Problemet e Albtelekom-it me qytetarët dhe shërbimi i munguar

76

VËZHGIM/Ankesat e qytetarëve nuk po gjejnë zgjidhje nga punonjësit  e rrjetit të telefonisë

Çdo ditë pranë zyrave të Albtelekom në kryeqytet ka qytetarë që shkojnë për të bërë pagesat mujore të rrjetit ADSL. Por pranë këtyre zyrave po ashtu ndesh dhe qytetarë që shkojnë për të bërë ankesat e tyre që kanë në lidhje me shërbimin që u ofrohet nga kjo kompani. Qytetarë të ndryshëm të pyetur nga gazeta “Telegraf” shprehen se, prej kohësh kanë pasur probleme me rrjetin ADSL Albtelekom. Ankesat e qytetarëve janë të ndryshme dhe për këtë nuk gjejnë zgjidhje edhe pse kanë bërë ankesa të pafundme. Ndër ankesat kryesore të qytetarëve për Albtelekom janë: mos dërgimi i faturave nëpër shtëpitë e tyre, cilësia e dobët të internetit, moszbatim të kontratës, kontrata të njëanshme, mungesë të pritjes dhe të zgjidhjes së problemeve, mungesë korrektësie në zbatim të parametrave, për dyshim në çmime e tarifash etj. Po ashtu problemet me rrjetin ADSL janë të shtrira në tërë vendin jo vetëm në Tiranë.

Problemet e rrjetit nuk zgjidhen në kohë

Ajo që i shqetëson më shumë qytetarët është se problemet që kanë me rrjetin nuk zgjidhen asnjëherë në kohë nga Albtelekom. Nga bërja e ankesës për një problem mund të kalojnë muaj të tërë dhe problemi nuk merr zgjidhje. Sipas qytetarëve mund të kalojnë 3 muaj 6 muaj apo më shumë që ato mund të kenë probleme me rrjetin dhe punonjësit nuk vijnë për ta rregulluar. “Kam që në muajin dhjetor që kamë pasur probleme me rrjetin dhe i kam njoftuar punonjësit e kompanisë dhe nuk kam marrë zgjidhje. Sot isha përsëri për të kontaktuar dhe për të përsëritur ankesën time. Uroj që të vijnë pasi kështu më thanë, por s’është hera e parë në fakt që më thonë kështu” shprehet qytetari H. A nga Tirana.

Faturat nuk dërgohen në adresë

Edhe mosdërgimi në adresë i faturave të qytetarëve është një ndër ankesat e shpeshta që tregojnë qytetarët teksa i pyet për shërbimin që u ofrohet nga kompania Albtelekom. “Unë jam nga zona e Kombinatit dhe nuk mbaj mend asnjëherë që të më vijë në adresë fatura që duhet të paguaj për rrjetin ADSL. Kjo është një nga shërbimet që kjo kompani nuk i realizon. Nuk e di arsyen, sepse kur i pyet punonjëset të thonë që do e shikojmë këtë problem” shprehet qytetarja S. A. Ankesat e qytetarëve për përmirësimin e situatës problematike me rrjetin nuk merren në konsideratë dhe nuk gjejnë zgjidhje. Qytetarët tregojnë se shkojnë në zyrën e ankesave, bëjnë dhe ankesa me shkrim, por situata mbetet e njëjtë dhe asnjë problem nuk është zgjidhur. Qytetarët shprehen se ankesat e kanë rënë në vesh të shurdhet. Po ashtu ankesat e qytetarëve janë dërguar edhe në adresë të  Entit Rregullator të Telekomit, por edhe atje nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Ata shprehen se: Edhe Enti Rregullator i Telekomit kanë qenë i pa fuqishëm për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të vënë në zbatim ligjin aty ku është shkelur nga kompania. Pra në këtë  situatë edhe Enti Rregullator shprehen qytetarët nuk respektuar ankesën e qytetarëve që nuk marrin shërbimin, kur me të drejtë entit i përket me ligj që të mbrojë qytetarët. Po ashtu qytetarët ngrenë edhe shqetësimin se kontrata e nënshkruar me kompaninë Albtelekom për kërkesat për këtë sinjal e linjë nuk po zbatohet fare kohët e fundit. Qytetarët janë shprehur për “Telegraf” se: “Në fillim kontrata është zbatuar dhe më pas kjo kontratë është shkelur deri sa ka sjellë shqetësime të përditshme e të vazhdueshme”. Ata shprehen se kjo situatë u ka sjellë shqetësime ekonomike shoqërore, psikologjike. E thënë kjo sipas tyre ata kanë përdorur ADSL për të komunikuar me klientelën, me shoqërinë, por ky fiksion ka qenë i dobët dhe herë pas here me ndërprerje.

Ankesat e qytetarëve për shërbimin që u ofrohet nga Albtelekom

– mos zbatim të kontratës

– kontrata të njëanshme

– mungese të pritjes dhe të zgjidhjes së problemeve

– mungese korrektësie në zbatim të parametrave

– për dyshim në çmime e tarifash

– mungesë të transparencës