Prezantohen motorët e rinj të Policisë, Tahiri: Duhet të reagojmë që krimi të mos jetë para nesh

527
Policia e Shtetit po vijon me hapat reformues e modernizues, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve. Pas prezantimit disa ditë më parë të uniformave të reja të policisë së Shtetit, ditën e sotme është prezantuar një tjetër hap drejt modernizimit të shërbimit. Në kryeqytet në sheshin “Nënë Tereza”, janë prezantuar paraditen e sotme motorët e rinj të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se sot i japim jetë, një tjetër hapi modernizues të Policisë së Shtetit duke inauguruar motoçikletat e reja të policisë dhe modelin e ri të patrullimit në qendrat urbane.” Sfida për ta bërë këtë vend më të sigurt nuk është sfidë e një ditë, as e një muaji dhe as e një viti, është sfidë që do bashkojë kapacitetet më të mira duke bërë bashkë policinë me çdo qytetar që pretendon që ky vend të bëhet më i sigurt”, deklaroi ai.
Tahiri theksoi se bota e krimit mobilizon burime financiare dhe infrastrukturë që shpesh herë është shumë para policisë. Ndaj sipas tij është ‘detyrë e jona që të jemi në gjendje të reagojmë duke mos lejuar që krimi të jetë para nesh’. “Policia e Tiranës dhe disa qendrave urbane pasurohet me këtë njësi të lëvizshme. Modernizimi i policisë, modernizimi i teknologjisë dhe kapaciteteve infrastrukturore është rruga e duhur për rezultate të qëndrueshme. Lufta kundër krimit nuk fitohet dot brenda ditës ndaj duhet të forcojmë kapacitetet e policisë që bashkë me qytetarët të fitojmë kundër atyre që Shqipërinë e shikojnë si vendi ku mund të shkelet ligji dhe mund t’i bësh bisht drejtësisë. Punonjësit e policisë nëpërmjet këtyre reformave të jenë në gjendje të jenë sa më pranë qytetarëve për ta bërë jetën e tyre sa më të sigurt”, tha ministri i Brendshëm. Haki Çako tha në fjalën e tij se “me këto shërbime synohet të garantohet kontroll më i plotë të territorit. Rritet efikasiteti në luftën kundër krimit. Shërbimi do ndikojë në rritjen e besimit të qytetarëve të policia”.
Sigal