Prishen 10 ndërtime në Golem, IKMT: Janë ndërtuar në rërë

813
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej disa ditësh ka nisur prishjen e rreth 10 objekteve në Golem, kryesisht bare dhe restorante
Edhe pse pronarët e objekteve pretendojnë se ata i kanë me dokumente të rregullta, ky institucion ka reaguar sot duke thënë se janë të ngritura në rërë.
“Objektet janë brenda fashes se mbrojtur nga bregu ku nuk duhet ndërtuar sipas ligjit. IKMT u bën thirrje ndërtuesve të tillë, të mos ndërrmarrin iniciativa antiligjore duke u mbështetur në letra të dyshimta dhënë nga zyrtarë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet dhe mosveprimet e tyre. IKMT shprehet e prerë në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e territorit”- thuhet në reagimin e IKMT.
Pronarët e subjekteve, që janë lokale e restorante, janë shprehur se nuk janë njoftuar lidhur me aksionin e IKMT.
“Ne jemi të pajisur me leje, e ka lëshuar Elvis Rroshi. Dokumentacionin nuk e kanë marrë për bazë ata na thanë vetëm që të pastrojmë objektin, pa kurrfarë njoftimi paraprak, thjeshtë na është thënë se do bëhet shembja e objektit. Se nga kush është ky urdhër asgjë nuk dimë. Ka dhe objekte të tjera që po heqin po të njëjtën situatë si ne. Unë do të qëndroj këtu bashkë me familjen dhe të afërmit e mi që ky objekt të mos shembet se e kam ndërtuar me djersë, të paktën pa një arsye ligjore. Të ndërhyjë kryeministri se nuk po dimë nga po vijnë këto urdhra. Unë kam bërë dhe një kallëzim në Komisariatin e Policisë në Kavajë, dhe nuk kam hequr asgjë nga objekti im. Nuk dimë nëse ka një plan rregullues, me informacionet që disponoj unë, nuk ka asnjë plan rregullues në zonën tonë se duhet të ishim informuar”, u shpreh për mediat një nga pronarët e prekur nga aksioni. 
Sigal