Procedura e kufizuar e Kodhelit dhe grabitja e pakufizuar e fondeve publike

122
Raporti i detajuar i KLSH për periudhën 1 vjeçare janar – dhjetor 2015, në lidhje me korrupsionin, abuzimet financiare, shkeljet ligjore, kontrata klienteliste dhe aspektet abuzive që lidhen me veprimet ekonomike-financiare të administratës publike, krahas zbardhjes së dëmit financiar prej 1.3 miliard lekë abuzime të bëra prej shtetarëve gjatë vitit 2015, e rendit këtë ministri, në vendin e dytë lidhur me dëmin financiar të shkaktuar në “Sektorin e prokurimeve publike”. Kodheli është dalluar për formën e veçantë të prokurimeve në variantin “I Kufizuar – pra sekret”, proçedura të cilat përjashtohen totalisht nga ligji i Prokurimeve Publike të nxjerra nga APP, duke realizuar kështu me “proçedurë” përzgjedhjen preferenciale personale të “donatorëve” të saj – Operatorëve Ekonomik. Kjo është bërë për mbajtjen sa më të fshehtë të vjedhjeve, abuzimeve dhe aferave skandaloze. Realizimi i shumicës së procedurave të prokurimit – mbi 70 % të tenderave, në formatin “I Kufizuar” (p.sh.: blerje pajisje për sistemet e teknologjisë së informacionit, “shërbime me qarqe dixhitale” për FA, riparimi i sistemit të sigurisë së SHPFA/MM, mirëmbajtja e sistemit të radarëve, riparimet e mjediseve të MM dhe SHPFA etj) janë kryer jo vetëm pa asnjë argumentim tekniko-ligjor, asnjë referencë apo miratim-konfirmim lloji proçedure nga struktura të tjera specifike shtetërore si AKSHI, DSIK apo APP, por edhe pa asnjë “udhëzues” përkatës nga Drejtoria e Prokurimit apo Juridike në MM, por vetëm me një urdhër të titullarit të MM-së. Këto shkelje ligjore dhe proçeduriale janë specifikuar veçanërisht në Raportin e KLSH, me shkresë Nr. Prot. 125/54, datë 30.09.2015 me lëndë “Mbi Auditimin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe rekomandimet”. Shtabi i Përgjithshëm i FA-së (pjesë e strukturës është edhe Drejtoria e Ndërlidhjes) ka në strukturë dhe varësi direkte disa Njësi Ushtarake Mbështetëse – Reparte Ushtarake autonome, ndër to më të rëndësishmen nga pikëpamja teknologjike është Agjencia e Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit (ASNI) ose Rep. Usht. Nr. 6640”, e cila në kuadrin e abuzimit me fondet publike dhe të korrupsionin njihet ndryshe me emrin “Agjencia e menaxhimit të pusit të pashterur të korrupsionit” në MM/SHPFA. Emërimi i drejtuesit të kësaj Agjencie pra Komandantit është “Asi i kuq” i Shefit të SHPFA dhe “Asi i zi” i Ministres së Mbrojtjes. ASNI ka për mision të planifikojë, zhvillojë, instalojë dhe sigurojë pajisjet e sistemet kompjuterike dhe të komunikimit të FARSH, të sigurojë përputhshmëri me sistemet e automatizuara të komandimit, kontrollit, komunikimeve dhe ato kompjuterike të NATO-së, të menaxhojë dhe të garantojë sigurinë e sistemeve të automatizuara të informacionit si edhe të trajnojë personelin e nevojshëm civil-ushtarak që kërkohet për të përdorur dhe mirëmbajtur sistemet e automatizuara dhe të ndërlidhjes të FARSH, pra ASNI siguron të gjithë sistemin e komunikimit të SHPFA/MM, sikurse sistemet e komunikimeve elektronike me Komandat e Forcave (Tokësore, Detare dhe Ajrore) dhe me të gjitha Njësitë/Rep. ushtarake autonome në rajonet e tyre të dislokimit.
Sistemet e aplikuara në MM/SHPFA që garantojnë radio-komunikimin
MM/SHPFA ka ndërtuar vetë dhe modernizuar sistemin e TI-së duke ndërtuar prej vitit 2008 deri në vitin 2011 rrjetin (linjat) me fibër optike ajrore dhe nëntokësore për të garantuar sistemin e komunikimeve elektronike dixhitale autonom dhe tepër të sigurtë (data & voice) ndërmjet MM/SHP dhe të gjithë Komandave të FT, FA, FD (zonën Tiranë – Durrës) si edhe me të gjitha Njësitë – Rep. ushtarake autonome në Tiranë, duke harxhuar një fond financiar mbi 1.2 milionë dollarë. 
Njëkohësisht MM/SHPFA kanë siguruar dhe modernizuar sistemin e ri të komunikimit me radio – telefonisë brenda FA sipas standardeve të NATO-s, me pajisje komunikimi amerikane që garantojnë njëkohësisht paralel transmetimin e informacionit “voice & data” midis të gjitha Komandave të Forcave, Njësive dhe Reparteve ushtarake, si nëpërmjet fondeve financiare nga buxheti i shtetit në vlera mbi 3.5 milionë dollarë, por veçanërisht nga sigurimi i donacioneve financiare nga SHBA, në kuadrin e ndihmës dhe bashkëpunimit në fushën e ndërlidhjes (Fondi i Solidaritetit tё Koalicionit (CSF), programet B5-B-ABA dhe AL-B-UBG”) në vlera financiare mbi 5 milionë dollarë. 
Kapacitetet teknike të këtij sistemi sigurojnë mundësinë e r/komunikimit “voice & data” edhe me kontingjentet ushtarake, që shërbejnë me misione jashtë shtetit. Po ashtu janë edhe donacionet e dhuruara edhe nga qeveria daneze për modernizimin dhe automatizimin e të gjithë sistemit telefonik në të gjithë linjën teknologjike me teknologji të fjalës së fundit, investime që kapin shumën e disa milionave dollarëve. 
MM për sigurimin e transmetimit të “të dhënave” “voice&data” ndërmjet SHPFA-së dhe Njësive – reparteve ushtarake, që gjenden jashtë zonave të mbulimit nga sistemet e komunikimit nëpërmjet rrjetit të fibrës optike dhe të radiove, referuar “Planeve të Përhapjes së FA”, ka aplikuar dhe zbatuar vetë sistemin e ndërlidhjes me “radio releve dixhitale” (6 çift – për zonat Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Tiranë), të prokuruar dhe zbatuar në 2009 me një fond financiar prej 125 000 000 lekë. Krahas sistemeve të r/komunikimit të përmendura më sipër, të menaxhuara direkt nga SHPFA (ASNI), gjendet edhe një sistemi tjetër r/komunikimi “rele dixhitale” (sistemi i ritransmetimit mikrovalor radio-rele të “informacionit” voice&data nga Ksamil/Sarandë–PortoPalermo, Llogara, Pashaliman, Zvërnec, Gllavë, Berat, Dajt, SHPFA, Krujë, Shëngjin, Durrës) brenda sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (sistemit të radarëve), ndërtuar në vitet 2007 – 2009 nga firma amerikane “Lockheed Martin Global” USA, me një vlerë financiare 1.5 milionë dollarë, i cili ende zotëron kapacitete – porta “E1” të “lira” në të gjitha 28 PRT-Pikat e ritransmetimit për t’u shfrytëzuar për nevoja ritransmetimi të “informacionit – voice&data” apo të zgjerimit të skemës së r/komunikim si nga Forca Detare ashtu edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i FA, sepse i tillë është planifikuar ky sistem që gjatë projektimit të sistemit të radarëve, për të qenë pjesë dhe i lidhur me “sistemin e r/transmetimit – r/komunikimit” të SHPFA-së. 
MM/SHPFA (nëpërmjet Këshillit të Ministrave) garanton me VKM, specifikisht për të gjithë elitën drejtuese-komanduese vendim-marrëse të SHPFA/MM, Komandave të Forcave, Komandave të Njësive apo Reparteve autonome (por jo vetëm pasi është e ligjëruar tashmë shfrytëzimi i paketave ofertuese në “grup” institucionesh për sigurimin e shërbimit telefonik celular për të gjithë pjesëtarët e FA nga operatorë të ndryshëm celularësh), sigurimin e shërbimit me “telefon celular” nga distributor “të tretë”, që operojnë në Shqipëri sipas ofertave apo paketave favorizuese si në aspektin financiar ashtu edhe prioriteteve që jep teknologjia deri 3-4G, falas deri në një kuotë financiare, sipas hierarkisë drejtuese. Në ditët tona sot ky lloj shërbimi është prioritar, më i përdorshmi në rang global edhe në fushën ushtarake, ku për përdorime ushtarake detyrimisht duhet të respektohen shumë masa dhe standarde sigurie, të cilat janë shumë të njohura kur flasim për kapacitetet që ofron teknologjia e brezit 3-4 G.
Sistemi tjetër organik
Përveç sistemeve elektronike të r/komunikimit SHPFA ka të ngritur dhe ka në funksion të plotë organik në strukturën e ASNI edhe shërbimin e detyrueshëm të “Ekspeditës ushtarake”, i cili shërben për shkëmbimin e detyrueshëm në këtë formë të të gjitha llojeve të ndryshme të dokumentacionit “shkresor” brenda MM/SHPFA. MM/SHPFA për aplikimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e sistemeve të r/ndërlidhjes brenda FA përdor “frekuencat” (brezi e frekuencave në dispozicion të SHPFA: VHF dhe UHF 20.05 kHz – 923.00 MHz dhe mbi 1 GHz), të miratuara nga AKEP, sipas ligjit të menaxhimit të frekuencave dhe marrëveshjeve MM/SHPFA – AKEP. Frekuencat e miratuara nga AKEPi për MM/SHPFA janë vetëm për përdorim me qëllim dhe pajisje “ushtarake“, që duhet të zotërojnë FA dhe nuk lejohen kategorikisht të përdoren nga “të tretë – privatë“ me pajisjet-sistemet e tyre, pavarësisht kujt i japin “shërbim“. Shtabi i Përgjithshëm i FA (Drejtori i Ndërlidhjes Kol. Dimo dhe Komandanti i ASNI) ka shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen ndër-institucionale midis SHPFA dhe AKEP mbi “lejimin dhe përdorimin e frekuencave“ për qëllime ushtarake, të miratuara nga AKEP për përdorim vetëm nga SHPFA, i cili jo vetëm nuk “shfrytëzon/përdor“ vetë këto “frekuenca“ me pajisjet që duhet të sigurojë vetë, por “lejon“ si: – zhvillimin e prokurimit “të pa nevojshëm – fiktiv“ të sigurimit “dopio“ të “shërbimit me qarqe dixhitale E1“ për FA me “operatorë “të tretë“ (rastësisht vetëm dhe vetëm nga i njëjti subjekt privat IDEA-TEL Sh.p.k.) pavarësisht të sigurimit 100% të këtij shërbimi komunikimi nga vetë FA (ASNI) nga sistemet/projektet e implementuara në FA, por edhe “lejimin“ e subjektit privat të përdorë frekuenca krejt të tjera “të pa lejuara dhe pa miratuara nga AKEP“, të pa licencuara, të pa autorizuara, duke devijuar dhe shkelur me qëllim marrëveshjen – Ligjin Nr. 9918, datë 19.05.2008 për “Menaxhimin e Frekuencave“, pavarësisht pretendimeve, kërkesave urgjente dhe letër-këmbimit ankimues disa vjeçare me AKEP-in. Kostot financiare “fiktive“ të harxhuara paralelisht për sigurimin e gjoja “backup – sistem rezervë paralel“ nëpërmjet “shërbimit me qarqe dixhitale për FA”, arrin në shuma të miliona lekëve për çdo vit (afërsisht prej vitit 2010 për çdo vit rreth 230 000 000 lekë, kurse për vitin 2015 shuma financiare arrin shumën rekord në nivelin 285 244 250 lekë, pa llogaritur shumën financiare që paguhet çdo muaj totalisht fiktivisht nga KFD për shërbime “dublante – backup“ të sistemit E1 të radarëve, të përfshirë në mënyrë mafioze brenda kontratës së mirëmbajtjes së radarëve). MM – SHPFA, sikurse kanë vepruar edhe institucionet e tjetër shtetërore – si p.sh. Ministria e Punëve të Brendshme, RTSH etj, për mbulimin dhe sigurimin e r/komunikimit elektronik-dixhital midis njësive, rep. ushtarake që gjenden jashtë mundësive-kapaciteteve teknologjike të mbulimit nga sistemet e TI të aplikuara në FA, brenda brezit të “frekuencave“ të miratuara më përpara nga AKEPI, duhet të realizonte dhe kryente vetëm blerjen e pajisjeve elektronike (të të njëjtës “familje“ me ato të aplikuara në rrjetin e r/komunikimit të FA) sipas specifikave të brezit të frekuencave të miratuara dhe t‘i përdorë ato sipas destinacioneve të kërkuara, sikurse MM ka vepruar në të njëjtën formë gjatë ndërtimit të sistemit r/rele nga firma amerikane “Lockheed Martin…” për ndërtimin dhe shfrytëzimin e sistemit të radarëve detarë. Pra MM/SHPFA nuk duhet të kryejë fare shpenzime financiare paralele stratosferike vjetore për “qiramarrje (të pa nevojshme) për aparate dhe pajisjet – E1“ pra mjedise transmetimi me qarqe dixhitale, proçedura prokurimi që planizohen, hartohen dhe realizohen në mënyrë tepër korruptive pranë ASNI. Drejtoria e Ndërlidhjes ose siç njihet ndryshe “Drejtoria e Korrupsionit“ i ka kaluar këto proçedura tenderimi prej vitit 2013, pa asnjë argumentim apo referencë tekniko-ligjore, në nivelin e klasifikimit të proçedurës “I Kufizuar“ për t’i “mirë menaxhuar”, si edhe mbajtur këto proçedura fiktive dhe korruptive, sa më të fshehura dhe larg çdo mundësie inspektimi apo zbulimi.

(Vijon numrin e ardhshëm)