Prishja e banesave në Shkozë, banorët prej 2 orësh në protestë: I erdhi fundi durimit, të gjendet zgjidhje

533
Dhjetëra-qindra banorë në Shkozë vijojnë prej 2 orësh protestën në rrugën kryesore, kundër prishjes së ndërtimeve të banesave të tyre për shkak të rehabilitimit të Lanës, si pjesë e planit urbanistik të Tiranës. Qytetarët kanë dalë në protestë tek ‘Ura e Shkozës’ dhe nuk lejojnë mjetet të kalojnë duke krijuar një trafik rreth 1 kilometër të gjatë.
Të paktën 153 banesa preken nga projekti i rehabilitimit të Lanës nga rrethrrotullimi në ‘Urën e Shkozës’. Fadromat kanë mbërritur që prej paradites së sotme për të prishur banesat që shumë prej banorëve thonë se i kanë me leje dhe të ndërtuara para viteve 1990.
Protestuesit thonë se i erdhi fundi durimit të tyre dhe nuk dorëzohen nëse nuk dëmshpërblehen ose të gjendet një zgjidhje tjetër.

PROTESTE NE SHKOZE 1
“Sot i erdhi fundi durimit. Kemi 4 muaj që presim. Na është premtuar dëmshpërblim. Ka banesa që janë bërë para viteve 90 dhe me leje ndërtimi. Na trajtoni si gjithë të tjerët. Na jepni lejen e legalizimin dhe hajdeni bëni çfarë të doni këtu. Ne nuk dinim fare që do vinin fadromat. Na është premtuar nga Erjon Veliaj që do trajtohemi me një VKM të veçantë”- thonë banorët.

SHKOZE-BLLOKOJNE-RRUGEN-5
Ndërkohë një e moshuar kërcënon qe do vrasë veten nëse nuk gjendet një zgjidhje.
“Do vras veten se nuk kam çfarë bëj, jemi 6 veta në familje dhe unë nuk kam as lek me çfarë të transportoj plaçkat, jetojmë vetëm me pensionin tim. Për 15 vite shteti ishte në gjumë tani na vijnë thonë që shtëpitë nuk legalizohen. Nuk largohemi derisa të gjendet një zgjedhje”- tha një e moshuar.
Sigal