Procedurat e shumta bllokojnë zënien e 38 mijë vendeve të punës në administratën publike

494
Sigal

Zyrtarisht në
Shqipëri vlerësohen që janë rreth 38,000 vende pune të lira, por plotësimi i
tyre nuk po arrihet. Sipas të dhënave zyrtare nga Shërbimi Kombëtar i Punës,
rreth 56% e vendeve të lira të punës janë zënë. Kukësi është vendi që i ka
plotësuar të gjitha vendet e shpallura, i ndjekur nga Fieri me 96%, Dibra dhe
Berati. Ndërsa Korça ka nivelin më të ulët të vendeve të lira të punës të
paplotësuara me rreth 20%, duke u ndjekur nga Shkodra, Tirana dhe Durrësi.
Arsyeja ka të bëjë me faktin se shpesh në këto punë që ofrohen nga sipërmarrjet
private kërkohen kualifikime të veçanta që tregu nuk i ka. Një tjetër arsye ka
të bëjë edhe me faktin (kjo më shpesh te gratë) se distanca e kërkuar e vendit
të punës është e largët dhe si rrjedhim nuk pranohet. Për të ndryshuar këto
shifra, po shikohet mundësia për të afruar kategori të ndryshme përmes
programeve të nxitjes së punësimit e kjo kryesisht për grupet e veçanta, që
janë më në nevojë. Për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është e
rëndësishme që numri i vendeve të lira të punës të rritet me rreth 5% krahasuar
me vitin paraardhës. Pjesa më e madhe e atyre që janë punësuar, sipas
statistikave zyrtare, kanë pasur ndërmjetësimin direkt të zyrave. Në fund të
vitit 2015, nga 73,208 punëkëruese femra të regjistruara si të papuna u arritën
të punësohen rreth 9,900, ndërsa nga rreth 46,600 meshkuj u punësuan rreth
3,600. Ndryshimet gjinore në punësim, sipas ekspertëve varen shumë edhe nga
aktiviteti që kryhet në qarqe të ndryshme. Në Dibër, punësimi i femrave është
më i ulët, pasi aty mbizotëron industria nxjerrëse dhe ndërtimi. Krejt e
kundërta ndodh në Durrës, ku numri i femrave është më i lartë për shkak të
përqendrimit të industrisë përpunuese, sidomos konfeksionet.