Prizreni konferencë për bashkëpunimin turistik Kosovë-Shqipëri-Maqedoni

56
Organizata Joqeveritare “EC ma Ndryshe” dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizojnë sot në Prizren konferencën rajonale të projektit “Zhvillimi rajonal përmes turizmit kulturor në Prizren”. Konferenca “Bashkëpunimi turistik Kosovë-Shqipëri-Maqedoni” organizohet në bashkëpunim me Divizionin për Turizëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të organizatorëve për promovimin e potencialit turistik të Kosovës dhe bashkëpunimit rajonal.
Në pjesën e parë të konferencës do të ndahen përvojat e promovimit turistik nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, bashkë me iniciativat e bashkëpunimit rajonal. Pjesë e prezantimit në panelin e parë do të jenë edhe produktet turistike më të reja të rajonit të Prizrenit që janë përgatitur në kuadër të projektit “Zhvillimi rajonal përmes turizmit kulturor në Prizren”. Në pjesën e dytë do të punohet në grupe tematike, përmes të cilëve do të synohet nxitja e partneriteteve mes operatorëve turistik nga tre shtetet pjesëmarrëse. Pjesë e diskutimeve në grupet tematike do të jenë produktet e përbashkëta (rajonale) turistike, me fokus në guidat e përbashkëta turistike.
Agjencia KosovaPress informon se pjesëmarrës të konferencës do të jenë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës, operatorët turistikë, organizata të shoqërisë civile dhe hisedarët tjerë për strukturimin dhe pasurimin e ofertës turistike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Projekti “Zhvillimi rajonal përmes turizmit kulturor në Prizren” zbatohet në Komunën e Prizrenit, me një shtrirje të përzgjedhur edhe në komunat tjera të rajonit (Dragash, Rahovec, Mamushë, Malishevë dhe Suharekë). Objektivi i përgjithshëm i projektit është t’i mbështesë përpjekjet për zhvillim ekonomik lokal dhe rajonal në Rajonin Ekonomik.