Prindërit të alarmuar për të përditshmen që kalojnë fëmijët e tyre në shkolla

616
Me fillimin e vitit të ri shkollor për këtë vit, u bënë menjëherë dhe premtimet nga ana e bashkisë për vendosjen e sinjalistikës rrugore pranë shkollave dhe ushtrimin e kontrolleve në lidhje me cilësinë produkteve ushqimore të tregtuara nga ambulantët pranë dyerve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. Edhe pse u mendua se do të bëhej diçka për të ulur rrezikun e përditshëm që shoqëron nxënësit në këto ambiente, situata mbetet përsëri e njëjtë dhe mjaft e rrezikshme. Euforia në lidhje me këtë “transformim” ishte e madhe, sepse të tilla ishin premtimet nga ana e drejtuesve të bashkisë, por sot ku realiteti shihet me sy të lirë, është qartësisht e dukshme se sa e rrezikshme është e përditshmja e këtyre fëmijëve, të cilët janë të detyruar të udhëtojnë në të njëjtën rrugë me automjetet, në mungesë të plotë të sinjalistikës dhe kolapsit total të trafikut të krijuar në rrugët e kryeqytetit. Problematikat nisin duke filluar nga mungesa e sinjalistikës para territorit të shkollës dhe pranë rrugëve, të cilat kalojnë fare pranë shkollave. Sa i përket trafikut, më problematike paraqitet situata në mëngjes dhe në drekë, kohë kur dhe lëvizja e automjeteve është më madhe. 

Problematike është situata në rrugët ku nxënësit janë të detyruar të kalojnë për të shkuar në shkollë në mëngjes dhe për t’u kthyer më pas në drekë, rrugë të cilat paraqiten mjaft të rrezikshme për shkak të mungesës së theksuar së sinjalistikës, si dhe mbingarkesës së trafikut nga ana e automjeteve, të cilat bëjnë furnizimin e bizneseve çdo mëngjes. Edhe pse nga ana e bashkisë u theksua se do merreshim masa ndaj bizneseve që do të bënin furnizimin e mallit gjatë ditës, përsëri asgjë deri më tani nuk është bërë në këtë pjesë. Një tjetër problematikë, për të cilën bashkia u zotua se do të forconte kontrollet në bashkëpunim me AKU (Autoritetin Kombëtar të Ushqimit), ishte ajo e kontrollit të imtësishëm që do bëhej në çdo pikë shitjeje dhe fast-food-i që do të zhvillonte aktivitetin pranë shkollave. Deri tani asnjë masë nuk është marrë, asnjë kontroll nuk është ushtruar nga AKU, duke bërë që situata të vazhdojë të mbetet e njëjtë, rreziku të jetë përsëri tepër i lartë dhe të gjitha premtimet e bëra nga ana e bashkisë për përmirësimin e situatës të hidhen poshtë. Realiteti është ai i cili të tregon qartë, se situata konkrete nuk është aspak e qetë dhe se masat në këtë pjesë duhet të merren në mënyrë të menjëhershme, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve si pasojë e trafikut të rënduar në rrugët që të çojnë pranë shkollave, por dhe para ambientit të këtyre institucioneve arsimor, si dhe për të shmangur helmimet që mund të vijnë si pasojë e mungesës së kontrolleve nga ana e AKU pranë pikave ambulante të shitjeve, që ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të kryeqytetit.
Sigal