Problemet që karakterizojnë Avokatin e Popullit

108

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk meriton të ketë në krye të saj një person me të tilla të meta

Mungesa e sinqeritetit të tij- Është shfaqur të paktën në dy raste tipike publike. Një rast ka ndodhur kur ai ka kandiduar për postin e Avokatit të Popullit në vitin 2011. Në CV-në e tij ai ka deklaruar se ka mbaruar doktoraturën në një nga Universitet e Francës, ndërkohë që e vërteta është ndryshe, se ai edhe pas dy vjetësh nga paraqitja e kësaj CV-e nuk e ka mbaruar akoma doktoraturën. Rasti tjetër ka ndodhur në datën 20.11.2013 kur ai është paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut. Atij iu bë një pyetje lidhur me rastin e ankesës së banorëve të kompleksit “Jon resort”. Z. Totozani deklaroi se veprimet e INUK dhe Policisë së Shtetit për vendosjen e shiritit rreth e qark pallatit dhe pengimin e banorëve për të hyrë lirisht në apartamentet e tyre në këtë pallat ishte i kundërligjshëm. Por ai nuk deklaroi edhe faktin tjetër të rëndësishëm të konstatuar gjatë hetimit administrativ të këtij rasti i cili lidhet me lejen e sheshit dhe atë të ndërtimit të këtij pallati, të cilat janë dhënë nga bashkia Vlorë në kundërshtim të hapur me vendimin e KRTRSH-së, sipas të cilit nuk lejohen ndërtime në këtë zonë të qytetit të Vlorës ku është ndërtuar ky pallat. Kuptohet qëllimi i fshehjes së këtij fakti të rëndësishëm, sepse cenohet drejtpërdrejtë z. Basha Kryetari i PD-së.

-Prezantimi i tij para të huajve

Në prezantimin që ai i bën vetes para të huajve tregohet megalloman, mburravec dhe jo dinjitoz. Asnjëherë nuk e prezanton veten si shqiptar, madje i shan shqiptarët. Shprehet me mburrje se është francez, italian, zviceran dhe ka fituar kulturën e tyre sepse ka studiuar e jetuar jashtë dhe dallon shumë nga shqiptarët. Madje në një rast kur i thotë një homologu të tij se ishte zviceran, ai e pyeti se kur e kishte marrë shtetësinë zvicerane. Totozani iu përgjigj se nuk e kishte marrë atë, por meqenëse kishte studiuar e banuar 6 vjet në Zvicër kishte fituar kulturën zvicerane dhe ndjehej njësoj si ata. Homologu i tij iu përgjigj se kishte jetuar 18 vjet në Zvicër dhe nuk e konsideronte veten zviceran. Shprehet se është drejtuesi më i votuar në Shqipëri me 126 vota, por ndërkohë ankohet se nuk e do asnjë palë politike, as opozita që e propozoi dhe as pozita. Sipas tij, opozita nuk e do sepse nuk i plotëson dëshirat dhe kërkesat e saj për të kritikuar qeverinë dhe për të punësuar njerëzit e saj, ndërsa pozita nuk e do sepse është shumë kritik ndaj qeverisë. U shprehet se ka vendosur dhe deklaruar publikisht se nuk do të rikandidoj për mandatin e dytë sikurse ka bërë paraardhësi i tij, i cili kandidoi për herë të tretë. Sipas tij, këtë vendim e ka marrë me qëllim që të jetë objektiv, i paanshëm dhe i vendosur në kryerjen e detyrës që ka marrë përsipër dhe se nuk do t’ia dijë për forcat politike.

-Kërkesat drejtuar autoriteteve të huaja për të mos pranuar Shqipërinë si vend kandidat në BE;

Ishte qesharak deklarimi i tij para disa kohësh kur me zë të lartë deklaroi para mediave se e mbështeste propozimin e vendeve anëtare dhe strukturave përkatëse për pranimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Ndërkohë që ai në takime të ndryshme me personalitete dhe delegacione të vendeve të huaja dhe në prezencë të stafit të tij u ka kërkuar atyre me vendosmëri e zë të lartë që të mos i japin Shqipërisë statusin vend kandidat për në BE nëse nga administrata nuk do të zbatoheshin rekomandimet e tij si dhe nëse nuk do të zhduket fenomeni i gjakmarrjes dhe pasojat e tij. Ndërkohë ai u ka kërkuar atyre që ti venë kushte të tjera plotësuese Shqipërisë për tu pranuar vend kandidat në BE. Kuptohet që ky qëndrim i tij mbahet për ti dhënë rëndësi vetes para ndërkombëtarëve dhe të marrë mbështetjen e tyre.

-Ndryshimi i strukturës së institucionit;

Me ardhjen e tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit ai me qëllim për të “legjitimuar“ largimin nga puna të disa punonjësve dhe marrë disa njerëz të tij ka bërë ndryshimin e strukturës së institucionit, strukturë e cila ishte realizuar me sugjerimin e shteteve europiane që e kanë të konsoliduar institucionin e Avokatit të Popullit që prej disa dekadash sikurse janë vendet nordike. Nga 1 drejtor kabineti që ishte, i cili kryente edhe detyrën e këshilltarit për mediat dhe zëdhënësit, janë bërë 1 drejtor kabineti dhe 2 këshilltarë për mediat; nga 1 punonjës në sektorin e pritjes së popullit, janë bërë 3 punonjës; nga 1 punonjës në sektorin e marrëdhënieve me jashtë, janë bërë 3; nga 3 sekretare (një për çdo seksion), është lënë vetëm një.

-Shkatërrimi i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës;

Ky mekanizëm është krijuar me ligj në vitin 2008 dhe është lënë në vartësinë e drejtpërdrejtë të Avokatit të Popullit. Në organikën e mekanizmit janë 5 punonjës, një drejtues dhe katër ndihmës komisionarë. Këta punonjës gjatë kësaj periudhe kohore janë trajnuar për natyrën e punës së tyre brenda vendit dhe në disa vende të tjera që kanë eksperiencë në këtë fushë. Punonjësit e këtij mekanizmi janë vënë në dispozicion për dy vjet rresht të IET që drejtohet nga bashkëshortja e Totozanit dhe kur ka dashur ajo. Deri para se të plaste skandali në media, ajo vinte për ditë dhe rrinte me orë të tëra në zyrë me Totozanin, madje kur ai shkonte jashtë shtetit ajo nuk nguronte ta “zëvendësonte“ duke ardhur në zyrën e tij dhe bërë kontrolle punonjësve për të cilën i raportonte atij menjëherë. Ndërsa me OJQ-të e tjera me të cilat Avokati i Popullit ka lidhur marrëveshje nuk është bashkëpunuar pothuajse fare. Gjatë vitit 2012 me këto OJQ janë kryer vetëm tre inspektime të përbashkëta, ndërsa këtë vit është kryer vetëm një inspektim. Këtyre jo vetëm nuk u merrej mendim për datën e kryerjes së inspektimeve, por me qëllimin e keq që të mos kishin mundësi të përgatiteshin e gjenin ekspertët e tyre për realizimin e inspektimit, njoftoheshin formalisht një ditë para dhe në orët e fundit të ditës. Totozani e ka shkatërruar këtë mekanizëm dhe deri tani brenda një kohe prej 16 muajsh ka ndërruar tre drejtuesit e tij, dy janë detyruar të japin dorëheqje, ndërsa një tjetër është shkarkuar. Drejtuesja e fundit tij, e cila megjithëse erdhi nga radhët e IET dhe me bekimin e bashkëshortes së tij, për shkak të keqsjelljes së tij u detyrua të jap dorëheqjen e parevokueshme pa mbushur akoma dy muaj nga emërimi i saj në këtë detyrë. Ajo është traumatizuar nga sjellja e Totozanit, i cili i kërkonte që të mos pinte kafe me vartësit, të mos i buzëqeshte atyre, t’i rrinte me inat dhe t’i ndëshkonte me masa disiplinore me qëllim largimin nga puna. Një nga ekspertët më të mirë është larguar nga ky mekanizëm me insistimin e drejtpërdrejtë të bashkëshortes së Totozanit sepse ai nuk ishte dakord me disa konstatime, mendime e sugjerime të saj gjatë inspektimeve dhe monitorimeve të përbashkëta. Totozani në mënyrë të pacipë e të përsëritur u kërkonte eprorëve të këtij eksperti që ta kontrollonin herë pas here me qëllim që “ti gjenin“ pa tjetër shkelje apo ta mërzisnin e të largohej nga puna. Mirëpo ata duke parë korrektësinë e ekspertit, por edhe qëllimin djallëzor të Totozanit nuk iu bindën këtij të fundit. Ndërsa dy ekspert të tjerë për shkak të qëndrimeve arrogante dhe sjelljeve të bezdisshme të tij janë larguar me dorëheqje dhe janë punësuar në vende të tjera, ndonëse njëri prej tyre me pagë më të ulët. Aktualisht ky mekanizëm ka mbetur pa drejtues dhe vetëm me dy ekspert dhe nuk mund të kryejë funksionet e tij ligjore.

-Injorimi i punës së mëparshme të institucionit dhe të punonjësve para të huajve;

Injorimi i punës së mëparshme të bërë nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe paraardhësi i tij, si dhe sharjet e punonjësve janë pjesë kryesore e prezantimit dhe e bisedave të tij në takimet e bëra me të huajt jashtë dhe brenda vendit. Pothuajse në çdo takim me të huajt ai mohon punën e bërë më parë nga ky institucion dhe paraardhësit e tij dhe u deklaron atyre se ai ishte shndërruar në një çerdhe për t’u bërë nderë politikanëve. Gjithashtu, ai shprehet hapur se punonjësit që ka gjetur në këtë institucion janë të paaftë, kanë qenë lidhje të afërta të politikanëve etj., etj., duke i lënë me gojë hapur e të çuditur ata që e kanë ndjekur nga afër punën e këtij institucioni. Ai ka arritur deri atje sa të ndryshojë edhe logon e institucionit. Ky person i përket asaj kategorie drejtuesish paranojak, që mendojnë se historia e një vendi apo institucioni fillon me ardhjen e tyre në krye të tyre. Ndërkohë që e vërteta është ndryshe, Avokati i Popullit u ngrit dhe funksionoi shumë mirë, stafi i tij është trajnuar jashtë dhe brenda vendit dhe nën kujdesin dhe me sponsorizimin e ndërkombëtarëve të cilët i dhanë mbështetje të plotë e të pakursyer ngritjes dhe funksionimit të tij. Ndërkohë ai ka filluar që të shajë edhe punonjësit që ka punësuar vetë, duke u shprehur se nuk janë të përkushtuar, se ka gabuar në përzgjedhjen e tyre, se po i sabotojnë punën e tij etj. Këto deklarime i ka bërë në mbledhjet e hapura me stafin dhe me të tjerët jashtë institucionit në takime e seminare e konferenca. Përveç kësaj ai shan para të huajve shoqërinë civile shqiptare, duke thënë se ajo nuk ekziston, është kompromentuar nga pushteti, është e kapur etj.. Gjithashtu, shan edhe politikanët duke thënë se janë të korruptuar, nuk të lenë të punosh etj..