Preventivi, që zhvati 11 milionë euro

997
Shkaktoi reagime e denoncime të tjera, publikimi i bërë dje në “Telegraf”, lidhur me faktet e para të zbardhjes së skandalit financiar të bërë prej gjithë “zinxhirit” miratues e administrues privat dhe shtetëror italo-shqiptar, me investimin 11 milionë euro të akorduar prej Bankës Botërore, me objekt “Rehabilitimin e mjediseve dhe instalimin e disa shërbime të munguara në Spitalin Rajonal të Shkodrës”. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se “projekti rehabilitues e kompletues në Spitalin e Shkodrës ka përfunduar qysh në muajin mars 2016 dhe gjithçka funksionon sipas projektit”. 
Skenari për të marrë “në rregull” letrat e dorëzimit të punimeve
Mirëpo, sipas “gjurmëve” të letrave që kanë mbetur nga dosja e shpartalluar e këtij projekti financimi në bashkinë e Shkodrës, në spitalin e Shkodrës, në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Durrës në qendrën e drejtorit të këtij projekti e të krejt projekteve në shëndetësinë shqiptare, zotit E. Shehu (Niku), konstatohet se punimet e këtij spitali nuk janë marrë ende në dorëzim as nga drejtuesit e spitalit, as nga Bashkia e Shkodrës si “pronare” territori”, as nga Banka Botërore e cila e ka ende të “pa mbyllur” këtë investim që ka bërë! Por letrat e kryerjes së investimit, nuk janë dorëzuar as nga firma sipërmarrëse “Esi Consorzio Stabile from Italy, Albania-Ltd” e cila ka si drejtues teknik e drejtues ligjor, italianin me profesion e emër Ing. Enriko Manrioti! 

Ndërkohë që janë marrë në dorëzim me një akt inventari fizik nga drejtoria e spitalit të Shkodrës, vetëm punët e kryera fizike si ndërtim e pajisje të instaluara, paçka se siç thuhet nga informacionet që kanë ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, ish-drejtores së këtij spitali, zonjës Dhurata Uruçi i është kërkuar me këmbëngulje, me “qokë” që të bëj marrjen e punimeve në dorëzim, por përballë kundërshtimit të saj për mos firmosje marrjeje në dorëzim të investimit si “të kryer në rregull”, mësojmë se i janë bërë edhe presione “për largim nga detyra”. Këto presione u realizuan me urgjencë, me “vulën” e ministrit Ilir Beqja, duke e shkarkuar brenda 24 orëve me motivin “Për performancë të dobët në drejtim”. Burime nga ministria e shëndetësisë dhe nga spitali i Shkodrës, na deklaruan se presionet aktive e sistematike i janë bërë nga drejtori i projektit, vëllai i një ish-ministri të PD, me emrin E. Shehu që njëherazi është edhe administrator në një spital e shkollë mjekësore italiane me emër “Shenjti”, duke i kërkuar në emër të ministrit Beqja, që ish-drejtorja Uruçi të firmoste marrjen urgjent në dorëzim të punimeve, me cilësimin “investimi është realizuar i plotë dhe në rregull në çdo element të tij”. Pikërisht këtë gjë nuk pranoi të bënte zonja Uruçi dhe në orën 8 të mëngjesit, gjeti zarfin poshtë derës së zyrës, me vendimin e ministrit Ilir Beqja, me tekstin: “Shkarkim nga detyra, për mungesë performance”! Aktualisht, sipas deklarimeve të ministrisë, thuhet se spitali është rehabilituar me punime me cilësi, pajisur sipas projektit”.

 Madje thuhet edhe se është zbatuar 100% projekti sipas financimit të BB dhe pjesës modeste të financimit prej Shtetit Shqiptar! Por, punimet nuk janë marrë e nuk po merren akoma në dorëzim as prej drejtorit të ri të spitalit, mbasi siç na thanë në konfidencë, zoti P. Çela gjendet përballë një dosjeje investimi, përballë punimesh e praktikash shkresore të “gatuara keqas” prej atyre që kanë menaxhuar këtë projekt të përgatitur në muajin Maj 2004, të rishikuar në vitin 2006, që u lidh kontrata në datën 04 gusht 2009, që duheshin përfunduar punime në datën 4 korrik 2011 (për 24 muaj), që u shty afati në 36 muaj, që iu bë akt-Kolaudimi në datën 22 tetor 2012, që u firmos inventari fizik i punimeve të kryera në fund të muajit prill 2016 e që punimet nuk po merren në dorëzim as sot në fund të gushtit 2016. Në arkivën e spitalit të Shkodrës, gjendet vetëm Akt-Kolaudimi i datës 22 tetor 2012, dorëzuar prej grupit të 3 kolaudatorëve të përzgjedhur nga investitori më profesion inxhinier ndërtimi, inxhinier mekanik dhe inxhinier elektrik, të cilët në këtë Akt-Kolaudim që kanë kërkojnë marrjen e punimeve në dorëzim dhe paraqesin shkaqet e vonesës së realizimit të investimit pas 7 vitesh nga data e lidhjes së kontratës, shkaqe të sajuara deri në absurd, të cilët do t’i publikojmë.
Përse u bë dhe u firmos procesverbali i inventarit fizik të punimeve?
Po përse u bë dhe u firmos me urgjencë procesverbali i inventarit fizik të punimeve dhe pajisjeve të instaluara në spitalin e Shkodrës? Sipas informacioneve të dhëna nga pjesëtarë të grupit projektues e sipërmarrës të këtij investimi, deklarohet se firmosja e gjendjes fizike të punimeve duke përdorur akt-kolaudimin e përgatitur nga treshja e inxhinierëve, nuk kishte lidhje “me merakun për punën”, por kërkohej prej drejtorisë së spitalit dhe duhej bërë patjetër e me urgjencë të porositur edhe prej ministrit Ilir Beqja, thjeshtë dhe vetëm për të likuiduar vlerën e mbajtur “peng” të miliardave nga Banka Botërore, të bllokuara sipas kontratës dhe rregullit deri në kryerjen e plotë të investimit, shuam që duhej likuiduar pas dorëzimit dhe marrjes së punimeve në dorëzim prej spitalit të Shkodrës, prej bashkisë së Shkodrës dhe prej Ministrisë së Shëndetësisë, por ky rregull u shkel. Dhe synim u arrit. Spitali firmosi “inventarin” e punimeve fizike të kryera, por nuk ka firmosi marrjen e punimeve në dorëzim! Mirëpo miliardat u tërhoqën nga grupi i zbatimit të investimit, duke paraqitur në BB procesverbalin e punimeve të kryera dhe jo aktin e marrjes në dorëzim të punimeve, si dhe një “miratim” nga ministria e Shëndetësisë! Nuk e dimë, nëse në këtë skandal ka “gisht” edhe ndonjë “misionar” i BB në zyrën e përfaqësisë së saj në Shqipëri, por dimë faktin që firma sipërmarrëse e punimeve 11 milionë euro të akorduara për spitalin e Shkodrës, regjistruar në QKR në Shqipëri me emër subjekti privat “Esi Consorzio Stabile from Italy, Albania-Ltd” dhe përfaqësuar nga drejtues teknik e ligjor, italiani i prezantuar si Ing. Enriko Manrioti, pas marrjes së milionave të fundit, thuhet se është zhdukur edhe nga Shqipëria. Ndërkohë që drejtoria e spitalit të Shkodrës e kërkon, por që siç thuhet, ai ka lënë në tavolinën e ministrit Beqja vetëm një “copë pusullë” me tekstin “Firma jonë u shpërbë, secili morri aksionet e veta dhe ne nuk ekzistojmë më si subjekt”. Pikërisht këtë “copë pusullë”, ministri Ilir Beqja ka 4 muaj po e përdor si “kartë” për të justifikuar mos marrjen e punimeve në dorëzim, ndërkohë që po në mënyrë të kundërligjshme, ka urdhëruar që spitali Shkodër të nis shërbimet pa akt-marrjen e punimeve në dorëzim! 
Ministri i Shëndetësisë “ka bërë kujdes” për letrat e dorëzimit të projektit 
Sipas informacioneve, për të firmosur “letrat” e punimeve të të këtij projekti e investimi gjigant të akorduar prej Bankës Botërore, vetëm në 2 vitet e fundit janë dërguar 32 shkresa zyrtare me “firmë e vulë ministri” në spitalin e Shkodrës. Kujtojmë, gjithashtu, që këtë projekt me vlerë afro 11 milionë euro e ka ndjekur “nga afër” dhe e ka “trajtuar me merak” vetë Ministri i Shëndetësisë, zoti Ilir Beqja, i cili ka komunikuar shpesh edhe me drejtorin e këtij projekti, zotin E. Shehu (Niku), prej të cilit ka marrë garanci se “letrat do kalojnë”, përpara datës 25 prill 2016, kur pritej të vinte një grup inspektimi i Bankës Botërore për të kontrolluar zbatimin e projektit të investuar. Pas (dorë)heqjes së ish-drejtores Dhurata Uruçi e cila nuk pranoi të firmos “letrat’ e paraqitura nga firma zbatuese dhe nga drejtori i projektit E. Shehu (Niku), sipas një saktësimi të ardhur nga Shkodra, thuhet se “letrat” e marrjes në dorëzim të punimeve nuk janë firmosur as nga drejtori aktual i këtij spitali. Gazeta “Telegraf”, do të zbardh të plotë dosja e këtij investimi të akorduar nga Banka Botërore për Spitalin Rajonal të Shkodrës, dhe disa projekte të tjera investimesh të huaja në shëndetësi, të cilat duhen hetuar edhe nga shërbimi i anti-krimit ekonomik financiar, për t’u çuar për ballafaqim me drejtësinë.
————————————————
Të dhëna për projektin “Rehabilitimi i Spitalit Rajonal Shkodër”
Vendi i ndërtimit: Sheshi i Ndërtimit, ndodhet në territorin e Spitalit Rajonal të Qarkut Shkodër 
Emërtimi i Objektit dhe funksioni Consult i tij: “Reabilitimimi i Spitalit Rajonal të Shkodrës 
Autori i Projektit: “Top Consult Gmbh Koeln, Germany” 
Data e përgatitjes së Projektit: Maj 2004, 
Rishikuar projekti: Më 2006 
Ndryshime në Projekt, gjatë zbatimit: Nuk janë bërë dhe është zbatuar projekti fillestar 
Vlera e objektit, sipas kontratës: 8.084.325r28 Euro, pa TVSH
Vlera e objektit, shtuar sipas ndryshimeve në projekt-preventiv: 8.904.657,81 Euro, pa TVSH 
Gjeneraliteti i Sipërmarrësit: Esi Consorzio Stabile from Italy, Albania-Ltd
Drejtues Ligjor: Ing. Enriko Manrioti
Drejtues Teknik: Ing. Enriko Manrioti
Mbikëqyrësi i punimeve: “Top Consult Gmbh Koeln, Germany”
Afati i kryerjes së punimeve sipas kontratës: 24 muaj
Zgjatja afatit te punimeve: 12.5 muaj 
————————————
Ja 5 shkaqet që ka paraqitur grupi i kolaudimit, për zvarritjen e punimeve 7 vjet
1. Projekti i ndërtimit u realizua ne dy objekte, ndërkohë që duhej të realizohej në katër objekte paralelisht dhe kjo krijoji vështirësi ecurie, për shkak se Drejtoria e Spitali të Shkodrës kishte vështirësi… në akomodimin e pacientëve, .ndërkohë që ndërtohej dhe rehabilitohej godina e spitalit. 
2. Vonesa me 3 muaj, për prishjen e objekteve të cilat okuponin sheshin e ndërtimit të parashikuar në objekt. 
3. Vonesa prej 45 ditësh, për boshatisjen e ambienteve të Spitalit të Pediatrisë, me ja e ambienteve te spitalit te pediatrisë 
Vonesa prej 3 muaj, shkaktuar në kantier prej përmbytjeve nga reshjet që ndodhën në vitin 2010 në Shkodër.
4. Mos pagesa prej 3 muajsh e kostos lokale dhe të taksës 20% TVSH nga buxheti i shtetit, për 6-mujorin e dytë të vitit 2010. Kjo mos pagesë në kohën e duhur, shkaktoi pakësimin e fuqisë punëtore dhe vonesën me 1 muaj të blerjes së materialeve të ndërtimit.
5. Vonesa me 4 muaj e lirimit të godinës së Poli-Ambulancës e cila me Urdhër të Ministrit të Shëndetësisë duhej të ishte bërë në datën 12. 01. 2012, por u lirua dhe iu dorëzua sipërmarrësit për nisjen e punimeve, në datën 23. 04. 2012. 
———————– 
Ja 12 pyetje që presin përgjigje
1. A janë shkaqe reale, ato që paraqesin kolaudatorët e projektit, apo janë “shkaqe” të tjera dhe çfarë fshihet pas zvarritjes 7 vjeçare të punimeve? 
2. A është zbatuar 100% projekti i këtij investimi? 
3. Çfarë e pengon drejtorinë e Spitalit të Shkodrës, që nuk merr punimet në dorëzim?
4. Çfarë “gjurmë gishtash” kanë ish-drejtues dhe drejtues aktualë të Bashkisë Shkodër, me lojën e zvarritjes dhe letrave të këtij projekti? 
5. Çfarë pazaresh fshihen pas investimit 1 milionë dollarë të inauguruar nga një deputete e zonës me inicialet J.T dhe përse përmendet në ceremoni që ky investim ka brenda edhe “mbështetjen :nga partneriteti” privat”? 
6. Cila është cilësia e punimeve të kryera në këtë spital? 
7. Ku janë blerë, ose janë marrë pajisjet e instaluara dhe a ka fatura për vlerën dhe procedurat e blerjes së tyre?
8. Përse u shty afati i punimeve me 12.5 muaj të tjerë? 
9. Përse punimet nuk përfunduan për 24 muaj, pra në datën 15. 10. 2011, sipas kontratë-marrëveshjes së lidhur në datën 04 gusht 2009? 
10. Përse ndryshoi preventivi me rrije vlere mbi 900 mijë euro, mbi vlerën e projekt-preventivit fillestar? Përse nuk deri në mesin e vitit 2016, nuk u morrin punimet në dorëzim? 
11. Cilat ishin shkaqet e tjera, që projekti u zvarrit?
12. A ka dorë ministri beqar në skenarin e falimentimit, largimit dhe shkrirjes së befasishme të firmës sipërmarrëse, 24 orë pas mbylljes s llogarive?
———————————————————
Ja informacioni zyrtar, i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për projektin e Spitalit të Shkodrës
Ndërhyrjet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, janë lehtësuar nga përgatitja e Master-Planit, paraprakisht në vitin1996, nga studio konsulente gjermane “TOP Consult, Koln”, financuar nga Projekti i Parë i Bankës Botërore. Kjo mundëson ndërhyrjet, si të investitorëve të huaj ose të qeverisë shqiptare, të cilët e dinë tashmë se ku duhen kanalizuar investimet për këtë spital. Në fazën e parë të Projektit të Spitalit Rajonal të Shkodrës u realizua ndërtimi i Urgjencës, Kirurgjisë me 5 salla operacioni, Reanimacionit dhe shërbimeve ndihmëse. Pas përfundimit të kësaj faze, në vitin 1996, të financuar nga Banka Botërore, CEB shprehu interesin për të financuar fazën e dytë dhe të tretë të tij: 
Faza e dytë e Projektit të Spitalit Rajonal të Shkodrës, përfundoi në vitin 2007, nëpërmjet një bashkëfinancimi të CEB me vlerë 2.4 USD dhe të Qeverisë Shqiptare me vlerë 2.4 USD, ku përfshihet edhe blerja e pajisjeve mjekësore. Në këtë fazë, sipas Master-Planit u realizua rehabilitimi i përgjithshëm i Spitalit Obsetrik-Gjinekologjik, si dhe ndërtimi i ri i departamentit të imazherisë. 
Faza e Tretë e Projektit të Spitalit Rajonal të Shkodrës. 
Kjo është ndërhyrja e fundit e parashikuar në Master-Plan. Projekti ka një vlerë prej 10.48 milionë Euro, pa përfshirë TVSH dhe tashmë ka filluar zbatimi i tij. 
Plani i Financimit: 
Huaja e CEB: 6. 000 000 Euro 
Grant i CEB: 150 000 Euro 
Financim shteti: 4.330 000 Euro 
Afati i punimeve: 2008-2011 
Zona e ndërhyrjes: Vazhdim i rehabilitimit të Spitalit të Shkodrës, duke u bazuar në këtë Master Plan. 
Punët e planifikuara: Punët kryesore të planifikuara të fazës së tretë: 
1. Ndërtimi i ri i mjediseve të përshtatshme për pacientët akutë dhe kronikë të psikiatrisë, gjatë vitit të parë të zbatimit. 
2. Integrimi i poliklinikës se qytetit, në zonën spitalore (me rreth 15-17 shërbime).
3. Organizimi i një rrjedhe të logjikshme të punës dhe shërbimeve.
4. Përmirësimi i regjistrimit dhe menaxhimit. 
Efektet sociale: Spitali Rajonal i Shkodrës është qendra më e rëndësishme shëndetësore për pacientët e shtruar dhe ata ambulatorë në qarkun e Shkodrës dhe në zonën e veriut. 
————————————————————-
Në datën 16 dhjetor 2015
Ja çfarë ka deklaruar Ministri Ilir Beqja në spitalin e Shkodrës, lidhur me këtë projekt
Janë 5 milionë dollarë janë investimet e realizuara deri tani, si dhe ato të parashikuara së shpejti nga buxheti i shtetit, me financime të huaja dhe nga partneriteti publik-privat, të cilat e plotësojnë funksionimin e Spitalit Rajonal të Shkodrës dhe e bëjnë një nga qendrat më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë. Shërbimi i pediatrisë, do të rehabilitojë pacientët e vegjël në një repart tërësisht të ri reanimacioni, të pajisur sipas standardeve më të larta europiane të shërbimit ndaj pacientit, me shtretër dhe aparatura monitoruese. Kjo është një pajisje e re që ka ardhur këto ditë dhe që bën pjesë në këtë investimin e madh që është bërë, duke filluar që nga krevatet, aparaturat e monitorimit që janë shumë të vlefshme. Janë aparatura që i shërbejnë fëmijëve, dhe personelit sepse të gjitha janë pajisje që monitorojnë të sëmurin. Qendra për koronarografinë, e cila do të nisë nga puna në fillim të vitit të ardhshëm, është e para qendër e tillë jashtë Tiranës, që do t’u vijë në ndihmë, jo vetëm banorëve të Shkodrës, por edhe të gjithë Veriut, duke shmangur radhët e gjata të pritjes në spitalin e Tiranës. Investimet për kardiologjinë arrijnë rreth 75 milionë lekë. Aparatura e kimioterapisë është në spital dhe se stafi i infermierëve është i trajnuar për të filluar nga puna. Nga marsi i vitit që vjen pacientët e rajonit të Shkodrës me sëmundje tumorale që kanë nevojë të kryejnë kimioterapi nuk do të udhëtojnë deri në Tiranë për të marrë këtë shërbim, por do ta bëjnë atë në spitalin e Shkodrës. Do të përfundojë puna për instalimin e rezonancës magnetike, për të cilën mjekët u shprehën se do të ketë impakt të madh tek popullsia, duke iu mundësuar atyre një shërbim shumë të nevojshëm. “Këtu do të vendoset rezonanca magnetike. Ky është bunkeri dhe është duke u punuar. Impakti tek popullsia do të jetë shumë i madh sepse rajoni i Shkodrës nuk ka pasur rezonancë. Besoj që mesatarisht 10 pacientë në ditë do të jenë. 3 mijë raste në vit nuk janë pak që shkojnë në Tiranë, sepse harxhimet janë të mëdha.” – u shpreh mjeku specialist i këtij pavijoni. Vitin tjetër, do të investohet në reanimacionin e përgjithshëm me një financim të Bankës së Këshillit të Europës, rreth 47 milionë lekë. Do të hapim në fillim të vitit tjetër, qendrën e parë të koronarografisë jashtë Tiranës, për t’i ardhur në ndihmë banorëve të Shkodrës, por dhe një pjese të mirë të zonës së Veriut. Janë 7-8 shërbime që do të investohen në spitalin rajonal të Shkodrës.
Sigal