Procedura e re doganore, kthen korrupsionin, vonesat dhe dyfishon koston për biznesin

630
Sigal

DURRËS-PROTESTA/ Dogana kthehet në një geto për bizneset! Peticioni në zyrën e Kryeministrit dhe ministrave

Prej javës së parë të muajit shtator, në Doganën e Durrësit ka nisur të aplikohet sipas një udhëzimi të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave “Deklarata e Thjeshtuar Doganore”, e cila përkthehet “lehtësi” për procedurat doganore ndaj bizneseve. Por kjo procedurë e re, i kushton biznesit, dy herë më shumë kohë, që përkthehet, kosto ekonomike, por edhe një imazh i keq për Autoritetin Portual të Durrësit, si pasojë e vonesave që krijohen, për anijet në kalata, nga peshimi një për një me kamionë, i të gjithë mallit të anijeve, pavarësisht se prej vendeve të origjinës, dokumentet janë të rregullt. Zbatimi i kësaj procedure të re ka përplasur fort, drejtorinë e doganave, operatorët ekonomikë dhe Autoritetin Portual të Durrësit. Për këtë arsye menjëherë pas nisjes së zbatimit të këtij modeli të ri procedure doganore, Shoqata e Agjencive Detare dhe Spedicionere, si dhe subjektet pritëse Importuese të mallrave me anije i kanë dërguar një peticion, Kryeministrit të Republikës Sali Berisha, Ministrit të Financave Ridvan Bode, Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Flamur Gjymishka etj.. Peticioni është firmosur nga më shumë se 15 Agjenci Detare dhe Spedicionere si dhe operatorë të tjerë që zhvillojnë aktivitet tregtar dhe ekonomik në Portin e Durrësit.

Peticioni

Me shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave nr. 12425 datë 01.08.2012, është vendosur për mallrat që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me mjete të transportit detar, në këtë rast anije dhe sasia për hedhje në qarkullim të lire, kërkon shkarkim dhe transport të shumëfishtë, më shumë se një mjet të transportit rrugor, atëherë për çdo pjesë të mallit të shkarkuar përpilohet deklarata e thjeshtuar. Kjo deklaratë përpilohet me modulin e thjeshtuar në sistem, sipas udhëzimit lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Operatorët ekonomikë si fillim e shikojnë të pazbatueshëm këtë praktikë të quajtur “procedurë e thjeshtuar”, për vetë faktin se Porti i Durrësit, nuk ka magazina, ku malli të qëndrojë për ditë të tëra dhe të zhdoganohet, pjesë- pjesë, ashtu siç ndodh në portet e tjerë, të Adriatikut, konkurrentë të Portit të Durrësit.  “Një praktikë të tillë do të ishim plotësisht dakord, të aplikohej për subjektet importuese, që e kërkojnë depozitimin e mallrave në territorin e portit dhe evadimi nga territori i portit të bëhet me propozimin “deklaratë e thjeshtuar”. Sipas bizneseve një procedurë e tillë nuk aplikohet në asnjë port tjetër të Rajonit apo të Europës.

Pronari, Gëzim Sereni

Gëzim Sereni pronar i një agjencie spedicionere deklaroi, se: “Deklarata e Thjeshtuar Doganore” është “Deklarata e Koklavitur Doganore”, jo për të bërë transparencë me subjektet e biznesit, por për të krijuar vonesa, në kohë, vonesa që për çdo orë qëndrimi në port të anijeve, është kosto, pse jo edhe për të krijuar korrupsion. Në gusht hyri në fuqi dhe nisi aplikimin në fillim të shtatorit. Kjo i sjell kosto në kohë dhe në lekë. Nis nga peshorja, çdo kamion do të paguajë 4 mijë lekë për peshim, bosh apo plot.  në doganë dhe do të paguajë për deklaratën e thjeshtuar minimalisht 5 mijë lekë. Për mendimin tim dogana është një geto. Një person është këtu dhe tjetri 200 metra më larg. Që të bëhen këto procedura është e pamundur”.