“PRIVATIZIMI” I PLAZHEVE

895
Sigal

Theodhori PROKO

Me ardhjen e sezonit veror dhe hapjen e plazheve, nisin të dalin në pah problemet e vjetra që askush nuk mundohet t’u japë zgjidhje, e për rrjedhojë përsëriten si refreni i një kënge të trishtuar vit pas viti. Fjala është për parcelizimin e plazheve publike, të dhëna me qira nga bashkia për shfrytëzim, individëve të veçantë. Me dhënien e lejes, bashkia, por dhe organet e tatimeve që vjelin taksat në interes të shtetit, e quajnë detyrën të mbaruar dhe nuk marrin as mundimin së paku të bëjnë një “shëtitje” anës detit për të parë efektivitetin e zbatimit të asaj që kanë autorizuar vet. Në këto kushte, qiramarrësit e quajnë veten “pronarë”, jo vetëm të sipërfaqes së tokës, të cilën e caktojnë vetë, sipas qejfit, por e quajnë veten “të plotfuqishëm” edhe mbi detin dhe diellin.

Duhet t’u paguash atyre tarifën e caktuar sipas “oreksit”, përndryshe nuk mund të ngrohesh në diell. Në këtë fillim qershori, u ndodha në zonën që vlonjatët e quajnë “Plazhi i vjetër”. Duke shëtitur buzë detit, syri më zuri një çift të moshuarish, që duke çaluar e duke u mbështetur te njeri-tjetri, endeshin për të gjetur një vend të lirë për të ngulur çadrën e vjetër. Diku pas “klubit të vjetër”, u ndalën dhe mundoheshin të ngrinin “strehën” e përkohshme. U afrova t’i ndihmojë sadopak, duke parë se forca e moshës së tyre kishte shteruar dhe toka ranore u dukej si shkëmb i fortë. Në atë çasti behu me vrap një djalë i ri, me mjekër të gjatë që thërriste prej së largu: “Ej, ju atje, nuk e shikoni që është plazh privat? Po të doni të rrini paguani pesëqindlekshin dhe rehatohuni te çadrat e mia, përndryshe,… ngrohuni në diell!” -Atë duam edhe ne, – tha plaku, që e shoqja e thërriste me emrin Zenel, por s’na lënë shokët e tu. Që nga ish-moli “zero” e deri këtu që nuk është më shumë se dyqind metra, na kanë dalë tre ‘pronarë’ që na kanë përzënë nga ‘pronat’ e tyre”. Siç mësova nga biseda me djaloshin “pronar”, ai kishte zbritur nga Kanina dhe me që kishte punuar ca vjet në emigracion kishte mësuar se ky lloj biznesi është fitimprurës. Me një investim minimal mund të fitosh për tre muaj aq sa vështirë se fitohet për gjithë vitin me një lloj tjetër biznesi. Ndoshta kishte të drejtë, për sa kohë gjithçka është jashtë kontrollit të shtetit dhe ai mund të vendos vet sipas ligjit të më fortit. Lejen e shfrytëzimit nuk ma tregoi me arsyetimin se nuk kishte “nge” të merrej me të gjithë ata si puna ime që i kërkonin llogari në “pronën” e vet, po kur e pyeta sa sipërfaqe kishte marrë me qira, shtriu dorën në ajër, e rrotulloi si kompas dhe më tha; “E kam kufirin nga kanali e deri të zhukat”. Shenja më të çuditshme që tregonin “sinorin” nuk mund të gjeje. I kërkova ta paguaja unë vendin për xha Zenelin dhe gruan e tij të sëmurë nga reumatizma, me kusht që të më jepte kuponin tatimor, po ai ma ktheu me ironi: “Ti qenke më i rrjedhur nga këta pleqtë. Merr vesh ti që i kam paguar shtetit qiranë për tetë dynym tokë?” E kot që ta vazhdoje më debatin me atë “pronar” të ri. Në “hanin e rrumpallës” ndihej vet zot e vet shkop. Historikisht, “plazhi i vjetër”, për shkak të rërës së butë dhe të imtë, si dhe të afërsisë me lagjet e qytetit, frekuentohet kryesisht nga moshat e treta që vijnë aty me këmbë ose me biçikleta. Këta janë dhe shtresa e popullsisë më e goditur ekonomikisht, që jetojnë me ato pak të ardhura nga pensionet minimale që nuk u mjaftojnë as për ilaçe, e jo më të paguajnë për të ndenjur pak kohë në diell e pranë detit. Sikur ky të ishte rast i vetëm mund të mos flisnim për këtë problem, duke e parë si “rastësi”. Por në fakt, është abuzim me pronën publike në dritë të diellit, nën hundën e atyre që e kanë detyrë funksionale të kontrollojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik, në radhë të parë duke u kujdesur për qytetarët e taksapaguesit e tyre. Në këtë plazh të qytetit ka disa nga këta lloj “pronarësh” që vjelin të ardhura jo të vogla, por që nuk i dihet sa i paguajnë shtetit në formën e taksave. E njëjta gjendje është në të gjitha plazhet e qytetit të Vlorës. Te zona e Lungomares, megjithëse hotelet janë matanë rrugës automobilistike, zonën e detit e shfrytëzojnë po ata duke vendosur çadra e zhezlonge, madje edhe roje, se mos dikush mundet të hyjë pa paguar në territorin e tyre. Po kështu te zona e ish-vilave, mbrapa tunelit, në Jonufër, Radhimë e deri në Orikum. Asnjë hapësirë e lënë bosh për qytetarët vlonjatë që u duhet të paguajnë për të shijuar atë që u ka falur zoti, detin. E nëse kalon qafën e Llogarasë dhe zbret në plazhet e Dhërmiut, gjendja është dhe më keq. “Pronarët”, janë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, veç nga krahina e bregut, jo. Me sa duket bashkia e Himarës e ka parë të arsyeshme që këta janë më të aftë për të shfrytëzuar bregun e detit se sa banorët e lindur dhe rritur aty. Flitet se janë dhe më dorëlëshuar në bakshishin për marrjen e lejes së shfrytëzimit dhe për të kompensuar “dorovitjen” janë dhe më krijues në vjeljen e lekëve. Mund të duket pak e habitshme, por është e vërtetë. Në plazhin e “Drimadhes” në rreshtin e parë të çadrave duhet të paguash njëmijë lekë, në rreshtin e dytë shtatëqind lekë dhe në rreshtin e tretë pesëqind lekë, njëlloj si në tribunat e një stadiumi, megjithëse rreshtat njeri nga tjetri i ndan një distancë vetëm një metër. Ndonëse lokalet që kanë marrë me qira janë larg bregut, ata nuk lejojnë as parkimin e makinave në rrugë. Atje mund të parkojnë vetëm ata që do pushojnë me pagesë në pjesën e plazhit që është në të njëjtin drejtim me lokalin e tyre. Çudira “alla” shqiptare. Ndërsa në bregun përballë, vetëm pak milje larg, në ishullin e Korfuzit, që mbahet për turizëm elitar e ku vijnë turistë nga gjithë bota, mund të gjesh sa të duash vende ku mund të pushosh pa pagesë. Në Parga, pronarët e lokaleve, të ftonin për të marrë një kafe a një birrë dhe si shpërblim të ofronin çadra dhe zhezlonge falas, pa kufizim kohe. Në Budva, hotelet i kishin të kufizuara vendet e prenotuara për klientët e tyre dhe qytetarët vendas e dinin se ku mund të shkonin pa u “rrëmuar” njeri nëpër xhepa për t’u ngrohur në diell. Po këtu? Apo si në shumë gjëra jemi sërish rast i “veçantë”. Me këtë mënyrë administrimi të pronës publike, bashkia dhe ata që i japin lejet e shfrytëzimit pa kriter dhe më e keqja pa asnjë kontroll më pas, jo vetëm që nuk i afrojnë turistët, por i largojnë ata. Sezoni turistik sapo ka filluar dhe organet ligj-zbatuese në Vlorë e Himarë duhet të dalin në terren, të marrin situatën nën kontroll dhe të mos ndodhë si vitet e tjera kur kujtohen për këtë punë në gusht, në mbyllje të sezonit. Përndryshe, qytetarët kanë të drejtë t’i akuzojnë për bashkëpunim të heshtur me “pronarët” e plazheve në ndarjen e fitimeve.