. Ajo mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, vetëm për arsye të veçanta, deri në 15 ditë. Pavarësisht këtyre dy fakteve dhe dy të vërtetave gjyqet për kërkesat e ushtarakëve kanë zgjatur nga 1 deri në 2 vjet në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor, mbi 2 vjet në Gjykatat e Apelit dhe nga 2 deri në 5 vjet në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë. Për të shmangur këto zvarritje, bazuar konsiderata negative të Gjykatës së Strasburgut për vendin tonë se: “Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare situatës dhe nuk ka mbajtur qëndrim uniformë lidhur me zvarritjen e proceseve, që duhet të respektohet nga gjykatat vendase.”, dhe se: “ atje ku sistemi gjyqësor ka mangësi në lidhje me kërkesën mbi kohëzgjatjen e procedurave sipas nenit 6/1 të Konventës, krijimi i një mjeti ankimi për të përshpejtuar procedurat me qëllim parandalimin e tejzgjatjes së tyre është zgjidhja më e mirë.”, më 3 maj 2012 u miratua ligji Nr. 49/2012, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshje Administrative”. Në zbatim të këtij ligji u ngritën Gjykatat administrative nga shkalla e parë, në apel deri në Gjykatën e Lartë të cilat filluan funksionimin e tyre nga data 4 nëntor 2013. Qëllimi i ngritjes dhe funksionimit të këtyre gjykatave sipas pikës 1 të nenit 3 të këtij ligji ishte që, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, mbrojtja juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë të subjekteve, që mund të cenohen si pasojë e ushtrimit ose jo të funksioneve publike nga ana e organeve të administratës publike. Në realizim të këtij qëllimi ky ligj përcaktojë afate ekzakte si për sa u përket veprimeve përgatitore, shqyrtimin e çështjes, marrjen e vendimit, shpalljen e tij, ankimimin në Gjykatën Administrative të Apelit, regjistrimin dhe dërgimin e tij në këtë gjykatë si dhe të rekursit në Gjykatën e Lartë, regjistrimin, dërgimin e tij në këtë gjykatë dhe veprimet e kësaj gjykate deri në marrjen e vendimit prej saj. Sipas përcaktimeve të ligjit Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së padisë i kërkon paditësit plotësimin e të metave të padisë brenda 10 ditësh, pas kësaj I lë 10 ditë kohë palës së paditur të paraqes pretendimet e saj. Thërret ekspertin për akt-ekspertim I cili brenda 20 ditëve paraqet akt-ekspertimin në gjykatë dhe 3 ditë palëve për paraqitjen e pretendimeve rreth akt-ekspertimit. Pas 3 ditësh të tjera para seancës palëve u vihet në dispozicion kopjen e akt-ekspertimit. Me e gjithë veprimeve përgatitore afati për seancën gjyqësore nuk mund të jetë më i gjatë se 15 ditë. Shpallja e vendimit i arsyetuar nuk mund të bëhet për më pak se 5 ditë dhe brenda 7 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja gjyqësore dorëzohet në sekretarinë gjyqësore. Ankimi për vendimin në Gjykatën e Apelit bëhet brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të vendimit (vënies në dispozicion të vendimit të zbardhur të gjykatës dhe po brenda 15 ditëve të dorëzimit të ankimit, ankimi dërgohet në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjykata Administrative e Apelit 5 ditë pas regjistrimit të ankimit kërkon ndreqjen e gabimeve dhe plotësimin e dokumenteve, 15 ditë para shqyrtimit të çështjes njoftohen palët për datën dhe orën e zhvillimit të saj. Palët 5 ditë para zhvillimit të seancës paraqesin parashtrimet me shkrim. Kur dhoma e këshillimit vendos kalimin e çështjes për në seancë gjyqësore. 10 ditë para seancës gjyqësore palët njihen me vendimin, datën dhe orën e kësaj seance. Në raste përjashtimore gjykata shtyn shpalljen e vendimit deri në 5 ditë. Brenda 7 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja dorëzohet në sekretarinë gjyqësore e cila jo më vonë se 3 ditë dërgon në Gjykatën e Shkallës së Parë. Palët brenda 30 ditësh nga njohja me vendimin dorëzojnë në këtë gjykatë rekursin për në Gjykatën e Lartë. Brenda 10 ditëve nga data e përfundimit të komunikimeve, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dërgon rekursin, së bashku me vendimin e gjyqtarit për pranimin e rekursit, aktet e komunikimit të rekursit, kundër rekursin, si dhe dosjen e gjykimit në Gjykatën e Lartë, brenda 10 ditëve nga data e përfundimit të komunikimeve. Gjykata e Lartë shqyrton çështjen brenda 90 ditëve nga data e ardhjes së rekursit dhe akteve bashkëlidhur prej gjykatës ku është depozituar rekursi. Pavarësisht këtyre , këto afate nuk janë respektuar asnjëherë nga asnjëra nga shkallët e gjyqësorit. Më evidente ka qenë kjo në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Në të parën shqyrtimi i çështjeve nga 30 ditë prej çastit të mbërritjes së kërkesës ankimore është bërë pas 1,2 apo edhe 3 vitesh, ndërsa në Gjykatën e Lartë nga brenda 90 ditëve është bërë përgjithësisht për 2 , 3 vite dhe na raste të veçanta edhe pas 4 e 5 vitesh. Tejzgjatjes i shërbeu fillimisht vendimi unifikues nr.3, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendim i cili unifikojë se: “Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma.”. Kjo detyrojë Gjykatat e Rrethit Gjyqësor të delegonin për shqyrtim çështjet në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Ky delegim çojë e nuk mund të mos çonte në tejzgjajtjen e çështjeve në gjykim e prag gjykimi duke filluar nga e para në këto gjykata Administrative. Rrjedhimisht çështje që do ishin mbyllur në nëntor , dhjetor 2013 apo brenda vitit 2014 u mbyllën pas vendimit njësues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendim i cili me njësimet e tij për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve, u mohon përfituesve të këtyre çështjeve të drejtën e fituar me vendim të formës së prerë dhe të kthejnë gjithë masën e përfituar sipas këtyre vendimeve. Këtij ndëshkimi i nënshtrohen të gjithë ata përfitues që çështja nuk është mbyllur me vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë para datës 24 mars 2017, datë në të cilën u botua dhe hyri në fuqi ky vendim famëkeq i këtyre Kolegjeve të Gjykatës së Lartë. Përjashtim nga detyrimi i kthimit të shumave të përfituara me vendim të formës së prerë të gjykatës nuk i shpëtojnë as ata që kanë ndërruar jetë. Edhe këta urdhërohen e detyrohen me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, në e për zbatim të këtij vendimi të Kolegjeve të Bashkuara, të kthejnë gjithçka kanë fituar me vendim të vetë gjykatave. Nëse ata e kanë të pamundur të çohen nga varri dhe që as nuk mund të çohen se kanë mbyllur çdo gjë me këtë botë, por që gjykatat deklarojnë se nuk i kanë mbyllur, detyrohen pjesëtarët e familjes së tyre. Makabrariteti i këtij shteti dhe veçanërisht i Gjykatave në bekimin e detyrimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk ka të sosur. Ato nga dhënëse të drejtësisë tashmë përfundimit janë kthyer në prodhuese të drejtësisë në shkelje e moszbatim të Kushtetutës e ligjeve për dhunuesit e shkelësit e ligjit. Sikur të mos mjaftonte kjo, Gjykata Kushtetues në vend përligjte qëllimin e ngritjes dhe funksionimit të Gjykata Administrative, me vendimin e saj nr. 46 datë 27.02.2014, në pikën 13 me arsyetimin: “Nisur nga sa më lart, duke u ndalur tek natyra dhe tek efektet e Vendimit Unifikues nr.3/2013, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se ky vendim ka zgjidhur mosmarrëveshje kompetence dhe njëkohësisht ka pasoja të kufizuara vetëm për ato çështje të cilat kanë qenë në proces shqyrtimi gjyqësor, para fillimit nga funksionimi të gjykatave administrative.”, bëri të kundërtën, zgjati edhe më shumë afatin e shqyrtimit të çështjeve që ishin në gjykim në gjykatat civile. Me një fjalë, Gjykata kushtetuese edhe pse i pranon pasojat negative të këtij vendimi unifikues të cilat kanë çuar drejtë për së drejti në mohimin e së drejtës nga mosrespektimi i nenit 6 të konventës për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut dhe pikës 2 të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës, nuk i dha zgjidhje. Në vend të zgjidhjes ia kalon topin ushtarakëve që penalizohen nga vendimi i mësipërm unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Këtë Gjykata Kushtetuese e bëri nëpërmjet pikës 15 të vendimit të saj në të cilën thotë: “Për më tepër, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se në këndvështrim të pretendimeve të gjykatës referuese, të lidhura me dy elemente të procesit të rregullt ligjor, përkatësisht: kohëzgjatje e paarsyeshme e procedurave dhe gjykatës së caktuar me ligj, individi disponon mjetin juridik të ankimit pranë Gjykatës Kushtetuese, në kushtet e nenit 131/f të Kushtetutës. Për rrjedhojë për këto pretendime, nëpërmjet ankimit individual për proces të rregullt ligjor, ka alternativa mbrojtjeje kushtetuese.”. Është e vërtetë që individi disponon mjetin juridik të ankimit pranë Gjykatës Kushtetuese, por ky mjet individual i mbrojtjes nuk çon dhe as që mund të çonte në përshpejtimin e gjykimit. Ai çonte dhe çojë në zgjatjen e gjykimit pas datës 24 nëntor 2016 kur Kolegjet e bashkuara morën vendimin njësues nr.3 dhe pas datës 24 mars 2017 kur ky vendim u botua në fletoren zyrtare dhe hyri në fuqi i cili u bë shkak për mohimin e së drejtës së fituar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe kthimin me pa të drejtës të shumës së përfituar nëpërmjet tij. Këto dhe mos gjykimi i çështjeve brenda 80 ditësh në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, 30 ditësh në Gjykatën Administrativ të Apelit dhe 90 ditësh në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, por pas 2, 2, 3 e më vonë se afati i përcaktuar ligjor, çuan në gjykimin e mijëra çështjeve, pas hyrjes në fuqi të vendimit njësues nr.3, datë 24.11.2016, çka ka sjellë mohimin e së drejtës së fituar dhe detyrimin e kthimit të shumave të marra me vendim të formës. Nëse gjykatat nuk do krijonin këto vonesa por, do respektohej afati kohor ligjor i shqyrtimit veçanërisht në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatën Administrative të Apelit, ushtarakët nuk do ndëshkoheshin sikurse janë ndëshkuar e po ndëshkohen. Nuk gjykoheshin sipas vendimit unifikues nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara. Rrjedhimisht nuk do të kthenin lekët e fituara me vendim të gjykatës, ashtu sikundër nuk i kthejnë e nuk do ti kthejnë kolegët çështjet e të cilëve janë shqyrtuar para datës 24 mars 2017 kur u botua dhe hyri në fuqi ky vendim njësues i Kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë. Të gjithë ata ushtarakë çështjet e të cilëve janë kthyer për rigjykim në shkallën e parë, në apel apo të mospranimit të rekurseve të tyre nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, janë viktima të drejtësisë së vonuar nga këto gjykata të cilat me vendimet e tyre i çuan ata në drejtësi të vonuar. Gjithçka që ushtarakët do të kthejnë nga paratë e fituara me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, Gjykatës Administrative të Apelit dhe Kolegjit Civil dhe atij Administrativ të Gjykatës së Lartë, është thjeshtë dhe vetëm thjeshtë produkt i procesit të parregullt të këtyre gjykatave që, bie ndesh dhe është në cenim të asaj që urdhëron neni 6 i Konventës për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut dhe nenit 42 të Kushtetutës së Republikës. Në këtë realitet ligjor e faktik është në detyrën, detyrimin dhe misionin e Gjykatës Kushtetuese që nëpërmjet shfuqizimit në papajtueshmëri të vendimit njësues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, tu rikthejë ushtarakëve që preken nga ky vendim, të drejtën e fituar me ligj e vendim gjyqësor dhe t’i jap fund pabarazisë e diskriminimit në raport me homologët e tyre që kanë mbyllur procesin e gjykimit para datës 24 mars 2017, datë kjo e hyrjes në fuqi e këtij vendimi unifikues. Kjo si një domosdoshmëri jo vetëm e dinjitetit të ushtarakut por edhe të gjykatave dhe vetë shtetit, pa tejkaluar afatin ligjor të shpalljes së vendimit nga kjo Gjykatë për këtë çështje të shqyrtuar prej saj që më 10 tetor të këtij viti.
Sigal