Prezantohet Fondi për Përshpejtimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

735
Nga 16-20 prill 2018, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara kanë ftuar një mision (MAPS) të përbërë nga një numër agjencish të OKB-së që ka për synim Integrimin, Përshpejtimin dhe Mbështetjen në fushën e politikave për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), mision i cili do të shqyrtojë të dhënat e disponueshme dhe politikat e Qeverisë, dhe do të identifikojë fushat që kërkojnë veprim të përshpejtuar, në mënyrë që objektivat që variojnë nga punësimi, barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit etj. të arrihen.
Në këtë kuadër, nën udhëheqjen e ZëvendësKryeministres së Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, është zhvilluar sot një konsultim i nivelit të lartë kushtuar progresit të Shqipërisë drejt arritjes së “Axhendës 2030” ku kanë qenë të pranishëm Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së Z. Brian J. Williams, Ambasadori i Suedisë në Shqipëri Sh. T. Z. Johan Ndisi, Deputetja dhe Nën-Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pranë Kuvendit të Shqipërisë Znj. Milva Ekonomi, si dhe donatorë të ndryshëm, partnerë të zhvillimit, përfaqësues të rëndësishëm nga qeveria, bota akademike, sektori privat dhe shoqëria civile. 
Në fjalën e saj, ZëvendësKryeministrja Senida Mesi, duke theksuar se Shqipëria e konsideron tashmë kornizën e OZHQ-ve si një vizion shumë të rëndësishëm për vitin 2030-të, u ndal tek prezantimi i Fondit për Përshpejtimin e OZHQ-ve në Shqipëri duke u shprehur se ky fond synon drejtpërdrejtë financimin e veprimeve konkrete që përshpejtojnë arritjen e angazhimeve që vendi ynë ka ndërmarrë në kuadër të këtyre objektivave. 
“Axhenda 2030, me moton e saj “Mos lër asnjëri pas!”, është shumë koherente dhe aktuale në kuadër të proceseve transformuese që qeveria shqiptare po ndërmerr, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian, por sigurisht edhe për zhvillimin e qëndrueshëm duke e ndarë atë në 3 dimensione: social, ekonomik dhe atë mjedisor. Në këtë aspekt, së bashku me Zyrën e OKB-së në Shqipëri dhe Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë kemi diskutuar për krijimin e një fondi të përshpejtimit të realizimit të këtyre objektivave, fond për të cilin do të nxisim edhe donatorë të tjerë për t’ju bashkuar. Sikurse e dëgjuam sot, qeveria suedeze, qeveria zvicerane dhe shumë donatorë të tjerë të pranishëm shfaqën interes për t’ju bashkuar kësaj nisme me qëllim që synimet dhe objektivat e Agjendës 2030 të zbatohen në kuadër të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Znj. Mesi. 
Ndërsa Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams, deklaroi: “Qeveria është zotuar për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe ka zhvilluar shumë strategji të cilat, nëse zbatohen, do të japin rezultate të dukshme. Ky mision shumë-disiplinor do të ndihmojë në identifikimin e mungesave të kapaciteteve, boshllëqeve buxhetore apo boshllëqeve të politikave, në mënyrë që qeveria me partnerët e saj të mund të përshpejtojë arritjet e objektivave në fushat që kanë të bëjnë me mbrojtjen sociale apo të drejtat e njeriut”.
Ekipi multi-disiplinor MAPS përbëhet nga ekspertë rajonalë nga ILO, UNDP, UNECE, UNFPA, UNESCO dhe OBSH dhe do të mbështetet në ekspertizën rajonale dhe globale të të gjitha agjencive të OKB-së aktive në Shqipëri. Përveç kësaj, ekipi (MAPS) do të punojë gjatë gjithë javës në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore dhe zyrat e BE-së në Tiranë. Programi i Misionit do të ketë konsultime të gjera që përfshijnë zyrtarët më të lartë të Qeverisë, deputetë, Ekipin e Kombeve të Bashkuara, partnerët e zhvillimit kombëtar dhe ndërkombëtar, shoqërinë civile, akademinë dhe sektorin privat. Në fund të misionit, do të përgatitet Raporti i MAPS i cili do të përmbajë sugjerime për prioritizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm duke marrë parasysh prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe përshpejtuesit e mundshëm të tyre.
Axhenda e vitit 2030, për të cilën qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar në përmbushjen e saj, përmban një filozofi të re të të menduarit për çështjet e zhvillimit që lidh tri pika: qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Axhenda e re kërkon qasje inovative dhe menyre të re të të konsideruarit të axhendës së zhvillimit.
Sigal