Pritet arrestimi i 17 drejtorëve dhe 4 titullarëve vendorë

577
Sigal

Prokuroria e Krimeve të Rënda, zbarkon në Durrës. Mes të hetuarve janë 2 ish-nënkryetarë të Bashkisë Durrës, ish- drejtori i APD-së, 9 zyrtarë të bashkisë, 2 kryetarë komunash, drejtorë të Ujësjellësit, Mirëmbajtjes së Rrugëve etj…

Një grup prokurorësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, qysh nga kjo javë do të zbarkojnë në Durrës, për të kopsitur akt-akuzën për 17 ish-drejtorë, të cilët Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Auditi, u ka zbuluar shkelje flagrante me fondet, investimet, detyrën, pabarazi me  tenderat, por edhe duke i akuzuar për vjedhje të parave të shtetit. Ky është grupimi i parë i ish-drejtuesve, të akuzuar për abuzime dhe vjedhje, ndërkohë që në të tjera ndërmarrje KLSH po kryen intensivisht kontrollet dhe verifikimet e çdo dosje qysh nga viti 2009-2013. Bëhet fjalë për fonde, të cilat kapin vlera miliona euro, në akse rrugore, të cilat edhe sot kanë mbetur pa mbaruar në disa prej komunave në Durrës, për  rehabilitime  sheshesh, kalatash,  shkollash,  qendrash  shëndetësore, rrjetesh të ujit të pijshëm, kanalizimesh dhe  deri tek abuzimi me dietat, udhëtimet jashtë shtetit, blerjet e pajustifikuara të pajisjeve dhe makinerive, sponsorizimet  në vlera  marramendëse, etj.. Ndërmarrje  të  tilla  si  Autoriteti  Portual, Ujësjellësi, Ndërmarrja e Rrugëve,  bashkia Durrës,  Hekurudhat, ALUIZNI, Komuna Ishëm, Drejtoria e Postave, Drejtoria e Pyjeve, ARM,  Drejtoria e Spitaleve,  e Shëndetit Publik, komuna e  Manzës,  apo  disa  prej komunave dhe bashkive të tjera, janë  objekt  i punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pasi ka marrë raportet e KLSH-së, ka gati akuzat ndaj 17 ish-drejtuesve. Në listë mësohet nga burimet e Prokurorisë  janë “dy ish-nënkryetarët e bashkisë Durrës, ish-drejtori  APD, 9  zyrtarë  të bashkisë Durrës, dy ish-kryetarë komunash, dhe disa ish-drejtorë, si ai i Ujësjellësit, Mirëmbajtja  Rruga  etj. Por gjithsesi, të bën përshtypje fakti se, ka qenë KLSh, e cila ka insistuar në  nisjen e hetimeve për abuzimet e ish-drejtuesve  dhe ish-zyrtarëve të institucioneve të shtetit në Durrës, ndërkohë që, organi akuzës edhe në vitet e shkuara ka pasur denoncime dhe kallëzime por rezulton se nuk ka nisur asnjë çështje  penale  ndaj  asnjërit  prej  tyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, ka nisur paraprakisht njoftimet për seicilin prej të denoncuarve dhe akuzuarve, duke u kërkuar  atyre  të mos largohen nga territori  i Republikës  së Shqipërisë. Sipas një burimi nga organi akuzës mësohet se fjala është për miliona euro të cilat nuk gjenden të justifikuara në asnjë dosje dhe dokumentacion zyrtar që disponojnë institucionet e kontrolluara nga KLSH. Para pak javësh, ka qenë vetë kreu i KLSH zoti Bujar Leskaj, që deklaroi se, “në raportet  përfundimtare  të ekipeve  të kontrollit, kanë  rezultuar  me shkelje  ligjore dhe abuzime shumë ish-drejtues  institucionesh,  por edhe  bashkëpunëtorë të tyre  për  të cilët  ne kemi bërë dhe do të bëjmë  propozimet  tona, natyrisht pranë  organeve ligjore, pastaj  janë  ata që  vendosin”.

Ja shkeljet në disa institucione

Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi më datë 19.05.2014 auditimin e iniciuar në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe porti infrastrukturës. Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike -financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 01.09.2010 deri më datën 31.10.2013. Referuar   shkeljeve  të  konstatuara  nga  ky auditim dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore arrin në vlerën  2.35 miliard lekë ose 16,9 milion Euro. Shkeljet kryesore të trajtuara në këtë raport auditimi kanë të  bëjnë me shkeljen e ligjit në: Zhvillimin e procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së, zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës, procedurat e prokurimeve për investime (blerje mallrash dhe shërbimesh) si dhe zbatimin e kontratave respektive, etj. më konkretisht, nga auditimi i procedurave për dhënien me koncension të një pjese  të aktivitetit të APD-së, u konstatua që procedura e përgatitjes së dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me shoqëritë koncensionre, si dhe zbatimi i tyre, nuk kanë qenë konform dispozitave përkatëse ligjore. Pas konstatimit  të shkeljeve KLSH ka çuar dosjen në Prokurori, ku ka ngritur padi penale edhe ndaj ish- drejtorit.

KLSH zbulon shkelje në 202 lejet  tek  ALUIZNI

Pas një kontrolli në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI në Durrës, KLSH ka konstatuar se janë dhënë 202 leje legalizimi në kundërshtim flagrant me ligjin. Dëmi 560 mijë euro, shkojnë për ndjekje penale 5 zyrtarë. Legalizimet e banesave informale dhe abuzimet  kanë detyruar KLSH të  nisë kontrollin duke denoncuar qindra  objekte  të cilat janë legalizuar në kundërshtim me ligjin. KLSH  publikoi rezultatet e kontrollit të fundit, në të cilin u zbulua se Drejtoria Rajonale e Legalizimeve në Durrës dha lejen për 202 subjekte në zonat ku nuk lejohen ndërtime dhe ka kallëzuar penalisht 2 ish-drejtorë e 5 ish-përgjegjës të ALUIZNI-t Durrës.

Abuzimi me lejet

Nga 202 ndërtimet informale të legalizuara në kundërshtim me ligjin, 22 ndërtime  ishin bërë mbi monumentet  arkeologjike  në zonat arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës, 157 ndërtime informale pranë vijës bregdetare në kundërshtim me Studimin Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës, 4 raste brenda brezit mbrojtës të hekurudhave dhe 19 objekte brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues. Pas verifikimeve, KLSH  ka kryer kallëzim penal në prokurorinë e Durrësit  për ish-drejtorët e këtij institucioni, A. L. dhe E. J.  si dhe për ish-përgjegjësit e sektorëve K.S., A.L, P.I., G.D. dhe F. Ç., për konsumim të elementëve të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” të bazuar në nenin 248 të Kodit Penal. Këta zyrtarë, në shkelje të ligjit dhe abuzimit me detyrën, i kanë krijuar buxhetit të shtetit një dëm me vlerë 72.5 milionë lekë dhe mungesë të të ardhurave për fondin e kompensimit monetar ndaj ish-pronarëve, në vlerë 6.2 milionë lekë. KLSH evidentoi shkelje, të meta e mangësi në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), si dhe në shqyrtimin e miratimin e kërkesave për objektet informale. Pasi ka vërtetuar katrahurën me legalizimet jashtë kontrollit, KLSH-ja ka rekomanduar rishikimin e tyre. I është kërkuar Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që për objektet informale të pajisura me leje legalizimi dhe për ato që kanë lidhur kontratat, të fillojnë procedurat për rishikimin e lejeve të dhëna në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Zgjidhje të kontratës së punës” për dy ish-drejtuesit e ALUIZNI-t Durrës dhe pesë përgjegjësit dhe marrjen e masave të tjera disiplinore për tre nëpunës të tjerë të këtij institucioni. Nga 202 ndërtimet informale të legalizuara në kundërshtim me ligjin, 22 ndërtime ishin bërë mbi monumentet arkeologjike në zonat arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës,  157 ndërtime informale pranë vijës bregdetare në kundërshtim me Studimin Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës, 4 raste brenda brezit mbrojtës të hekurudhave dhe 19 raste brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kulluese.

DISA SHKELJE

-Nën hetim janë dy ish-nënkryetarët e Bashkisë Durrës, ish-drejtori  APD, 9  zyrtarë  të Bashkisë Durrës, dy ish-kryetarë komunash dhe disa ish-drejtorë, si ai i Ujësjellësit, Mirëmbajtja  Rruga  etj..

-Kontrollet dhe verifikimet kanë përfshirë dosjet e viteve 2009-2013.

-Në Portin detar, autiti ka zbuluar abuzimin me 16,9 milionë Euro

-KLSH ka zbuluar shkelje në 202 lejet  tek  ALUIZNI. Dëmi 560 mijë euro

Zyrtarët në hetim, duke dhënë leje ndërtimi jashtë kritereve ligjore  i kanë krijuar buxhetit të shtetit 72.5 milionë lekë dëm.