Privati do marrë 30 vjet me koncesion stacionet e trenit, pas lyerjes do t’ia japë hekurudhës me qira!

644
Ky koncesion është një nga pazaret e radhës, mbasi këto stacione, 80% e të cilëve janë të braktisur e të mbetur ndërtesa gërmadha edhe sikur të rehabilitohen fizikisht e funksionalisht edhe të bëhen luks, nuk mund të joshin udhëtarët si përpara vitit 1991, mbasi Hekurudha Shqiptare nuk i tërheqë dot udhëtarët dhe subjektet në këtë gjendje mjerane që është katandisur! 
Sindikata e Hekurudhës Shqiptare, denoncoi këto ditë një skandal tjetër të rëndë që po “gatuhet” ilegalisht prej kupolës (ç)drejtuese të Hekurudhës Shqiptare, lidhur me një koncesion të çuditshëm, i cili është ideuar dhe po bëhet gati për t’u dhënë si “qokë”, për atë firmë apo individ që ka përzgjedhur “paria” e hekurudhës me qendër në Durrës, natyrisht me porosi qysh 4 muaj më parë edhe nga të ikurit që komandonin transportet… lartë! Eshtë fjala, për një koncesion me objekt të pa dëgjuar që mund të jetë shpikur e zbatuar deri sot, në ndonjë vend të botës! Kupola e Hekurudhës Shqiptare, pasi gëlltit çdo vit miliarda lekë fonde, financime e kredi të huaja dhe e ka lënë këtë transport të katandiset në skrap, paska gjetur një “zgjidhje moderne” (sipas drejtuesve), për dhënie me qira të disa pjesëve të Hekurudhës Shqiptare. Sipas denoncimit mediatik të sindikatës së Hekurudhës, do të jepen me qira stacionet e trenit nëpër qytete e zona ku ato ndodhen! 

Sipas drejtuesve të hekurudhës, thuhet se ky koncesion është hapi i parë i “rilindjes” së këtij shërbimi transporti të tjetërsuar në “kufomë”, me të cilin siç dihet nuk udhëton e nuk kryen shërbime asnjë shqiptar dhe subjekt privat vendas apo i huaj edhe pse me 60% ulje të çmimit të biletës dhe vlerës së transportit të mallrave, në raport me transportin rrugor! Pse? Sepse transporti dhe shërbimi hekurudhor në Shqipëri është katandisur “sorogato” e “breshkë”, deri në atë derexhe sa për të ka dalë e qarkullon ky krahasim përçmues e ironizues: “Më mirë udhëtoj e transportoj mallra me gomarin me 4 këmbë që ha kashtë, se sa me trenin me 1100 punonjës e zyrtarë që gëlltitin qyl miliarda lekë nga shteti”! E sikur të mos mjaftonin fondet dhe kreditë miliardësh, që po kthehen në paga, dieta, reklama, bojatisje trenash skrap edhe me ngjyrë “rilindjeje”, për vetura shefash, kolltuqe zyrash, kondicionerë e energji elektrike për ngrohje, për pjesë këmbimi që nuk vlejnë, për karburante e shpërblime “zyrtarësh të dalluar”, babëzia e shfrenuar e kupolës së hekurudhës po kalon edhe caqet e çmendurisë! 

Eshtë vendosur të jepen me qira gjithë stacionet e trenit që janë ngritur e gjenden përgjatë linjës hekurudhore që ekziston si kufomë dhe stacionet që gjenden në ato segmente që nuk i gjendet asnjë copë traversë as “për gjurmë historike”! Pra, do të jepen me koncesion stacionet në të gjithë linjat nga Shkodra në Tiranë, nga Tiranë në Guri-Kuq, nga Miloti në Klos, nga Tiranë në Ballsh e nga Fieri-në Vlorë! Nuk e dimë, se cilat “duar” do ta përlajnë këtë koncesion, por sipas dosjes dhe plan-biznesit të koncesionit absurd të sajuar prej kupolës së Hekurudhës Shqiptare4, do të jepen me koncesion vetëm objektet e stacioneve të trenit nëpër qendrat urbane dhe në ish-qendrat industriale! Kujtojmë, që kupola e hekurudhës, me propozim të saj dhe miratim të Ministrisë së Transporteve, ka dhënë një koncesion në 2 segmente të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh e Fier-Vlorë, miratuar në datën 31 Gusht 2015, me Vendim të KVO të Ministrisë së Transporteve! Po ndërsa koncesioni prej 25 vjetësh i segmenteve hekurudhore Fier-Ballsh e Fier-Vlorë, u justifikua me rehabilitimin fizik dhe futjen në efiçencë të këtij shërbimi në këto linja, koncesioni 30 vjeçar për dhënien me qira të stacioneve të trenit, ka një “motiv” tjetër, që nuk fut trenin në shina, por që “fut në shina” pazaret e bëra.

 Konkretisht, sipas objektit të këtij koncesioni, stacionet e trenit që janë ndërtuar dhe gjenden fizikisht në disa qendra banimi përgjatë 475 kilometrave të linjës hekurudhore, do t’i hiqen nga administrimi Hekurudhës Shqiptare dhe do t’i jepen subjekteve private, të paracaktuar tashmë prej kupolës së hekurudhës. Qëllimi që shkruhet “në letra”, konfirmon se këto stacione, 80% e të cilëve janë të braktisur e të mbetur ndërtesa gërmadha, do të jepen me koncesion sepse do të rehabilitohen fizikisht e funksionalisht, me qëllimin për të joshur e rikthyer udhëtarët si përpara vitit 1991, gjë e cila është “ëndërr”, mbasi hekurudha shqiptare nuk josh dot në këtë gjendje mjerane që është katandisur! Mirëpo, në rastin e këtij koncesioni sa absurd aq edhe skandaloz nuk bëhet fjalë për të joshur udhëtarët në këtë transport, por për të “fryrë” xhepat me këtë Pazar! “Agallarët” e hekurudhës, të cilët e përdorin mirë marifetin e përdredhjes së fondeve e aseteve publike nëpërmjet tenderëve të aplikuar në disa poste të larta zyrtare, ka ditur të fusin brenda dosjes së koncesionit të stacioneve të trenit një element, që duket sikur nuk bie në sy, ose më saktë që sipas tyre quhet “standard ligjor”, duke kaluar si procedurë e raport partneriteti publik-privat, një pazar të pisët brenda koncesionit të pisët me stacionet e trenit! Ja çfarë është menduar konkretisht: Pas marrjes së stacioneve me koncesion, firma do të “rilind” ndërtesat dhe mjediset e stacioneve të trenit. Nuk e kemi fjalën për faktin, se në koncesion janë përfshirë edhe stacione treni në segmentet ku linja hekurudhore është zhdukur e nuk ka qarkullim treni, por për një skandal që duhet hetuar urgjent nga shërbimi i anti-krimit ekonomik-financiar! Çfarë po bëhet me këtë koncesion? Pasi subjekti që është paracaktuar t’i jepet koncesioni, do të ketë kryer rehabilitimin e të gjithë stacioneve edhe të atyre ku nuk ka më hekurudhë, koncesionari nuk do t’’i administroj vetë stacionet e trenit, por do t’ia jap me qira… pronares shtetërore Hekurudhës Shqiptare, qira që do të përcaktohet në vlera financiare për çdo stacion në veçanti, ose një qira totale për stacionet e trenit të çdo qarku, vlera e të cilës do të ofrohet vetëm prej koncesionarit dhe sipas kontratës (pazarit), do të pranohet prej hekurudhës. Pra, hekurudha e drejtuar nga Alizoti, për 30 vjet radhazi deri sa ai të jetë 80 vjeç, nuk do të jetë më zoti i stacioneve të trenit, por do të jetë qiraxhi në shtëpi të vet, meqë shtëpinë ia ka lyer… privati! 
Ja disa deklarime në media, nga kreu i Hekurudhës Shqiptare…
1. Për vitin 2016, qeveria ka parashikuar investime në vlerën e rreth 1 milion eurove. Një shifër e ulët kjo, në një kohë kur Kosova e llogarit në rreth 15 milionë euro. Ne besojmë se hekurudha shqiptare me të paktën 200 milionë euro investime mund të nisë të gjallërohet, të zbatojë shpejtësi qarkullimi më të madhe, të rrisë sigurinë dhe sasinë e transportit. Gjatë këtyre dy dekadave, hekurudha nuk ka bërë gjë tjetër veçse është mbajtur gjallë me “dhjamin” e trashëguar. Është përdorur deri kur është fuqizuar rrjeti i transportit rrugor dhe më pas është lënë në hije.
2. Duhet të gjenden mënyra për të stimuluar transportin e mallrave me hekurudhë, veçanërisht për mineralet, hekurin, çimenton, etj. Nëse qeveria do të fokusohej në këtë drejtim, atëherë ajo do të përfitonte më pak kosto mirëmbajtje për rrugët, më pak aksidente dhe mjedis më të pastër.
3. Hekurudha shqiptare është duke synuar zbatimin e një programi investimi për një periudhë 8 deri në 10-vjeçare, që do të rivendoste rrjetin në kushte normale pune, të krahasueshme me ato në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
4. Objekt i Strategjisë Kombëtare të Transportit dhe planit të masave 2016-2020, ku përjashtim bën projekti për ndërlidhjen me kufirin grek, i cili u zgjodh nga SEETO për të qenë pjesë e hartës “MAP 2016”, por u zëvendësua nga projekti i rehabilitimit të segmentit Durrës-Tiranë dhe ai Tiranë-Rinas, që rezultoi se ishte më fitimprurës dhe më fleksibël.
Përparim HALILI
Sigal